00389 2 3091 484
Shtator 09,2024
Fëmijët që kanë zhvillim të vonuar të të folurit shpesh paraqesin një dilemë diagnostike për mjekët se kur dhe sa herët duhet të fillojnë me shqyrtime , apo duhet pritur deri në vitin e 3-të të jetës së fëmijës, për të parë nëse do të ketë një zgjidhje spontane të gjendjes (e cila është e zakonshme tek fëmijët deri në moshën 3 vjeç).
Mjekët pediatër propozojnë kritere të përcaktuara sipas të cilave duhet të udhëhiqemi në shqyrtimin e gjendjes së një problemi zhvillimor të të folurit. Vlerësimi fillestar pediatrik përfshin kategorizimin e formës dhe shkallës së vonesës së të folurit.
Forma parësore e vonesës së të folurit nënkupton një shqetësim si të të folurit shprehës ashtu edhe atij receptiv, ndërsa forma dytësore manifestohet si pjesë e humbjes së dëgjimit, dëmtimit intelektual, spektrit autik, të folurit të dëmtuar fizikisht ose mutizmit selektiv.
Për më tepër, vlerësimi pediatrik përfshin përcaktimin e formës dhe ashpërsisë së deficiteve gjuhësore dhe të të folurit, të cilat grupohen në tre shkallë: forma e lehtë, e mesme dhe forma e rëndë.
Një vlerësim më gjithëpërfshirës dhe më i thellë nënkupton zbulimin e kushteve komplekse neurologjike, sëmundjeve metabolike, infeksioneve, intoksikimeve, por edhe çrregullimeve të izoluara si anomalitë e veshit, hundës dhe fytit, shurdhim sensorineural ose gjendjeve psikiatrike si autizmi, ADHD dhe çrregullim i përhapur i ndjekur nga deficit kognitiv.
Baza për një diagnozë të mirë është anamneza – historia mjekësore e fëmijës dhe e të dhënave për sëmundjet familjare, e ndjekur nga një vlerësim neurologjik, morfologjik dhe një vlerësim/ekzaminim i veshit, hundës dhe fytit.
Grupi i dytë i shqyrtimeve përfshin teste të synuara posaçërisht për vlerësimin neurozhvillues, vlerësimin psikiatrik të ndjekur nga audiometria, elektroencefalografia dhe rezonanca magnetike.
Forma e lehtë e vonesës së të folurit përfshin fëmijët mbi 1 vjeç që ende nuk flasin dhe fëmijët mbi 2 vjeç që kanë filluar të flasin me 3-6 muaj vonesë. Në këtë grup përfshihen edhe fëmijët që kanë filluar me një formë të lehtë belbëzimi.
Forma e ndërmjetme përfshin fëmijët deri në 3 vjeç që flasin me vështirësi, fëmijët nga 1-3 vjeç që ende nuk flasin dhe fëmijët që belbëzojnë për një kohë të gjatë, por nuk kanë frenim të të folurit.
Forma e rëndë përfshin fëmijët nën 5 vjeç që kanë të folur të pakuptueshëm ose nuk flasin, dhe një formë të rëndë belbëzimi që shoqërohet me frikë dhe pengon të folurit.
Pas përcaktimit të problemit, vijon terapia ekipore, e cila perfshin trajtim logopedik, psikologjik dhe terapi nga ana e mjekut neuropediatër. Në të njëjtën kohë, monitorimi dhe vlerësimi i rregullt i gjendjes bëhet përmes formave të ndryshme të testimit/shqyrtimit që ofrojnë udhëzime për ndryshimin dhe përmirësimin e opsioneve të trajtimit.