Тestamentи nuk bëhet në një krizë, por kur jeni të vetëdijshëm dhe të qetë

Doza e shëndetit ditor

15 Janar, 2026

Vendimet e rëndësishme në jetë kërkojnë mendim të qartë, stabilitet mendor dhe kohë – pa presion dhe ndikim të jashtëm.

Shumë njerëz mendojnë se testamenti bëhet vetëm kur personi është shumë i moshuar ose i sëmurë rëndë. Por vendimi për të lënë një testament është një vendim i madh dhe i rëndësishëm në jetë – i ngjashëm me vendimet për investimin e parave, marrjen e sigurimit të jetës ose rregullimin e një pasurie

Edhe pse testamenti është një dokument ligjor, gjëja më e rëndësishme është që personi që e bën atë të jetë në gjendje të mendojë qartë dhe të marrë vendime lirisht.

Për të marrë një vendim të tillë, personi duhet të ketë një ide të qartë në lidhje me:

  • kujt dhe ҫfarë po i lë,
  • çfarë prone ka në dispozicion,
  • çfarë peshe ka ky vendim dhe çfarë pasojash mund të vijojnë.

Kjo varet jo vetëm nga mosha, por edhe nga gjendja shëndetësore – fizike dhe mendore – në momentin që merret vendimi.

Por ekziston edhe ana emocionale e vendimit.

Bërja e një testamenti nuk është vetëm një procedurë ligjore ose financiare – është një vendim thellësisht personal dhe emocional.

Shumë njerëz e shtyjnë atë për shkak të frikës:

  • disa kanë frikë se do ta “ftojnë” vdekjen me testamentin e tyre,
  • të tjerë mendojnë se është shumë herët,
  • të tjerë ua kalojnë përgjegjësinë trashëgimtarëve të tyre pas largimit të tyre nga jeta.

Shpesh, arsyet janë edhe më të thella:

  • frika nga lëndimi i të dashurve,
  • vështirësia në “zgjedhjen” ndermjet fëmijëve dhe të dashurve të tjerë,
  • hezitimi, ndjenja e fajit ose shmangia e përballjes me largimin nga rrethi familjar,
  • shpresa se gjithçka mund të zgjidhet vetë.

Në fakt, hartimi/përgatitja e testamentit është një akt pjekurie personale. Është një mënyrë që një person të:

  • kapërcejë frikën e vet,
  • t’u lërë një mesazh të qartë dhe të qetë të dashurve të tij,
  • të kujdeset për të parandaluar keqkuptimet e ardhshme midis trashëgimtarëve.

Përgatitja e testamentit në kohën e duhur nuk është shenjë dobësie, por shenjë kujdesi, përgjegjësie, autonomie dhe dinjiteti. Qartësia e vendimit sjell ndjesinë se janë vendosur çështje të rëndësishme.
Ndonjëherë, nëpërmjet këtij akti hapet mundësia për zgjidhjen e tensioneve të vjetra dhe madje edhe pajtimin.

Kur vendimet nuk janë vërtet tonat

Ne marrim vendime çdo ditë dhe shpesh besojmë se ato janë tërësisht tonat. Por në situata të caktuara jetësore, aftësia jonë për të marrë vendime mund të përkeqësohet në heshtje dhe pakuptuar.

Vendimet mund të varen nga:

  • shëndeti fizik,
  • stabiliteti psikologjik,
  • lodhja, dhimbja dhe stresi,
  • presioni mjedisor,
  • nevoja për të shmangur konfliktin.

Kur një person është i rraskapitur, i sëmurë ose i frikësuar, vendimi mund të duket i arsyeshëm në atë moment, por më vonë mund të mos e pasqyrojë vullnetin e tij të vërtetë.

Kur shëndeti fizik mund të ndikojë në gjykim

Disa sëmundje fizike mund të ndikojnë në qartësinë e mendimit dhe gjykimin kritik, të tilla si:

  • sëmundje të rënda malinje,
  • goditje në tru,
  • dështim serioz i zemrës, mushkërive ose veshkave,
  • sëmundje e rëndë e mëlçisë dhe gjendje të tjera.

Këto gjendje mund të çojnë në:

  • ngadalësim të të menduar ose paqartësi,
  • reduktim të përqendrimit dhe vëmendjes,
  • harresë,
  • ndjeshmëri më të madhe ndaj ndikimit të njerëzve të tjerë.

Kjo nuk do të thotë se personat e sëmurë nuk mund të lërë testament, por sëmundja fizike mund të ndikojë në lirinë dhe qartësinë e vendimmarrjes.

Gjendja mendore është po aq e rëndësishme

Sëmundja mendore nuk do të thotë automatikisht paaftësi për të lënë testament.

Një person me një sëmundje mendore që është e qëndrueshme dhe në remision mund të marrë një vendim të vlefshëm dhe të informuar, pa u penguar nga aftësia për të vepruar drejt.

Nga ana tjetër, një person në një gjendje akute psikotike, me një ҫrregullim të kontaktit me realitetin, nuk mundet – sepse vendimi nuk është as i lirë dhe as i vetëdijshëm.

Çfarë është demenca?

Demenca është një dëmtim progresiv i funksioneve njohëse – kujtesës, orientimit dhe arsyetimit.

Një person me demencë të moderuar ose të rëndë nuk është i aftë të lërë një testament, sepse nuk mund të marrë një vendim të informuar dhe të lirë.

Kur sëmundja vijon në heshtje

Dhimbja e fortë, lodhja kronike, stresi akut, depresioni ose humbja e kujtesës/njohjes mund ta dobësojnë gradualisht vullnetin pa u vënë re qartë nga personi. Në situata të tilla, person mund të bjerë më lehtë dakord me sugjerimet e të tjerëve ose të ndiejë se “nuk ka zgjidhje tjetër”, edhe pse objektivisht ka.

Përfundim

Testamenti i bërë në kohë është një akt kujdesi, pjekurie dhe përgjegjësie – ndaj vetes dhe ndaj atyre që janë afër vetes.

Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme të dallohet:

  • një vendim i pjekur dhe i lirë, nga
  • një vendim i marrë nën presion, sëmundje ose ndikim tjetër.

Vlerësimi psikiatrik nuk është një formalitet dhe nuk do të thotë privim nga një e drejtë. Ai shërben për të mbrojtur vullnetin autentik të personit dhe për sigurinë e të gjithë të përfshirëve.

Teksti është përgatitur nga Dr. Marija Kostadinovska, psikiatre, me qëllim informimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit rreth rëndësisë së shëndetit mendor gjatë marrjes së vendimeve të rëndësishme në jetë.

Nëse ka ndonjë paqartësi ose pyetje në lidhje me mendimet tuaja, mund të rezervoni kontrollin/ konsultën tuaj në numrin e telefonit 023091484.