Klinika Zhan Mitrev: Gjykata Penale ka marrë vendim pa gjyq, gjyqtarja Lidija Petrovska ka marrë vendim me të cilin Spitali ynë duhet të ndërpresë punën

Klinika Zhan Mitrev njofton opinionin publik se një ditë para fillimit të gjyqit, Gjykata Penale ka marrë vendim për përcaktimin e masave të propozuara që parashikojnë bllokimin e plotë të llogarive të spitalit.
Theksojmë se masat e marra bllokojnë plotësisht funksionimin e Spitalit Zhan Mitrev, që është një organizatë shëndetësore me interes publik.

Klinika Zhan Mitrev duke filluar nga sot nuk është në gjendje të shlyejë detyrimet ndaj bankave.
Duam të informojmë publikun se do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë dhe trajtimi i asnjë pacienti nuk do të vihet në dyshim, edhe pse procedurat e Gjykatës Penale të cilat zbatohen me kërkesë të prokurorisë çojnë në një drejtim tjetër, që në fakt, kërkon mbylljen tonë.
Gjithçka që kërkuam ishte të bëhej një gjyq i drejtë në lidhje me gënjeshtrat dhe falsitetet e bëra ndaj Klinikës sonë ndërkohë që morëm “dënim” madje para vetë fillimit të gjyqit.

Pikërisht për shkak të zhvillimit të këtyre ngjarjeve, pas shtatë muajsh sulm të sinkronizuar dhe organizuar, kërkuam nga publiku, por edhe nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në Maqedoni, të interesohen dhe të ndjekin procesin gjyqësor.
Është mëse e qartë, apelet tona ishin të kota, sepse pikërisht para fillimit të procesit gjyqësor, tashmë jemi dëshmitarë të një bllokade brutale të paqartë ndaj Klinikës Zhan Mitrev.

Është tërësisht i pabazuar arsyetimi i Gjykatës Penale se personat juridikë që nuk janë në interes të klinikës janë të bllokuara. “IPSH Zhan Mitrev Strumica” dhe “Manastir” nuk mund t’i mbulojnë vetë investimet dhe mbulohen nga klinika amë në Shkup.
Subjekti tjetër juridik “Fila Farm” është duke punuar me hua për të shlyer kërkesat e subjektit juridik “LABS”, i cili po ashtu është themeluar dhe i lidhur me Klinikën Zhan Mitrev.
Kompanitë e listuara janë themeluar dhe financuar sipas rregulloreve ligjore në vend dhe janë të lidhura ngushtë me funksionimin e klinikës. Këto kompani punësojnë një numër të madh njerëzish dhe kapitali i tyre është dyfishuar.
Theksojmë se ky vendim i Gjykatës Penale është në kundërshtim me parimet e prezumimit të pafajësisë dhe krijon presion të pabazë mbi Klinikën Zhan Mitrev.

Dr. Mitrev me letër drejtuar Komitetit të Helsinkit: Ka një sulm të organizuar kundër meje

Dr. Zhan Mitrev u dërgoi letër përfaqësuesve të Komitetit të Helsinkit në Maqedoni me kërkesë që të reagojnë për shkeljen e të drejtës themelore për informimin e opinionit publik lidhur me rastin kundër tij dhe klinikës Zhan Mitrev. Me anë të kësaj letre, doktor Mitrev u bën thirrje që ta ndjekin rastin në sallën e gjyqit dhe të reagojnë, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për një krim të pretenduar, por edhe për mosespektim të të drejtave të njeriut.

“Në periudhën e kaluar personalisht kam qenë i sulmuar para opinionit publik, veçanërisht nga një sërë shkrimesh në portalin DokazM, për të cilin tashmë kam paraqitur kallëzim penal. Po shkelet e drejta ime për t’u përgjigjur sepse çdo përpjekje e imja për të kontaktuar me gazetar perfundon me dënim publik ndaj tij, dhe duhet pasur parasysh që kjo është e vetmja mënyrë që unë kam për të “mbrojtur” veten përballë gjykatës dhe sigurisht përballë publikut që informohet nga mediat”, thuhet në letrën e Dr. Mitrevit.

