Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

04.12.2023

Disa këshilla për kujdesjen e shëndetit gjatë temperaturave të ulëta

Rënia e temperaturave që ndodh çdo vit në fund të vjeshtës mbart me vete një rrezik të lartë për t’u prekur nga sëmundjet e frymëmarrjes, si gripi apo bronkiti.

Për këtë arsye, është veçanërisht e rëndësishme të merren masa paraprake tek personat të cilët bëjnë pjesë në grupet më të rrezikuara: fëmijët, personat mbi 65 vjeç, gratë shtatzëna ose personat me sistem imunitar të dobësuar.

Më poshtë do të gjeni 6 këshilla të thjeshta parandaluese:

1. Ajrosni çdo ditë ambientet në të cilat qëndroni

Gjatë muajve të ftohtë, njerëzit priren të qëndrojnë në ambiente të mbylluara dhe të ajrosura dobët për orë të tëra, duke ndihmuar në shkaktimin dhe përhapjen e viruseve. Hapja e dritareve dhe lënia e ajrit të qarkullojë për disa minuta çdo ditë është thelbësore për të oksigjenuar ambientet dhe për të parandaluar akumulimin e mikroorganizmave.

2. Lani sa më shpesh duart

Ky veprim i thjeshtë minimizon shumë rrezikun e shfaqjes së ftohjes ose gripit. Larja e duarve këshillohet gjithmonë dhe menjëherë pas kontaktit me sipërfaqe të mundshme të kontaminuara (të tilla si udhëtimi me autobus ose tavolina në kafene) si dhe pas kontaktit me persona të sëmurë.

3. Vaksinohuni kundër gripit sezonal

Kjo vaksinë indikohet veçanërisht për personat që janë në rrezik: fëmijët me patologji të caktuara, të rriturit mbi 65 vjeç dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike. Vaksinimi mundëson mbrojtje nga 6 deri në 12 muaj dhe rekomandohet të bëhet para fillimit të dimrit.

4. Shmangni ndryshimet e mëdha të temperaturës

Kalimi nga një mjedis i ftohtë në një mjedis të ngrohtë ose anasjelltas bën që sistemi imunitar të reagojë më pak në mënyrë efektive ndaj agresionit të jashtëm. Për shkak të kësaj, këshillohet që ambienti ku qëndroni të mbahet në një temperaturë nën 23 gradë Celsius dhe të përshtaten rrobat në çdo mjedis: hiqni kapelet, xhaketat dhe shallin kur jeni në një ambient të ngrohtë dhe vishini ato kur dilni jashtë ose hyni në një ambient më të ftohtë.

5. Mbuloni gojën kur kolliteni ose teshtini

Viruset dhe bakteret udhëtojnë nëpër ajër përmes pikave të vogla të lëshuara gjatë kollitjes dhe teshtitjes. Nëse infeksioni është tashmë i pranishëm, alternativa më e mirë për të shmangur përhapjen e tij tek personat e tjerë është përdorimi i një shamie (letër higjenike njëpërdorimshe) dhe shmangia e kontaktit të drejtpërdrejtë të mukozave me duart.

6. Përdorni ilaçet me përgjegjësi

Marrja e medikamenteve të gabuara, veçanërisht antibiotikëve, mund të ketë efekte të dëmshme për shëndetin, sepse ato nuk kanë efekt ndaj infeksioneve virale si gripi dhe mund të gjenerojnë rezistencë dhe të mos jenë efektiv kur është e nevojshme, ndikojnë në dobësimin e sistemit imunitar dhe ju bëjnë më të prirur ndaj infeksioneve virale.

Shijimi i muajve më të ftohtë të vitit është i mundur nëse marrim masa paraprake ekstreme dhe zbatojmë masat e mësipërme parandaluese, veçanërisht për personat që i përkasin grupeve më të rrezikuara.