4 shkaqet më të zakonshme të dhimbjes së shpinës

Dhimbja e shpinës është një gjendje e zakonshme nga e cila vuan një pjesë e madhe e popullsisë. Zakonisht bëhet fjalë për dhimbjet që shfaqen në pjesën e poshtme të shpinës, legenit (pelvisit) ose në zonën e qafës dhe në pjesën e sipërme të shtyllës kurrizore. Këto dhimbje mund të kenë shkaqe të ndryshme dhe ndryshojnë në intensitetin dhe kohëzgjatjen e tyre.

Shkaqet më të zakonshme të dhimbjes së shpinës dhe qafës

Disa nga shkaqet më të zakonshme janë:

  • Lëndimet dhe sforcimi i tepërt – dhimbjet e shpinës mund të shkaktohen nga dëmtimet e shtyllës kurrizore si: tendosje muskulore, tendosje ose hernie e disqeve (jastëkëve) midis rruazave. Sforcimet e përsëritura ose ngritja në mënyrë jo korrekte e objekteve të rënda gjithashtu mund të shkaktojë dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës.
  • Mbajtja e trupit në pozicionin e gabuar – mbajtja e trupit vazhdimisht në pozicionin e gabuar, pra qëndrimi i papërshtatshëm i tij për një periudhë të gjatë kohore, pavarësisht nëse jeni ulur apo në këmbë, mund të ushtrojë presion mbi shtyllën kurrizore dhe muskujt e shpinës, gjë që mund të rezultojë me dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës ose pjesën e qafës.
  • Probleme degjenerative – me plakjen, jastëkët ndërvertebrale (disqet) mund të konsumohen ose te shfaqet hernie duke rezultuar me dhimbje shpine. Osteoartriti dhe stenoza kurrizore janë gjithashtu kushte degjeneruese që mund të kontribuojnë në dhimbjen e shpinës dhe qafës.
  • Shtypja e nervave – nëse nervat që dalin nga shtylla kurrizore janë të ngjeshur/shtypur ose të irrituar, mund të shfaqet dhimbje shpine. Për shembull, hernia diskale ose disku i dëmtuar mund të shtypë nervat dhe të shkaktojë dhimbje në shpinë ose qafë, në varësi të vendndodhjes së hernies (dëmtimit të diskut).

Trajtimi i mundshëm për dhimbjen e shpinës

Trajtimi për këtë lloj dhimbje të shpinës varet nga shkaku themelor, d.m.th. shkaktari, dhe mund të përfshijë marrjen e disa masave të caktuara si:

  • Pushimi dhe aktivitetet fizike te moderuara – pushimi në fazën akute, pra në ditët e para pas fillimit të dhimbjes, mund të jetë i dobishëm. Megjithatë, është e rëndësishme të qëndroni aktiv me ushtrime të lehta për të ruajtur dhe forcuar muskujt e shpinës dhe për të përmirësuar qëndrimin tuaj.
  • Ilaçet – barnat që përdoren për të lehtësuar dhimbjet si ibuprofeni ose paracetamoli i njohur ndryshe edhe si acetaminofen mund të merren pa recetë. Në raste më të rënda, mund të përshkruhen edhe barna anti-inflamatore josteroide ose relaksues të muskujve.
  • Terapia fizikale – mund të përfshijë ushtrime për forcimin e muskujve dhe teknika relaksimi për të lehtësuar dhimbjen dhe për të përmirësuar lëvizshmërinë.
  • Terapitë alternative – tek disa individë, dhimbja e shpinës ose e qafës mund të lehtësohet përmes terapive plotësuese si: akupunktura, kiropraktika ose terapitë me masazh. Sidoqoftë, është thelbësore të konsultoheni me specialist mjekësor përpara se të provoni këto opsione.

Nëse keni dhimbje të vazhdueshme ose të forta në pjesën e poshtme të shpinës ose qafës, rekomandohet të konsultoheni me mjek specialist ortoped. Ai do të jetë në gjendje të bëj një vlerësim të plotë dhe t’ju jap një diagnozë të saktë, si dhe të rekomandojë trajtimin më të mirë për gjendjen tuaj specifike.

