Inflamacioni i muskulit të zemrës pas  infeksionit me virusin COVID-19

Infeksioni i virusit Covid-19 përbën një problem të madh shëndetësor sepse prek jo vetëm mushkëritë, por edhe organe të tjera, siç është edhe muskuli i zemrës. Tashmë është dëshmuar se virusi shkakton inflamacion të muskujve të zemrës, të ashtuquajturin miokardit.
Ende nuk është e qartë nëse miokarditi është gjendja që shkaktohet mëshpesh si pasojë e virusit COVID-19 dhe nëse ka një pamje klinike më të rëndë në krahasim me gjendjet miokarditit të shkaktuar si pasojë e viruseve të tjera.

Virusi shkakton përgjigje imune në trup në mënyrë jo konvencionale. Personat të cilët e kanë përjetuar këtë virus mund të jenë në rrezik të lartë ndaj shfaqjes së inflamacionit të muskujve të zemrës. Zemra është e prirur ndaj inflamacionit me COVID-19 sepse në sipërfaqen e qelizave të muskujve të zemrës ndodhet receptori 2 i enzimës konvertuese të angiotenzinës, me të cilin lidhet virusi. Për këtë arsye, janë bërë disa studime mbi pacientët të cilët i janë nënshtruar virusit COVID – 19 disa muaj më parë dhe kanë pasur një pamje klinike të butë ose të moderuar (mesatare).

Është kryer rezonanca magnetike e zemrës, e cila është metoda më e saktë dhe jo invazive për diagnostikimin e inflamacionit të muskulit të zemrës. Nga ky ekzaminim është dëshmuar se 78 nga 100 pacientë kanë probleme me zemrën. Interesant është fakti që 60 nga 78 pacientë kanë dhënë shenja të inflamacionit akut pas 71 ditësh nga infektimi me COVID – 19. Studimi ka arritur në përfundimin se edhe infektimi i lehtë me COVID – 19 tek personat relativisht të shëndetshëm mund të lërë shenja në zemër.

Një studim tjetër ka bërë ekzaminimin e sportistëve profesionistë. 4 nga 26 atletë nga Universiteti Shtetëror i Ohajos, SHBA, të cilët i janë nënshtruar infeksionit me COVID – 19 kanë pasur miokardit.

Miokarditi mund të shkaktojë aritmi kardiake, vdekje të papritur (gjatë trajnimit intensiv) dhe dobësim apo dështim të zemrës. Prandaj, ekzaminimi kardiak, ekokardiografia dhe rezonanca magnetike e zemrës rekomandohen 3 muaj pas infektimit me COVID – 19.
Shoqata Europiane e Kardiologjisë rekomandon për pacientët me miokardit të shmangin aktivitetet e rënda fizike për 3-6 muaj.

Në të ardhmen, një nga pyetjet e shpeshta për kardiologët do të jetë nëse keni qenë të infektuar nga virusi COVID-19?

Gjatë 8 muajve të fundi, pandemia e shkaktuar nga koronavirusi, ka ndikuar në shumë mënyra, ka vendosur rregulla të reja në jetën tonë duke e bërë atë të funksionojë krejtësisht ndryshe nga mëparë.

Për kontroll më të mirë të pandemisë dhe shëndetit tuaj, duke treguar se çfarë mund të shkaktojë koronavirusi, ju rekomandojmë që të mbani maska ​​mbrojtëse kudo dhe të lani duart shpesh.

Pas infektimit me COVID-19, ne rekomandojmë të paktën një ekzaminim kardiak, pavarësisht nga mosha juaj ose ashpërsia e pamjes tuaj klinike. Diagnostikimi i hershëm i miokarditit mund të parandalojë zhvillimin e komplikimeve serioze.

Dr. Millka Klinçeva
Kardiologe

VENAT VARIKOZE DHE TRAJTIMI I TYRE

Venat varikoze (variçet) janë vena të përdredhura, të zgjeruara, të fryra. Venat e ekstremiteteve të poshtme preken më shpesh nga ky problem. Kjo është për shkak të presionit të rritur gjatë qëndrimit dhe ecjes së zgjatur, gjatë së cilës valvulat venoze nuk funksionojnë siç duhet dhe gjaku nuk lëviz si zakonisht.

Gjaku përmes arterieve kalon nga zemra tek të gjitha organet, ndërsa venat kthejnë gjakun në zemër. Gjatë kthimit të gjakut në zemër, duhet të zotërohet forca e gravitetit dhe kjo ndihmohet nga kontraktimet (ngërçet) muskulore dhe valvulat e venave, të cilat funksionojnë si pompë. Valvulat hapen kur gjaku lëviz në zemër dhe mbyllen për të parandaluar kthimin e tij. Nëse këto valvula dëmtohen, gjaku kthehet prapa, akumulohet në vena duke shkaktuar shtrëngimin  dhe përdredhjen e tyre. Zakonisht, është një problem estetik, por nëse procesi vazhdon të përparojë dhe ata fillojnë të krijojnë shqetësime, ënjtje, dhimbje, ulçerë, atëherë nevojitet trajtim mjekësor.

Simptomat dhe shenjat

Venat me ngjyrë blu të errët / vjollcë

Venat e rrudhura ose përdredhura, të fryra

Rëndesë dhe dhimbje të këmbëve

Djegie, pulsim, kruajtje, ngërçe muskulore dhe ënjtje

Intensifikim i dhimbjes pasqëndrimit ulur për një kohë të gjatë ose qëndrimit të zgjatur në këmbë

Ndryshim i ngjyrës së lëkurës rreth venës së prekur (hiperpigmentim)

FAKTORËT E RREZIKUT

Mosha e thyer: plakja shkakton lëshimin dhe dështimin e funksionit të valvulave venoze të cilat rregullojnë rrjedhën e gjakut. Kjo çon në kthim të gjakut pas në vena, fillon të akumulohet në vend që të lëvizë në drejtim të zemrës;

Gjinia: gratë janë më të prirura ndaj venave varikoze (për shkak të ndryshimeve hormonale gjatë shtatzënisë, menopauzës, marrjes së kontraceptivëve)

Shtatzënia: vëllimi i qarkullimit të gjakut rritet pavarësisht ndryshimeve ekzistuese hormonale.

