Edukimi praktik është vendimtar në edukimin e çdo studenti të mjekësisë

Edukimi praktik është vendimtar në edukimin e çdo studenti të mjekësisë. Si shumë herë deri më tani, Prof. Dr. Konstantin Mitev, kirurg traumatolog – profesor në Universitetin Goce Dellçev, ka përcjellur për studentët e mjekësisë një pjesë të njohurive të tij. Sot në ambientet e Spitalit klinik Zhan Mitrev, në kuadër të fushës së kirurgjisë 1 dhe 2, ai u dha studentëve ushtrime praktike, gjatë të cilave u shpjegoi hollësisht metodat bazë kirurgjikale dhe procedurat që lidhen me antisepsën, sepsën, trajtimin e plagëve dhe fashimin e tyre.

Sëmundjet e zemrës tek gratë, simptomat dhe faktorët e rrezikut

Në muajin kushtuar shëndetit të gruas, duhet t’i kushtojmë vëmendjen e duhur parandalimit dhe rreziqeve që kontribuojnë në shfaqjen e sëmundjeve të zemrës.
Edhe pse sëmundjet e zemrës shpesh mendohen si një problem i burrave, statistikat tregojnë se numri i grave që vdesin nga sëmundjet e zemrës është çdo vit më i lartë në krahasim me burrat. Tek gratë, probabiliteti i vdekjes nga problemet e zemrës është 6 herë më i lartë se vdekja e shkaktuar nga kanceri i gjirit.

Sëmundjet e zemrës vrasin më shumë gra mbi moshën 65 vjeç sesa të gjithë kanceret së bashku.
Simptomat e sëmundjeve të zemrës tek gratë janë të ndryshme nga simptomat që shfaqen tek burrat. Për fat të mirë, gratë mund të ndërmarrin hapat e duhur drejt detektimit të këtyre simptomave dhe mund të fillojnë me parandalimin e sëmundjes.

Cilat janë simptomat e atakut kardiak te femrat?

Si tek gratë ashtu edhe tek burrat, simptoma më e zakonshme e atakut kardiak është dhimbja, presioni ose shqetësimi në gjoks/kraharor. Por dhimbja zakonisht nuk është aq e fortë dhe për këtë arsye nuk konsiderohet si një simptomë tipike tek gratë. Gratë gjithashtu kanë më shumë gjasa se burrat të kenë shenja dhe simptoma që nuk lidhen me dhimbjen e kraharorit. Të tilla janë:

  • parehati në qafë, shpatulla, stomak;
  • mungesë ajri;
  • të përziera ose të vjella;
  • ënjtje të gjymtyrëve;
  • marramendje dhe errësirë para syve;
  • lodhje e pazakontë.

Shumë gra, për faktin se simptomat e tyre nuk kanë qenë tipike për një atak në zemër, paraqiten në qendrën urgjente pasi të kenë ndodhur më shumë dëmtime në zemër.
Gjëja e rëndësishme që duhet të mbani mend është:
Nëse jeni duke përjetuar ndonjë nga simptomat e përmendura më lart ose mendoni se po përjetoni atak në zemër, kërkoni ndihmë menjëherë! Mos shkoni vetëm në spital!

Cilët janë faktorët e rrezikut për sëmundjet e zemrës tek gratë?

Megjithëse faktorët më të njohur të rrezikut për sëmundjet koronare të zemrës, si kolesteroli i lartë, presioni i lartë i gjakut dhe obeziteti, prekin si burrat ashtu edhe gratë, ka faktorë të tjerë që mund të luajnë një rol më të madh në zhvillimin e sëmundjeve të zemrës tek gratë. Për shembull:
Sindromi metabolik – grumbullimi i yndyrës (dhjamit) në zonën e barkut, presioni i lartë i gjakut, niveli i lartë i glukozës në gjak dhe trigliceridet e larta. Këta faktorë rreziku janë më karakteristikë për gratë sesa për burrat.
Stresi mendor dhe depresioni ndikojnë më shumë në shëndetin e zemrës tek gratë.
Pirja e duhanit është një faktor rreziku më i madh tek gratë sesa tek burrat;
Nivelet e ulëta të estrogjenit pas menopauzës janë një faktor rreziku i lart për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare të enëve të vogla të gjakut.

Cila është mosha kritike për sëmundjet e zemrës tek gratë? A duhet të shqetësohen vetëm gratë e moshuara?

Të gjitha gratë e të gjitha moshave duhet t’i marrin seriozisht sëmundjet e zemrës. Statistikat botërore konfirmojnë se sëmundjet e zemrës janë shkaku kryesor i vdekjes tek gratë mbi 65 vjeç. Por është gjithashtu fakt se ato janë shkaku i tretë kryesor i vdekjes tek gratë e moshës 25 deri në 44 vjeç dhe shkaku i dytë kryesor i vdekjes tek gratë e moshës 45 deri në 64 vjeç. Nga ana tjetër, gratë që janë nën moshën 65 vjeç dhe kanë një histori familjare të sëmundjeve të zemrës, duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë faktorëve të rrezikut përgjegjës për sëmundjet e zemrës.

A është depresioni një faktor i veçantë rreziku për sëmundjet e zemrës tek gratë?

Depresioni është dy herë më i zakonshëm tek gratë sesa tek burrat dhe rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës me dy deri në tre here më shumë. Depresioni e bën të pamundur mbajtjen e një stili jetese të shëndetshëm. Prandaj, nëse jeni duke përjetuar simptoma depresive si: humbje e interesit për aktivitetet e përditshme, ndjenja e mungesës së shpresës ose ndryshime të pashpjegueshme në peshë, sigurohuni që të flisni me mjekun tuaj.

Çfarë mund të bëjë çdo grua për të reduktuar rrezikun e sëmundjeve të zemrës?

Ka disa ndryshime në stilin e jetës që mund të bëni. Ato janë të thjeshta dhe do t’ju ndihmojnë të zvogëloni rrezikun e sëmundjeve të zemrës:

• Kryeni ushtrime të paktën 30 minuta në ditë;
• Ruani një peshë trupore të shëndetshme;
• Ndaloni pirjen e duhanit;
• Konsumoni ushqime që kanë përmbajtje të ulëta të yndyrnave të ngopura, kolesterolit dhe kripës.

Çfarë lloj ushtrimesh duhet të bëni për të reduktuar rrezikun e sëmundjeve të zemrës?

Ju duhet të bëni ushtrime të moderuara, ecje të shpeshta për 30-60 minuta në shumicën e ditëve të javës. Nëse nuk mund t’i kryeni të gjitha ushtrimet njëherësh në një seancë, është mirë që ushtrimet t’i ndani në disa aktivitete fizike prej 10-15 minutash për seancë.

Ka ndryshime të vogla që mund të bëni për të rritur aktivitetin tuaj fizik gjatë gjithë ditës. Mund të përdorni shkallët në vend të ashensorit. Ecni ose përdorni biçikletën për shëtitje. Bëni ushtrime të vogla për qarkullimin e gjakut ndërsa shikoni TV.

Çfarë nënkupton pasha e shëndetshme trupore?