Në klinikën tonë janë të disponueshëm për ekzaminime dhe këshilla mjekët tanë specialist në fushën e ortopedisë, traumatologjisë si dhe ekipi i fizioterapistëve që kanë përvojë shumëvjeçare në këtë fushë. Ne gjithashtu disponojmë qendrën për trajtimin e dhimbjeve, e cila është e specializuar në diagnostikimin dhe trajtimin e dhimbjeve kronike me shkaqe dhe origjinë të ndryshme që nuk i përgjigjen ilaçeve të zakonshme analgjezike. Për rezervimin e terminit, ju lutemi telefononi në qendrën tonë të kontaktit në 02/3091-484.

Këshilla për përgatitjen përpara se të udhëtoni nëse keni diabet

Nëse keni diabet dhe po përgatiteni për pushime, ka disa gjëra të rëndësishme që duhet të dini ose të keni parasysh në mënyrë që të mbani një kontroll të mirë të sëmundjes suaj.

Në postimin e sotëm, ne ju ofrojmë disa rekomandime që mund t’ju ndihmojnë:

  • Ilaçet dhe terapia: Sigurohuni që të keni mjaftueshëm ilaçe me vete për t’ju mbuluar gjatë gjithë pushimeve tuaja, natyrisht duke përfshirë insulinën nëse e përdorni ose ilaçe të tjera orale që mund t’ju nevojiten. Sigurohuni gjithashtu të keni një sasi rezervë ilaçesh me vete për cdo rast të paparashikuar ose vonesave në kthimin tuaj. Është gjithashtu një ide e mirë të mbani me vete një dokument mjekësor që tregon se vuani nga diabeti.
  • Ushqimi i shëndetshëm: Gjatë pushimeve, është e rëndësishme të konsumoni ushqim të shëndetshëm dhe të ekuilibruar. Përpiquni të mbani një orar të rregullt të vakteve dhe të shmangni konsumimin e tepërt të ushqimeve të pasura me sheqer ose karbohidrate. Nëse do të hani jashtë, zgjidhni opsione të shëndetshme dhe kontrolloni porcionet. Mbani gjithmonë me vete një lloj burimi të shpejtë sheqeri në rast se keni hipoglicemi.
  • Aktiviteti fizik: Ushtrimi i aktivitetit fizik është i rëndësishëm për të kontrolluar diabetin, edhe gjatë pushimeve. Mundohuni të mbani një nivel të rregullt të aktivitetit fizik, si ecja, noti ose aktivitetet në natyrë. Sidoqoftë, mos harroni se mund t’ju duhet të rregulloni marrjen e ushqimit dhe ilaçeve bazuar në nivelin tuaj të aktivitetit fizik. Konsultohuni me mjekun tuaj për udhëzime specifike.
  • Monitorimi i nivelit të glukozës: Mos harroni të merrni me vete glukometrin dhe pajisjen që ju nevojitet për matje të rregullt. Mund t’ju duhet të monitoroni glukozën tuaj më shpesh se zakonisht për shkak të ndryshimeve në rutinën tuaj, dietës dhe aktivitetit fizik. Sigurohuni që të dini se çfarë të bëni në rast të niveleve të larta ose të ulëta.
  • Rregulloni ndryshimin në zonat kohore: Nëse udhëtoni nëpër zona të ndryshme kohore, duhet të jeni të vetëdijshëm se si kjo mund të ndikojë në orarin tuaj të mjekimit dhe vakteve. Konsultohuni me mjekun tuaj I cili ju ndjek rregullisht për udhëzime specifike se si të rregulloni orarin tuaj gjatë udhëtimit.
  • Masa paraprake për sigurinë e shendetit tuaj: Mbani gjithmonë dokumentacion mjekësor (grafikë/udhëzim) që tregon se keni diabet, në rast urgjence. Sigurohuni që t’i tregoni shoqëruesit tuaj në mënyrë që ata të dinë se si t’ju ndihmojnë në rast urgjence.

Mos harroni se është e rëndësishme të komunikoni me mjekun tuaj përpara se të udhëtoni për të marrë udhëzime shtesë specifike bazuar në gjendjen tuaj individuale dhe për të adresuar çdo pyetje ose shqetësim që mund të keni. Me planifikimin e duhur dhe kujdesin e vazhdueshëm, ju mund të shijoni pushimet tuaja duke mbajtur një kontroll të mirë të diabetit tuaj.