Dr. Mitrev në letër i referohet të drejtave të njeriut që janë të garantuara me kushtetutën tonë dhe ku garantohet e drejta për të shprehur publikisht fjalën.

“Unë kam bërë betimin e Hipokratit dhe kjo mua më drejton në punën time të përditshme, jam i pastër para vetes dhe para veprimeve të mia sepse e di që e vërteta është në anën time. Por, ju kërkoj të reagoni ndaj rasteve kur ushtrohet presion ndaj meje dhe punonjësve të mi dhe secili prej nesh të çlirohet nga barra e presionit. Ne kujdesemi për mijëra pacientë dhe asgjë nuk duhet të dëmtojë profesionin tonë dhe shëndetin e qytetarëve”, theksoi doktor Mitrev.

Doktor Mitrev në këtë letër i referohet edhe rastit me pronarin e portalit DokazM, i cili ka marrë informacion nga hetuesja për rastin konkret dhe i ka bërë ato publike në portalin e tij.

“Kemi qenë dëshmitarë se hetuesja së bashku me Marjan Stamenkovskin nga DokazM kanë drejtuar sulm të organizuar kundër meje, ku mbetet ende për tu parë se kush janë personat e tjerë të përfshirë. Sulmet dhe kërcënimet e organizuara nuk duhet të jenë pjesë e jetës sonë të përditshme. Ju si Komitet i Helsinkit e dini mjaft mirë këtë. Prandaj ju bëj thirrje të reagoni dhe ta ndiqni rastin tim edhe në sallën e gjyqit, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për krim të pretenduar, por edhe për mosrespektim të të drejtave të njeriut”, përfundon letra e Mitrevit.

Edhe kete vit Klinika Zhan Mitrev ne bashkepunim me Kryqin e kuq organizuan kontrolle falas

Departamenti i Psikologjisë dhe Psikoterapisë në Klinikën tonë edhe këtë vit ka organizuar tradicionalisht ngjarje për qytetarët, ligjerata dhe seminare për vullnetarët e Kryqit të Kuq të Qytetit të Shkupit, kontrolle kardiologjike dhe pediatrike falas, për qytetarët, si dhe aktivitete në fundjavë për fëmijët e operuar nga defektet e lindura të zemrës. E gjithë kjo është brenda javës së luftës kundër sëmundjeve të enëve të gjakut të zemrës.
Ndajmë me ju një pjesë të atmosferës së ngjarjes së djeshme të organizuar për qytetarët tanë!

Ekipi i avokatëve të Klinikës Zhan Mitrev: Ngadalë prokuror Bubevski, t’ju kujtojmë “prezumimin e pafajësisë”

Ana mbrojtëse reagon ndaj deklaratës së fundit të shefit të Prokurorisë Themelore Publike, Gavril Bubevski, i cili flet për numra të rinj të të raportuarve për rastin në lidhje me Klinikën.
Prezumimi i pafajësisë në rastin e doktor Zhan Mitrev dhe Klinikës duhet të respektohet seriozisht nga prokuroria. Mënyra dhe lehtësia me të cilën Bubevski jep deklarata dhe intervista në media dhe podkaste, të cilat mund të jenë vetëm në sferën e supozimeve, dhe në asnjë mënyrë se është “i sigurt se ka më shumë raportime për dëme”, dëshmon përsëri se PTHP ka kontradikta dhe del nga kredencialet.

Në gjykatë do të duhet të provoni fajësinë që dhe ju vetë Z. prokuror e dini se nuk ekziston. Më mirë t’i tregoni publikut që tani se si materialet dhe informacionet nga prokuroria për rastin kundër Klinikës Zhan Mitrev janë publikuar nga Marjan Stamenkovski DokazM, edhe pse ju tashmë zyrtarisht keni njoftuar se hetues i juaji i ka dhënë Stamenkovskit informacione.