Ajo që konsiderohet si një peshë e shëndetshme trupore është individuale për çdo person. Por mbajtja e një indeksi normal të masës trupore (BMI) është e dobishme. Kjo masë (BMI) ju tregon nëse keni një përqindje të shëndetshme apo jo të shëndetshme të yndyrës në trup. Një BMI prej 25 ose më shumë mund të shoqërohet me një rrezik në rritje të sëmundjeve të zemrës. Duke humbur vetëm disa kilogramë, ju mund të ulni presionin e gjakut dhe të mbroni veten nga zhvillimi / shfaqja e diabetit, të dy faktorë rreziku për sëmundjet e zemrës.

A është trajtimi i sëmundjeve të zemrës i ndryshëm për gratë?

Tek disa gra, pllakat (depozita) formohen në mënyrë të barabartë përgjatë gjithë gjatësisë së mureve të enëve të gjakut, që do të thotë se ato nuk mund të trajtohen duke përdorur procedura të tilla si angioplastika dhe stentimi. Pra, tek grate trajtimi me medikamente do të japë rezultate më të mira se angioplastika apo stentimi.

Disa medikamente të zemrës si trombolitikët janë më efektivë tek gratë sesa tek burrat. Aspirina është e dobishme si për burrat ashtu edhe për gratë, por ka dallime në aplikimin e terapisë si te burrat ashtu edhe te gratë. Te gratë terapia me aspirinë funksionon më mirë në uljen e rrezikut të goditjes në tru, ndërsa te burrat në uljen e rrezikut të sulmit në zemër.

A duhet të marrin gratë aspirinë për parandalimin e sëmundjeve të zemrës?

Rekomandimet nga Shoqata Amerikane e Zemrës inkurajojnë gratë që të jenë më agresive në reduktimin e faktorëve të rrezikut për atakun në zemër dhe goditjen në tru. Rekomandimet tregojnë se gratë duhet të konsultohen me mjekun e tyre për marrjen e aspirinës, duke marrë parasysh faktorët individualë të rrezikut për atakun në zemër dhe goditjen në tru. Sa më i lartë të jetë rreziku, aq më të mira janë efektet e marrjes së aspirinës, por aq më i lartë është rreziku i gjakderdhjes.

Për të marrë trajtimin e duhur sipas nevojave tuaja individuale, ju këshillojmë të konsultoheni me kohë me një nga kardiologët tanë.

Rezervoni terminin tuaj në 00389 2 3091 484

Zhan Mitrev: Ne vetëm trajtojmë, nuk bëjmë asnjë eksperiment

Rreth 95% e pacientëve që u pranuan në spital ishin në agoninë e vdekjes, të dërguar nga spitale të tjera dhe 75 për qind prej tyre u shëruan këtu. E vetmja gjë që dua është të vazhdoj të bëj atë që bëj më së miri dhe të përfundojë ky episod i pakëndshëm, thotë doktor Zhan Mitrev në një intervistë për MKD.mk.

Ju po kërkoni që të ndalojë transmetimin emisioni që inicioi hapjen e procesit ndaj jush. A është kjo një përpjekje për censurë?

-Jo në asnjë mënyrë. Unë e respektoj plotësisht lirinë e shprehjes dhe punën gazetareske. Por këshillat nga ekipi im ligjor janë të qëndrueshme dhe arsyeshme sepse kjo është gjuhë klasike e urrejtjes që përdoret kundër meje. Pas atij emisioni, ndaj meje ka nisur një procedurë dhe duhet të përdor të gjithë mekanizmat ligjore që më kanë mbetur si mundësi. Nuk bëhet fjalë për ndonjë censurë. Le të vendosë gjykata dhe unë do ta respektoj plotësisht vendimin e tyre.

Doktor Mitrev, kjo është dalja juaj e parë mediatike pas publikimit të informacionit për abuzime të supozuara në klinikën tuaj gjatë pandemisë Covid. Na tregoni si u reflektua tek ju e gjithë situata? A ka nisur proces prokuroria themelore publike për informacionin e publikuar?

-Po, ashtu është, nga njëra anë akuzat ishin aq të filmuara dhe nga ana tjetër aq joprofesionale dhe nuk doja që të futesha në asnjë sherr mediatik. Me përfshirjen e institucioneve, doja që ata të shihnin të gjithë dokumentacionin tonë, të shihnin të gjitha faktet dhe argumentet tona në mënyrë që të gjitha të diskutoheshin mbi atë bazë.
Nuk është e lehtë, kjo është për mua, për fat të keq, një përvojë e re jetësore. Asnjëherë nuk e prisja të gjendesha në këtë situatë ose të jem më i saktë, në asnjë moment nuk ndjeva se kisha bërë diçka për të cilën duhej të më ndodhte diçka e tillë. Është në natyrën time si qenie njerëzore të jap ndihme, ju e dini që këto duar kanë mbajtur mbi 20,000 zemra njerëzore dhe unë kurrë në asnjë rrethanë nuk kam bërë diçka të gabuar nga ana etike, dhe aq më pak diçka kriminale.
Po, kjo është dalja ime e parë në media. Thjesht do të them se kolegët tuaj kanë regjistruar një intervistë me mua më shumë se 90 minuta, por në emisionin e tyre kanë shfrytëzuar më pak se 1 minutë. Megjithatë, unë jam kardiokirurg, nuk jam gazetar që të vlerësoj punën tuaj, por tani shohim fuqinë që ka media dhe çfarë mund të shkaktojë ajo, e cila gjithashtu është për tu respektuar.
Megjithatë, prokuroria ka hapur hetime, çka do të thotë se nga hetimet paraprake janë shfaqur disa dyshime të bazuara.

Mundohem ta pranoj realitetin dhe e di që institucionet punojnë në nivelin më të lartë të mundshëm dhe pres një marrëdhënie pozitive. Pohoj me përgjegjësi se në klinikën tonë nuk ka as një milimetër vend për gabim mjekësor, qoftë edhe në gjendjen e jashtëzakonshme kur kemi të bëjmë me pandeminë e Covid.

Teza kryesore ishte se ju keni përdorur një metodë të përdorimit të supozuar eksperimental, pra një studim klinik të metodës së hemofiltrimit tek pacientët me Covid-19 në Spitalin Klinik Zhan Mitrev. A e keni bërë paralelisht me hemofiltrimin edhe studimin klinik?

-Fillimisht, më duhet t’u shpjegoj lexuesve se çfarë është studimi klinik. Kjo ka të bëj me futjen e një ilaçi ose agjenti të ri në trajtimin e pacientëve dhe kjo kryhet dhe organizohet nga prodhuesi i atij ilaçi ose agjenti. Studimi klinik organizohet nga prodhuesi i ilaçit, i cili është i detyruar t’ia raportojë atë studim MALMED ose institucioneve të tjera, dhe disa spitale ose mjekë e kryejnë atë sipas një protokolli të vendosur, dhe kështu rezultatet publikohen në revista mjekësore nëse diçka funksionon më mirë apo jep efekte të tjera.
Pra, edhe sikur të donim të bënim një studim klinik, nuk mundëmi, sepse ne nuk prodhojmë setin dhe filtrin e hemofiltrimit. Nga ana tjetër, kjo është bërë nga prodhuesi shumë kohë më parë. Hemofiltrimi është i lejuar që nga viti 1977 dhe ka një shenjë CE. Që nga viti 2008, ne si spital në vazhdimësi kemi blerë këto filtra nga një distributor i autorizuar në Maqedoni, i cili i ka kaluar të gjitha procedurat ligjore për regjistrim dhe leje për përdorimin e këtij mjeti në trajtimin e pacientëve të sëmurë rëndë.
Me hemofiltrim ne vetëm kemi trajtuar, nuk kemi bërë asnjë eksperiment apo provë klinike. Është vetëm një procedurë tjetër, një mundësi më shumë për të ndihmuar disa nga pacientët më të sëmurë. Por si shumë ilaçe dhe procedura të tjera në mjekësi, hemofiltrimi nuk është një shkop magjik që do të zgjidhë të gjitha problemet e pacientit.

