00389 2 3091 484
Mars 03,2022
Pas shumë vitesh përpjekjesh të vazhdueshme për të gjetur një zgjidhje për problemin e tij – kraharorin e shtypur nga brenda, Z. Driton Memedovski kërkoi zgjidhje në spitalin tonë. Përkatësisht, ai kishte një deformim të lindur të gjoksit, “pectus excavatum”, ose i njohur si kraharor i shtypur nga brenda. Ky deformim është në fakt një gjendje në të cilën sternumi është i futur brenda gjoksit. Në raste të rënda, duket sikur kocka e gjoksit të jetë e hequr, duke krijuar një gropë të madhe në kraharor.
Edhe pse vërehet menjëherë pas lindjes, kjo gjendje përkeqësohet veçanërisht pas periudhës së adoleshencës dhe pasojat e saj mund të përparojnë më tej në jetë. Si gjendje shfaqet më shpesh tek meshkujt sesa tek vajzat.
Përveç problemit vizual, manifestohet edhe me probleme të rënda në frymëmarrje dhe në funksionin e zemrës, siç ishte rasti i pacientit tonë 28-vjeçar. Sipas tij, vitin e fundit ai është shtruar disa herë në spital për shkak të problemeve me frymëmarrjen dhe ritmin e zemrës. Dritoni u ankua se përveç këtyre simptomave, ai po përballej me një çrregullim të rëndë të cilësisë së përgjithshme të jetës, për këtë arsye po përpiqej të gjente një zgjidhje të përhershme. Edhe pse i thanë se nuk ishte e mundur, ai nuk u dorëzua.
Dritoni, u paraqit në Spitalin klinik Zhan Mitrev, dhe menjëherë pas ekzaminimeve të nevojshme, akademiku Dr. Zhan Mitrev dhe ekipi i tij kanë kryer me sukses operacionin për korrigjimin e këtij deformiteti të lindur. Intervenimi është bërë me implantimin e shufrës metalike pektus-bar e cila u modelua para operacionit sipas nevojës për drejtimin normal të kockës së kraharorit të pacientit.
Kjo shufër metalike u vendos dhe u fiksua përmes dy prerjeve të vogla prej 3 cm secila nën sqetull që janë pothuajse të padukshme. Pas disa vitesh nga kryerja e operacionit, kjo shufër hiqet dhe gjoksi mbetet i korrigjuar përgjithmonë. Kthimi në formën normale të kraharorit tashmë ka mundësuar funksionimin normal të zemrës dhe mushkërive të këtij pacienti të ri.
Z. Memedovski tashmë po përmirësohet në shtëpi dhe siç na tha është shumë i kënaqur dhe mirënjohës për punën e bërë nga ana e mjekëve të Spitalit klinik Zhan Mitrev.
Ne i urojmë pacientit tonë edhe shumë vite jetë aktive dhe plot shëndet.