Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Përvojat e pacientëve

Back to Experiences

28.02.2020

Ismet Haxhiu, pacienti i parë me TAH: Kur eci nëpër rrugë njerëzit mendojnë se kam bombë në çantë, dhe në fakt në të mbaj zemrën time!

1 Mars 2020 është data në të cilën Zan Mitrev Clinic do të festojë përvjetorin e 20-të. Me këtë rast, pikërisht në atë ditë janë planifikuar një seri aktivitetesh që do të shënojnë këtë datë dhe jubile shumë të rëndësishëm, dhe ndërkohë me ndihmën e disa prej tregimeve të shkruara sëbashku me pacientët e kësaj klinike do të rikujtojmë fillimet, tregimet me fund të lumtur por edhe për faktin se ne të gjithë posedojmë një zemër, të pasur, të zbrazët ose të mbushur plotë si kjo botë…

Nisem drejt Ismetit, i cili po më pret në vendin në të cilin kishim rënë dakord, ai qëndron ulur para meje por i kthyer me kurriz. Unë e dija se ai është pacienti i parë i doktor Zhan Mitrev me zemër artificiale, por në të vërtetë nuk e di se si duket ajo zemër – lexova, u përpoqa të zbuloja diçka më tepër, por teoria thuhet se është e verbër pa praktikë – dhe ky është një fakt! Afrohem pranë tij dhe nën xhaketë nuk arrtita të vërej tubat, pashë një djalë të ri të lezetshëm dhe të qeshur, dhe papritur dëgjova tinguj të çuditshëm. Këto tinguj ishin të ngjashëm me rrahjet e zemrës, por nuk po e kuptoja nga vinte e gjithë kjo dhe si ishte e mundur… atëherë kuptova se zemra e Ismetit nuk ndodhej në gjoksin e tij, por në çantën që ai mban me vete.

Ismet Haxhiu është një 41 vjeçar nga Shkupi dhe për një vit me rradhë nuk ka zemër në kraharorin e tij. Në jetë e mban kjo çantë e vogël e cila funksionon me anë të energjisë elektrike, por edhe me bateri. Para se të gjendej në këtë situatë e cila do ti ndryshonte plotësisht jetën, ai tha se më parë nuk ka pasur probleme shëndetësore dhe aq më pak probleme me zemrën. Jeta e ka dërguar atë në Norvegji, për të punuar, por pas 15 ditësh pësoi infarkt në zemër për shkak të të cilit mjekët i implantuan stent.

“Më implantuan stent dhe më thanë se zemrën e kam shumë të dëmtuar, me 30% funksion. Nuk doja të qëndroja atje, kështu që u ktheva në shtëpi. Bëra të gjitha ekzaminimet këtu, por më thanë se duhej të operohesha dhe më rekomanduan klinikën e doktor Zhan Mitrev. Nuk e dija se çfarë po më priste, por zgjidhja e vetme ishte kjo. Unë kam një zemër artificiale rreth një vit, edhe pse me të nuk mund të kesh një jetë shumë normale, megjithatë ajo çfarë ka më shumë rëndësi është fakti që unë jam ende gjallë. Tani shpresoj për transplantimin e zemrës”, tregon për historinë e jetës së tij Ismeti, i cili më pas vijon duke na treguar se para infarktit, ai kishte një jetë shumë normale, asnjëherë nuk ka pasur probleme me shëndetin dhe aq më pak me zemrën. Në Norvegji ka punuar si bojaxhi, dhe shprehet: “Kam punuar deri në ditën e fundit, deri në momentin kur më dërguan në spital. Asnjëherë nuk kam pasur dhimbja apo ndonjë shenjë treguese se diçka nuk është siç duhet me shëndetin tim. Nuk mund ta besoja dhe sinqerisht akoma nuk mund ta besoj këtë që më ndodhi. Vazhdimisht kam bërë ekzaminime preventive, madje edhe para se të nisesha për në Norvegji, kisha vajtur për kontroll dhe nuk më zbuluan asgjë. 15 ditë pas qëndrimit tim atje, pësova infarkt masiv. Atje më shpëtuan, por kur erdha këtu, më thanë se zgjidhja e vetme ishte transplantimi ”.