Më vjen sinqerisht keq që për arsye të ndryshme një pjesë e publikut u manipulua, duke përdorur termin studim klinik për diçka që është e miratuar dhe që përdoret prej vitesh. Hemofiltrimi është një metodë shumë sovrane në trajtimin e pacientëve të sëmurë rëndë, ajo është një metodë që vërtet i shpëton jetën pacientit në numrin më të madh të rasteve, nëse përfshihet në kohë dhe nëse bëhet në mënyrë korrekte. Është për të ardhur keq që një procedurë e tillë mjekësore të diskreditohet në këtë mënyrë.

Që kur e përdorni këtë metodë në spitalin tuaj?

-Para pandemisë, në departamentin e kujdesit intesiv në vitin 2019 kemi kryer gati 200 hemofiltratime. Këta ishin kryesisht pacientë me dekompensim të rëndë të zemrës, të cilët njëkohësisht kanë funksion të dëmtuar të veshkave, diabet dhe me prirje të theksuar ndaj infeksioneve. Trajtimi i tyre i suksesshëm dhe stabilizimi i gjendjes shëndetësore është shumë më i vështirë pa aplikimin e metodës së hemofiltrimit.
Këtu më duhet të sqaroj diçka tjetër. Në kujdesin intensiv, ne nuk kemi trajtuar Covid 19, por kemi trajtuar pasojat dhe komplikimet që lindën si pasojë e këtij inflamacioni të rëndë viral. Në fakt, mekanizmi i sepsës është i njëjtë, i vetmi ndryshim ishte se u shfaq një virus i ri, i paparashikueshëm dhe shumë agresiv – Covidi- 19. Në përqindjen më të madhe të të gjithë pacientëve të infektuar, vetë organizmi e ka përballuar Covid-in, si me të gjitha infeksionet e tjera virale. Ata pacientë ishin të shëndetshëm në 5-10 ditë dhe shumë prej tyre nuk kishin asnjë simptomë. Por një pjesë më e vogël e pacientëve, të cilët pas infektimit me Covid kanë zhvilluar komplikime shumë të rënda, të cilat shkaktuan vdekshmëri të lartë. Ky është rasti me të gjitha infeksionet e tjera virale, por problemi këtu me virusin Covid ishte se ai u përhap shumë shpejt, një numër i madh i pacientëve u infektuan dhe kështu numri i pacientëve të komplikuar ishte nominalisht më i lartë. Të gjitha ato ndërlikime nga Covidi-19 kërkonin edhe trajtim intensiv, ndaj kudo në botë kishte problem me kapacitetet e shtretërve për trajtim intensiv. Si spital, ne kemi mbi 100 shtretër të kujdesit intensiv dhe ky ishte shansi i madh që një pjesë e madhe e të sëmurëve rëndë të mbijetonin.

Si spital, ne bëmë gjithçka që ishte e mundur që ata pacientë të merrnin trajtimin maksimal sipas të gjitha rregullave të terapisë intensive dhe me mjekësi të bazuar në fakte. Ecuria e sëmundjes tek disa pacientë ishte e paparashikueshme, siç haset rrallë në praktikën tonë mjekësore. Kishte periudha kur të gjithë ne, i gjithë stafi, ndiheshim të pafuqishëm dhe të dëshpëruar. Ne aplikuam të gjitha njohuritë dhe aftësitë tona, pasi kudo në botë u përpoqëm të gjenim një mënyrë, si t’i trajtojmë ata pacientë. Hemofiltrimi ishte vetëm një procedurë në sekuencën e trajtimit dhe mundësia për të rritur shanset e mbijetesës.

Dua të përsëris këtu se ne në vendin tonë e kemi përdorur metodën e hemofiltrimit në departamentin e terapisë intensive që nga viti 2008, për të cilën janë mbajtur takime profesionale për trajnimin dhe edukimin e përfaqësuesve nga klinikat shëndetësore publike dhe private. Këtu shtrohet pyetja nëse studimi klinik, siç thuhet në akuzat ndaj meje dhe Spitalit klinik Zhan Mitrev, është rast i sajuar dhe cilat janë motivet e tij? Filtri Oxyris ka filluar të përdoret për trajtimin e pacientëve me komplikacione nga Covid-19 në një sërë vendesh evropiane si Kina, Italia, Gjermania, Spanja, Kroacia, pas miratimit të lëshuar më parë nga FDA. A kanë bërë të gjitha këto vende studim klinik? A është miratimi i FDA një studim klinik? Përgjigja është shumë e qartë. Klinika Zhan Mitrev bazohet në funksionimin shumëvjeçar të ligjshëm, transparent, në shërbim të qytetarëve, në shërbim të mijëra pacientëve, të cilët besojnë në ekspertizën dhe cilësinë e këtij spitali. Mijëra qytetarë ia kanë besuar jetën stafit profesional në këtë klinikë dhe po aq qytetarë janë shëruar, duke përdorur teknologjinë më moderne, testet dhe terapitë më të mira për mjekim dhe mbi të gjitha, staf profesional që punon pa u lodhur dhe gjatë gjithë kohës. çdo jetë njerëzore që ka kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin tonë.

Si do t’i përgjigjeni faktit që një numër i madh i pacientëve me Covid që u shtruan në spitalin tuaj, iu nënshtruan hemofiltrimit në një numër shumë më të madh se sa objektet e tjera shëndetësore në vend?

-Duhet të jemi të saktë me statistikat, bëhet fjalë për jetë njerëzish. Rreth 95% e pacientëve që u shtruan në spitalin tonë kishin pasqyrë më të rëndë klinike dhe saturim në kufirin ndërmjet jetës dhe vdekjes. Tek ne erdhën pacientët më të vështirë që tashmë ishin trajtuar në institucione të tjera dhe që siç thashë ishin në gjendje jashtëzakonisht të rëndë.
Përqindja e pacientëve të shëruar që tani janë në shtëpi me familjet e tyre është 75%. Këta janë pacientët e shtruar me një pasqyrë klinike të rëndë dhe një shkallë shumë të ulët mbijetese. Krahasuar me statistikat zyrtare, vdekshmëria totale në Maqedoni nga e gjithë popullata e të infektuarve është 51%. Në spitalin tonë, shkalla e vdekshmërisë së pacientëve të selaktuar/përzgjedhur aktualisht të trajtuar në kujdesin intensiv është 25%. Ky fakt flet për suksesin e klinikës, ekipit mjekësor dhe trajtimin e aplikuar për komplikacionet e infeksionit Covid-19.