Historia familjare: nëse ndonjë nga anëtarët e familjes ka vuajtur nga venat varikoze

Obeziteti: Shtimi i peshës rrit presionin në venat

Qëndrimi në këmbë ose ulur për disa orë në ditë: gjaku nuk qarkullon siç duhet nëse pacienti është në të njëjtin pozicion për disa orë

Komplikimet e shkaktuar nga mostrajtimi i venave varikoze

Ulcerat: rreth kyçeve, ndryshimi i ngjyrës së lëkurës, dhimbje dhe plasaritje e lëkurës;

Tromboflebiti: përfshirja e venave të thella mund të çojë në një gjendje të rëndë të formimit të trombit dhe është e nevojshme të paraqiteni menjëherë tek mjeku;

Gjakderdhje: në rast të shpërthimit të venave sipërfaqësore  gjithashtu mund të kërkohet ndihmë apo këshilla mjekësore;

PARANDALIMI

Aktiviteti fizik

Rregullimi i peshës

Konsumi i ushqimeve të pasura me fibra dhe me pak kripë

Shmangni takat e larta

Shmangni pantallonat e ngushta

Ngritja e këmbëve mbi nivelin e zemrës

Ndryshimi i shpeshtë i pozicionit

Veshja e çorapeve të kompresimit si hapi i parë në trajtim

Diagnostikimi

Diagnostikimi bëhet në bazë të ekzaminimit fizik, kontrollit të ekstremiteteve të poshtme pas disa minutash qëndrimi për të vërejtur ënjtje dhe njolla në sipërfaqen e lëkurës.

Hapi i dytë është ekzaminimi me ultratinguj, i cili nuk është invaziv dhe kryhet në mënyrë të thjeshtë, për të vlerësuar funksionin e valvulave venoze, si dhe për të vlerësuar praninë e mundshme të trombeve.

Flebografia: Ekzaminimi me rreze X me ndihmën e një kontrasti që lejon shfaqjen e gjendjes aktuale të venave, valvulave venoze, praninë e trombeve, defekteve venoze dhe shfaqjen e venave të thella.

Ka 100% ndjeshmëri në diagnozën e trombozës së venave të thella. Nevojiten 30-45 minuta për tu kryer. Injektohet kontrasti intravenoz dhe me anë të aparatit agiograf bëhet vizualizimi i sistemit venoz. Rëndësia e kësaj metode është që sistemi i thellë venoz mund të vizualizohet në mënyrë fluoroskopike – rrjedha e kontrastit nga sistemi sipërfaqësor në sistemin e thellë venoz.
Përgatitja për procedurën: katër orë para ekzaminimit pacienti duhet të jetë i uritur dhe i etur. Përdoret një agjent kontrasti me bazë jodi, ndaj të cilit disa pacientë mund të jenë alergjikë.

Pas procedurës: është e nevojshme të konsumoni një sasi të madhe të ujit dhe lëngjeve në mënyrë që të jeni në gjendje të pastroni agjentin e kontrastit nga trupi më shpejt pa dëmtuar veshkat. Vendi i shpimit / prerjes do të shkaktojë dhimbje për disa ditë, por nuk duhet të kufizojë aktivitetet normale ditore. Pacienti mund të kthehet menjëherë në aktivitetet e përditshme normale. Rezultat pozitiv / çrregullim i mbushjes së venës është një shenjë e cila tregon se është i nevojshëm trajtimi mjekësor dhe përfshin shfaqjen e: trombeve, defekteve të mbushjes, ndërprerjeve gjatë kontrastit, venave të thella që nuk mbushen.

STRINING I VENAVE

Procedurë kirurgjikale që mund të kryhet nën anestezi të përgjithshme ose lokale, dhe është trajtimi përfundimtar për pamjaftueshmërinë kronike të venave dhe venave varikoze. Termi strining nënkupton tërheqjen e venës nëpërmjet kanalit të saj nënlëkuror përmes një prerjeje të vogël në zonën e bikinit, zakonisht bëhet fjalë për venën e madhe safene.

Prerjet mbyllen me qepje dhe e gjithë këmba është e mbështjellë me një fashë elastike që duhet të mbahet deri në kontrollin e parë. Ky operacion mund të kryhet si një operacion një ditor pa pasur nevojë të qëndroni në spital ose nëse ndërhyrja bëhet me anestezi spinale, duhet kohë për tu rikuperuar dhe është i nevojshëm qëndrimi një ditor në spital. Pacientët këshillohen të shmangin aktivitetin fizik për tre javë pas ndërhyrjes dhe të mbajnë një çorape elastike për një muaj.

Në klinikën tonë trajtimi i venave varikoze mbulohet nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Për më shumë informacion mund të na kërkoni në numrin tonë të telefonit 02/30 91 484 ku mund të bëni rezervimin e kontrollit apo të konsultimit me një nga mjekët tanë.

Komplikime të rralla

Reagim alergjik ndaj anestezisë

Gjakderdhje postoperative

Trombozë të venave të thella

Tromboemboli pulmonare

Lëndim nervor (dobësi dhe mpirje në zonën e prekur)

Infeksion

 

Astma tek fëmijët

Astma është një inflamacion kronik obstruktiv i rrugëve të frymëmarrjes që shkakton probleme me frymëmarrjen. Karakterizohet nga një përgjigje imune jo të përshtatshme dhe pneumoni kronike. Sëmundja shfaqet me episode, dmth. momentet akute të sëmundjes alternohen me periudhat në të cilat nuk ka simptoma të astmës.

Sulmet e astmës ndodhin gjithashtu gjatë përkeqësimit të inflamacionit, zakonisht për shkak të pranisë së ndonjë faktori irritues në mjedisin përreth.

Gjatë fëmijërisë së hershme, shpesh hasen sëmundje të cilat në pamjen klinike manifestohen me sindromë respiratore obstruktive (ARS), pra kollë, fishkëllimë, mungesë ajri në rrugët e sipërme të frymëmarrjes dhe vështirësi në frymëmarrje. Shkaqet e kësaj sëmundjeje janë të brendshme (endogjene) dhe të jashtme (ekzogjene).

Faktorët e brendshëm kanë të bëjnë me gjendje atopike, si dhe predispozitën e trashëguar ndaj reaksionit alergjik. Nëse fëmija nuk ka kontakt me faktorët e jashtëm (alergjenet) edhe pse ka atopi, nuk do të ketë zhvillim të sëmundjes.

