6 Mars, 2026
Inflamacioni i zorrës qorre ose apendisiti është një gjendje e shpeshtë që mund të ndodhë në çdo periudhë të jetës. Karakteristika kryesore është dhimbja në pjesën e poshtme të djathtë të barkut.
Dhimbja mund të fillojë rreth kërthizës dhe më pas të përhapet. Me përkeqësimin e inflamacionit, dhimbja rritet dhe bëhet më e fortë.
Inflamacioni zakonisht shfaqet tek personat e moshës 10 deri në 30 vjeç, por nuk përjashtohen edhe grupmoshat e tjera. Trajtimi i apendisitit mund të përfshijë antibiotikë ose, në shumicën e rasteve, kryhet ndërhyrje kirurgjikale për heqjen e zorrë qorre, të njohur ndyshe si apendiks.
Simptomat
Simptomat e apendisitit mund të përfshijnë:
- Dhimbje të papritur që fillon në pjesën e poshtme të djathtë të barkut.
- Dhimbje të papritur që fillon rreth kërthizës dhe lëviz drejt pjesës së poshtme të djathtë të barkut.
- Dhimbje që përkeqësohet gjatë kollitjes, ecjes ose lëvizjeve të tjera.
- Të përziera dhe të vjella.
- Humbje e oreksit.
- Temperaturë e lehtë që mund të rritet me përparimin e inflamacionit.
- Kapsllëk ose diarre.
- Fryrje të barkut.
- Gazra.
Vendi i shfaqjes së dhimbjes mund të ndryshojë në varësi të moshës dhe pozicionit të zorrës qorre. Nëse apendisiti – pra, inflamacioni i zorrës qorre, shfaqet gjatë shtatzënisë, dhimbja mund të duket sikur vjen nga pjesa e sipërme e barkut, sepse në atë periudhë zorra qorre është e pozicionuar më lart.
Shkaqet e apendisitit
Bllokimi në zgavrën qendrore të zorrës qorre, i quajtur lumen, është shkaku më i mundshëm i apendisitit. Ky bllokim mund të çojë në infeksion. Bakteret shumohen shpejt, duke bërë që zorra qorre të inflamohet, të fryhet dhe të mbushet me sekrecion (qelb). Nëse nuk trajtohet në kohë, zorra qorre mund të çahet/plasë.
Komplikimi dhe trajtimi
Apendisiti mund të shkaktojë komplikime serioze, si:
- Çarja/plasja e zorrës qorre.
Zorra qorre e çarë, e njohur edhe si apendiks i perforuar, çon në përhapjen e infeksionit dhe inflamacionit në zgavrën abdominale, gjendje e quajtur peritonit. Kjo gjendje mund të jetë kërcënuese për jetën dhe kërkon ndërhyrje urgjente kirurgjikale për heqjen e zorrës qorre – apendektomi dhe pastrimin e zgavrës abdominale.
- Formimi i një xhepi me qelb në zgavrën abdominale.
Në ditët pas trajtimit kirurgjikal të apendiksit të perforuar, mund të zhvillohet një vatër e kufizuar infeksioni e njohur si absces. Në shumicën e rasteve, radiologu intervenues e drenon (zbraz) abscesin me gjilpërë përmes murit abdominal drejtpërdrejt në absces, nën kontrollin e tomografisë së kompjuterizuar. Më pas përshkruhen antibiotikë për shërimin e plotë të infeksionit.
Diagnoza
Për të vendosur diagnozën e saktë, personeli mjekësor do të marrë anamnezën e simptomave tuaja dhe do të bëjë ekzaminim abdominal.
Testet që përdoren për diagnostikimin e apendisitit përfshijnë:
- Ekzaminimi fizik.
Mjeku mund të ushtrojë presion të lehtë mbi zonën ku ndjeni dhimbje. Kur presioni të çlirohet, dhimbja zakonisht përkeqësohet. Kjo ndodh për shkak të inflamacionit të membranës së zgavrës abdominale, të quajtur peritoneum. Mjeku gjithashtu mund të kontrollojë për ngurtësi të barkut dhe tendencë për tkurrje të muskujve abdominalë si reagim ndaj presionit mbi zonën e inflamuar. Tek pacientet femra në moshë riprodhuese mund të kryhet edhe një ekzaminim gjinekologjik që përfshin edhe kontroll me ultratinguj për të përjashtuar probleme të tjera që mund të shkaktojnë dhimbjen.
- Analiza e gjakut.
Ky test kontrollon nëse numri i qelizave të bardha të gjakut është i rritur. Një numër i lartë mund të tregojë praninë e infeksionit. Megjithatë, vlerat normale nuk e përjashtojnë inflamacionin e zorrës qorre.
- Analiza e urinës.
Ky test ndihmon për të zbuluar ose përjashtuar që dhimbja të mos jetë rezultat i infeksionit të traktit urinar ose gurëve në veshka.
- Ekzaminimet radiologjike.
Nëse burimi i dhimbjes nuk është i qartë, mjeku mund të rekomandojë ekzaminime radiologjike që përfshijnë rreze X të barkut, ultratinguj abdominal, tomografi të kompjuterizuar ose rezonancë magnetike.
Ekipi i mjekëve në Klinikën Zhan Mitrev është në dispozicion për diagnozë të shpejtë dhe trajtimin e duhur të të gjitha sëmundjeve abdominale.
Rezervoni terminin tuaj në 00389 2 3091 484