Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

29.03.2022

Inkontinenca ose mosmbajtja e pavullnetshme e urinës

Rrjedhja e pavullnetshme e urinës nga fshikëza, e njohur ndryshe edhe si inkontinencë urinare, është një problem me të cilin përballen shumë gra. Ndonëse si gjendje nuk është e dhimbshme, sërish është një problem higjienik apo social dhe mënyra e jetesës, funksionimi i përditshëm realisht janë të parehatshëm për pacientët – thotë prof. dr. Vasil Iliev, specialist në gjinekologji dhe obstetrikë në Spitalin klinik Zhan Mitrev. Në këtë kontekst, dy lloje të inkontinencës urinare janë më të zakonshmet: inkontinenca e stresit dhe inkontinenca urgjente.

Inkontinenca e stresit

Inkontinenca e stresit është lëshimi i pavullnetshëm i urinës që ndodh kur teshtitni, kolliteni, qeshni. Inkontinenca e stresit mund të shkaktohet nga një çrregullim i anatomisë ose nga mosfunksionimi i muskulit të sfinkterit (muskuli që mbyll fshikëzën). Zhvendosja ose çrregullimi anatomik ndodh si pasojë e dobësimit të strukturave anatomike që ruajnë pozicionin normal të fshikëzës dhe uretrës.

Si diagnostikohet inkontinenca urinare?

Diagnostikimi bëhet me ndihmën e ekzaminimeve të duhura, të qëllimshme që synojnë të përcaktojnë shkakun, llojin dhe ashpërsinë e inkontinencës. Ekzistojnë tre nivele të inkontinencës urinare që përcaktohen nga shkalla e dobësimit të murit të përparmë vaginal, rënies së fshikëzës dhe çrregullime të tjera të mundshme anatomike. Ekzaminimi që shërben për zbulimin e këtyre parametrave është ekzaminimi i legenit dhe konsiston në vlerësimin e gjendjes së muskujve të legenit dhe integritetit të aparatit mbështetës të fshikëzës dhe uretrës si dhe pranisë së prolapsit të fshikëzës (cistocela), mitrës, dhe vaginës. Për të vërtetuar inkontinencën kryhet testi Marshall (testi i stresit). Nëse është e nevojshme bëhen ekzaminime shtesë: uretrocistoskopia, cistografia, ekzaminimet urodinamike, elektromiografia etj.

Cila është terapia për inkontinencën urinare të stresit?

Pasojat socio-mjekësore, higjienike dhe psikologjike të inkontinencës mund të jenë shumë serioze. Format e rënda të inkontinencës kërkojnë izolimin e pacientit nga mjedisi social. Por është shumë e rëndësishme të dime se ekzistojnë disa lloje zgjidhjesh të mundshme.

  • Terapia konservative: bazohet në forcimin e muskujve të legenit, dhe rekomandohet për shkallën më të lehtë të mosmbajtjes së urinës. Pjesë e kësaj terapie përfshin: kryerjen e ushtrimeve Kegel, stimulim magnetik dhe elektrik të muskujve të thellë të legenit dhe disa opsione të tjera.
  • Terapia kirurgjikale: operacionet e ashtuquajtura sling minimalisht invazive, në të cilat vendosen shirita me material të posaçëm kirurgjik që shërbejnë për mbylljen e sfinkterit uretral. Ky lloj operacioni kryhet me një prerje vaginale minimale (8 deri në 9 mm) dhe jep rezultate të shkëlqyera. Këto operacione konsiderohen si standardi i artë në trajtimin e inkontinencës së stresit. Shtrimi në spital është i shkurtër dhe zgjat vetëm një ditë.

Inkontinenca urgjente

Është një lloj shkarkimi i pavullnetshëm i urinës në të cilin gruaja befas ndjen nevojën për të urinuar dhe nuk mund ta vonojë urinimin, gjatë së cilës ka rrjedhje të urinës. Nevoja e papritur apo e menjëhershme për urinim lind si pasojë e një spazme të fortë të fshikëzës që shfaqet si reagim ndaj stimujve të ndryshëm, si rrjedhja e ujit nga rubineti, larja e duarve, por edhe pa stimulues. Shkaktarët kryesorë të këtij lloji të mosmbajtjes janë infeksionet e përsëritura të rrugëve të poshtme urinare, dëmtimet e muskujve apo nervave të fshikëzës, diabeti, tumoret e qafës së fshikëzës, gurët në fshikëz etj.

Cila është terapia për inkontinencën urgjente?

Trajtimi është i kombinuar. Medikamentet dhe stimulimi elektro ose magnetik përdoren për të parandaluar kontraktimet e pavullnetshme dhe të pafrenuara të muskujve të fshikëzës dhe për të rritur kapacitetin e saj.

Për faktin se kjo situatë është e pakëndshme dhe shpesh shkakton siklet dhe turp tek gratë, disa prej tyre e pranojnë si të tillë dhe nuk e raportojnë këtë problem tek mjeku gjinekolog. Këshillojmë që të gjitha gratë të cilat vuajnë nga ky problem, të mos ndihen të paragjykuara dhe të mos kenë turp të konsultohen me mjekun e tyre gjinekolog i cili do të rekomandojë zgjidhjen e duhur për të arritur efektet e dëshiruara, pra zgjidhjen afatgjatë të kësaj gjendje.

Nëse keni mosmbajtje urinare, është shumë e rëndësishme të kontaktoni mjekun tuaj dhe të kërkoni trajtimin e duhur. Në Spitalin klinik Zhan Mitrev kemi ekipin më të mirë të gjinekologëve me përvojë shumëvjeçare në trajtimin e problemeve me traktin urogjenital dhe të gjitha gjendjeve gjinekologjike të cilët përmes qasjes individuale do t’ju ofrojnë zgjidhjen më të mirë medikamentoza apo kirurgjikale.