Ekipi ynë i endokrinologëve është në dispozicionin tuaj për konsultim dhe/ose trajtim të të gjitha problemeve tuaja me diabetin. Rezervoni konsultën tuaj në 02 3091 484

A keni menduar ndonjëherë përse qajmë?

Të gjitha qeniet njerëzore me funksion normal psikofiziologjik (brenda intervalit mesatar) kanë qarë ose do ta bëjnë këtë disa herë në jetën e tyre. Në fakt, kur një fëmijë lind, e qara është gjëja e parë që pritet dhe shenja e parë që trupi i foshnjës po funksionon siç duhet.
Të gjithë e dimë se e qara është një dukuri e natyrshme dhe se na ndodh në raste të ndryshme, kur kemi probleme me sytë, kruarje apo pickime, qajmë kur jemi të trishtuar apo të gëzuar. Por ajo që është e rëndësishme është të njohim mekanizmat dhe si të përfitojmë prej tyre.

Llojet e lotëve

Është e nevojshme të dallohen lotët fiziologjikë nga lotët emocionalë ose psikologjikë.

Lotët fiziologjikë

Lotët fiziologjikë janë ata që shërbejnë për të mbrojtur sistemin tonë të shikimit (sytë) dhe janë rezultat i reflekseve ose janë lubrifikantë.
Lotët lubrifikues janë lotët që vijnë nga kornea (xhami i syrit – pjesa e përparme dhe transparente e syrit), pastrojnë dhe mbrojnë syrin nga agjentët e jashtëm (si pluhuri, etj.). Përafërsisht 1 ml lot lubrifikues prodhohen çdo ditë.

Lotët reflektues na mbrojnë nga sulmet e jashtme si gazrat irritues ose substancat kimike. Këto janë lot që shfaqen për shembull kur qëroni qepë dhe përmbajnë një sasi të madhe antitrupash që do të mbrojnë syrin nga sulmet bakteriale.

Lotët emocionalë

Lotët emocionalë shfaqen para një emocioni të fortë, hipotalamusi ndërhyn në interpretimin emocional dhe është ai që u dërgon komanda organeve të syrit për të prodhuar lot. Sipas një studimi (Walter & Chip, 2006) me një shembull prej më shumë se treqind personash, meshkujt kanë lotë emocional mesatarisht një herë në muaj ndërsa femrat të paktën pesë herë në muaj, ndryshimi midis dy gjinive shpjegohet nga variacionet hormonale gjatë ciklit menstrual.

Qajmë kur jemi të mërzitur

Cila është dobia e derdhjes së lotëve në një situatë me intensitet emocional? Zakonisht shfaqen në kontekstin e një situate të padëshiruar dhe të dhimbshme. Në këtë rast duket se sekretimi i lotëve ka funksion analgjezik dhe lehtësues.

Lotët emocionalë që derdhim ndaj një situate dramatike personale ose të dikujt tjetër mbartin një dozë të mirë të klorurit, kaliumit dhe manganit, endorfinës, prolaktinës, adrenokortikotropinës dhe leucine-enkefalinës (një qetësues natyral i dhimbjes).

Truri kur qajmë

Kur qajmë, truri konsumon një sasi të madhe glukoze dhe kur pushojmë së qari, ndihemi të lodhur dhe më të relaksuar sikur të kishim kryer aktivitet sportiv, gjë që mund ta inkurajojë trupin të pushojë në situata stresuese. Veç kësaj, vetë fakti i të qarit do të na bëjë të tërhiqemi në vetvete, të bëjmë reflektim personal dhe do të na lejojë të mbulojmë nevojën për të dëgjuar veten dhe për t’u kujdesur për veten në momente të caktuara, duke lënë mënjanë gjërat e tjera që na shqetesojnë çdo ditë.

Funksioni social i të qarit

Sigurisht që lotët kanë një funksion social adaptiv shumë të rëndësishëm, kur shohim të tjerët duke qarë e dimë se mund të kenë nevojë për ndihmë apo mbështetje ndryshe nga zakonisht.
Kështu, nëse shtojmë funksionin biologjik në kombinim me atë intrapersonal dhe relativ, lotët pas humbjes së një personi të afërt do të na ndihmojnë të kalojmë apo ti kapërcejmë ndjenjat emocionale (dhimbjen) më lehtë.

Pse ndonjëherë qajmë kur jemi të lumtur?