Prokuroria të gjithë procesin e bën me qëllimin për të dëmtuar, jo për të provuar fajësinë, sepse ata vetë e dinë që fajësi nuk ka.
Për të gjitha pretendimet në aktakuzë, ka një përgjigje të qartë nga Klinika që do t’i paraqitet Gjykatës. Dhe Prokurorisë do t’i duhet të provojë diçka që nuk ekziston, gjë që do të jetë një sfidë e vërtetë për ta. Mepadurim presim daljen e tij të parë në gjykatë.

Klinika Zhan Mitrev: Prokuroria Themelore Publike duhet të shprehet nëse ekziston lidhje ndërmjet hetuesit për dhënien e informatave Marjan Stamenkovskit

Klinika Zhan Mitrev: Prokuroria Themelore Publike duhet të shprehet nëse ekziston lidhje ndërmjet hetuesit që i ka dhënë informata Marjan Stamenkovskit dhe nëse paratë e gjetura në shtëpinë e tij janë nga biznesmeni i njohur nga Shkupi, i cili gjithashtu posedon spital privat, siç raportohet në mediat

Klinika Zhan Mitrev ka njoftuar dhe tashmë ka dorëzuar kallëzim penal kundër Marjan Stamenkovskit, pronar i portalit DokazM.
Në të njëjtën kohë, besojmë se po del në dritë struktura e grupit të organizuar që qëndron pas sulmit që tashmë shtatë muaj po bëhet kundër Klinikës Zhan Mitrev dhe publikisht pyesim:

A ka të dhëna nga materialet e gjetura tek Marjan Stamenkovski, për lidhje me biznesmenin e njohur nga Shkupi, pronar i një spitali privat, punonjësi i të cilit ka ngacmuar dhe keqtrajtuar publikisht punonjësit e klinikës sonë?
A ka vepruar hetuesja që i ka dhënë Marjan Stamenkovskit informacione për hetimin kundër Zhan Mitrevit sipas udhëzimeve të biznesmenit?
A i ka drejtuar dhe udhëzuar sipas qëllimit të saj prokurorja Iskra Haxhi Vasileva pacientët në procedurën para hetimore?

Apelojmë për publikimin e provave lidhur me rastin e klinikës Zhan Mitrev, ku shihet qartë korrelacioni i Stamenkovskit me hetuesit të cilët kanë pasur informata dhe ndikim të drejtpërdrejtë për të gjithë rastin dhe procedurën. Në një shtet ligjor nuk guxojnë të lejohen ndikimet e jashtme dhe proceset diktuese brenda prokurorisë dhe gjykatës, gjë që ka qenë më shumë se e qartë në rastin për hetimet lidhur me Klinikën tonë.
Për shkak të dëmit të shkaktuar në Klinikën Zhan Mitrev, ekipi ligjor kërkon nga PTHP që t’i bashkohet ndjekjes penale.

Me anë të disa artikujve me tituj si “Zhan Mitrev është çmendur”, “Mitrev kriminel”, “Populli do që doktor Mitrev të varet”, “Sashka shtype vrasësin Mitrev”, dhe disa ofendime si “Mitrev – Mengele”, “varje për doktor Mitrev”, “Mitrev përbindësh”, Marjan Stamenovski ka kryer veprën penale të përhapjes së materialit racist dhe ksenofobik përmes sistemit kompjuterik.
Stamenkovski, me publikimin intensiv të artikujve të lartpërmendur, në periudhën nga muaji korrik 2022 deri më 22.01.2023, me vetëdije ka kryer vepër penale me realizim të herëpashershëm të së njëjtës vepër, duke i shkaktuar dëm jo vetëm doktorit Zhan Mitrev, por edhe punonjësve të vetë Spitalit klinik Zhan Mitrev. Në një periudhë të shkurtër kohore u botuan më shumë se 21 mbishkrime, disa prej të cilave kishin përmbatje të tilla si – “Doktor Josef Mengele (engjëlli i vdekjes) = Zhan Mitrev Hipokrit (doktor vrasës) !!! Faleminderit Zotit që ekziston Sashka Cvetkovska dhe IRL”, “Zhan Mitrev është një përbindësh!!! Vrasës!!! Dikush duhet të ndalojë vampirizmin e tij!!!”