Ismeti thotë se kur i thanë se duhej të bënte transplantim, mbeti i shokuar, kryesisht për faktin se as që e dinte se ekzistonte diçka e tillë.

“Për herë të parë në jetën time ndodhesha në spital dhe nuk dija asgjë as se çfarë bëhej as se ku bëhej. Spitali Shtetëror më rekomandoi që të vij këtu në klinikën e doktor Zhan Mitrev dhe nuk gabova. Ky aparati që shikoni quhet TAH, unë në trup nuk kam zemër, kjo çanta që shikoni këtu është zemra ime. Kështu jetoj gati një vit, tani jam duke pritur për kryerjen e transplantimit të zemrës. Me këtë nuk më mbetet shumë kohë, nga informacionet që kam marrë duke lexuar, për njerëz si unë në mbarë botën, disa jetojnë dy vjet, disa tre apo pesë vjet, por disa të tjerë nuk kanë sukses, nuk ia dalin shumë gjatë. Më duhet të ruhem shumë nga viruset, infeksionet. Imuniteti im është i dobët, dhe unë duhet të jem veçanërisht i kujdesshëm gjatë kësaj periudhe” – thotë Ismeti.

Shpesh dime të themi për disa persona se nuk kanë zemër, por zemrën e Ismetit të gjithë mund ta shohin, ai e mban atë në çantë me vete kudo që shkon. Në pamje të parë duket si një çantë normale e cila lëshon një zhurmë të veçantë, pasi në fakt ajo është zhurma e rrahjeve të zemrës së Ismeti, për këtë arsye njerëzit e shikojnë me çudi, pohon ai.

“Gjëja më interesante ishte kur hyra në bankë dhe ndërsa hyra brenda dhe u ula të gjithë filluan të ngriheshin dhe të largoheshin sepse mendonin se kisha një bombë. Unë mbaj dy çanta, në njërën ndodhet zemra ime dhe në tjetrën mbaj baterinë rezervë. Rojes së sigurimit më duhej ti tregoja se për çfarë bëhet fjalë, dhe kur e kuptuan se me vete nuk kisha bombë për zemër artificiale, më dërguan menjëherë në recepcion dhe mbarova punë vetëm për disa minuta, nuk më lanë të prisja aspak”, tregon Ismeti i cili thotë që edhe pse duhet të tregoj shumë kujdes, si çdo i ri dëshiron të dalë dhe të pushojë me miqtë.

“Ndonjëherë dal me miqtë, veçanërisht me miqtë më të afërt, por problemi më i madh është se zemra ime është shumë e zhurmshme dhe dëgjohet shumë. Kur jam në formë, në gjendje të mirë, kam shumë dëshirë të dal për shëtitje, por ka edhe nga ato ditë kur thjesht nuk kam energji dhe lodhem shpejt. Bëj shëtitje, bëj pazar, por gjatë kësaj periudhe jam më shumë në shtëpi për shkak të sezonit të viruseve. Edhe unë dua të dal, nuk qëndroj dot gjatë gjithë kohës ulur në shtëpi, nuk dua të ndihem si i burgosur. Si i thonë një fjale, kam nevojë për pak ajër, të takohem me njerëz” – thotë Ismeti dhe sqaron se kur shëtit rreth e përqark të gjithë e shikojnë në mënyrë të çuditshme, por ai tashmë është mësuar.

Me një buzëqeshje në fytyrë, ai thotë: “Disa njerëz largohen, disa pyesin se çfarë kam dhe menjëherë ofrojnë ndihmë. Për shembull, kur shkoj në kafene ata më afrojnë menjëherë vend në të cilin ka më afër burim energjie ose më sjellin kabllo shtesë për mbushjen e aparatit, nëse nuk ka tavolinë të lirë ata menjëherë ngrihen dhe më lëshojnë vendin mua, sinqerisht, jam shumë mirënjohës ndaj tyre. Kryesisht, kur njerëzit zbulojnë se për çfarë bëhet fjalë, janë pozitivë për mua dhe shumë të sjellshëm. Nuk kam kaluar momente të pakëndshme, të gjithë janë miqësorë. Shpesh herë vërej në sytë e tyre keqardhje dhe një dëshirë të madhe për të më ndihmuar “.