Kur përjetojmë një emocion gëzimi ekstrem, trupi ynë ndonjëherë e interpreton atë si diçka “të tepërt” dhe sistemin tonë emocional si humbje të kontrollit. Në këto rrethana, e qara ndihmon në rivendosjen e ekuilibrit emocional.

Përse nuk mund të qaj kur jam i trishtuar?

Disa njerëz vuajnë nga një sëmundje autoimune, sindroma Sjögren, që ka të bëj me thatësi të përhershme në kanalin e lotit. Por duke lënë mënjanë problemet e mundshme fiziologjike me prodhimin e lotëve, disa njerëz kanë probleme të qajnë kur përjetojnë humbje ose emocione të forta, të shoqëruara zakonisht nga paaftësia për të ndjerë trishtim. Kjo mund të jetë rezultat i një sërë arsyesh dhe shpesh lidhet me një përvojë të dobët me menaxhimin emocional në një kohë të caktuar (për shembull, nëse keni vuajtur nga depresioni i rëndë ose ndoshta keni një person të afërt dhe të dashur që vuan nga depresioni i rëndë), dhe si rezultat aktivizohet një frike të paarsyeshme ndaj të qarit.

Normat shoqërore ndikojnë gjithashtu në kultura të caktuara ku e qara shihet si diçka ‘e keqe’, dhe ka shumë kultura të tjera ku e qara konsiderohet si diçka e natyrshme dhe normale që nuk duhet ‘shtypur/ frenuar’. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të mësoni se si të qani kur është e nevojshme, sepse siç e përmendëm më lart, e qara (lotët) ndihmon në balancimin e shëndetit tonë emocional.

Ekspertët tanë në departamentin e psikiatrisë dhe psikologjisë janë në dispozicionin tuaj për konsultim dhe trajtim të të gjitha problemeve tuaja emocionale. Rezervoni konsultimin tuaj në 00389 2 3091 484

Prolapsi gjenital dhe inkontinenca

Prolapsi i organeve gjenitale ose e njohur ndryshe si “rënja e mitrës” dhe inkontinenca – mosmbajtja e urinës janë kushte të zakonshme tek gratë. Mbi 47% e grave do të preken nga ky problem gjatë jetës së tyre.

Prolapsi ndodh si pasojë e dobësimit të indeve dhe muskujve në legen (pelvis), gjatë së cilës mitra lëviz ose zbret nga pozicioni i saj normal.
Mund të ndodhë që prolapsi të mos jetë vetëm në organet gjenitale por edhe në fshikëz ose në kanalet e urinës. Në këtë rast bëhet fjalë për prolapsin uro-gjenital, në të cilin shfaqet çrregullim jo vetëm përsa i përket pozicionit anatomik, por edhe funksionit të organeve të tjera të prekura.
E thënë ndryshe, pozicioni anatomik i dëmtuar është në fakt hernie e një ose më shumë pjesëve të organeve gjenitale të brendshme të gruas dhe e vetë fshikëzës dhe/ose uretrës (dalja e kanalit të urinës).

Nga ana tjetër, funksioni i dëmtuar manifestohet me probleme të urinimit dhe mund të ndryshojë nga urinimi i shpeshtë me ose pa ndjenjën e nevojës për të urinuar, nëpërmjet stres inkontinencës (mosmbajtja e urinës gjatë sforcimit, kollitjes, teshtitjes, të qeshurit, marrëdhënieve seksuale etj.), zbrazje jo e plotë e fshikëzës, uro-infeksione, probleme ose pamundësi për të kryer marrëdhënie seksuale.

Zbritja e mitrës, mureve vaginale ose fshikëzës mund të jetë jo e plotë – në këtë rast gratë zakonisht nuk janë të vetëdijshme për ekzistencën e problemit, por diagnostikohen rastësisht gjatë ekzaminimit gjinekologjik. Në rastet kur problemi është më i theksuar tek pacientët shfaqen simptoma që kanë të bëjnë me rëndesën veçanërisht kur lëvizin/ecin. Të pranishme janë edhe dhimbjet, shpesh në pjesën lumbale të shtyllës kurrizore, pastaj probleme me zbrazjen e fshikëzës dhe ndjenjën e zbrazjes jo të plotë, si dhe dhimbje ose djegie gjatë urinimit ose urinim të pavullnetshëm. Zakonisht prolapsi shoqërohet me stres inkontinencën (mosmbajtjen e urinës/ urinimin e pavullnetshëm).