Presim zbardhjen e shpejtë dhe transparente të rastit dhe sulmeve ndaj Klinikës Zhan Mitrev.

Fizioterapia pas lëndimeve të dimrit

Bora është një gëzim për të gjithë brezat dhe një arsye plus për të lënë shtëpitë e ngrohta dhe për të bërë një shëtitje. Por, përpara se të kënaqemi me bukuritë e dimrit, duhet të dimë edhe të mbrohemi nga lëndimet e mundshme. Lëndimet e dimrit, pra lëndimet e shkaktuara gjatë aktiviteteve rekreative ose sportive, mund të jenë mjaft të rrezikshme dhe të dhimbshme. Dhe vetë procesi i rikuperimit mund të zgjasë shumë dhe t’ju mbajë larg aktiviteteve tuaja të përditshme të punës për muaj të tërë. Gjatë periudhës së dimrit, janë të shpeshta lëndimet e kyçit të këmbës dhe gjurit që mund të ndodhin gjatë ecjes ose skijimit në dëborë. Nëse, nga ana tjetër, bini në një sipërfaqe të rrëshqitshme dhe të ngrirë, mund të ndodhin lëndime të rënda në kokë ose fraktura të gjymtyrëve të sipërme ose të shtyllës kurrizore.

Llojet më të zakonshme të lëndimeve gjatë dimrit janë:

  • Ndrydhjet (dystorsio) – të cilat janë dëmtime të ligamenteve, indeve të buta, enëve të gjakut ose nervave dhe ndodhin si rezultat i lëvizjeve të papritura, të tepruara të kyçeve. Personi i dëmtuar ndjen dhimbje të mprehta, të shoqëruara nga ënjtje në zonën e lënduar.
  • Dislokimi (luxatio) – është një dëmtim në të cilin koka e kyçit del nga kupa e kyçit për shkak të këputjes së ligamenteve ose këputjes së kupës së kyçit. Si pasojë e kësaj nyja deformohet dhe ndjehen dhimbje të forta dhe gjymtyra është në një pozicion të panatyrshëm (të pazakontë). Gjithashtu gjatë lëvizjes së kyçit ndihet një rezistencë e vogël për shkak të kontraktimeve të muskujve.
  • Fraktura (thyerje) – ka të bëj me dëmtimin e indeve të buta dhe thyerjes së kockave apo kërceve. Ashpërsia e këtij dëmtimi varet nga madhësia dëmtimit të kockës, enëve të gjakut, humbja e gjakut ose shoku traumatik.

Për të gjitha këto lëndime, është e nevojshme që menjëherë të konsultoheni me një person mjekësor, pra të caktoni ekzaminim për të diagnostikuar dhe riparuar siç duhet lëndimet. Sigurisht, është e rëndësishme të theksohet se trajtimi në kohë i lëndimeve mund të parandalojë shfaqjen e komplikimeve shtesë. Zakonisht këto lëndime trajtohen në mënyrë konservative. Por ndonjëherë, në varësi të seriozitetit të dëmtimit, trajtimi mund të jetë operativ.

Duke qenë se vetë procesi i rehabilitimit fillon menjëherë pas lëndimit, pavarësisht nëse lëndimi kërkon trajtim konservativ apo operativ, roli i fizioterapisë në këtë proces është i madh. Për të vendosur rrugën e duhur të trajtimit, është thelbësore që fizioterapisti i mirëarsimuar në konsultim me mjekun ortoped ose traumatolog të zgjedhë teknikat e duhura fizioterapeutike.