Në Spitalin klinik Zhan Mitrev janë pranuar për trajtim gjithsej 1738 pacientë, prej të cilëve 625 i janë nënshtruar trajtimit Covid-19, pra 35% e numrit të përgjithshëm të pacientëve të pranuar. Të gjitha ishin sipas indikacionit të rreptë mjekësor të mjekëve të specializuar në trajtimin intensiv dhe anestezi. Të gjithë ata janë të edukuar zyrtarisht për aplikimin e kësaj metode në trajtim. Nëse do të bënim biznes me hemofiltrimin, siç përpiqen të na akuzojnë, atëherë do të ishte e logjikshme që ta kishim aplikuar për të gjithë pacientët 100%!?

Le të bëjmë një krahasim, statistikat e publikuara në Kinë, e cila është edhe vendi i parë që aplikoi metodën e hemofiltrimit për trajtimin e komplikimeve tek pacientët me Covid. Përvojat mjekësore nga Kina tregojnë se vdekshmëria tek pacientët me pasqyrë klinike të rëndë është ulur 30% falë metodës së hemofiltrimit. Detyra jonë parësore si mjekë, por mbi të gjitha si njerëz, është të shpëtojmë jetë. Në fakt, është detyrimi ynë ligjor që të zbatojmë standardet më të larta dhe metodat më moderne në trajtimin e pacientëve. Ku është gabimi këtu?

Tani puna jonë, ajo për të cilën kemi punuar dhe investuar prej vitesh, specializimet, mijëra jetë të shpëtuara, mijëra pacientë të kuruar që sot po e shijojnë jetën, vihen në pikëpyetje për shkak të manipulimeve dhe përpjekjeve për të më dëmtuar mua, klinikën dhe të gjithë ekipin e mjekëve dhe personelin mjekësor.

Megjithatë, doktor, ju e promovuat disi këtë metodë të hemofiltrimit në publik si metodë shpëtuese. Nuk mendoni se keni bërë gabim në këtë pjesë?

-Iu prezantua publikut si një opsion, një mundësi që pacientët e sëmurë rëndë të kenë një shans për të mbijetuar pas komplikimeve të rënda nga infeksioni me Covid-19. U konfirmua, por asnjëherë nuk u tha se ishte zgjidhja e të gjitha problemeve të shkaktuara nga Covid. Fatkeqësisht, disa pacientë erdhën shumë vonë, për disa rrjedha e komplikimeve ishte e paparashikueshme pavarësisht të gjitha përpjekjeve.
Por kjo metodë përdoret dhe do të vazhdojë të përdoret për pacientët me sëmundje të rëndë. Për shkak se nuk ka mundësi tjetër për pacientët me insuficiencë akute të veshkave, pacientët me pneumoni të rëndë dhe sepsë si pasojë e shkaqeve të ndryshme, sepse kjo procedurë zëvendëson funksionin e veshkave dhe me ndihmën e kësaj terapie, të gjitha substancat toksike largohen nga gjaku i organizmit të njeriut.

Hemofiltrimi si metodë kryhet duke përdorur filtra të veçantë, në kombinim me solucione sterile të posaçme për këtë procedurë. Gjaku i mbushur me toksina kalon nëpër filtrin që mban toksinat dhe gjaku i pastruar kthehet në organizmin e njeriut. Virusi Covid-19 nuk është një gjendje infektive e zakonshme, përkundrazi, në prapaskenën e kësaj sëmundjeje vihet re një përgjigje inflamatore-imune mbi të gjitha ndaj endotelit të enëve të gjakut në të gjithë organizmin, e cila rezulton në çlirimin e markerave inflamatore apo të toksinave në gjak, për shkak të të cilave gjendja e pacientëve shpesh përkeqësohej me shpejtësi dhe fatkeqësisht disa prej tyre kanë rezultuar me vdekje. Hemofiltrimi si metodë e pastrimit të gjakut është treguar se largon substancat toksike tek pacientët në gjendje të rëndë dhe kritike me komplikacione të Covid-19. Këtë e tregojnë fakte të shumta jo vetëm nga Maqedonia, por edhe në një numër të madh të vendeve evropiane ku kjo metodë është aplikuar me sukses.

Tani ne i shohim gjërat nga një prizëm tjetër. Kujtoni si ishte gjatë pandemisë Covid-19. Njerëzit ishin në panik, të pashpresë, duke u lutur për një shtrat të lirë, të cilin jo gjithmonë e kishim. Njerëzit po vdisnin kudo nëpër spitale. Statistikat e jetëve të humbura publikoheshin çdo ditë. Ishte e tmerrshme.
Pohoj me përgjegjësi se çdo pacient i vetëm në qendrën e Covid-it të klinikës sonë është trajtuar sipas gjendjes dhe indikacioneve të përcaktuara për aplikimin e hemofiltrimit.
E di që kolegët e mi që aktualisht po analizojnë zhvillimet këtu janë profesionistë të lartë që e dinë se nuk ka gabim mjekësor në procedurë. Dhe nëse përdorimi i hemofiltrimit tashmë vihet në dyshim, nuk ishte vetëm spitali ynë që e përdori atë.

Segmenti i dytë për të cilin u akuzuat ishin infeksionet intraspitalore, sa raste të tilla kishte në klinikën Zhan Mitrev? A ka mbajtur klinika evidencë për këtë, a keni dokumentacion?

-Dhe kjo është një gjendje shumë delikate që edhe tek vetë mikrobiologët dhe klinicistët, që merren vetëm me këtë çështje, çon në polemika dhe diskutime, çfarë është dytësore, çfarë është intraspitalore, e cfarë është superinfeksion. Kur një terminologji kaq delikate mjekësore dhe shumë e specializuar vendoset në media dhe para njerëzve të thjeshtë, merr një imazh krejtësisht të deformuar.
Pacientët që trajtuam, përveç komplikimeve të shkaktuara nga virusi Covid, u trajtuan të gjithë me doza të mëdha antibiotikësh dhe kortikosteroide. E gjithë kjo ishte arsyeja që këta pacientë ishin në gjendje të rëndë dhe mungesë të imunitetit, dhe si pasojë e imunitetit kaq të ulur u shartonin (shfaqeshin) infeksione bakteriale shtesë. Zakonisht këto janë baktere, të cilat pacientët i kanë në organizmin e tyre dhe me imunitet normal janë të padëmshme, por kur imuniteti dështon plotësisht, siç ka ndodhur me disa pacientë me Covid, atëherë ato baktere bëhen të rrezikshme dhe shkaktojnë të ashtuquajturin superinfeksion. Kështu, nga përdorimi i pakontrolluar i antibiotikëve, disa baktere shkatërrohen, por mbijetojnë ato të cilat janë multirezistente, të cilat më tej vënë në rrezik jetën e pacientit.

Kjo është arsyeja pse infeksionet janë të pashmangshme në trajtimin klinik dhe këtë e di çdo mjek dhe infermier. Për shkak të natyrës së tyre, ato janë të zakonshme gjatë trajtimit në çdo spital në botë. Veçanërisht në departamentet e kujdesit intensiv, ku pacientët i nënshtrohen shtrimeve të gjata dhe trajtimit invaziv. Është një problem i njohur në mbarë botën dhe ishte veçanërisht problematik për pacientët me Covid. Po, kemi pasur edhe pacientë të tillë, kanë ardhur nga spitale të tjera, në gjendje katastrofike.

