Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Përvojat e pacientëve

Back to Experiences

26.02.2020

Mihail Efremovski është pacienti më i ri i doktor Mitrev: Heroi i vogël i cili u operua menjëherë pas lindjes, tani është tre muajsh dhe tashme ka një zemër të shëndetshme që rreh fort!

1 Mars 2020 është data në të cilën Zan Mitrev Clinic do të festojë përvjetorin e 20-të. Me këtë rast, pikërisht në atë ditë janë planifikuar një seri aktivitetesh që do të shënojnë këtë datë dhe jubile shumë të rëndësishëm, dhe ndërkohë me ndihmën e disa prej tregimeve të shkruara sëbashku me pacientët e kësaj klinike do të rikujtojmë fillimet, tregimet me fund të lumtur por edhe për faktin se ne të gjithë posedojmë një zemër, të pasur, të zbrazët ose të mbushur plotë si kjo botë…

Nuk ka gëzim më të madh për një grua, për një nënë se ardhja në jetë e një foshnje. Nuk ka dashuri apo lumturi më të madhe… Emocion i cili nuk mund të përshkruhet me fjalë … Edhe dhimbja është një emocion, dhe nuk ka asgjë më të tmerrshme për një nënë, e cila në vend që të gëzohet për ardhjen në jetë të foshnjës së saj, i thonë se duhet të përgatitet për më të keqen …

“Në vend që të gëzohesha dhe ta mbaja në krah fëmijën tim, ata më thanë që të përgatitem për më të keqen. Disa orë pas lindjes, tashmë kishin filluar urimet dhe përgëzimet nga të afërmit, më thanë që fëmija ishte në gjendje kritike dhe nuk dihej nëse do të mbijetonte. Ishte një goditje e madhe për mua, në vend që ta mbaja në krahë, ta përkedhelja, ta ushqeja me gji, më duhej ti jepja lamtumirën “, kështu fillon të tregojë historinë e saj të dhimbshme Daniela Efremovska nga Sveti Nikole, një nënë e re që sot ka një buzëqeshje në fytyrën e saj, por pranon se pas gjithçkaje që përjetuan me bashkëshortin e saj Dimitar, ende nuk mund ta besojë se Mihaili, biri i tyre, drita e tyre e diellit është këtu, në krahët e tyre  dhe i rrethuar nga dashuria dhe përkushtimi më i madh prindëror.

Mihaili tani është tre muajsh, dhe tek ky hero i vogël nuk duket aspak se jeta e tij pak kohë më parë varej në fije të perit, dhe aq më pak mund të vërehet se për më pak se 24 orë pas ardhjes së tij në jetë, tek ai është kryer operacion në zemër. Mihaili nuk e di dhe me siguri nuk do ta mbajë mend, por mami dhe babi do të kujtojnë ditën kur ai lindi dhe ditën kur Dr. Zhan Mitrev dhe ekipi i tij i dhanë atomin e fundit të energjisë dhe dijes së tyre që zemra e Mihailit të vogël të vazhdojë të rrahë edhe më fortë, dhe më mirë, dhe më e sigurt. Nëna dhe babi thonë se Mihaili e kishte të shkruar nga Zoti të jetonte por për të është gjetur edhe “ilaçi” siç shprehet ajo: “ Za Mihail imal vek no imal i lek”.

“Pas lindjes, pas rreth gjashtë orësh më thanë që foshnja duhet të çohej urgjentisht në Shkup, ndërkohë që lindja u bë në Shtip. Ata nuk ishin të sigurt nëse bëhej fjalë për defekt në zemër apo nëse ai kishte pirë nga lëngu amniotik. Foshnjën e nisën për në ambulancën e  qytetit të Shkupit, ndërsa unë vazhdoja të qëndroja në spital. Në mbrëmje ata më kontaktuan dhe më thanë që ndoshta nuk ka defekt në zemër, por këtë gjë do të ma konfirmonin të nesërmen në mëngjes.
Kam pasur një shtatzëni normale. Është fëmija im i dytë dhe të gjitha kontrollet e shtatzënisë i kam kryer rregullisht, sikurse edhe me shtatzaninë e parë, prandaj, as që e mendoja se mund të kishte ndonjë problem. Të nesërmen, rreth orës 8 të mëngjesit, ata më kontaktuan dhe më thanë: bashkëshorti të vij urgjentisht në Shkup sepse foshnja ka defekt në zemër dhe do të dërgohet në klinikën e Dr. Zhan Mitrev, dhe se aty do të na thonë saktësisht se për çfarë bëhet fjalë. Ata thanë se është e mundur që të bëhet fjalë për transpozim të enëve të gjakut. Dhe atëherë dëgjova atë që nuk dëshiroj dhe nuk uroj asnjë prind ta dëgjojë, mjekët pediatër në Shtip më thanë se meqë kisha dhe një fëmijë tjetër,  të gjithë përkushtimin dhe vëmendjen duhet ta fokusoja aty, pasi sipas përvojave të tyre të deritanishme për një defekt të tillë të zemrës nuk kishte zgjidhje. Ata më thanë që të përgatitem për më të keqen. Mbeta në gjendje shoku, kjo ishte një tronditje tepër e madhe për mua… Telefonova bashkëshortin, operacioni kishte filluar tashmë, dhe unë i thashë të mos presë, i thashë t kthehet, pasi këtu më kishin thënë se nuk kishte shpresë … “, me lot në sy Daniela tregonte historinë e saj të dhimbshme, e cila nuk mund të dilte nga spitali pasi nuk kishin klauar as 24 orë pas lindjes.