Astma është shkaku kryesor për paraqitjen e fëmijëve në qendrat urgjentë mjekësore, shtrimeve në spital dhe mungesave në shkollë. Fatkeqësisht, astma tek fëmijët nuk mund të shërohet përgjithmonë dhe simptomat mund të vazhdojnë edhe në moshë të rritur. Me trajtimin e duhur, prindi mund të reduktoj dhe ti mbaj nën kontroll simptomat tek fëmija, duke parandaluar kështu zhvillimin e dëmtimit të mushkërive.

Simptomat

Shenjat dhe simptomat e zakonshme të astmës tek fëmijët janë:

  • Kollitja e shpeshtë, e cila përkeqësohet kur tek fëmija është i pranishëm infeksioni viral, shfaqet atëherë kur fëmija është në gjumë, gjatë sforcimeve ose nga ajri i ftohtë
  • Fërshëllima në gjoks ose gulçim kur fëmija është jashtë
  • Frymëmarrje të shkurtra
  • Dhimbje ose shtrëngim në gjoks

Astma tek fëmijët gjithashtu mund të shkaktojë:

  • Probleme me gjumin për shkak të mungesës së ajrit dhe kollës
  • Episode të kollës ose mungesë ajri që përkeqësohen nga prania e ftohjes ose gripit
  • Zgjatje e periudhës së shërimit nga bronkiti pas një infeksionit të frymëmarrjes
  • Probleme me frymëmarrjen të cilat e pengojnë fëmijën për të luajtur ose të merret me sport
  • Lodhja, e cila mund të jetë rezultat i gjumit të dobët.

Shenjat dhe simptomat e astmës ndryshojnë nga një fëmijë tek tjetri dhe mund të përkeqësohen ose përmirësohen me kalimin e kohës. Fëmija mund të ketë vetëm një tregues, siç është kolla irrituese ose shtrëngimi në gjoks. Mund të jetë e vështirë të thuash nëse simptomat janë shkaktuar nga astma ose ndonjë gjendje tjetër. Gulçimi periodik ose i zgjatur dhe simptoma të tjera të ngjashme me astmën mund të shkaktohen nga bronkiti si pjesë e një infeksioni ose problemi tjetër me frymëmarrjen.

Faktorët e rrezikut dhe shkaqet e astmës

Shkaqet e astmës tek fëmijët nuk njihen plotësisht. Disa nga faktorët qëmendohet të jenë të përfshirë janë:

  • Reaksionet alergjike të mëparshme, përfshirë reagimet e lëkurës, alergjitë ushqimore ose ethet e polenit (rinitit alergjik)
  • Histori familjare e astmës ose alergjive
  • Disa lloje të infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes në moshë të hershme
  • Ekspozimi ndaj tymit të duhanit, madje edhe para lindjes (në barkun e nënës)
  • Të jetuarit në zone me ajër të ndotur
  • Mbipesha
  • Gjendjet e frymëmarrjes, të tilla si riniti, sinuset e irrituara (sinusiti) ose pneumonia
  • Acid (sëmundja e refluksit gastroezofageal ose GERD)

Rritja e ndjeshmërisë së sistemit imunitar bën që mushkëritë dhe rrugët e frymëmarrjes të përgjigjen me edemë (ënjtje) dhe rritje të sekretimit kur ekspozohen ndaj disa stimujve. Reagimi nxitës mund të vonohet, duke e bërë të vështirë identifikimin e shkakut.

Shkaktarët ndryshojnë nga fëmija në fëmijë dhe mund të përfshijnë:

  • Infeksione virale siç është ftohja e zakonshme
  • Ekspozimi ndaj ndotësve të ajrit, siç është tymi i duhanit
  • Alergjitë ndaj pluhurit, flokëve (qimeve) të kafshëve shtëpiake, polenit ose mykut
  • Aktiviteti fizik
  • Ndryshimet e motit ose ajri i ftohtë

Herë pas here, simptomat e astmës shfaqen pa shkaktarë të dukshëm.

Trajtimi

Trajtimi fillestar varet nga lloji i astmës tek fëmija. Qëllimi i trajtimit të astmës është të mbajë nën kontroll simptomat, në varësi të faktit nëse fëmija ka:

  • Shfaqje të simptomave apo shenjave të astmës
  • Nuk ka kufizime në aktivitetin fizik ose sportet
  • Përdorim minimal të bronkodilatatorëve me veprim të shkurtër, të tilla si albuteroli (ProAir HFA, Ventolin HFA, të tjerë)
  • Pak ose aspak efekte anësore nga ilaçet.

Trajtimi i astmës përfshin parandalimin e simptomave dhe trajtimin e sulmit të astmës. Ilaçi i duhur për fëmijën varet nga shumë faktorë, duke përfshirë moshën, simptomat, shkaktarët e astmës, ilaçi I cili jep rezultate më të mira për ta mbajtur astmën nën kontroll.

Prim. Dr. Sonja Petrovska
Specialiste pediatre

 

Menopauza tek gratë

 

Menopauza është një gjendje që ka të bëj me mungesën e menstruacioneve tek gruaja për 12 muaj rresht. Me kalimin e viteve tek gratë shfaqet rënie e nivelit të estrogjenit, duke rritur kështu rrezikun e shfaqjes së osteoporozës, sëmundjeve kardiovaskulare dhe rënien konjiktive.

Fillimi i menopauzës është individual. Zakonisht ndodh ndërmjet moshës 45 dhe 55, por ka edhe gra që hyjnë në menopauzë në moshën 30 ose 60 vjeçare. Mosha mesatare në të cilën gratë hyjnë në menopauzë vlerësohet të jetë 51 vjeç.

Edhe pse 70 deri në 80% e grave në menopauzë përjetojnë valë të nxehta dhe djersitje gjatë natës (simptoma vazomotorike), shqetësime dhe ndjejnë të ftohti të cilat zgjasin 1 deri në 5 minuta (ose kombinim i tyre), vetëm 25% kërkoni ndihmë mjekësore.