Tek të gjithë ata pacientë kemi bërë shumë herë analiza mikrobiologjike, urinokultura, hemokultura. Ne luftuam për ata pacientë dhe asnjërit prej tyre nuk i ka munguar kujdesi dhe përpjekja maksimale nga ana e stafit për t’iu ofruar ndihmë. Kemi zbatuar procedurat për mbrojtje dhe izolim, jemi i vetmi spital që kemi pasur presion negativ në të gjitha dhomat ku ka pasur pacientë me Covid. Për këtë kemi dokumentacionin e duhur, të cilin e kemi dorëzuar në institucione. Se si ka qenë në spitalet e tjera, nga kanë ardhur pacientët, e dimë vetëm nga disa fotografi, të cilat na i kanë dërguar disa nga familjarët e pacientëve për t’i transferuar tek ne për mjekim.

Sipas studimeve të disponueshme, prevalenca e infeksioneve dytësore, intraspitalore apo superinfeksioneve, në njësitë e kujdesit intensiv tek pacientët me Covid, të cilat janë publikuar në literaturën mjekësore, varion nga 9.3% në 87%. Për shembull, në Belgjikë, infeksioni dytësor është shfaqur tek 68% e pacientëve të testuar, në Britaninë e Madhe tek 30.6%, në Francë kjo përqindje është 27% e pacientëve të testuar. Një studim në Kinë ka zbuluar se infeksioni dytësor është shfaqur tek 86.8% të pacientëve të testuar që u shtruan në spital për më shumë se 72 orë. Sigurisht që në këto botime janë përdorur tregues të ndryshëm dhe metoda të ndryshme, por shihet se problemi është i qartë.

Por pyetja nuk është nëse ka apo jo infeksione në spitale, por nëse janë respektuar protokollet, nëse është raportuar siç duhet si detyrim?

– Nuk kam dëgjuar që ndonjë nga këto spitale, që publikojnë këto rezultate, të ndiqet penalisht, thua se kanë faj për ato përqindje të larta. Në mesin e pacientëve tanë, të cilët u vendosën në hemofiltrim, ishte 24% dhe i gjithë dokumentacioni mjekësor është dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë.

Ju akuzuan se ke bërë shumë para, se keni përfituar nga pacientët, se keni marrë 12 mijë euro për hemofiltrim?

-Po, ato janë akuzat që më prekin më shumë sepse janë krejtësisht të rreme. Nga viti 2009, çmimi i trajtimit në kujdesin intensiv për një ditë qëndrimi në spital është 600 euro dhe nuk ka ndryshuar deri më sot. Gjithashtu, çmimi i një hemofiltrimi, i cili zakonisht zgjat 48 orë, kushton 3000 euro. Të njëjtat çmime mbetën kur u shfaq korona. Asgjë nuk ka ndryshuar dhe asnjë çmim i vetëm nuk është rritur. Përkatësisht, për shkak të ashpërsisë së sëmundjes dhe kohëzgjatjes së paparashikueshme të trajtimit, pacientët kanë deponuar 12 mijë euro për 10 ditë trajtim intensiv dhe dy hemofiltrime të mundshme. Por ishte vetëm një depozitë, nëse pacienti qëndronte 5 ditë dhe nuk kishte nevojë për hemofiltrim, i ngarkoheshin 3000 euro dhe pjesa tjetër e depozitës i kthehej. Kështu ka ndodhur për të gjithë pacientët dhe gjithçka ndiqet nga dokumentacioni dhe llogaritë fiskale. Asnjë pacient i vetëm nuk ka paguar asnjë euro më shumë.
Eksperti i pavarur ekonomik i konfirmoi këto gjëra dhe llogaritë se kostot materiale për një hemofiltrim kapin shifrën rreth 2400 euro, pra ajo që ne ngarkojmë është rreth 25 % më shumë. Ku qëndron biznesi i madh këtu?

Dhe një gjë tjetër, gjatë asaj kohe në kujdesin intensiv kemi trajtuar njëqind shtetas të huaj nga Anglia, Gjermania, Italia, Zvicra dhe vende të tjera evropiane. Nga të gjitha ato shtete të ndryshme dhe të gjitha kompanitë e ndryshme të sigurimit, çdo ditë mjekët tanë kontaktoheshin nga ekspertët e tyre, të cilët interesoheshin për të siguruarit e tyre për mënyrën e trajtimit. Ata ishin ekspertë në terapinë intensive dhe kanë pyetur absolutisht për çdo gjë të vogël dhe në bazë të mendimit dhe miratimit të këtyre ekspertëve, kompanitë e sigurimeve paguanin faturat jashtë vendit. Të gjithë, ndër të tjera, u befasuan pozitivisht që këtu kemi edhe mundësinë e hemofiltrimit për pacientët e tyre, nuk kishin ankesa për trajtimin e përgjithshëm dhe të gjitha ato kompani të ndryshme sigurimesh nga të gjitha këto vende të ndryshme, pa përjashtim, kanë paguar faturat deri në qindarkën e fundit.

A ka ndonjë shqyrtim dhe ekspertizë më të madhe se kjo. A do të lejonte dhe paguante ndonjë kompani sigurimesh nëpërmjet ekspertëve të saj çdo procedurë që është e pazakontë në trajtimin e këtyre pacientëve?

A do të ndryshonit ndonjë gjë në qasjen tuaj si mjek, ndoshta më pak pacientë ose përdorim më pak të shpeshtë të hemofiltrimit? Si do të vepronit sot?

-Klinika Zhan Mitrev ekziston dhe punon për pacientët, ne jemi një institucion shëndetësor privat, por mbi të gjitha jemi mjekë që ende besojmë në Betimin e Hipokratit. Ne jemi punonjës shëndetësorë, të cilët gjatë pandemisë harruam rrugën për në shtëpi, familjet dhe të dashurit e tanë dhe iu përkushtuam pacientëve këtu, në këtë klinikë. Madje edhe kur përqindja e pacientëve të sëmurë rëndë u rrit dhe kur të gjitha ambientet e tjera spitalore u mbyllën ose u kthyen në qendra COVID, pavarësisht kësaj, tek ne të gjitha departamentet punonin normalisht. As atëherë, e aq më pak tani, asnjë pacient nuk është kthyer pa u ekzaminuar apo pranuar në spital dhe pa i’u dhënë ndihma e nevojshme mjekësore.

Ju më pyesni nëse do të ndryshoja ndonjë gjë nga kjo qasje, përgjigja ime është jo! Nuk do të ndryshoja asgjë në procedurën e trajtimit, as në mënyrën e trajtimit, as në kujdesin ndaj pacientëve, nuk do të lija asnjë pacient, pavarësisht se nga vijnë dhe çfarë sjellin me vete. Unë jam mjek dhe gjithë jetën ia kam kushtuar pacientëve. Kështu do të vazhdojë edhe më tej. Të gjitha akuzat për punën time dhe punën e klinikës do të hidhen poshtë, sepse thjesht e vërteta dhe drejtësia janë në anën tonë. Dhe faktet shkencore, sigurisht, sepse ky diskutim, për metodën, për filtrin, për trajtimin, për veprimet dhe procedurat duhet të bëhet në rrethe profesionale, ku ka njohuri shumë të kualifikuara. Publiku duhet të dijë për gjithçka që është bërë në klinikën tonë dhe ne i informojmë rregullisht. Por publiku nuk mund të gjykojë për këtë temë, prandaj ekzistojnë profesionistët e fushave të caktuara , dhe besoj se së shpejti do të zbulohet e vërteta për klinikën Zhan Mitrev, për mua si mjek, për hemofiltrimin dhe për gjithçka që kemi bërë, për të gjitha jetët që kemi shpëtuar gjatë tre viteve të fundit.