Zan Mitrev Clinic  nuk ka konkurrencë, madje as në Norvegji

“Ky është një spital elegant! Në Norvegji ata kanë gjithçka, duke nisur nga pajisjet dhe stafi që ishin të gjithë jashtëzakonisht të përkushtuar ndaj meje, në të vërtetë nuk kam asnjë ankesë, vetëm komplimente, por atë që  më kanë ofruar dhe mundësuar këtu thjesht nuk kam fjalë për të përshkruar. Gjithçka është perfekte. Unë jam i kënaqur nga Dr. Mitrev dhe i gjithë stafi i tij, të cilët bëjnë të pamundurën për të më ndihmuar dhe për ta bërë më të lehtë gjendjen time. Shumë interesant është edhe fakti kur kërkova të largohesha nga spitali në Norvegji dhe të kthehesha në shtëpi, ata nuk donin të më linin të kthehesha, por kur u informuan se çfarë lloj klinike kemi ne këtu, ata menjëherë pranuan”, tregon Ismeti, duke shtuar: ” Vetëm të më mundësohet transplantimi dhe nuk besoj se do të ketë njeri më të lumtur se unë në botë…”

Ismeti është pacienti i parë dhe i vetëm i Dr. Mitrev me TAH, por ai nuk është i vetëm në këtë betejë. Maja, Darko, Danieli gjithashtu janë në një situatë të ngjashme …

“Të gjithë jemi në të njejtën situatë, me të njejtin shqetësim dhe fat të ngjashëm, vazhdimisht jemi në kontakt dhe shkëmbejmë përvojat tona. Dëgjohemi me njëri-tjetrin pothuajse çdo ditë, bisedojmë rreth gjendjes tonë, nëse ka ndonjë të re. Unë jam nga Shkupi dhe i njoftoj ata në lidhje me gjithcka çfarë ndodh këtu”, thotë Ismeti, të cilit kur i thanë se duhejt ti implantohej zemër artificiale, as që e kishte idenë se si dukej ajo.

Dhe pikërisht kur ai po na tregonte papritur u dëgjua një “biiiip” e çuditëshme… Të gjithë rreth të frikësuar pyetëm çfarë ndodhi, dhe ai  me buzëqeshje na tha që të mos shqetësohemi, se bateria ishte e mbushur por kur çanta është e vendosur në sipërfaqe jo të rrafshtë, atëherë jep një snjal të tillë. Shenja e rënies së baterisë kishte të bënte me tre tinguj të njëpasnjëshëm. Plot me energji pozitive, thjesht ju bën të shikoni dhe të mendoni krejtësisht ndryshe për jetën. Kuptoni se të gjitha ato probleme të përditshme janë të parëndësishme, madje janë “ një asgjë” në krahasim me atë që ai po përjeton, dhe pavarësisht nga kjo, ai përsëri është buzëqeshur. Ju e kuptoni që të gjitha ato probleme të përditshme janë të parëndësishme dhe asgjë të madhe në krahasim me atë që po kalon, dhe përsëri me një buzëqeshje. Këtë nuk e them thjeshtë si një fjalë, por  – Ismeti është me të vërtetë njeriu më pozitiv që kam takuar ndonjëherë.