Gjatë menopauzës, vezoret sekretojnë estrogjen, por ka një mungesë të progesteronit – hormoni që rregullon ciklin normal menstrual dhe fertilitetin. Gjatë kësaj periudhe, përveç rritjes së rrezikut për shfaqjen e osteoporozës, rritet edhe rreziku i shfaqjes së sëmundjeve kardiovaskulare, prandaj grate gjatë periudhës së menopauzës duhet t’i kushtojnë vëmendje shëndetit të sistemit kardiovaskular dhe të fillojnë me kryerjen e ekzaminimeve të rregullta kardiologjike për të parandaluar shfaqjen e komplikimeve më serioze.

Simptomat që tregojnë fillimin e menopauzës:

  • Çrregullim i ciklit menstrual

Çrregullimi i ciklit menstrual është simptoma e parë dhe më e zakonshme e menopauzës. Është rezultat i paqëndrueshmërisë së hormoneve në trupin tuaj të cilat funksionojnë deri në fund të fertilitetit tuaj.

  • Valë të ngrohta

Plagët e nxehta dhe ndonjëherë të ftohta ndodhin papritmas dhe shkaktojnë skuqje në fytyrë. Kjo ndodh për shkak të rënies së estrogjenit.

  • Pagjumësi

Gratë në menopauzë mund të vuajnë nga pagjumësia sepse nuk mund të flenë për shkak të valëve të nxehtësisë. Gjatë menopauzës, përveç rënies së estrogjenit, shfaqet edhe rënie e progesteronit.

  • Thatësi në vaginë

Për shkak të prodhimit të reduktuar të estrogjenit, i cili është përgjegjës për ruajtjen e lagështisë së vaginës, indet fillojnë të thahen dhe bëhen më pak elastike.

  • Nervozizëm dhe depresion

Ndjenjat e nervozizmit dhe depresionit mund të mbingarkojnë gruan e cila hyn në periudhën e menopauzës. Ankthi dhe humbja e stabilitetit emocional janë simptomat më të zakonshme, sikurse sulmet e panikut, rrahjet e shpejta të zemrës dhe gulçimi (vështirësia në frymëmarrje).

  • Dhimbje në ekstremitete

Për shkak të çekuilibrit apo çrregullimit hormonal, gjymtyrët ngadalë fillojnë të ënjten dhe të dhembin. Por, nëse dhimbja është më e shpeshtë dhe e padurueshme, duhet të paraqiteni tek mjeku për ndihmë mjekësore.

  • Çekuilibrim hormonal

Një simptomë e zakonshme e fillimit të menopauzës është ekzistenca e çekuilibrit hormonal që e cila mund të dallohet nga ndryshimet në rritjen e flokëve. Për shkak të reduktimit të prodhimit të estrogjenit gjithashtu mund të çojë në rradhimin apo humbjen e flokëve.

Simptomat vazomotorike, të zakonshme tek gratë në perimenopauzë dhe ato në menopauzë, shoqërohen me uljen e cilësisë së gjumit, vështirësi në përqendrim, nervozizëm, ulje të cilësisë së jetës, gjendje më të dobët shëndetësore dhe humbje të dendësisë së kockave.

Sindroma gjenitourinare e menopauzës, me ndryshime në fshikëz, vulvë dhe vaginë, ndodh pothuajse tek gjysma e grave në postmenopauzë. Simptomat përfshijnë thatësi të vaginës, djegie, acarim, thatësi, dyspareunia (dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale), urinim  të shpejtë dhe të shpeshtë, infeksione të përsëritura të traktit urinar. Kjo ndikon ndjeshëm në marrëdhëniet intime dhe cilësinë e jetës në përgjithësi.

Terapia me hormone në menopauzë siguron lehtësimin e simptomave vazomotorike (valët e nxehtësisë, djersitjet gjatë natës, gjumin e dobët, etj.), zvogëlon osteoporozën dhe rrezikun e frakturave, dhe shëron sindromën gjenitourinare të menopauzës.

Është tepër e rëndësishme dhe e dobishme për gratë që të informohen për atë që i pret saktësisht gjatë periudhës së menopauzës, si dhe opsionet e ndryshme në dispozicion të tyre në rast se kanë nevojë për ndihmë me qëllim për të përballuar më lehtë simptomat dhe pasojat e mundshme.

Fëmijët nuk janë imunë ndaj COVID-19

Cilat janë simptomat e para të COVID-19?

Infeksioni i ri i koronavirusit mund të shkaktojë, ndër të tjera, ethe, kollë dhe dhimbje të muskujve. Këto simptoma mund të shfaqen edhe nga infeksione të tjera virale që janë karakteristike për këtë periudhë vjeshte.

Ndaj çfarë duhet të tregoni kujdes

Një nga detyrat e prindërve, duke pasur parasysh fillimin e aktiviteteve në shkollë, është të matin temperaturën e fëmijëve të tyre në mëngjes para se t’i çojnë në shkollë / kopsht.

Kjo është shumë e rëndësishme sepse nëse ata kanë temperaturë mbi 37.5 ° C – fëmijët nuk duhet të hyjnë në klasë / kopsht por duhet të qëndrojnë në shtëpi. Në fakt, një nga shenjat e para alarmante është rritja e temperaturës, dhe nëse fëmija ka temperaturë mund të ketë edhe COVID-19.

Simptomat mund të shfaqen 2 deri në 14 ditë pas kontaktit me personin e infektuar. Ato mund të manifestohen me temperaturë më të lartë se 37.5 ° C ose të paktën me një nga simptomat e mëposhtme: kollë, temperaturë, dhimbje të muskujve, dhimbje koke, dhimbje fyti. Simptoma të tjera më pak të zakonshme janë simptomat gastrointestinale të tilla si: të përziera, të vjella ose diarre. Disa pacientë kanë humbje të shijes ose nuhatjes (fëmijët mund të mos jenë në gjendje ta komunikojnë këtë ndjenjë). Gjithësesi, temperatura mbi 37.5 ° C, e cila nuk bie pavarësisht përdorimit të antipiretikëve, është shenja e parë alarmante, e shoqëruar me kollë që zakonisht është e qëndrueshme dhe e thatë.

