00389 2 3091 484
Shkurt 02,2020
1 Mars 2020 është data në të cilën Zan Mitrev Clinic do të festojë përvjetorin e 20-të. Me këtë rast, pikërisht në atë ditë janë planifikuar një seri aktivitetesh që do të shënojnë këtë datë dhe jubile shumë të rëndësishëm, dhe ndërkohë me ndihmën e disa prej tregimeve të shkruara sëbashku me pacientët e kësaj klinike do të rikujtojmë fillimet, tregimet me fund të lumtur por edhe për faktin se ne të gjithë posedojmë një zemër, të pasur, të zbrazët ose të mbushur plotë si kjo botë…
Thonë se koha shëron gjithçka, por koha mund të shërojë vetëm një zemër të “thyer” … jo një zemër të sëmurë. Zemra e sëmurë ka nevojë për mjekun e duhur, ashtu siç pati fatin pothuajse dy dekada më parë Gjеorgi Jovanovski, një banor të vjetër i qytetit të Shkupit, pensionist dhe një nga pacientët e parë që do të trajtohej në klinikën e Dr. Zhan Mitrev, i njohur atëherë si spitali special për sëmundjet kirurgjikale “Filipi i Dytë”.
Jovanovski thotë, nuk dua ta kujtoj atë kohë sepse tani jetoj një jetë sikur të mos jem operuar, por nga ana tjetër, nuk mund ta harroj atë që bëri doktor Mitrev për mua, jam jashtëzakonisht mirënjohës ndaj tij dhe ndaj të gjithë ekipi mjekësor që janë kujdesur dhe vazhdojnë të kujdesen për mua për plot 19 vjet.
“Gjithçka ndodhi 19 vjet më parë. Kam ardhur këtu diku nga data 10 qershor, në ndërtesën e vjetër, isha shtruar në spital, në katin e gjashtë. Operacioni nuk mund të them se ishte i lehtë sepse jo vetëm që më janë bërë bypass-e, por kam edhe rinovim të barkushes së majtë. Nuk e di sa orë zgjati operacioni, por e di që kam pasur rehabilitim të shpejt dhe për këtë i jam mirënjohës doktor Zhan Mitrevit, i cili kreu me shumë sukses operacionin. Por nuk mund të lë pa përmendur edhe Dr. Tanja Angjushevën të cilës gjithashtu i jam shumë mirënjohës për kujdesin dhe vëmendjen gjatë gjithë procesit të përmirësimit, nuk e ndërroj asnjëherë, vetëm ajo kujdeset për shëndetin tim” – kështu filloi tregimin e historisë së tij Gjеorgi, i cili edhe pse nuk dëshiron të flasë shumë, duke mos dashur të kujtojë kohërat e këqija, ai vendosi të na tregojë historinë e tij me qëllim për të ndihmuar personat me probleme të ngjashme shëndetësore. Para operacionit, prognoza nuk ishte e mirë për të, dhe për atë kohë edhe doktoreshës i duhej të merrte mendim konziliar. Kjo ishte e nevojshme për vazhdimin e trajtimit tek Dr. Mitrev sepse në atë kohë mendohej se një operacion i tillë i aneurizmit në barkushen e majtë nuk duhet të bëhet sepse pacientët ose nuk i mbijetjnë ose humbasin jetën vetëm pak kohë pas operacionit.
“Gjendja ime kur kërkova ndihmë mjekësore nuk ishte aspak e mirë, atëherë në fakt konfirmun se kisha pësuar infarkt në zemër për të cilin nuk isha i vetëdijshëm. Isha një person vazhdimisht në lëvizje dhe nuk mendoja se kisha kohë të merresha me sëmundje. Kur më thanë që kisha pësuar infarkt në zemër dy vjet më parë mbeta i habitur dhe isha i bindur se diçka e tillë ishte e pamundur, por, kur u ktheva pas në kohë mu kujtua që kisha pasur një episod në të cilin kisha ndjerë dobësi dhe dhimbje intensive të padurueshme për të cilën në atë kohë nuk kisha shpjegim. Për faktin se punoja në FAS (fabrikë autobusësh) në klinikë më thanë se kam pasur reumatizëm, më dhanë trajtim por nuk ndjeva asnjë përmirësim pasi në të vërtetë nuk bëhej fjalë për reumatizëm por për infarkt. Gjatë gjithë javës pata dhimbje të padurueshme, por më pas dhimbjet kaluan në një farë mënyre ashtu… pa asnjë shpjegim. Në atë kohë, pija shumë duhan, por alkool nuk kam pirë kurrë, ndërsa me duhanin shpesh edhe e teproja. Dy vjet më vonë, përsëri pata një situatë të ngjashme dhe shkova te mjeku, atëherë u bë vendosja e diagnozës së vërtetë. Megjithëse në fakt edhe atëherë mendoja se nuk ishte asgjë serioze”, rrëfen Gjеorgi dhe pranon se në atë moment e kthjelluan fjalët e doktoreshës në departamentin e urgjencës, e cila e kishte ndjekur rastin e tij pas reagimit nga ana e familjes së tij, ata të gjithë ishin të tronditur dhe në panik. Doktoresha i tha bashkëshortes së tij se nëse nuk shkonte në spital, mund të kishte pasoja të rënda dhe mund të ishte vonë për të.