“Kur pashë se çfarë zemre kisha pas operacionit, isha në shok. Doja ta ulja volumin e tingullit, zhurmës që lëshon zemra artificiale, doja ta mbuloja me diçka, nuk dija çfarë të bëja dhe si të jetoja. Ishte e çuditshme për mua, por çfarë të bëja. Kur dal, gjithmonë kam dikë me vete, sepse kam dy çanta, një me zemrën time dhe një tjetër rezervë. Dhe unë nuk jam shumë i qëndrueshëm dhe nuk kam shumë forcë. Edhe kur eci bëj pauza sepse lodhem shpejt. Unë gjithashtu doja të praktikoja dhe të bëja stërvitje, por thjesht nuk është e mundur. Mund stërvis vetëm pak me duart, por asgjë më shumë. Kjo dëshirë mbetet për tu realizuar pas transplantimit të zemrës. Ata më thanë që do të kem një jetë normale dhe se kjo periudhë do të mbetet e shkuar për mua. Sapo të më bëhet transplantimi i zemrës së re, më pas do të shkoj në Norvegji tek mjekët atje dhe do t’iu tregoj atyre përse kam dashur të kthehem në Shkup. Vetëm me dëshirën e Zotit, unë mendoj se do ti qeras të gjithë. Me këtë zemër “plus” është fakti që jeton, por nuk mund të funksionosh normalisht, jeton vetëm për të ngrënë dhe për të fjetur, nuk je në gjendje të punosh, nuk mund të bësh asgjë tjetër… Këtu po bëjnë të pamundurën që gjithçka të shkojë siç duhet, edhe ne në Shoqatë bëjmë të pamundurën, por nuk na mbetet gjë tjetër veçse të presim” rrëfen Ismeti, i cili pa hezituar pranoi të fliste publikisht për situatën e tij, me qëllimin e vetëm që njerëzit të kuptojnë se ka një zgjidhje për gjithçka, madje edhe situata të cilat shpesh duken si të pamundura.

“Si unë dhe të gjithë të tjerët që jetojmë me këtë problem, përpiqemi të flasim publikisht, përdorim edhe mediat sociale. Duam që njerëzit të dëgjojnë për ne dhe të kuptojnë se ka shpresë, por edhe për të zgjuar vetëdijen e donatorëve të ardhshëm.Nga ana tjetër unë lexoj shumë në lidhje me këtë temë dhe shikoj dokumentarë, jam i interesuar për rrjedhën e operacionit, rehabilitimin, jetën më pas. Mendoj gjatë gjithë kohës se si do të jetë ndjesia pas operacionit. Thonë se tek disa pacientë shfaqen emocione nga ana e donatorit, por gjithashtu thonë se kjo gjë nuk e ndryshon stilin e jetës, përkundrazi. Kjo nuk më frikëson, dua vetëm të jem në gjendje të bëj një jetë normale. Do të dëshiroja të dija zemrën e kujt do të kem, në fakt duhet ta di. Do të kem edhe një familje tjetër, në trup do të kem zemrën e dikujt që gjithashtu ka pasur një familje, dhe jam i bindur që do të kem ndjenja ndaj tyre”, tregon Ismeti.

Shpesh, për të përshkruar gjendjen tonë emocionale apo thellësinë e emocioneve tona i themi dikujt që e duam nga thellësia e zemrës ose e shpirtit, por zemrat tona ndryshe nga ajo e Ismetit janë të fshehura.

“Kam menduar shpesh edhe në lidhje me këtë fakt, por më besoni asgjë nuk ka ndryshuar. Ndjenjat e mia janë të njejta, asgjë nuk ka ndryshuar deri tani. Ndoshta kur të më bëhet transplantimi i zemrës së re do të kem më shumë ndjenja. Dallimi është se unë u them të dashurve të mi që ju dua jo nga kraharori, por nga çanta, sepse aty është zemra ime tani”, bën shaka Ismeti, me të cilin u ndamë me një buzëqeshje dhe urimin që sa më shpejtë ti mundësohet transplantimi i zemrës së re,  zemrës së vërtetë e cila do të rrah brenda në kraharorin e tij.

Duhet të kujdesem për veten, por mund të ha çdo gjë, dhe jam shumë i lumtur që mishin nuk e kam të ndaluar

“Mund të pi një kafe në ditë, madje edhe një birrë. E vetmja gjë që e kam të ndaluar është konsumimi i pijeve të gazuara. Përsa i përket ushqumit, përveç ushqimit tepër të yndyrshëm, çdo gjë tjetër mund të konsumoj. Jam i lumtur që mishin nuk e kam të ndaluar pasi më pëlqen ta konsumoj, jam i dhënë pas mishit dhe sallatave” – tregon Ismeti, i cili shton: “Nëse më mundësohet transplantimi i zemrës, di ti qeras të gjithë, ndërsa këtë apratin do t’iua  kthej menjëherë mbrapsh madje me një kabëll shtesë nga ana ime. Dashtë Zoti, kjo gjë të ndodh sa më shpejtë”.