Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

02.11.2022

Çfarë është tromboza e venave të thella?

Tromboza e venave të thella është mpiksja (jonormale) e gjakut që zhvillohet në venat e thella, zakonisht në ato të këmbës ose legenit, dhe është gjithnjë e më e zakonshme si në popullatën e re ashtu edhe në atë të moshuar.

Mpiksjet e mëdha të gjakut mund të udhëtojnë nga venat në këmbë ose legen dhe të kalojnë përmes sistemit venoz në zemër dhe më pas në mushkëri. Ato mund të shkaktojnë probleme serioze kardiovaskulare dhe në rast se preken mushkëritë, kemi të bëjmë me emboli pulmonare, e cila është një gjendje jashtëzakonisht e rëndë mjekësore e cila mund të jetë edhe fatale.

Shumica e mpiksjeve janë të vogla, të padëmshme dhe zgjidhen me trajtim relativisht të thjeshtë. Shpesh herë, me një gjendje të padiagnostikuar, pacientët e përshkruajnë dhimbjen si “tërheqje te muskujve” ose dhimbje të tjera të këmbës. Kjo gjendje mund të diagnostikohet menjëherë me anë të ekzaminimit flebologjik ose ekzaminim vaskular të sistemeve venoze nga ana e mjekut specialist.

Simptomat e mundshme të trombozës së venave të thella mund të manifestohen me:

  • Dhimbje të papritur të këmbës pa ndonjë arsye të dukshme në pjesën e sipërme të gjurit, poshtë gjurit ose të dyja
  • Ënjtje vetëm në pjesën e kyçit të këmbës, në pjesën e kyçit të këmbës dhe këmbës, pjesën e poshtme ose të sipërme të këmbës, ose të gjithë këmbën
  • Dhimbje të forta në këmbë – veçanërisht kur qëndroni më gjatë në këmbë ose kur ecni
  • Nxehtësi në zonën ku është shfaqur ënjtja
  • Ndonjëherë mund të shfaqet skuqje e lëkurës, por kjo është më pak e zakonshme

Tromboza e venave të thella zakonisht prek njërën këmbë, por ndonjëherë mund të prekë të dyja.
Në shumicën e rasteve, nuk ka simptoma ose shenja paralajmëruese. Kjo gjendje diagnostikohet vetëm nëse shfaqet ndonjë komplikim.

Kur duhet të kërkoni ndihmë mjekësore profesionale?

Nëse nuk jeni të sigurt nëse vuani nga tromboza e venave të thella ose ndonjë gjendje tjetër venoze, është domosdoshmërisht e nevojshme të konsultoheni me mjekun specialist i cili nëpërmjet disa testeve laboratorike të cilat zakonisht përfshijnë vlerat e D-dimerit dhe nëpërmjet një ekzaminimi Doppler të venave dhe arterieve të ekstremiteteve, mund të vendos diagnozën e saktë dhe t’ju ofroj trajtimin e duhur mjekësor të personalizuar ose trajtim kirurgjik në raste më të rënda.

Nëse tromboza e venave të thella diagnostikohet dhe trajtohet menjëherë, në shumicën e rasteve mpiksja do të shpërbëhet dhe vena do të kthehet në gjendjen e saj normale. Nëse ka vonesë në diagnostikimin dhe trajtimin e saj, ose nëse ka përsëritje të trombozës së venave të thella në të njëjtën këmbë, venat e thella mund të dëmtohen dhe të humbasin funksionimin e duhur. Kjo shkakton sindromën post-trombotike (PTS) e cila mund të shkaktojë dhimbje kronike dhe ënjtje të këmbës, të shoqëruara me njollë dhe shpesh ulçera (puçrra) në këmbë.

Është gjithashtu shumë e rëndësishme të dihet se çfarë e shkakton mpiksjen. Mund të shfaqet si pasojë e variçeve, ngjeshjes në vena, ndryshimeve në gjak (si pasojë e dehidrimit, pirjes së duhanit dhe marrjes së barnave të caktuara), por mund të shfaqet edhe si shenjë e një sëmundjeje tjetër. Udhëtimet e gjata dhe palëvizshmëria janë gjithashtu faktorë që kontribuojnë në këtë gjendje.

Në Spitalin klinik Zhan Mitrev, ekipi i transfuziologëve dhe kirurgëve vaskular janë në dispozicionin tuaj, duke ofruar zgjidhje për të gjitha problemet tuaja në këtë fushë.

Rezervoni terminin tuaj në 02 3091 484