Simptomat më të hershme të koronavirusit të ri janë shumë të ngjashme me ato të gripit sezonal. Kolla, temperature dhe dhimbja e trupit janë të pranishme në të gjitha sëmundjet e shkaktuara nga viruse të ndryshme të frymëmarrjes. Ndër të tjera, gjatë sezonit të gripit, përhapja e infeksionit është shumë e zakonshme në shkollë / kopshët, veçanërisht tek ata më të vegjlit, pasi fëmijët ndajnë së bashku të njëjtin ambient për një kohë të gjatë.

Në përgjithësi, gripi shfaqet me rritje të papritur të temperaturës mbi 38° shoqëruar nga të paktën një simptomë (rraskapitje dhe lodhje, dhimbje koke dhe dhimbje të muskujve) dhe të paktën një simptomë respirative (kollë, dhimbje fyti dhe vështirësi në frymëmarrje). Në fakt, është e pamundur të dallosh simptomat e COVID-19 nga simptomat e gripit.

Mënyra e vetme për të marrë një diagnozë të caktuar të COVID-19 është kryerja e testit me anë të brisit.

Si të sillemi në rast të kontakteve të dyshimta

Nëse ekziston dyshimi se fëmija ka pasur kontakt të ngushtë me ndonjë rast të konfirmuar ose të mundshëm të COVID-19 në 14 ditët e mëparshme pas shfaqjes së simptomave të para, është e rëndësishme të qëndroni në shtëpi dhe sigurohuni që të kontaktoni me mjekun pediatër, i cili do të identifikojë simptomat dhe nëse është e nevojshme do të rekomandojë kryerjen e testit (bris nazofaringeal). Është tepër e rëndësishme të ndiqni rrjetin e kontakteve: shokët e klasës, mësuesit, cilindo me të cilin fëmija ka pasur kontakt.

Me rast të mundshëm nënkuptojmë:

  • person që jeton në të njëjtën shtëpi me një person tjetër të infektuar me COVID-19;
  • person i cili ka pasur kontakte të drejtpërdrejta fizike me person tjetër të infektuar me COVID-19
  • person i cili ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë të pambrojtur me sekrecione nga personi i infektuar me COVID-19
  • person i cili ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë (ballë për ballë) me person të infektuar me COVID-19, në një distancë prej më pak se 1-2 metra dhe zgjat më shumë se 15 minuta, pa maskë;
  • person i cili ka qenë në një ambient të mbyllur (për shembull, klasë, dhomë takimesh, dhomë pritje spitali) me person të infektuar me COVID-19 për të paktën 15 minuta, në një distancë prej më pak se 1-2 metra pa maskë

Çfarë duhet të bëjnë prindërit nëse fëmija është pozitiv?

Me fillimin e vitit shkollor dhe qëndrimin në shkollë / kopsht, fëmija mund të ketë një ketë rezultat pozitiv të testit ndaj koronavirusit të ri. Nëse kjo ndodh mos u frikësoni, e rëndësishme është të dini kohëzgjatjen dhe karakteristikat e sëmundjes COVID-19.

Kjo sëmundje tek fëmijët zakonisht zgjat për një kohë të shkurtër. Kjo buron nga përvojat e mëparshme me këtë infeksion si dhe nga fakti se tek shumë fëmijë infeksioni nuk ka shkaktuar asnjë simptomë (është asimptomatike), por edhe kur shkakton sëmundje, simptomat zakonisht janë të lehta ose të moderuara si ftohje, kollë dhe temperaturë. Nëse janë të pranishme, simptomat kanë tendencë të zhduken brenda një ose dy javësh: mesatarisht, kohëzgjatja e sëmundjes është katër ose pesë ditë.

Sidoqoftë, shumë shpesh simptomat nënvlerësohen dhe kjo çon në vonesë të diagnozës. Me siguri, me fillimin e shkollës, fëmijët do të kenë episode të temperaturës dhe kollës: do të jetë e vështirë të thuhet menjëherë nëse bëhet fjalë për COVID-19 apo ndonjë infeksion tjetër sezonal.

Është tepër e rëndësishme që prindërit të kontaktojnë me mjekun pediatër, i cili do të identifikojë simptomat dhe në varësi të ashpërsisë së tyre, do të kryejë shqyrtimet e nevojshme, veçanërisht bris nazofaringeal. Në spitalin tonë kemi teste për të zbuluar infeksionet më të zakonshme virale në këtë sezon, përfshirë koronavirusin. Nëse fëmija diagnostikohet me COVID-19, duhet të ndiqen konaktet kontaktet e mëparshme për të ndërprerë transmetimin. Pasi fëmija të ekzaminohet dhe të bëhet testi me anë të brisit, mjeku do të vlerësojë nëse është i nevojshëm shtrimi në spital apo fëmija mund të monitorohet në shtëpi përmes një platforme të veçantë për monitorimin e pacientit me infeksion COVID-19 që disponon spitali ynë. Nëse fëmija mund të qëndrojë në shtëpi, duhen të qëndrojë në izolim për 14 ditë me qëllim që të mund të kthehet i sigurt në shkollë pa simptoma dhe me rezultate negative të marra nga kryerja e testit.

Sa kohë duhet që gjendja e fëmijës të përmirësohet?

Shërimi klinik tek fëmijët është shumë i shpejtë, me përjashtim të rasteve të rralla. Sidoqoftë, duhet më shumë kohë që trupi i fëmijës të çlirohet nga virusin. Në disa raste, virusi shkakton përgjigje imune të shpejtë që i lejon fëmijët të çlirohen shpejtë nga virusi. Në disa raste të tjera, sistemi imunitar nuk është në gjendje ta njohë shpejt virusin dhe përgjigja imune nuk është aq efikase dhe e shpejtë, për këtë arsye virusi tenton të qëndrojë në trup për një kohë të gjatë.

Çfarë nëse fëmijët janë positive ndaj koronavirusit të ri por janë asimptomatik?

Ekziston mundësia që fëmijët (por edhe të rriturit) të jenë asimptomatikë, pra të infektuar me virus, por pa ndonjë simptomë, dhe kështu mund të transmetojnë sëmundjen tek të tjerët. Situata bëhet e komplikuar për shkollat ​​/ kopshtet, vendi ku fëmijët dhe të rinjtë duhet të qëndrojnë ulur për disa orë në ambiente të mbyllura. Të pasurit një burim potencial të infeksionit në klasë dhe pamundësia për ta identifikuar, rrezikon që të gjithë nxënësit të infektohen, megjithatë, këto janë raste të rralla, por nuk duhet të neglizhohen.