Zgjidhjet e mundshme

Është më e rëndësishme që çdo grua të jetë e vetëdijshme se ka një zgjidhje efektive për këtë problem.
Këto janë operacione vaginale minimalisht invazive, me qëndrim të shkurtër në spital dhe shërim të shpejtë që mundëson rikthimin në aktivitetet e përditshme pa pasoja.

Në ekipin tonë mjekësor Prof. Dr. Vasil Iliev është ai i cili ka praktikë shumëvjeçare në zbatimin e ndërhyrjeve moderne rikonstruktive për lloje të ndryshme të prolapseve të mitrës dhe/ose vaginës.

Për të caktuar një takim telefononi në 02/3091-484

Çfarë është gjinekomastia?

Gjinekomastia është një çrregullim i sistemit endokrin ku ndodh zmadhimi jo-kancerogjen i gjirit tek meshkujt. Gjinjtë e të dy gjinive janë të ndjeshëm ndaj ndikimeve hormonale. Sigurisht që këto ndikime reflektohen në masë më të vogël tek meshkujt, që do të thotë se edhe meshkujt mund të preken nga të njejtat sëmundje të gjirit si tek femrat, por shumë më rrallë. Gjinjtë tek meshkujt janë një organ rudimentar. Ato përbëhen nga indi dhjamor, një sasi e vogël indi lidhor dhe kanale të pazhvilluara në thithka.

Problemi më i shpeshtë që shfaqet në gjinjtë e meshkujve është pikërisht gjinekomastia, e cila është një rritje e njërit apo e të dy gjinjve tek meshkujve si pasojë e indit epitelial dhe stromal. Si fenomen fiziologjik paraqitet në periudhën neonatale nën ndikimin e hormoneve të nënës, në pubertet për shkak të shfaqjes së ndryshimeve hormonale fiziologjike, por mund të ndodhë edhe në pleqëri. Nëse shfaqet në një periudhë tjetër, duhet të bëhen teste shtesë. Statistikat tregojnë se një në tre burra nën moshën 40 vjeç kanë problem me një farë mase gjinekomastie.

Shkaku i gjinekomastisë mund të jetë hipertrofia ose zmadhimi i parenkimës së gjëndrave të gjirit dhe grumbullimi i depozitave në indin dhjamor nënlëkuror. Në moshën pesëdhjetë vjeçare, pothuajse gjysma e popullsisë mashkullore ka zmadhim të gjoksit.

Dallimi ndërmjet gjinekomastisë dhe lipomastisë

Trupi i njeriut ruan yndyrën në një mënyrë të përcaktuar tashmë nga gjenetika. Kjo do të thotë se si pasojë e gjenetikës, tek disa meshkuj depozitohet një sasi e caktuar e yndyrës së tepërt trupore në gjinj, duke shkaktuar kështu zmadhimin e tyre. Pavarësisht nga gjenetika, nëse konsumoni shumë yndyrë, trupi juaj nuk do të ketë hapësirë për ta përpunuar atë të gjithën, për këtë arsye, një pjesë përfundon në formën e dhjamit në gjinj/gjoks. Kjo quhet lipomastia.

Gjinekomastia nuk shoqërohet me yndyrë të tepërt të gjoksit. Ndodh për shkak të hipertrofisë së indit të gjëndrave si pasojë e çekuilibrit të nivelit të hormoneve të testosteronit dhe estrogjenit. Për këtë arsye, zakonisht shfaqet gjatë pubertetit ose në moshën e mesme, pas moshës pesëdhjetë vjeçare. Mund të ndodhë edhe si një efekt anësor i përdorimit të steroideve, të cilat ndikojnë në nivelin e hormoneve. Mund të shfaqet në një formë të lehtë ose ekstreme. Mund të ndodhë gjithashtu një kombinim i të dyja formave.

Gjinekomastia patologjike

Gjinekomastia patologjike ndodh për shkak të një rënie të testosteronit gjatë inflamacionit ose traumës së testikujve, kastrimit/sterilizimit, dështimit të veshkave ose një defekti metabolik në prodhimin e testosteronit. Gjithashtu shfaqet edhe në rastin e rritjes/zmadhimit të hormoneve të estrogjenit, që shfaqet si pasojë e pranisë së tumorit në testikuj, kancerit të mushkërive, sëmundjeve të gjëndrës mbiveshkore, mëlçisë, gjëndrës tiroide (tirotoksikoza). Mund të ndodhë edhe me përdorimin e shpeshtë të disa barnave, duke përfshirë të gjithë citostatikët, si dhe narkotikët.

