Këshilla se si të përballeni me trishtimin gjatë festave të fundvitit
Doza e shëndetit ditor
25 Dhjetor, 2024
Pushimet dimërore janë periudha më argëtuese e vitit të mbushura me festa nën shoqërinë e familjes dhe miqve. Por, për disa persona, është një kohë e mbushur me trishtim, vetë-reflektim, vetmi dhe ankth.
Çfarë e shkakton trishtimin gjatë festave?
Dhimbja është një ndjenjë vërtet personale. Ajo që shkakton pikëllimin tek një person mund të mos ndikojë fare tek një tjetër. Burimet tipike të trishtimit gjatë festave mund të jenë:
Stresi
Lodhja
Pritjet jorealiste
Probleme financiare
Pamundësia për të qenë me familjen dhe miqtë.
Balancimi i listave të blerjeve, vajtja (pjesëmarrja) ose organizimi i festave, përgjegjësitë familjare dhe mysafirët e shtëpisë mund të kontribuojnë në rritjen e ndjenjës së mbingarkesës dhe shtimit të tensionit.
Personat të cilët nuk e konsiderojnë veten depresivë mund të zhvillojnë reaksione stresi si:
Dhimbje koke
Pirje të tepërt
Konsum ushqimi të tepërt
Pagjumësi
Tek disa persona mund të shfaqet ndjenjë trishtimi pas festave, pas Vitit të Ri. Kjo mund të jetë rezultat i rritjes së pritjeve dhe zhgënjimeve nga viti i kaluar, të shoqëruara me stres dhe lodhje.
Disa këshilla për t’u përballur me stresin dhe depresionin e festave:
Vendosni pritshmëri reale për sezonin e festave.
Vendosni objektiva realiste për vitin e ardhshëm.
Kujdesuni për veten dhe merrni përgjegjësi sipas aftësive/mundësive tuaja.
Bëni një listë dhe jepni përparësi aktiviteteve të rëndësishme. Kjo mund të ndihmojë në një realizim më të organizuar të detyrimeve gjatë festave.
Mos e shpërdoroni maksimalisht energjinë tuaj, do t’ju nevojitet për më shumë se vetëm një ditë (mbrëmja e Vitit të Ri). Festat e fundvitit mund të zgjasin disa ditë.
Jetoni dhe shijoni të tashmen.
Shikoni të ardhmen me optimizëm.
Mos u zhgënjeni dhe mos u trishtoni duke krahasuar të tashmen me “ditët e vjetra të mira” të së shkuarës.
Nëse jeni të vetmuar, provoni të dilni dhe të bashkoheni me miq ose të afërm.
Gjeni/ kërkoni aktivitete falas për t’u çlodhur, të tilla si shikimi i filmave festivë, shëtitjet pa blerje dhe ndjekja e motit, pavarësisht nëse bie borë apo jo.
Kufizoni pirjen tuaj, pasi pirja e tepërt vetëm sa do të rrisë ndjenjat tuaja të depresionit.
Provoni diçka të re. Festoni festat në një mënyrë të re.
Kaloni kohë me persona që ju mbështesin dhe kujdesen për ju.
Përpiquni të krijoni miqësi të reja.
Gjeni kohë për të kontaktuar një mik apo të afërm me të cilin i keni humbur kontaktet prej kohësh dhe ndani pak gëzim festiv.
Gjeni kohë për veten tuaj!
Lërini të tjerët të marrin përsipër disa nga përgjegjësitë e festave.
Kufizoni shpenzimet e tepërta. Shpenzimet e tepërta mund të çojnë në depresion kur të llogarisni faturat pas festave. Shpenzimet e paplanifikuara, sado të vogla qofshin, ndikojnë në rritjen e stresit dhe depresionit.
Lajme të lidhura
25.12.2024
Miopia tek fëmijët duhet të monitorohet me ekzaminime të rregullta nga mjeku oftalmolog
Miopia është një dëmtim i shikimit që prek si të rriturit ashtu edhe fëmijët dhe manifestohet me cilësi të pamjaftueshme,…