Çfarë mund të bëjmë për të mbrojtur veten?

Aktualisht është e pamundur që të diagnostikohen si fëmijët ashtu edhe të rriturit të cilët janë asimptomatikë, diagnostikimi i tyre mund të bëhet vetëm me anë të përsëritjes së brisit nazofaringeal.

Prandaj është e nevojshme të përpiqemi të kufizojmë infeksionin tek fëmijët dhe në të njëjtën kohë t’i lejojmë ata të kthehen në shkollë dhe ti rikthehen mënyrës së zakonshme të jetës dhe lojërave të fëmijëve duke i mbrojtur ata sa më shumë të jetë e mundur dhe duke respektuar masat e rekomanduara të mbrojtjes – mbajtjen e distancës, mbajtjen e higjienës së duarve, dhe mbajtjen e maskave ​në vendet e rekomanduara.

Prim. Dr. Blagica Mançeva
Specialiste pediatre

Tetori është muaji kushtuar rëndësisë së shëndetit fizik, seksual, riprodhues dhe mendor të grave

Shtatzënia, vetëkontrolli i gjirit, menopauza dhe sëbashku me të edhe osteoporoza, parandalimi i kancerit të qafës së mitrës, infertiliteti, janë vetëm disa nga temat e përfshira në frazën “shëndeti i grave”. Por të flasësh për shëndetin e grave është shumë më tepër sesa përcaktimi i një shtatzënie me rrezik apo pa rrezik të lartë, infertiliteti, kanceri i gjirit, nevoja urgjente për kryerjen e mastektomisë, histerektomisë, etj.

Shëndeti i grave është më shumë se kaq jo për shkak të “korrektësive politike” të supozuara (si infertiliteti) për nevojat e publikut, por sepse as shëndeti dhe as gratë nuk janë terma homogjenë jashtë diskursit biologjik, për shkak të natyrës funksionale të shëndetit. Kjo është e nevojshme të theksohet sepse Tetori i kushtohet shëndetit të grave dhe kërkon nga ne mendim që e mbulon, por gjithashtu që e tejkalon gamën e shembujve në lidhje me sistemin riprodhues të femrave.

Përkatësisht, është mjaft domethënëse dhe e nevojshme të flasim për sfidat që prekin ekskluzivisht gratë në periudha të ndryshme të jetës, kontekste (punë, shtëpi, udhëtime), faza dhe kultura (politika që ekzistojnë për të mbrojtur kategoritë e prekshme, traditën dhe stereotipet, vlerat e familjes etj.), por shëndeti i tyre padyshim që e tejkalon spektrin e sipërpërmendur thjesht duke pyetur në çfarë konteksti, me çfarë dinamike familjare dhe shoqërore, ose me çfarë kapaciteti shoqëror dhe personal e gjejmë gruan.

Shëndeti është mbi të gjitha një përvojë, ose më saktë, një përvojë kuptimplotë. Pikërisht ajo përvojë sot standardizohet fuqishëm si një shtet ku shëndeti përcaktohet pozitivisht (jo vetëm si mungesë e sëmundjes por edhe si mirëqenie) dhe në mënyrë holistike ose shumëdimensionale (si një mirëqenie e plotë që përfshin domosdoshmërisht më shumë parametra përmes dimensioneve të shëndetit fizik, mendor, shoqëror). Ky ndryshim në kuptimin e termit “shëndetësi” ka rrënjë shumë specifike, kohore-historike dhe politike, të cilat këtu nuk kemi vend për t’i përmendur (për konceptin ‘grua’ gjithmonë heshtet dhe mbetet sekret), por është një benefit vetëdija e theksuar për rëndësinë e personalitetit dhe proceset emocionale-motivuese në dinamikën shëndetësore të secilit individ, mbështetjen sociale, identitetin kulturor, kontekstin dhe sfidat sociale që shpesh e kushtëzojnë pasqyrën klinike në kategoritë “të shëndetshëm / të sëmurë”.

Kultura e sotme pothuajse narciste e cila gjendet kudo, tenton të krijoj norma dhe të normalizojë një lloj përsosjeje të matshme dhe publike të individëve të palidhur ose gjithnjë dhe më pak të lidhur. Normat janë në fakt një fenomen grupor, që ka një funksion të fuqishëm rregullator jo vetëm në sjelljen e individit, por edhe në dinamikën e shfaqjes, zhvillimit dhe prognozës së problemeve shëndetësore. Për fat të mirë, njeriu nuk pushon së qeni një komunitet thjesht sepse jeton në një klimë të tillë shoqërore, por është e nevojshme të dallojmë ‘barishten nga kokrra’: barishtja e përsosmërisë sterile të kokrrës apo farës së dashurisë krijuese për tjetrin si virtyti më i madh. Nëse jemi madje pak të përsosur, atëherë kjo është për shkak të tjetrit përmes mundësisë së dhurimit të virtyteve tona dhe mirënjohjes.

Dhurimi dhe falënderimi, kur të dyja janë shprehje e domethënësit më themelor njerëzor, vullneti i lirë është në fakt plotësuesi i gruas ose burrit të shëndetshëm (edhe atëherë kur njëri ose tjeri shpesh frikësohet ose humbet kontrollin). Si do të flisnit për njërën pa tjetrën? Prandaj, pa marrë parasysh se sa na imponohen në frymën e ideologjisë (neo) liberale, ditëve apo muajve të shumtë kushtuar temave të ndryshme, ne jemi të detyruar të mendojmë për ta, nisur nga perspektiva e asaj që na lidh jo vetëm përsa i përket gjinisë, kulturës, kombësisë, etj., por si individë: shëndeti si vetë-dhënie është hapësira e vërtetë dhe e lirë, ku veprimet tona në fakt na fisnikërojnë.

Ekzistojnë shembuj të shumtë që mbështesin këtë pretendim: nga ata më të rrezikshmet (shpëtimi i jetës së një personi të huaji, prindi që dhuron njërën veshkë për jetën e fëmijës së tyre), deri tek ata më pak të rrezikshmet por jo më pak të rëndësishme (mosgjykimi, fjalë e butë, këndimi i këngëve të gjumit për fëmijët në çdo kohë, ose një shtrëngim duarsh që flet më shumë se çdo fjalë).