“Më hospitalizuan dhe më thanë se problemi im duhej zgjidhur me anë të operacionit kirurgjik. Falenderime të përzemërta ndaj Dr. Mitrev dhe Dr. Angjuseva e cila është gjithmonë me mua. Falë tyre tani bëj një jetë cilësore. Unë i përmbahem të gjitha këshillave që më janë dhënë. Jam i rregullt në marrjen e terapisë, rregullisht i kryej kontrollet, bëj kujdes me ushqimin, duhani tashmë është diçka e shkuar për mua, dhe çdo ditë pa përjashtim dal dhe bëj shëtitje. Unë jetoj ndërmjet lagjes Vllae dhe Hrom dhe çdo ditë shëtis me biçikletë deri në Novo Lisice. Me biçikletë shkoj deri atje, ndërsa në shtëpi kthehem duke ecur dhe duke shtyrë biçikletën. Kështu funksionoj për 19 vjet me rradhë” – thotë Gjеorgi i cili nuk dëshiron të kthehet pas në kohë, por të jetojë një jetë cilësore me mendim pozitiv dhe të kujdeset për shëndetin e tij.
“Unë vërtetë ndjehem sikur të mos jem operuar, tani do të mbush 77 vjeç dhe nuk besoj se kushdo që është më i ri se unë por që nuk shëtit, mund të matet me mua në këtë aspekt. Kam kondicion të qëndrueshëm. Pavarësisht nga kushtet klimatike, pavarësisht nëse bie shi apo fryn erë, unë nuk heq dorë nga rituali im. Kështu jam mësuar të funksionojë. Nuk e kthej më kokën pas dhe nuk mendoj për atë që ndodhi, dhe këtë gjë i’ua rekomandoj të gjithë atyre personave të cilët kanë problem shëndetësor të ngjashëm me mua. Shpesh herë më thonë “ ti di të kujdesesh për veten” ndërsa unë i’u përgjigjem “gjithësecili për vete”. Kështu jam mësuar dhe sa të jem gjallë kështu do të vazhdoj” – shprehet ky pensioner, ndërkohë që rekomandimi i tij për të gjithë është që ta ruajnë shëndetin dhe të kryejnë kontrolle të rregulta mjekësore, të mos shkojnë tek mjeku vetëm atëherë kur kanë problem. Ai thotë, cigare në asnjë mënyrë. Ushqimi është tepër i rëndësishëm dhe duhet të bëni kujdes në lidhje me atë çfarë konsumoni, gjithashtu edhe ushtrimet, aktivitetet sportive janë tepër të rëndësishme. Ai pohon se më shumë dëshiron të shëtisë vetëm, pasi vetëm në këtë mënyrë mund ti përmbahet kohës dhe ritualit që praktikon prej 19 vitesh.
“Gjatë stinës së verës dal më herët dhe kthehem pasdite, ndërsa kur është ftohtë dal më vonë,” thotë Gjеorgi, i cili në këtë takim erdhi me biçikletë. Tashmë ishte në gjysmën e rrugës për në shtëpi dhe biçikleta nuk luante rolin e mjetit të transportit, por atë të shoqërueses. Kjo është mënyra se si ai funksionon kur niset për avanturën e tij të përditshme. Ai thotë se në shtëpi nuk kujdesen shumë për të, jo për ndonjë gjë, por nuk ka nevojë sepse ai nuk është i sëmurë.
“Ndjehem sikur nuk jam operuar asnjëherë dhe nuk mendoj më për këtë gjë,” theksoi Gjеorgi edhe një herë, duke shtuar se gjëja më e rëndësishme është mendimi pozitiv në jetë dhe, natyrisht, kontrollet e rregullta dhe ushqimi i shëndetshëm.
“I kam shmangur të gjitha gjërat që mi kanë ndaluar mjekët, dhe konsumoj gjithçka sipas rekomandimit të tyre. Më shumë preferoj peshk, kryesisht skumbrin sepse përmban shumë acide yndyrore omega-3, preferoj gjithashtu mish pule dhe viçi, megjithëse më rrallë. Në menunë time nuk ekziston mishi i derrit, as mish i përpunuar apo ëmbëlsira. As që më shkon ndërmend. Më pëlqen shumë edhe ushqimi djegës. Ha fruta çdo mëngjes, drekën e konsumoj rreth orës 13-13: 30 ndërsa në darkë konsumoj ushqim më të lehtë” – tregon Gjеorgi në përfundimin e bisedës që kishim në Zan Mitrev Clinic, ku ai vetë pranon se nuk ndjehet aspak se ndodhet në spital.
“Të gjithë janë jashtëzakonisht të sjellshëm dhe të vëmendshëm. Jam shumë i kënaqur, nuk kam asnjë vërejtje, përkundrazi, vetëm fjalë pozitive, lëvdata, mirënjohje të përzemërta për shpëtimtarin tim të cilit i jam jashtëzakonisht mirënjohës” – përfundon ky pensionist 77 vjeçar, të cilin me siguri do ta shikoni në shëtitoren përkrah lumit të Vardarit. Ai nuk dëshironte të qëndronte gjatë me ne, jo sepse nuk ishte në gjendje apo nuk dëshironte të bisedonte, por sepse këtë periudhë të ditës e kishte rezervuar për shëtitje, dhe pa “dozën” e tij të përditshme nuk dëshiron ta kalojë ditën. E mbyllëm këtë bisedë me të, me premtimin se do të takohemi përsëri në 20 vjetorin e Zan Mitrev Clinic me datë 1 Mars – ditën kur është kryer operacioni i parë kirurgjik.