Vlerësimi diagnostik

Bëhet një ekzaminim klinik i gjirit për të përcaktuar problemin e saktë.

  • Nëse bëhet fjalë për gjinekomasti apo pseudogjinekomastia (rritje të yndyrës supraareolare, por jo të indit të gjëndrave).
  • Për kryerjen e diagnozës diferenciale ndërmjet gjinekomastisë dhe kancerit të gjirit (indi i gjinekomastisë është i butë dhe elastik dhe ndodhet pak nën areolën, në mënyrë të dyanshme (bilaterale) tek 50% të rasteve; indi kanceroz është i ngurtë ose i fortë, jo poshtë areolës, shpesh i njëanshëm (unilateral).

Kushtojini vëmendje shenjave të mëposhtme:

  • Funksionit seksual (impotencë, ulje/rënje e dëshirës seksuale).
  • Madhësisë së testiseve (testikujt e vegjël tregojnë hipogonadizëm, asimetria sugjeron praninë e tumorit).
  • Qimeve (lloji mashkull ose femër)
  • Nëse keni prani të qumështit ose sekrecione të tjera gjatë shtypjes së gjoksit/gjinjve.
  • Nëse keni shenja të sëmundjes së mëlçisë.
  • Nëse keni histori të marrjes së disa barnave (spironolakton, trajtimi i kancerit të prostatës, ilaçe natyrale).

Shqyrtime laboratorike

Zbatimi i testeve laboratorike është prioriteti i parë. Zakonisht fillon me:

  • Testosteroni i serumit dhe globulina që lidhet me hormonet seksuale (sex-hormone binding globulin SHBG ) (+ testosteroni i lirë).
  • Estradiol në serum.
  • Hormoni luteinizues (LH) në serum.
  • TSH serum.
  • Beta-hCG serum.

Para se të merret një vendim, fillimisht duhet bërë ECO e gjinjve dhe më pas, së bashku me analizat e plota hormonale kërkohet ekzaminim nga mjeku specialist endokrinolog. Nëse endokrinologu arrin në përfundimin se gjinekomastia është e operueshme, në të ardhmen kryhet trajtimi kirurgjik.

Trajtimi kirurgjik i gjinekomastisë

Trajtimi kirurgjik për gjinekomastinë i referohet heqjes së indeve në zonën e gjirit. Në varësi të llojit të gjinekomastisë, pra nëse bëhet fjalë për lipomasti apo gjinekomasti, janë të mundshme dy procedura operative:

  • Liposuksion
  • Ekstirpimi periareolar i gjëndrës së gjirit

Liposuksioni është një procedurë operative në të cilën pas kryerjes së infiltrimit, me ndihmën e një kanile dhe nën vakum nxirret komponenti yndyror në zonën e gjirit.
Ekstirpimi i gjëndrës është një procedurë kirurgjikale ku, pasi bëhet një prerje gjysmërrethore në zonën e thithkës, përgatitet indi i gjëndrave të gjirit dhe më pas hiqet. Pas ekstirpimit të indit të gjëndrave të gjirit, është e nevojshme të bëhet një analizë patohistologjike e indit për të vendosur një diagnozë përfundimtare.

Rehabilitimi postoperativ

Pas operacionit, është e nevojshme të pushoni dhe të shmangni aktivitetet fizike. Qëndrimi në spital pas operacionit, në varësi të gjendjes së përgjithshme të pacientit, zgjat nga 1 deri në 2 ditë. Në periudhën pasuese, vijon trajtimi i mëtejshëm ambulator.
Në periudhën pas operacionit, është e nevojshme të vihet një fashë elastike ose një korse elastike për të kompresuar lëkurën në zonën e gjoksit/gjirit. Materiali i fashës kompresuese duhet të mbahet për një muaj.
Nëse pacienti që i është nënshtruar trajtimit kirurgjik për gjinekomasti është i angazhuar profesionalisht në një punë që nuk kërkon aktivitet fizik, kthimi në punë mund të bëhet dy javë pas operacionit. Nëse pacienti është i angazhuar profesionalisht në punë që kërkojnë aktivitet fizik, veçanërisht të gjymtyrëve të sipërme, kthimi në punë mund të bëhet një muaji pas operacionit. Me aktivitete sportive ose palestër, mund të vazhdoni një muaj pas vetë operacionit.