Gjithçka që dua tani është të vazhdoj të bëj atë që bëj më mirë. Gjithmonë kam menduar se puna ime si mjek është e mjaftueshme për kredibilitetin tim dhe ende mendoj kështu.

Brurimi: MKD.mk

A keni dëgjuar për mastoiditin?

Mastoiditi është një infeksion bakterial i shtrirjes së kockës së përkohshme pas veshit e njohur gjithashtu si apofiza mastoide.

Mastoiditi zakonisht shfaqet si një ndërlikim i inflamacionit akut të veshit të mesëm (otitis media), i cili, në rast të reduktimit të imunitetit ose trajtimit joadekuat, mund të përparojë nga veshi i mesëm në kockën ngjitur – apofiza mastoid. Infeksioni mastoid më së shpeshti shkaktohet nga bakteret pneumokokale dhe mund të shkaktojë pasoja të rënda, p.sh. të çojë në shurdhim, infeksion të gjakut (sepsë), infeksion të membranave të trurit (meningjiti), abscesi të trurit, madje edhe vdekje.

Simptomat e mastoiditit

Simptomat e mastoiditit zakonisht shfaqen brenda disa ditësh deri në disa javë pas zhvillimit të otitit media akut. Së pari, bakteret patogjene depërtojnë nga hunda përmes tubit të dëgjimit në veshin e mesëm, nga ku transferohen në qelizat mastoid, ku formohet një absces (mbledhje purulente) në vetë kockën. Kjo është një gjendje ku grumbullimi i qelbit mund të transferohet përmes lamelave të brishta të kockave në përreth, në kanalin e veshit, në veshin e mesëm, në nofullën e poshtme ose në fosën e mesme kraniale.

Lëkura ku ndodh procesi mastoid bëhet: e kuqe, e fryrë dhe e dhimbshme anash dhe poshtë veshit. Simptoma të tjera janë: ethe, dhimbje të forta rreth dhe brenda veshit dhe rrjedhje sekrecioni të bollshme. Dhimbja ka tendencë të jetë e vazhdueshme dhe pulsuese, dhe humbja e dëgjimit mund të përkeqësohet gradualisht.

Diagnoza e mastoiditit

Për diagnozën, është e nevojshme kryerja e ekzaminimit nga ana e mjekut otorinolaringolog, i cili përfshin:

  • Vlerësimin mjekësor të gjendjes dhe simptomave
  • Ekzaminimin me otomikroskop
  • Ekzaminimin me tomografi të kompjuterizuar (CT).

Mjeku zakonisht e bazon diagnozën në simptomat. Një tomografi e kompjuterizuar (CT) bëhet gjithmonë për të konfirmuar diagnozën. Për të identifikuar bakteret patogjene që shkaktojnë infeksionin, mjekët marrin një shtupë (bris) – një mostër e shkarkimit nga veshi. Kjo është për qëllim të konfirmimit laboratorik të baktereve të pranishme, për të cilat më pas përshkruhet terapia e duhur sipas një antibiogrami.

Trajtimi i mastoiditit mund të bëhet me:

  • Antibiotikë intravenozë ose oralë
  • Në raste të caktuara, ndërhyrje kirurgjikale

Shumica e personave me mastoidit marrin menjëherë antibiotik (zakonisht intravenoz). Për këta persona, sëmundja e të cilëve nuk është bërë ende serioze, mund t’u jepet antibiotik nga goja. Pas këtij trajtimi fillestar, mjekët përdorin rezultatet e analizave laboratorike për të përcaktuar se cili antibiotik është më i përshtatshëm për t’u përdorur. Marrja e antibiotikëve duhet të vazhdojë për të paktën 2 javë. Nëse në kockë formohet një absces ose infeksion dhe inflamacioni bëhet kronik, kërkohet intervenimi kirurgjikal i pjesës së prekur të kockës (mastoidektomia) dhe kirurgjia korrigjuese (estetike).

Parandalimi

Shfaqjen e kësaj gjendje të rëndë mund ta parandalojmë me anë të kontrolleve të rregullta otorinolaringologjike, me anë të reagimit dhe trajtimit adekuat për të gjitha infeksionet e sistemit të sipërm respirator/rinosinozit, rinofaringit, otitis media, infeksioneve katarale, viruseve, ftohjeve dhe me anë të përmirësimit të imunitetit dhe rritjes së cilësisë së jetës.

Në Spitalin klinik Zhan Mitrev, ekipi i ekspertëve të otorinolaringologëve është në dispozicionin tuaj nëpërmjet trajtimit të personalizuar për të gjitha sëmundjet e veshit, hundës dhe fytit.

Rezervoni termnin tuaj në 02 3091 484

Dr. Danço Shurkov
Specialist otorinolaringolog

Diabeti gastacional

Diabeti gestacional është diabeti që shfaqet gjatë shtatzënisë, pa pasur një histori të mëparshme të diabetit të diagnostikuar ose vlera të larta të glicemisë. Zakonisht shfaqet në tremujorin e tretë të shtatzënisë dhe nëse ndodh në dy tremujorët e parë, atëherë me siguri bëhet fjalë për diabet të tipit 1 ose tip 2.

Me kalimin e kohës, ndërsa shtatzënia përparon, rritet edhe pesha e trupit. Si pasojë krijohet një shkallë e rezistencës ndaj insulinës që rrit nevojën për insulinë. Kjo mungesë e insulinës dhe rezistencës ndaj insulinës çojnë në shfaqjen e diabetit gestacional.

Cilët janë faktorët e rrezikut për shfaqjen e diabetit gestacional?

Rritja e peshës trupore, sindroma e vezores policistike, historia familjare pozitive e diabetit, pesha mbi 4 kg e fetusit nga lindja e mëparshme, pasiviteti fizik ose prediabeti ekzistues konsiderohen si faktorë rreziku për shfaqjen e tij.
Në prani të diabetit gestacional, rreziku i presionit të lartë të gjakut rritet. Ndërsa në lidhje me fetusin, rritet rreziku për një fetus më të madh, lindje të parakohshme, hipoglicemi pas lindjes dhe zhvillim i diabetit të tipit 2 gjatë viteve të mëvonshme në jetë.

Si diagnostikohet diabeti gestacional?

Diabeti gestacional diagnostikohet me anë të testit oral të tolerancës ndaj glukozës që kryhet ndërmjet javës 24-28 të shtatzënisë dhe nëse ka të dhëna për faktorë rreziku paraekzistues, atëherë mund të bëhet edhe në tremujorin e parë (gjatë 12 javëve të para të shtatzënisë). Për një test pozitiv sipas Shoqatës Amerikane të Diabetit, merren parasysh vlerat nga testi i kryer esëll mbi 5.3 mmol/L, 1 orë pas stërvitjes mbi 10 mmol/L dhe 2 orë pas stërvitjes mbi 8.5 mmol/L.