Zakonisht, ky lloj dëmtimi (deformim dhe luksacion) trajtohet me terapi fashimi ose kompresioni, pozicionim, krioterapi, kinesio taping, madje edhe elektroterapi. Zgjedhja e secilës teknikë bëhet sipas vendndodhjes dhe llojit të lëndimit. Në rast të deformimit ose luksacionit, kinesio taping ka një efekt maksimal pozitiv në stabilizimin e kyçit të dëmtuar, por edhe në reduktimin e edemës lokale. Gjithashtu, kinesio taping mund të ndihmojë edhe gjatë disa frakturave të caktuar specifike në vende ku nuk është e mundur të vendoset gips ose ndonjë lloj tjetër imobilizimi.

Një numër i madh i hulumtimeve në dhjetë vitet e fundit ka treguar se përdorimi i stimulimit magnetik funksional (FMS) në trajtimin e frakturave (thyerjeve) ka një efekt pozitiv, madje edhe përmes imobilizimit të vendosur të gipsit ose plastikës, duke mundësuar zvogëlimin e kohëzgjatjes së mbajtjes së tyre. Stimulimi magnetik funksional ka një efekt depërtues të thellë që arrin nga 5 deri në 7 cm në thellësi dhe në këtë mënyrë prek të gjitha indet muskulore dhe skeletore dhe proceset e tyre ndërqelizore, duke nxitur kështu procesin e shërimit të kockave – formimin e kallusit.

Një numër i madh i lëndimeve në stinën e dimrit ndonjëherë rehabilitohen për një periudhë më të gjatë kohore, ndoshta edhe për muaj, gjë që ul cilësinë e jetës dhe kufizon aftësitë e punës së personit të lënduar. Por nëse zgjidhet fizioterapia e përshtatshme dhe intensive, ky proces mund të përshpejtohet ndjeshëm dhe numri më i madh i dëmtimeve të dimrit mund të rehabilitohet plotësisht në një periudhë më të shkurtër.

Intervistë me Prof. Dr. Vasil Iliev – Prolapsi i organeve gjenitale tek gratë

Është e papranueshme që në shekullin e 21 gratë e çdo moshe të pranojnë një cilësi të reduktuar të jetesës

Prolapsi urogjenital është një gjendje komplekse e karakterizuar nga një pozicion anatomik i dëmtuar i organeve të prekura në kombinim me funksionin e tyre të dëmtuar. “Në shumicën e rasteve, gruaja nuk është e vetëdijshme që ekziston një problem i tillë derisa të zbulohet gjatë ekzaminimit intravaginal. Shkallët më të avancuara të zbritjes së vaginës, fshikëzës ose mitrës, vetë pacientët e ndjejnë dhe e identifikojnë si rëndesë/tërheqje veçanërisht kur lëvizin. Gjithashtu mund të ketë dhimbje, shpesh në pjesën lumbale të shtyllës kurrizore (mesin), probleme me zbrazjen e fshikëzës dhe ndjenjën e zbrazjes jo të plotë dhe/ose dhimbje, djegie gjatë urinimit. “Zakonisht, prolapsi pasohet nga ekzistenca e inkontinencës urinare”, shpjegon Prof. Dr. Vasil Iliev, gjinekolog specialist obstetër – subspecialist urogjinekolog.

Prof. dr. Iliev, prolapsi apo zbritja e organeve gjenitale tek femrat është një gjendje shumë e pakëndshme dhe e ndjeshme në të cilën mitra, vagina dhe fshikëza zhvendosen nga pozicioni i tyre normal. Pse ndodh kjo dhe cilët janë faktorët që ndikojnë në shfaqjen e prolapsit?