Muaji kushtuar shëndetit të grave le të jetë një kujtesë e asaj që jeta në të vërtetë na demostron: duke kërkuar, ne humbasim lirinë, dhe bashkë me të dashurinë dhe gëzimin. Duke dhënë apo dhuruar, ne e gjejmë atë dhe përmes saj rritemi në mënyrë krijuese edhe atëherë kur vuajmë për shkak të humbjeve ose sëmundjeve të papritura të cilat mund të shfaqen tek ne apo tek personat tanë të dashur.

Duke mos harruar që pavarësisht jetëgjatësisë, sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjes tek gratë, depresioni unipolar prek gratë dy herë më shpesh në krahasim me burrat, gratë punonjëse të shëndetësisë përbëjnë 70% të fuqisë punëtore globale dhe gjysma e kontributit të tyre jepet në formën e kujdesit pa pagesë ose që 1 në 3 gra në të gjithë botën përjetojnë dhunë fizike ose seksuale, një fakt që sigurisht ka një efekt të thellë në shëndetin fizik, seksual, riprodhues dhe mendor të një gruaje. Dhe faktet, si veprat, flasin gjithmonë më shumë se fjalët.

Asst. prof. Kristina Egumenovska
Psikologe-psikoterapiste

ME RASTIN E DITËS BOTËRORE TË ZEMRËS, OFROJMË 30% ZBRITJE PËR TË GJITHA EKZAMINIMET E ZEMRËS, TË REZERVUARA DERI NË FUND TË MUAJIT TETOR 2020 

Në maj të vitit 2012, liderat botërorë morën përsipër të punojnë në lidhje me reduktimin e vdekshmërisë nga NDC (Noncommunicable diseases) sëmundjet e patransmetueshme të njohura ndryshe si sëmundje kronike, me 25% në nivel botëror. Kjo duhet të realizohet deri në vitin 2025. Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku i pothuajse gjysmës së të gjitha vdekjeve nga NDC, duke e bërë atë vrasësin numër një në botë.

Kjo është arsyeja përse Dita Botërore e Zemrës është platforma perfekte për t’u bashkuar në luftën kundër sëmundjeve kardiovaskulare dhe për të zvogëluar pasojat e kësaj sfide globale.

Krijuar nga Federata Botërore e Zemrës – “Dita Botërore e Zemrës” informon njerëzit në të gjithë botën se sëmundjet kardiovaskulare (përfshirë sulmin në zemër dhe sëmundjet e zemrës) janë shkaku kryesor i vdekjes, e cila përfshin 17.9 milion jetë në vit. Gjithashtu thekson aktivitetet që çdo individ mund të marrë në mënyrë që të parandalojë dhe kontrollojë sëmundjen kardiovaskulare. Qëllimi kryesor i federatës është të fillojë aktivitete për të edukuar dhe rritur ndërgjegjësimin se duke kontrolluar faktorët e rrezikut të tillë si konsumi i duhanit, dieta jo e shëndetshme dhe pasiviteti fizik, të paktën mund të shmangen 80% e vdekjeve të parakohshme  të cilat vijnë si pasojë e sulmit në zemër ose sëmundjes së zemrës.

“Dita Botërore e Zemrës” është një fushatë globale në të cilën individë, familje, shoqata dhe qeveritë në të gjithë botën marrin pjesë me aktivitetet e tyre për të ndërmarë përgjegjësi për shëndetin e tyre dhe të zemrave të të tjerëve. Përmes kësaj fushate, Federata Botërore e Zemrës bashkon njerëz nga vende dhe prejardhje të ndryshme në luftën kundër sëmundjeve kardiovaskulare dhe nis aktivitete ndërkombëtare për të promovuar një jetë të shëndetshme në të gjithë botën. Shoqata dhe anëtarët e saj besojnë në një botë ku zemra e shëndetshme është një e drejtë themelore e njeriut dhe një element kryesor i drejtësisë globale të shëndetit. Spitali klinik Zhan Mitrev i bashkohet gjithashtu shënimit kësaj dite, duke ofruar një zbritje prej 30% për të gjitha ekzaminimet e zemrës me MR të cilat mund ti rezervoni deri në fund të muajit tetor 2020.

Publikimi i botuar nga ekipi ynë i mjekëve të udhëhequr nga Dr. Petar Ugurov me temën “Indikacioni i hershëm i hemofiltrimit – pastrimi ekstrakorporal i gjakut, si mënyrë e trajtimit të pacientëve pozitivë ndaj COVID-19”

Më 22. 09. 2020, Zan Mitrev Clinic është publikuar përsëri lidhur me temën Early Initiation of Extracorporeal Blood Purification Using the AN69ST (oXiris®) Hemofilter as a Treatment Modality for COVID-19 Patients: a Single-Centre Case Series.

Kjo është vepra jonë origjinale dhe botimi i parë në Republikën e Maqedonisë Veriore kur bëhet fjalë për sëmundjen COVID – 19, dhe është botuar në revistën prestigjioze Brazilian journal of cardiovascular surgery.

Ekipi që ka punuar në këtë botim është i përbërë nga mjekë specialistë me përvojë (kardiologë, anesteziologë, mikrobiologë, transfuziologë) nga Zan Mitrev Clinic, të udhëhequr nga Dr. Petar Ugurov.

Dr. Petar Ugurov i’u përgjigjet pyetjeve në lidhje me këtë hulumtim dhe rëndësinë e tij, veçanërisht kur bëhet fjalë për sigurinë, shëndetin e pacientëve dhe shërimin e shpejtë të tyre.

Cila ishte arsyeja kryesore për fillimin e kërkimeve në këtë fushë dhe çfarë e bën këtë studim kaq specifik dhe domethënës?

Dr. Ugurov – Arsyeja kryesore për punën tonë kërkimore është vetë virusi SARS-CoV 2, një virus që është bërë një sfidë për të gjithë botën.

Të gjithë tashmë e dimë që COVID-19 është një sëmundje e shkaktuar nga SARS-CoV-2, një virus që i përket familjes së Coronavirusit, i cili u zbulua për herë të parë në Kinë në Dhjetor të vitit 2019.