Pas lindjes, diabeti gestacional zakonisht përfundon dhe gjithçka kthehet në normalitet, por 50% e grave me diabet gestacional do të zhvillojnë diabetin e tipit 2 me kalimin e kohës. Kjo është arsyeja pse është e nevojshme të kontrolloni gjendjen e glicemisë pas 6-12 javësh.

Në Spitalin klinik Zhan Mitrev, jemi në dispozicionin tuaj përsa i përket diagnostikimit në kohë të diabetit gestacional dhe për ta kontrolluar dhe trajtuar siç duhet atë, në mënyrë që në fund të mund të presim së bashku foshnjën që ka nisur rrugën e ardhjes në jetë.

Dr. Marija Kostadinovska: Ndjenja e stresit është normale, por shtypja e tij e bën atë të rritet

Mundohuni të mendoni për rrethanat ose faktorët që ju bëjnë të ndiheni më të prekshëm dhe çfarë strategjish keni nevojë për t’u përballur me to. E gjithë kjo do t’ju ndihmojë të dalloni lehtësisht momentet e mbingarkesës dhe të ndjeni se jeni në gjendje të kujdeseni dhe mbroni veten.

Ritmi i shpejtë i jetës, situata të caktuara nga e kaluara, ngjarje aktuale me ngarkesë të lartë emocionale ose situata negative afatgjata mund të kenë pasoja në mirëqenien tonë dhe të shkaktojnë stres emocional.

“Përballë rrethanave të tilla, pra të ekspozuar ndaj stimujve stresues, ne hyjmë në një gjendje tensioni psikologjik. Nëse kjo vazhdon për një periudhë më të gjatë, rrit shanset për pasoja fizike dhe psikologjike, siç janë sëmundjet e zemrës, çrregullimet hormonale, ankthi dhe/ose depresioni”, shprehet dr. Marija Kostadinovska, specijaliste psihjatre.

Çfarë është stresi emocional dhe si ta përballojmë atë? Cilat janë nivelet stresit emocional?

Dr. Kostadinovska: Stresi emocional është i nevojshëm dhe është një përgjigje e përshtatjes ndaj situatave të caktuara dhe na përgatit për tejkalimin e sfidave të jetës.
Reagimi ynë i përshtatet nivelit të kërcënimit ose rrezikut dhe është gjithëpërfshirës, domethënë ndikon në nivel fiziologjik, emocional dhe në sjellje. Ashpërsia dhe shqetësimi varen nga shkalla e stresit emocional, përvoja jonë e mëparshme në përballje me situata të ndryshme, mosha dhe ngjarjet aktuale të jetës.

Stresi akut – Ky lloj stresi emocional është më i zakonshëm dhe korrespondon me ato momente specifike që përfshijnë një rritje momentale të adrenalinës. Të tilla janë ato me efekte afatshkurtra, si: shpërngulja nga vendbanimi, divorci, aksidenti automobilistik, fluturimi me parashutë, të kërkuarit punë ose dhënia e provimit, etj. Këto situata janë afatshkurtër, përfundojnë shpejt dhe më pas mund t’i rikthehemi rutinës së përditshme.

Stresi akut episodik – Situata të stresit akut që përsëriten shpesh. Njerëzit kanë ndjenjën se janë në kaos dhe krizë të vazhdueshme, kjo zakonisht ndosh për shkak se janë të kushtëzuar nga një mënyrë jetese e shpejtë dhe me presion.
Stresi akut episodik shfaqet tek personat që kanë shumë kërkesa të vetë-imponuara dhe tek ata që kanë një rutinë plot detyrime dhe një axhendë të plotë aktivitetesh të vazhdueshme. Ata herë pas here përballen me rraskapitje, ulje të përqendrimit dhe suksesit, domethënë këto situata i lodhin dhe i’u shkaktojnë atyre probleme të përditshme.

Kur stresi bëhet kronik?

Dr. Kostadinovska: Stresi kronik ndodh në situata me çështje të pazgjidhura që mbeten konstante me kalimin e kohës. Ka situata të caktuara që mund të shkaktojnë stres kronik emocional me kalimin e kohës, si: varfëria, familjet jofunksionale (dhuna në familje e cila zakonisht vjen si pasojë e konsumit të drogës ose alkoolit, përballja me ndonjë sëmundje të rëndë kronike, etj.), martesa e palumtur, papunësia apo puna e vështirë, karriera apo një jetë që nuk është e përshtatur me karakterin dhe aftësitë e personit.
Stresi akut është një përgjigje që mund ta konsiderojmë si emocionuese, mund të jetë motivuese, nga e cila mund të mësojmë ti japim kuptim gjërave dhe të rritemi si njerëz. Por kur kthehet në stres emocional akut apo kronik episodik, gjërat bëhen serioze.

Si të luftojmë stresin emocional, si të njohim sinjalet paralajmëruese dhe alarmet që na dërgon trupi ynë?

Përvoja e gjatë negative mund të ketë ndikim shumë të fortë në personalitetin, besimet dhe mënyrën e këndvështrimit të botës. Për të mësuar se si të luftojmë stresin emocional, duhet të njohim sinjalet paralajmëruese dhe alarmet që na dërgon trupi ynë.
Alarmet e trupit si pasojë e stresit emocional – trupi dërgon sinjale alarmi duke somatizuar. Kjo do të thotë se shqetësimi psikologjik shndërrohet në shqetësim fizik. Si rezultat, ne mund të ndihemi më të lodhur se zakonisht.

Në rast të stresit emocional, zakonisht shfaqen simptomat e mëposhtme:

  • Neurologjike – dhimbje koke, parestezi, fascikulacione, marramendje ose presinkopë.
  • Digjestive – dhimbje barku, nauze, tharje e gojës ose “ndjenja e një gunge në fyt”. Hormonet e stresit të çliruara nga mërzitja kanë ndikim negativ në funksionimin e zorrëve dhe mund të shfaqin simptoma fizike që mund të kontribuojnë ose përkeqësojnë sindromën e zorrës së irrituar, jashtëqitje të shpeshta, diarre, etj.
  • Frymëmarrje – gulçim, mungesë ajri ose psherëtima.
  • Zemra – rrahje të shpejta të zemrës ose dhimbje/shtrëngim në gjoks.
  • Muskuj – lodhje, dridhje ose ngërçe.
  • Lëkura – djersitje ose kruarje e lëkurës.
  • Uro-gjenitale – urinim i shpeshtë, inkontinencë urinare, dhimbje gjatë marrëdhënies seksuale ose impotencë, sindroma e dhimbjes kronike të legenit.

Simptomat emocionale të stresit – mungesa e kënaqësisë në aktivitetet që deri atëherë ishin emocionuese dhe na gëzonin. Humor i keq, nervozizëm i shpeshtë dhe humbje e dëshirës për qenë aktivë.
Mund të shkaktojë gjithashtu rënie të motivimit dhe dëshirës seksuale, si dhe të na bëjë të ndjejmë frikë të vazhdueshme duke e mbushur mendjen me mendime dhe pritje të frikshme dhe të pakëndshme.