Pyetjet e bëra më shpesh:

  1. Sa kohë zgjat operacioni i gjinekomastisë?
    Kohëzgjatja e operacionit është 60-90 minuta.
  2. Në cilën moshë është më mirë të kryhet operacioni i gjinekomastisë?
    Gjinekomastia rekomandohet të kryhet më mirë pas pubertetit, pra gjatë adoleshencës.
  3. A kanë pacientët me gjinekomasti një rrezik më të lartë për të zhvilluar kancer të gjirit?
    Gjinekomastia nuk është prekanceroze, domethënë nuk ka një lidhje të vërtetuar shkencërisht ndërmjet gjinekomastisë dhe rrezikut të zhvillimit të kancerit të gjirit.
  4. Çfarë anestezie përdoret për kryerjen e operacionit të gjinekomastisë?
    Në varësi të gjendjes klinike të pacientit, gjinekomastia mund të kryhet edhe me anestezi lokale nëse gjinjtë nuk janë voluminoz.
  5. A është i dhimbshëm operacioni?
    Në periudhën pas operacionit kryhet terapi analgjezike, e cila redukton ndjesinë e dhimbjes.

Miokarditi akut: simptomat dhe prognoza

Miokarditi akut është një sëmundje inflamatore e muskujve të zemrës (miokardit) që mund të shkaktojë dështim të zemrës dhe anomali të ritmit të zemrës. Kjo sëmundje mund të shfaqet si pasojë e përhapjes së agjentëve të ndryshëm infektivë, si: viruset, bakteret, mykut si dhe agjentëve toksikë, alergjenëve madje edhe disa barnave. Nëse dëmtimi i muskujve të zemrës është i rëndë, pacienti mund të ketë gulçim, lodhje, dhimbje në kraharor dhe simptoma të tjera.

Trajtimi për miokarditin akut varet nga shkaku dhe ashpërsia e simptomave. Mund të përfshijë ilaçe për të reduktuar inflamacionin, si dhe trajtim për vetë dështimin e zemrës.

Shkaqet dhe simptomat më të zakonshme të miokarditit

Shkaku më i zakonshëm i miokarditit akut është infeksioni viral. Infeksionet virale më të shpeshta që shkaktojnë miokardit janë: virusi parainfluenza, virusi Coxsackie, virusi Epstein-Barr, virusi herpes simplex, virusi i hepatitit B dhe C, virusi i gripit, virusi i fruthit dhe virusi i rubeolës. Përveç kësaj, miokarditi akut mund të shkaktohet nga infeksione të tjera bakteriale, reaksione alergjike, rrezatim, ilaçe ose helmim.

Simptomat më të zakonshme janë:

  • Lodhje
  • Dhimbje në kraharor
  • Probleme me frymëmarrjen – gulçim edhe kur nuk merreni me aktivitet fizik
  • Ritme të shpejta ose të çrregullta të zemrës (aritmi)
  • Ënjtje e këmbëve dhe kyçeve të këmbëve
  • Marramendje ose ndjesi të fikëti
  • Dehidratim
  • Dhimbje stomaku
  • Të vjella

Prognoza e miokarditit akut varet kryesisht nga koha e diagnostikimit dhe trajtimit – sa më shpejt aq më mirë. Në shumicën e rasteve, trajtimi i duhur mund të lehtësojë simptomat dhe të parandalojë komplikime të mëtejshme. Megjithatë, në disa raste, miokarditi akut mund të jetë fatal. Rreziku i vdekjes është më i lartë tek ata pacientë që kanë sëmundje kronike, si diabeti ose sëmundje pulmonare obstruktive kronike. Prandaj rekomandojmë që gjatë simptomave të para të kryhet ekzaminim kardiologjik ose të kërkohet ndihmë urgjente.

Specialistët tanë në departamentin e kardiologjisë janë në dispozicionin tuaj për të gjitha problemet tuaja që kanë të bëjnë me zemrën. Rezervoni termnin tuaj në 00389 2 3091 484