Sindroma Vagale – humbja kalimtare e vetëdijes

Doza e shëndetit ditor

30 Qershor, 2025

Humbja kalimtare e vetëdijes, e njohur edhe si sinkopë vazovagale ose refleksive, është një gjendje që ndodh për shkak të rëniejes së presionit arterial të gjakut të shkaktuar neurologjikisht ose ngadalësimit ekstrem të ritmit të zemrës. Djersitja, ndryshimet në shikim dhe zhurma në veshë paraprijnë menjëherë humbjen e vetëdijes. Gjatë sinkopës, edhe pse rrallë, nuk duhet lënë pa përmendur se gjithashtu mund të shfaqen lëvizje të pavullnetshme të muskujve skeletorë.

Ekzistojnë disa lloje të sinkopës refleksive:
-Vazovagale
-Situacionale
-Sinkopa e sinusit karotid.

*Sinkopa vazovagale zakonisht shkaktohet nga stresi intensiv emocional, dhimbja intensive ose qëndrimi i zgjatur në këmbë.
*Sinkopa situacionale ndodh gjatë urinimit, kollitjes ose gëlltitjes.
*Sinkopa e sinusit karotid ndodh për shkak të presionit mbi sinusin karotid në qafë.

Gjatë sinkopës, ka një ngadalësim neurogjenik të ritmit të zemrës, zgjerim të enëve të gjakut dhe një rënie të presionit arterial të gjakut.
Diagnoza e sinkopës është klinike, e bazuar në simptoma dhe bëhet pasi të jenë përjashtuar të gjitha shkaqet e tjera të njohura për humbjen e vetëdijes.

Simptomat

Episodet e sinkopës zakonisht kanë tendencë të përsëriten, zakonisht në rastet kur personi i predispozuar është i ekspozuar ndaj shkaktarëve specifikë. Simptomat ndodhin pak para humbjes së vetëdijes dhe përfshijnë të përziera, një ndjesi nxehtësie ose të ftohti ekstrem, të shoqëruara me djersitje intenzive, zhurmë në veshë, shqetësim në zonën e zemrës, konfuzion, ndryshime në shikim, vështirësi në të folur dhe dobësi të përgjithshme. Simptomat bëhen më intenzive pak para humbjes së vetëdijes. Sinkopa zakonisht shfaqet/ndodh kur qëndroni në këmbë.

Shkaqet

Sinkopa refleksive ndodh si rezultat i mosfunksionimit të mekanizmave rregullatorë përgjegjës për kontrollin e ritmit të zemrës dhe presionit të gjakut arterial. Ngadalësimi i ritmit të zemrës dhe rënia e presionit të gjakut rezultojnë në uljen e furnizimit me gjak në tru, gjë që çon në humbjen e vetëdijes. Shkaqet e sinkopës vazovagale janë qëndrimi i zgjatur në këmbë, stresi emocional dhe dhimbja. Sinkopa refleksive ndodh gjatë ose menjëherë pas urinimit (sinkopa e urinimit), gjatë kollitjes, përtypjes ose kur ngrihet një ngarkesë e rëndë. Presioni mbi sinusin karotid në zonën e qafës gjithashtu çon në sinkopë.

Patofiziologjia e sinkopës

Pavarësisht nga shkaktari, mekanizmat që çojnë në shfaqjen e sinkopës janë të ngjashme në pothuajse të gjitha sindromat sinkopale. Nën ndikimin e shkaktarëve të ndryshëm, aktivizohen pjesë specifike të trungut të trurit, të cilat çojnë në aktivizimin e sistemit nervor parasimpatik dhe frenimin e tij. Rezultati i kësaj është një spektër përgjigjesh hemodinamike: një përgjigje kardio-frenuese, e cila karakterizohet nga një ulje e ritmit të zemrës dhe kontraktimit, e cila çon në një ulje të rendimentit kardiak, i cili është shkak i mjaftueshëm për të rënë në gjendje të fikti (humbje të vetëdijes). Kjo përgjigje rezulton kryesisht nga aktivizimi i sistemit nervor parasimpatik. Në anën tjetër të spektrit është përgjigja vazodepresore, e shkaktuar nga një rënie e presionit të gjakut, nën 80/20, një fenomen që ndodh si pasojë e zgjerimit të enëve të gjakut.

Diagnoza

Testi i animit/pjerrësimit: Bazohet në ndryshimin e qëndrimit të trupit nga shtrirë në këmbë;
Monitorimi Holter;
Ekzaminimet elektrofiziologjike dhe neurofiziologjike (encefalografia, potencialet e evokuara/nxitura).

Trajtimi

Trajtimi bëhet me anë të modifikimit të stilit të jetesës, aktivitetit fizik të përshtatshëm, marrjen e ekuilibruar të lëngjeve dhe kripërave, shmangien e shkaktarëve specifikë që çojnë në sinkopë.
Individët të cilët kanë histori të përsëritura të sinkopës duhet të informohen/edukohen se si të njohin simptomat prodromale dhe kështu të shmangin lëndimet nga rrëzimet duke marrë një pozicion të sigurt ulur ose shtrirë.
Doza adekuate e ilaçeve antihipertensive mund të ndihmojë gjithashtu.
Tek disa pacientë me sinkopë vazovagale kardioinhibitore, mund të merret në konsideratë implantimi i stimuluesit kardiak të përhershëm.

Për diagnozë dhe trajtim të saktë, rezervoni terminin tuaj në 02/3091-484