Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

26.04.2024

Alergjia tek fëmijët

Çfarë është alergjia?

Alergjia është një ndjeshmëri e shtuar e trupit ndaj disa substancave të njohura si alergjenë.
Gjatë shfaqjes së alergjisë ndodh një seri e tërë procesesh-reaksionesh të krijimit të antitrupave të tipit IgE si dhe llojeve të ndryshme të komplekseve imune, të cilat më pas do të varen nga mënyra se si reagimi i përgjithshëm do të shfaqet si problem shëndetësor.
Rreth nesh ka shumë alergjenë që janë të padëmshme për një pjesë të popullsisë, ndërsa për të tjerët mund të jenë kërcënues madje edhe për jetën. Konstatimi i përgjithshëm është se mënyra e ndryshuar e jetesës çon në faktin se trupi i fëmijëve nuk i njeh gjërat e zakonshme nga mjedisi dhe reagon ndaj tyre sikur të ishin armiq.

Cilët janë faktorët e rrezikut për zhvillimin e alergjive tek fëmijët?

– Predispozicion gjenetik (alergji tek prindërit ose anëtarët e rrethit më të ngushtë të familjes). Nëse njëri nga prindërit ka alergji, ka 50% mundësi që edhe fëmija të ketë alergji. Nëse të dy prindërit kanë alergji, ka 80% mundësi që edhe fëmija të ketë alergji.

– Ndotja e ajrit ndikon negativisht në rrugët e frymëmarrjes. Grimcat më të mëdha PM10 qëndrojnë në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, por PM1 dhe PM2 më të vogla, të cilat janë më të imëta, kalojnë në rrugët më të vogla të frymëmarrjes në mushkëri dhe shkaktojnë inflamacion kronik, pra inflamacion të mukozës dhe dëmtim.

– Ekspozimi ndaj tymit të cigares

– Ushqimi jo i duhur tek fëmijët dhe reduktimi i aktivitetit fizik

– Qëndrimi i fëmijëve në dhoma të mbyllura ku ruhet pastërtia e tepërt (ambient hiper/tepër i pastër).

– Lagështia në ambiente të mbyllura është faktor për zhvillimin e rinitit alergjik.
Të gjithë faktorët e lartpërmendur ndikojnë që sistemi imunitar te fëmijët të reagojë pak më ndryshe se zakonisht.

Llojet e alergjeneve – çfarë mund të shkaktojë një alergji?

Alergjitë ndahen në grupe në varësi të sezonalitetit ose alergjenit shkaktar.

Në varësi të faktit se kur shfaqen, alergjitë mund të jenë:

  • Sezonale (ndodhin në një stinë të caktuar të vitit – pranverë, verë ose në fillim të vjeshtës). Këto janë kryesisht alergji ndaj polenit. Zakonisht manifestohen si rinit alergjik dhe tek ne fillojnë nga muaji shkurt dhe zgjasin deri në nëntor. Nga shkurti në prill lulëzojnë pemët, nga prilli në qershor lulëzojnë barërat, në maj lulëzon lisi, që është një alergjen mjaft i fortë, në fund të gushtit kemi polenin e ambrozisë.
  • Vjetor (ndodhin gjatë gjithë vitit). Të tilla janë alergjitë e pluhurit të shtëpisë. Këto janë në fakt dermatofagoide – mikrokëpusha ose të njohura zakonisht si marimangat që janë të pranishme në shtëpi. Ato gjenden në dyshekë, jastëkë, qilima, lodra prej pelushi. Prandaj, nëse konstatohet se fëmija ka alergji ndaj pluhurit të shtëpisë, rekomandohet që të hiqen tapetet, perdet dhe të mos përdoren lodra prej pelushi. Dyshekët duhet të pastrohen me pastrues të thellë, të përdoren jastëkë antialergjikë, mbulesa, dyshekë.

Alergjitë ndaj kafshëve shtëpiake janë kryesisht alergji ndaj qenve, maceve ose kafshëve të tjera shtëpiake.

Alergjeni më i fortë në dietën e fëmijëve është qumështi dhe produktet e qumështit, e bardha e vezës, peshku dhe frutat e detit, frutat arrore (arrat, lajthitë, bajamet, fëstëkët) nga frutat: mjedra, manaferra, luleshtrydhet, kivi.
Alergjitë ndaj ushqimeve dhe barnave manifestohen sa herë që fëmija bie në kontakt me to.

Në varësi të shkakut të alergjisë, alergjenët ndahen në:

  • Alergjenet inhalatore – këta janë alergjenë që janë të pranishëm në ajër (poleni, pluhuri i shtëpisë, myku, kafshët shtëpiake).
  • Alergjenet ushqyese – këto janë alergjenë që janë të pranishëm në produktet ushqimore.
  • Alergjenët e kontaktit (kozmetika, preparate kimike, etj.)
  • Pickimet nga insektet që përmbajnë helm (bletët, grerëzat).

Çfarë ndodh në trupin e fëmijës kur shfaqet alergjia

Kur trupi i fëmijës është në kontakt me një alergjen, prodhohen imunoglobulina të tipit IgE. Ndodh reaksion imunitar kur membrana e mastociteve dëmtohet dhe prej tyre çlirohen histamina, prostaglandina dhe mediatorë/ndërmjetësues të tjerë që shkaktojnë simptoma të caktuara.

Këta mediatorë/ndërmjetës shkaktojnë:

  • Vazodilatimi i enëve të gjakut (zgjerimi i enëve të gjakut), i cili shkakton skuqje të lëkurës, ënjtje të mukozës së hundës, e cila rezulton me bllokim të hundës ose sy të përlotur.
  • Rritja e ndjeshmërisë së mbaresave nervore dhe si pasojë kemi kruajtje të hundës, syve dhe lëkurës.
  • Spazma e muskujve të lëmuar që mund të manifestohet me laringit, bronko-obstruksione dhe atak astmatik.

Si manifestohet alergjia tek fëmijët?

Organet e synuara që reagojnë ndaj disa alergjeneve janë:

  • organet respiratore
  • sistemi gastrointestinal
  • lëkura.

Për sa i përket pamjes klinike, ato mund të kenë simptoma të lehta deri në simptoma të forta që në disa raste mund të shkaktojnë një gjendje kërcënuese për jetën e njohur si shoku anafilaktik.

Tek foshnjat dhe tek fëmijët deri në 3 vjeç shfaqen më shpesh manifestimet alergjike në lëkurë si ekzema ose dermatiti atopik.

Nëse dyshoni se fëmija juaj ka alergji, rezervoni ekzaminim në kohën që ju përshtatet në numrin 02/3091-484