Prof. Dr. Vasil Iliev: Prolapsi i organeve gjenitale dhe fshikëzës njihet edhe si prolapsi uro-gjenital. Është një gjendje komplekse dhe karakterizohet nga një pozicion anatomik i dëmtuar i organeve të prekura në kombinim me funksionin e tyre të dëmtuar. Pra, e thënë më thjeshtë, kur flasim për një pozicion të dëmtuar anatomik, kemi të bëjmë me një hernie të një ose më shumë pjesëve të organeve gjenitale të brendshme dhe/ose të jashtme të gruas dhe të fshikëzës ose uretrës (kanalit të urinës).
Kur flasim për funksionin e dëmtuar të një komponenti të prolapsit urogjenital, në fakt duhet të shpjegojmë se po flasim për probleme me urinimin. Ato mund të jenë: urinim i shpeshtë me ose pa ndjenjën e nevojës për të urinuar, d.m.th. inkontinencë urinare (lagia gjatë sforcimit, kollitjes, teshtitjes, të qeshurit, marrëdhënieve seksuale etj.); zbrazja jo e plotë e fshikëzës; uroinfeksionet si dhe marrëdhëniet seksuale të pakëndshme ose të pamundura. Arsyet e shfaqjes janë të shumta, por ato të cilat mbizotërojnë janë: mosha, lindja (veçanërisht vaginale/natyrale), obeziteti, puna e rëndë fizike, faktorët trashëgues, dobësimi i strukturave muskulare mbështetëse, etj.

Prolapsi gjenital është shumë i shpeshtë, rreth 50% e grave kanë një shkallë të prolapsit. Cilat janë simptomat dhe dinamika me të cilën zhvillohet?

Prof. Dr. Vasil Iliev: Popullata jonë e femrave, pra raca e bardhë në përgjithësi, është më e ndjeshme ndaj këtyre sëmundjeve. Rreth 50% e grave që janë mbi 30 vjeç, përballen me një shkallë të çrregullimit të statikës së kompleksit urogjenital dhe/ose në një farë mase me inkontinencë urinare. Sa i përket prolapsit, gruaja zakonisht nuk është e vetëdijshme për problemin derisa të zbulohet gjatë ekzaminimit intravaginal.
Shkallët më të avancuara të prolapsit të vaginës, fshikëzës dhe/ose mitrës identifikohen nga vetë pacientët si një ndjenjë rëndese/tërheqje, veçanërisht kur lëvizin. Mund të ketë gjithashtu dhimbje, shpesh në pjesën e mesit, probleme me zbrazjen e fshikëzës dhe ndjenjën e zbrazjes jo të plotë të shoqëruar me dhimbje, djegie gjatë urinimit. Zakonisht, prolapsi shoqërohet me mosmbajtje të urinës (inkontinencë urinare).

Në çfarë konsiston trajtimi i prolapsit gjenital dhe a janë të disponueshme në vendin tonë ndërhyrjet operative rikonstruktive?

Prof. Dr. Vasil Iliev: Qëllimi i kësaj interviste është pikërisht të ndihmojë më tepër në rritjen e ndërgjegjësimit për ekzistencën e trajtimit efektiv për prolapsin gjenital dhe inkontinencën urinare. Këto janë kryesisht operacione vaginale minimalisht invazive. Qëndrimi në spital është i shkurtër, shërimi është i shpejtë. Mundëson kthimin e aktiviteteve të përditshme në kohën më të shkurtër të mundshme.
Praktika ime shumëvjeçare është pikërisht në zbatimin e këtyre ndërhyrjeve moderne rindërtuese. Veçanërisht do të theksoja ndërhyrjen për të trajtuar inkontinencën urinare. Më duhet të theksoj se kjo ndërhyrje jep rezultate më të mira në analizat krahasuese me qendrat botërore të urogjenekologjisë. Përkatësisht, është një aplikim transvaginal i një shiriti të vogël me një materil të veçantë që mundëson në mënyrë të përhershme funksionin e sfinkterit të fshikëzës nën presion, i cili zgjidh përgjithmonë inkontinencën urinare.

Vetë ndërhyrja zgjat rreth 15 minuta dhe gruaja shkon në shtëpi të njëjtën ditë ose të nesërmen.

Sa kohë nevojitet për rikuperimin dhe kthimin në aktivitetet e përditshme, si dhe në një jetë normale seksuale dhe cilat janë shanset që prolapsi të përsëritet në të ardhmen?