“Ata më vendosën në një dhomë të veçantë, isha vetëm. Mihailin as që e kisha parë, nuk e kisha ushqyer me gji, dhe më thanë që duhet të përshëndetem me të”, thotë kjo nënë e re, duke shtuar: “Kisha një lindje shumë të lehtë dhe mendoja se gjithçka do të shkonte në mënyrë të përsosur, madje kisha filluar t’i lajmëroja të afërmit se isha bërë me djalë, se gjithçka ishte siç duhet, kur sa hap e mbyll sytë nisi ankthi i jetës tonë. Atëherë kur njeriu shpreson dhe pret më të mirën, pikërisht atëherë ndodh e kundërta. Para se të niseshin për në Shkup, më lejuan që ta shikoja, Mihaili kishte marrë ngjyrë të errët, ngjyrë mavi, madje nuk dukej sikur të ishte e njejta foshnje që më kishin vënë në gjoks pas lindjes ”.

Nuk kishte mbushur as 24 orë, por tregoi se është një hero i shkëlqyeshëm. Me një zemër të torturuar dhe të dobët, por një dëshirë të madhe për jetën. Operacioni i rëndë bëhet në mëngjes.

“Bashkëshorti gjatë operacionit ishte këtu, në Zan Mitrev Clinic, pasi përfundoi gjithçka, i thanë  se edhe megjithëse ishte në gjendje të qëndrueshme,  48 orët e para ishin kritike dhe se pas asaj periudhe mund të jepej prognoza e parë. Gjatë asaj kohe kërkova të lirohesha nga spitali, në mënyrë që të mund të vij në Shkup dhe të isha pranë fëmijës tim. Të gjithë më thanë se ishte një fat i madh që ai kishte lindur me peshë 4.1 kg dhe se ishte një fëmijë i madh dhe i fortë. Në ditën e 13-të më lajmëruan dhe më thanë se mund ta takoja, kështu që qëndruam së bashku për rreth dhjetë ditë.

Mihaili është tani një fëmijë i shëndetshëm, dhe për faktin që është një hero i shkëlqyeshëm flet vetë beteja të cilën ai e fitoi me meritën më të madhe, betejën për jetën e tij. Ndoshta ai nuk mund ta tregojë vetë historinë e tij, por nëse diçka nuk i shkon sipas dëshirës, fillon të qajë dhe di ta lëshojë zërin deri në qiell. Ai është vetëm tre muajsh, por ka përparim dhe zhvillim të mirë, madje edhe kokën arrin ta mbajë drejt.

Mihaili është drita jonë, ai e zgjodhi vetë emrin e tij

“Gjatë momentit kur i bënim banjë, e fshihnim atë nga vajza e vogël që të mos e shikonte plagën në trupin e tij, dhe të mos friksohej. Ajo është vetëm 5 vjeç dhe nuk arrin ta kuptojë atë që ka kaluar vëllai i saj i vogël. Edhe pse nuk kemi biseduar për Mihailin në prani të saj, ajo diçka parandjente dhe vazhdimisht i këndonte: “Ti Mihail ke një zemër të madhe”.

Mihaili është zemra jonë, guximtari ynë, por doktor Zhan Mitrev është heroi ynë, thonë mami Daniela dhe babi Dimitar.

“Nuk ka fjalë me të cilat mund të shprehim mirënjohjen tonë për gjithçka që ai ka bërë për ne. Çdo mëngjes, ndërsa ishim në spital, vinte të na takonte, na jepte shpresë se fëmija ynë do të shpëtonte. Operacioni ishte i rrezikshëm sepse Mihaili ishte shumë i vogël, por kjo ishte një situatë e ngjashme me luftën, dhe kur përreth ke luftëtarë të mirë gjithçka është më e lehtë. Këtu çdo operacion, çdo kontroll, çdo intervenim është luftë për jetën. Pa ekipin e Dr. Mitrev mendoj se nuk do ta kishim fituar këtë betejë. Profesionistë të vërtetë. Ata i dhanë jetë me profesionalizmin e tyre, me disponueshmërinë e tyre 24/7. Madje, disa  herë na kanë telefonuar për të pyetur si është Mihaili, çfarë bën, më kanë dhënë këshilla. Dr. Mitrev na tha se Mihaili pas operacionit do të këtë një jetë normale dhe sinqerisht ne besojmë në fjalët e tij” – shprehen njëzëri Daniela dhe Dimitar, edhe pse pranojnë faktin se për atë që kanë përjetuar do t’iu duhet kohë për ta harruar.

