Vendosja e implanteve dentare

Doza e shëndetit ditor

9 Gusht, 2024

Implantologjia është pjesa e kirurgjisë orale që përfshin vendosjen e një implanti dentar. Është një procedurë që zëvendëson rrënjët e dhëmbëve tuaj, me metal titani që duken si vida, për të zëvendësuar dhëmbin e humbur ose të dëmtuar me një dhëmb artificial që duket dhe kryen të njëjtin funksion si dhëmbët e vërtetë.
Procedura operative që do të përdoret për kryerjen e implantit varet nga lloji i implantit dhe gjendja e nofullës. Vendosja e implantit dentar është operacion që mund të përfshijë disa procedura.
Përfitimi kryesor i implanteve është mbështetja e fortë për të gjithë dhëmbët e rinj. Ky proces kërkon integrimin e implantit në kockë. Meqënëse për shërimin e kockës kërkohet kohë, vetë procesi mund të zgjasë disa muaj (3-4 muaj).

Përse dhe kur bëhet implanti dentar?

Implantet dentare vendosen në mënyrë kirurgjikale në nofull, ku shërbejnë si rrënjë për dhëmbët e humbur/të hequr më parë.
Implantet dentare mund të jenë të përshtatshme për ju nëse:

  • Ju mungojnë një ose më shumë dhëmbë
  • Nofulla është e shëndetshme dhe ka rritje të plotë
  • Keni kockë të mjaftueshme për të mbështetur implantet ose mund të bëni transplant të kockës
  • Keni inde të shëndetshme orale
  • Nuk keni sëmundje që do të ndikojnë në shërimin e kockave
  • Ju nuk mund ose nuk dëshironi të mbani protezë
  • Dëshironi të përmirësoni të folurit tuaj
  • Jeni gati t’i përkushtoheni procesit për disa muaj
  • Nuk jeni duhanpirës

Rreziqet e mundshme

Si çdo operacion, implanti dentar mbart disa rreziqe shëndetësore. Megjithatë, problemet ndodhin rrallë, dhe nëse ndodhin, ato zakonisht janë të vogla dhe trajtohen lehtësisht. Rreziqet përfshijnë:

  • Infeksion në vendin e implantit
  • Lëndim ose dëmtim të strukturave përreth, si dhëmbët e tjerë ose enët e gjakut
  • Lëndim nervor, i cili mund të shkaktojë dhimbje, mpirje ose ndjesi shpimi si me gjilpër të dhëmbëve tuaj natyralë, mishrave, buzëve ose mjekrës
  • Probleme me sinuset, kur nuk ka vëllim kockor të mjaftueshëm gjatë implantimit, mund të arrihet tek membrana e sinusit, gjë që mund të krijojë komunikim mes kavitetit oral dhe sinusit dhe kjo hap mundësinë e infektimit në këto hapësira. Në rast të përdorimit të forces së tepërt, implanti mund të shtyhet në zgavrën e sinusit.

Parandalimi i komplikimeve gjatë vendosjes së implantit

Nëse ndërhyrja implantologjike është e planifikuar mirë dhe ka përgatitje adekuate të pacientit, rreziku i komplikimeve reduktohet në minimum. Me masat e reja diagnostike moderne, të gjitha masat e rëndësishme anatomike të cilave duhet t’u kushtojmë vëmendje gjatë punës meren para kohe. Gjithashtu, imazhet CBCT të nofullës së sipërme dhe të poshtme na ofrojnë një plan të hershëm për pozicionin e saktë të implantit. Me ndihmën e stomatologjisë digjitale tashmë përcaktohet se ku do të vendoset implanti, gjatë së cilës krijohet një udhëzues implantologjik i individualizuar. Ky udhëzues synohet të fiksohet në nofullën e sipërme ose të poshtme, në varësi të vendit ku do të jetë vetë ndërhyrja dhe të ndihmojë në implantimin.

Për më shumë informacion rreth procedurës, rezervoni konsultën me një specialist të kirurgjisë orale në 02 3091 484, i cili do t’ju këshillojë për zgjidhjet e mundshme të problemit tuaj.