Para se të flas për këtë studim, do të doja të shpjegoja edhe një herë se si virusi çon në përkeqësimin e gjendjes së përgjithshme të pacientëve të prekur nga SARS – CoV2.

Çrregullimi i funksionit të frymëmarrjes tek pacientët me COVID-19 shoqërohet me ndryshime në mekanikën e frymëmarrjes tek këta pacientë. Mund të ndodhë ulja e lëvizshmërisë së diafragmës dhe kraharorit, reduktimi i aftësisë shtrënguese të muskujve të frymëmarrjes dhe ulja e aktivitetit motorik tek pacienti. Kjo shkakton çrregullim të ventilimit pulmonar dhe shkëmbim të gazrave.

Kur personat me COVID-19 fillojnë të kolliten dhe kanë temperaturë, kjo është një shenjë që infeksioni ka arritur në sistemin e frymëmarrjes. Dëmtohet shtresa mbrojtëse e organeve të frymëmarrjes, duke çuar në inflamacion i cili më pas shkakton kollitje edhe  ndaj sasisë më të vogël të pluhurit.

Ajo që e bën këtë studim unik dhe domethënës është se ne jemi të vetmit në vendin tonë dhe të rrallë në rajon ku në mënyrë të veçantë, përmes një protokolli trajtimi të hartuar posaçërisht për pacientët me virusin SARS CoV2, kemi arritur të tregojmë se si mund të ndalojmë përkeqësimi progresiv të gjendjes së përgjithshme të pacientëve me fillimin e hershëm të pastrimit të gjakut ekstrakorporal në kombinim me heparinizimin sistemik dhe mbështetjen respirative (të frymëmarrjes).

Si ju lindi ideja për të filluar këtë studim?

Dr. Ugurov – Studimi për të cilin kemi filluar të punojmë dhe vetë ideja e këtij studimi bazohet në përvojat tona të mëparshme dhe punën me pacientë që kanë shënjues të lartë të ngritur të inflamacionit, si dhe pacientë që janë në shok septik.

Pyetja kryesore që ne vetë shtruam si një sfidë ishte si të parandalojmë përkeqësimin progresiv të gjendjes së përgjithshme të pacientëve që vuajnë nga SARS -CoV-2.

Ne e bazuam trajtimin e përgjithshëm të pacientëve me COVID-19  në faktin se nëse kemi kontroll të shënuesve inflamatorë, do të arrinim kontrollin e gjendjes së përgjithshme të pacientëve, si dhe stuhinë e citokinës.

A mund të na tregoni më shumë rreth këtij studimi?

Dr. Ugurov – Studimi ynë përfshin një seri prej 15 pacientësh pozitivë ndaj virusit SARS – CoV-2. Monitorimi i vazhdueshëm i nivelit të shënuesve inflamatorë, citokinave dhe numërimeve diferenciale të gjakut së bashku me D-dimerët, LDH dhe ferritinën, është një parashikues i fuqishëm i kohës së hemofiltrimit si pjesë e trajtimit të pacientëve me Covid-19.

Trajtimi konsistonte në fillimin e hershëm të pastrimit të gjakut ekstrakorporal duke përdorur hemofiltrin oXiris® (AN69ST), heparinizimin sistemik dhe terapinë e frymëmarrjes.

Gjatë kësaj periudhe ne u bëmë mjaft interesantë për popullatën e gjerë me hemofiltrimin që përdorim dhe do të doja të shpjegoja shkurtimisht përdorimin e këtyre filtrave dhe funksionin e tyre.

Filtri që ne përdorim është oXiris® i cili përdor një membranë të modifikuar AN69ST dhe ka një afinitet si për endotoksinat ashtu edhe për citokinat. Ky filtër ka trefishin e fuqisë absorbuese për endotoksinat dhe citokinat.

Për më tepër, seti oXiris është autorizuar nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Ilaçeve (Food and Drugs administration) për trajtimin e pacientëve të prekur nga virusi Sars – CoV2.

Nëse kthehemi në fillimet tona dhe në atë që ju përmenda pak më parë, se si kemi ardhur në idenë për fillimin e kësaj mënyre në trajtimin e pacientëve, do të kuptojmë se në fakt kjo është mënyra në të cilën kemi vendosur kontroll mbi shënuesit inflamatorë të stuhisë së citokinës.

Gjatë kësaj periudhe është folur shumë për stuhinë e citokinës, a mund të shpjegoni se çfarë është stuhia e citokinës dhe çfarë është ajo që duhet të na shqetësojë lidhur me këtë gjendje?

Dr. Ugurov – Sindroma e stuhisë citokine i referohet çlirimit të tepruar të citokinave si një përgjigje e stimujve të jashtëm dhe është shkaku kryesor i sindromës akute të distresit të frymëmarrjes, si dhe dështimit multiorganik.

Në kushtet kur kemi nivele të rritura të citokinave, të tilla si TNF-α, IL-6, IL-1 dhe IFN, ato mund të shkaktojnë reaksione patologjike si dëmtim difuz i alveolave, formim të të ashtuquajturës membranë transparente dhe fibrozë pulmonare.

Citokinat të cilat janë futur në qarkullim mund të shkaktojnë mosfunksionim të përhapur të endotelit me koagulim të përhapur intravaskular (DIK) dhe dështim multiorganik.

Cili është konkluzioni i këtij studimi dhe pse është kaq specifik dhe i rëndësishëm?

Dr. Ugurov – Nga vetë studimi mund të konkludohet se fillimi i hershëm i pastrimit të gjakut me përdorimin e hemofiltrit oXiris® mund të jetë një mënyrë efektive në parandalimin e niveleve anormale të shënuesve inflamatorë tek pacientët me COVID-19.

Gjithashtu, monitorimi i vazhdueshëm i parametrave jetësorë, shënuesve biokimikë, imunë si dhe faktorëve të koagulimit dhe rrezeve X na jep mundësinë për të monitoruar ashpërsinë e sëmundjes dhe na lejon që të reagojmë në rregullimin e terapisë.

Kombinimi i heparinës sistemike, pastrimit ekstrakorporal të gjakut me përdorimin e filtrave që thithin citokinë mund të zvogëlojnë hiperinflamacionin, të parandalojnë koagulopatinë dhe të mbështesin shërimin klinik.