“Ne përpiqemi të bëjmë një jetë normale, por do të duhet shumë kohë për të harruar atë që kemi përjetuar. Reagojmë në çdo zhurmë apo tingull. Në fillim madje kisha shumë frikë ta mbaja në krah, kisha frikë se mos e lëndoja. Jemi me fat që kemi mjekë të tillë që janë këtu për gjithçka që na nevojitet, kështu që unë pa asnjë dyshim bëj atë që më thonë. Ata e dinë punën e tyre dhe unë vetëm i respektoj dhe praktikoj këshillat e tyre” – thotë Daniela, nëna e Mihailit.

Pjesë e kësaj bisede ishte edhe babai i cili nuk mundi të thoshte asnjë fjalë gjatë bisedës përsa i përket periudhës kur ai nuk dinte nëse djali i tij do të shpëtonte, dhe nuk dinte se si ishte bashkëshortja e tij e cila sapo kishte lindur dhe gjendej akoma në spital.

“Më e keqja ka perfunduar, por ende më pikëllojnë fjalët e vajzës time Nina, e cila është vetëm 5 vjeç dhe edhe pse nuk e kuptonte se çfarë po ndodhte, ajo më pyeste: “Babi pse je i trishtuar?!” – thotë Dimitar, duke shtuar:” Në vend të gëzimit dhe festës, ne gjithë atë periudhë e kaluam në lotë. Atë që ne përjetuam nuk i’a dëshiroj as armikut”.

Historia e lindjes dhe ankthit është vërtetë rrënqethëse dhe askush nuk mund të sillet me indiferencë. Ndaj këtij rrëfimi, çdo zemër e ngurtë bëhet e ndjeshme, por nga ana tjetër historia e emrit të Mihailit është vërtetë e interesante. Ai do të quhej Milan, në nder të klubit të preferuar të futbollit të babit Dimitar , por kjo ishte një dëshirë e babit, jo e të gjithëve.

“Do ta kishim quajtur Milan, por meqenëse lindi më 19 nëntor dhe operacioni u krye me datë 20 pikërisht në ditën e festës  Arhangel Mihail, nuk u menduam dy herë, kështu, dëshira për ta quajtur Milan mbeti thjeshtë një dëshirë. Ai vetë e zgjodhi emrin e tij, ne duhej vetëm ta konfirmonim. Tani do të festojmë dy ditëlindje, ditën kur ai ka lindur dhe ditën kur ai është bërë operacion”, thotë mami Daniela, e cila gjithashtu na tha se ajo është në kontakt me një grup prindërish kroatë që kanë fëmijë me të njëjtin problem shëndetësor si dhe Mihaili. Ajo kishte kontaktuar me një nënë, foshnja e së cilës lindi në muajin gusht dhe operacioni i tij u krye në Austri.

Kur i thashë që ne operacionin e kemi bërë në Shkup në Zan Mitrev Clinic, ajo mbeti pa fjalë, nuk mund ta besonte se çfarë klinike kemi ne këtu” tregon Daniela duke shtuar: “sikur vetëm ta dinit se sa herë kam pyetur veten çfarë ndodhi. Përse?! Përse mua, ku gabova, thoja me vetë mos e gjithë kjo ka të bëjë me vitet, mos ndodhi për këtë arsye, për atë arsye…  Por rëndësi ka që më e kaqja kaloi, dhe për faktin që tani Mihaili gjendet në krahët tanë i jemi mirënjohës doctor Zhan Mitrevit dhe të gjithë ekipit mjekësor të këtij spitali”.

Ajo thotë, falë doktor Mitrevit fëmija i saj është këtu, pranë duarve dhe zemrës së saj. Tani mund ti gëzohen jetës, sëbashku përjetuan gëzimin e daljes së dhëmbit të parë, të provojnë purenë e parë …

Babi Dimitar ishte pak më i tërhqur, jo sepse nuk donte të fliste dhe të ndante përvojën e tij, por sepse kishte një “shtrëngim” në gjoks dhe në fyt. Në fund, me lot në sy ai citoi vajzën e tij pesë vjeçare Nina, e cila thotë: “Unë i dua mamin, babin dhe Mihailin deri në fund të botës”, duke shtuar: “Kështu thotë Nina, dhe ne i themi falë doktor Mitrev, të cilit I jemi mirënjohës deri në pafundësi”.

Nëse mendoni se Mihaili është një fëmijë i urtë dhe i torturuar, të jeni të sigurtë se nuk është aspak kështu. Ndoshta ju nuk mund ta dëgjoni, por ai na ka treguar më së miri se është i pranishëm këtu, i fortë dhe plotë jetë. I urojmë jetë të gjatë dhe plot shëndet ketij heroi të vogël, me zemër të fortë dhe të guximshme!