Prof. Dr. Vasil Iliev: Rikuperimi pas korrigjimit operativ vaginal është individual, por gjithsesi është afatshkurtër. Në rastet më të komplikuara ku nevojitet ndërhyrje me korrigjim më të madh, rikuperimi zakonisht zgjat një javë. Ndërsa përsa i përket ndërhyrjes për inkontinencën urinare, është e nevojshme vetëm një ditë. Shpesh më ka ndodhur që disa ditë pas ndërhyrjes pacientet të më kontaktojnë për të më konfirmuar se ndihen shumë mirë dhe se tashmë i janë kthyer punës dhe normalitetit. Realisht, vazhdimi i aktiviteteve të mëtejshme në jetë është krejt i natyrshëm, sepse pas ndërhyrjes gratë janë plotësisht të përgatitura.

Disa gra jetojnë në mënyrë të parehatshme me prolaps të organeve gjenitale. Çfarë ndodh kur lihet pa trajtuar?

Prof. Dr. Vasil Iliev: Po, fatkeqësisht një numër i madh i grave në vendin tonë mendojnë se në moshën e tyre është normale të ketë prolaps apo inkontinencë. Më lejoni të përmend se pikërisht për këtë arsye këto artikuj dhe intervista kanë për qëllim të informojnë popullatën femërore se prolapsi i organeve gjenitale si dhe inkontinenca mund të zgjidhen me sukses dhe përgjithmonë. Sot, në shekullin e 21-të, është e papranueshme që gratë e çdo moshe të pranojnë një cilësi të reduktuar të jetës për shkak të këtyre kushteve. Prolapsi i patrajtuar në fazën fillestare çon në përparimin e tij në prolaps të plotë.
Zgjidhja për prolapsin e plotë është sigurisht më e ndërlikuar dhe me ndërhyrje më të mëdha, sepse në këtë fazë përfundimtare ekzistojnë kufizime të caktuara për shkak të dhimbjes, zgjatjes apo daljes së organeve jashtë vaginës dhe krijimit të plagës së vetë organit të dalë (veçanërisht kur ka edhe ndryshime atrofike). Inkontinenca e patrajtuar çon në acarim të lëkurës, erë e pakëndshme të urinës që shpesh është shkaku i izolimit social. Pacientë të tillë shumë shpesh, për të mos urinuar në mënyrë të pavetëdijshme, shkojnë të programuar për të zbrazur fshikëzën e urinës, gjë që zvogëlon kapacitetin e saj dhe më pas vuajnë nga probleme të tjera shtesë.

Si mund të zvogëlohet rreziku i shfaqjes së prolapsit, sa ndihmojnë ushtrimet e Kegelit dhe në çfarë konsistojnë masat e tjera parandaluese?

Prof. Dr. Vasil Iliev: Konsiderohet se një kontribut i mirë në parandalimin e prolapsit të organeve urogjenitale dhe/ose inkontinencës urinare (mosmbajtjes së urinës) janë: në radhë të parë ushtrimet Kegel, por edhe një mënyrë jetese aktive, shmangia e obezitetit dhe kontrollet e rregullta urogjinekologjike me të gjitha testet specifike për zbulimin e çrregullimeve delikate, të cilat kanë për qëllim zbulimin e hershëm dhe zgjidhjen e tyre në kohë me akses/qasje minimale.

Klinika Zhan Mitrev – Motivim për kardiokirurgët e ardhshëm

Mundësia për të ndjerë atmosferën e punës në sallën operative është një motivim i madh për kardiokirurgët e ardhshëm.
Dr. Gresa Mustafa është 25 vjeçe dhe është nga Kosova. Dëshira e saj është që në të ardhmen të specializohet në fushën e kardiokirurgjisë. Kjo është dhe arsyeja përsa na është drejtuar për të asistuar në sallën e operacionit dhe për të ndjerë atmosferën në të cilën dr. Mitrev sëbashku me ekipin e tij kryejnë operacione të vështira.

Dëgjoni në vijim eksperiencën e saj.