Çfarë është më e rëndësishme kur përballemi me stresin emocional?

Dr. Kostadinovska: Është e rëndësishme të njohësh situatën që shkakton shqetësim dhe ankth dhe situatën që krijon siklet. Në këtë mënyrë mund të rritet kontrolli mbi situata të tilla sepse njohim veten, nevojat tona. Nëse ka vështirësi për të gjetur se çfarë është ajo që na sjell në një gjendje të caktuar ankthi mendor, është e nevojshme të pyesim veten se çfarë kemi nevojë për momentin dhe më pas të bëjmë një strategji për të realizuar nevojën tonë.
MOS HARRONI: ndjenja e stresit është normale, por shtypja e stresit e bën atë të rritet.
Gjithashtu, përpiquni të mendoni për rrethanat ose faktorët që ju bëjnë të ndiheni më të prekshëm dhe për çfarë strategjish keni nevojë që të përballeni me to. E gjithë kjo do t’ju ndihmojë të dalloni lehtësisht momentet e mbingarkesës dhe të ndjeni se jeni në gjendje të kujdeseni dhe të mbroni veten.

Cilat janë mënyrat për të reduktuar stresin emocional?

Dr. Kostadinovska: Ka mënyra të tjera për të reduktuar stresin emocional të cilat janë të lidhura me një pjesë të jetës suaj të përditshme: kjo do të përfshinte aktivitetin fizik shtesë i cili do t’ju bëj të shijoni dhe të çlirohenini nga peshat e renda psikologjike, siç është ecja, kërcimi, joga, ushtrime të frymëmarrjes, etj.
Rekomandohet gjithashtu të forconi marrëdhëniet shoqërore, duke pasur parasysh se një rrjet i mirë mbështetës, d.m.th., njerëz të cilëve mund t’u besoni, do t’ju kujtojnë se nuk jeni vetëm dhe kjo do t’ju lejojë të përballoni emocionet e negative. Në rekomandimet tona përfshihet gjithashtu kujdesi për zakonet tuaja të të ushqyerit, fjetjes dhe pushimit.

Kur duhet të kërkoni ndihmë profesionale?

Dr. Kostadinovska: Burimet tuaja dhe këto këshilla ndonjëherë mund të jenë pikërisht ato që ju nevojiten dhe mund të jenë të mjaftueshme për të përballuar situatën. Por nëse nuk e përballoni dot vetë, mos u shqetësoni, nuk është asgjë e rëndë! Është normale të kesh nevojë për ndihmë, të gjithë kemi nevojë për ndihmë ndonjëherë. Prandaj, mos hezitoni të kontaktoni me ndonjë nga profesionistët tanë që do t’ju ndihmojë t’i zgjidhni këto probleme.
Të kërkuarit ndihmë është një hap i madh që do t’ju sjellë më afër reduktimit të stresit emocional. Përkushtohuni vetes dhe vendosni synime të vogla, arritja e të cilave do t’ju ndihmojë të ecni përpara pa presion, me ritmin tuaj, drejt ambicjeve më të mëdha.

Në Spitalin klinik Zhan Mitrev, ekipi i ekspertëve të psikiatërve, psikologëve dhe psikoterapistëve është në dispozicionin tuaj përmes trajtimeve individuale psikoterapeutike dhe medikamentoze.

Rezervoni takimin tuaj në 02 3091 484

Dr. Marija Kostadinovska
Specialiste psikiatre

Vazhdojnë aktivitetet tona për kategorinë më të dobët të qytetarëve

Në kuadër të aktiviteteve lidhur me Ditën Botërore të Zemrës, e cila tradicionalisht festohet çdo 29 shtator, Spitali klinik Zhan Mitrev ka kryer ekzaminime kardiologjike falas në dy shtëpi të kujdesit paliativ. Ekipi i përbërë nga dr. Dashurie Neziri dhe dr. Petar Ugurov së bashku me teknikun mjekësor Risto Rolevski, vizituan shtëpitë e pleqve “Sonce” dhe “Milica” ku kanë kryer falas kontrolla preventive kardiologjike tek 30 persona. Gjithashtu janë shpërndarë edhe vitamina nga linja e markës gjermane Orthomol.
I falënderojmë për pritjen e tyre të ngrohtë dhe i urojmë shumë shëndet.

Me disponueshmëri më të madhe të ekzaminimeve parandaluese Spitali klinik Zhan Mitrev do të rrisë ndërgjegjësimin për shëndetin e gruas

Me rastin e muajit kushtuar rëndësisë së shëndetit fizik, seksual, riprodhues dhe mendor të gruas, në Qendrën për shëndetin e gruas në Spitalin klinik Zhan Mitrev, ka nisur aksioni i ekzaminimeve parandaluese për gratë gjatë muajit tetor si pjesë e fushatës për rritjen e ndërgjegjësimit të grave përsa i përket nevojës për parandalimin e sëmundjeve dhe kryerjen e kontrolleve të rregullta.

Spitali klinik Zhan Mitrev tregon kujdes dhe disponueshmëri të shërbimeve për të gjitha gratë, ndaj duke filluar nga sot e deri në fund të muajit tetor ofron paketa parandaluese me çmime të përballueshme për çdo grua.

Eko e gjirit, mamografia 2D dhe 3D me matje falas të dendësisë së kockave, paketa gjinekologjike dhe ekzaminime diagnostike për parandalim të hershëm janë pjesë e këtij aksioni që ofron klinika.
Me eko të gjirit dhe ekzaminime të rregullta gjinekologjike mund të zbulohen dhe trajtohen në kohë parregullsitë e mundshme, përfshirë kancerin e qafës së mitrës dhe të gjirit, kanceri më i shpeshtë në popullatën femërore me vdekshmëri të lartë. Pjesë e këtij aksioni parandalues është edhe ekzaminimi i gjëndrës tiroide me analiza të hormoneve të tiroides, si dhe ekzaminimi i diabetit me qëllim për të konstatuar disbalancën e mundshme në organizëm dhe trajtimin e mëtejshëm të tij.

Përveç kësaj, ekipi i mjekëve me përvojë në qendrën e shëndetit të gruas ofron mbrojtje dhe kujdes të plotë duke përdorur procedurat më të fundit diagnostikuese, si dhe këshillim për nevojat fizike, mendore, emocionale dhe sociale të pacientit.

Osteodensitometria, e cila është e disponueshme pa pagesë në këtë paketë, është një metodë diagnostike për matjen e densitetit/dendësisë së kockave që përcakton se sa të forta janë kockat, një ekzaminim që rekomandohet për të gjitha gratë mbi moshën 50 vjeç. Osteodensitometria, si dhe të gjitha shërbimet e tjera radiologjike në Spitalin klinik Zhan Mitrev, kryhen me aparatura moderne me doza shumë të ulëta rrezatimi, të cilat janë kyçe për ruajtjen e shëndetit.

Gjatë muajit tetor, muaj kushtuar shëndetit të gruas, pacientët do ta marrin këtë ekzaminim pa pagesë si pjesë e paketave parandaluese që ofron klinika.

Kujdesi për shëndetin e grave, parandalimi dhe zbulimi i hershëm i sëmundjeve janë një imperativ i rëndësishëm për Spitalin klinik Zhan Mitrev.