Rivaskularizimi i plotë i arterieve tek sëmundjet koronare të zemrës

Doza e shëndetit ditor

Maj 05,2024


Çfarë është sëmundja e arterieve koronare dhe si shfaqet ajo?

Sëmundja e arterieve koronare shkaktohet nga ateroskleroza që prek arteriet koronare dhe çon në ngushtimin e lumenit të tyre ose në raste më të rënda çon në nivelin e bllokimit të plotë. Në fazën fillestare të sëmundjes manifestohet me dhimbje gjoksi, shtrëngim në kraharor, gulçim dhe në faza të avancuara të sëmundjes, bllokimi çon në infarkt, i cili manifestohet me dhimbje dhe aritmi të forta dhe mund të rezultojë me pasoja fatale për shkak të ndërprerjes së funksionit të zemrës.

Cilat janë zgjidhjet e mundshme?

Trajtimi i sëmundjes së arterieve koronare në fazat më të hershme të sëmundjes përbëhet nga masa parandaluese dhe trajtim medikamentoz. Ndërsa, në fazat më të avancuara të sëmundjes, është e nevojshme të merren masa më agresive për të parandaluar ecurinë e sëmundjes dhe trajtimin e saj, për të parandaluar shfaqjen e atakut në zemër dhe përfundimit të mundshëm fatal. Në rrethana të caktuara dhe në një fazë të hershme të sëmundjes, përdoret stentimi i arteries koronare, e cila është një procedurë invazive e vendosjes së stentit në arterien koronare për të hapur ngushtimin ose bllokimin. Stentimi koronar është veçanërisht i rëndësishëm në infarktin akut të miokardit, duke hapur kështu arterien koronare të bllokuar që ka çuar në infarkt dhe duke parandaluar kështu komplikacionet më të rënda nga infarkti.

Kur sëmundja koronare prek dy ose më shumë arterie koronare, ajo quhet sëmundje koronare difuze. Në atë rast, zgjedhja e vetme e trajtimit është me ndihmën e trajtimit operativ të sëmundjes koronare, apo të ashtuquajturit operacion “bypass” të zemrës. Kirurgjia bypass përfshin anashkalimin e pjesës së sëmurë të arteries koronare – të ngushtuar ose të bllokuar. Në operacionin bypass përdoren enët venoze të gjakut nga vetë pacienti, nga këmba e majtë apo e djathtë, të cilat vendosen në zemër, nga aorta në zemër dhe për këtë quhet bypass aorto-koronar. Këto enë gjaku venoz kanë një jetëgjatësi të kufizuar, pas disa vitesh zakonisht bllokohen edhe ato, ndaj duhet bërë rioperim për të vendosur bypass të rinj aorto-koronar.

Në spitalin tonë, si procedurë standarde, për kryerjen e bypass-it të arterieve koronare përdoren arteriet e vetë pacientit, duke përdorur arterien radiale të majtë nga parakrahu i majtë dhe dy arterie të brendshme torakale/mamare, majtas dhe djathtas. Ky operacion bypass quhet rivaskularizimi i plotë arterial (foto 1 dhe 2). Është teknikisht më e vështirë për t’u kryer, por avantazhet janë të shumëfishta. Avantazhi më i madh është fakti se urat apo anashkaklimet e bëra duke përdorur arteriet e vetë pacientit janë shumë më afatgjata/janë të përhershme.

Është vërtetuar shkencërisht se gjatë përdorimit të arteries torakale/mamare të majtë dhe të djathtë, edhe pas 15 vitesh tek më shumë se 95% të pacientëve, arteriet mbeten funkcionale, duke shmangur kështu nevojën për rioperim. Një avantazh i dytë është se shmang manipulimin e aortës ascendente të pacientit, e cila mund të ndikohet edhe nga ateroskleroza, duke shmangur kështu komplikimet siç është shfaqja e infarktit. Së treti, venat e këmbëve ruhen për përdorimin e tyre të mundshëm në rast të shfaqjes së prolemit të arterieve të këmbëve, për operacionin bypass të këmbëve. Gjithashtu zvogëlohet numri i plagëve operative, shmanget prerja kirurgjikale në këmbë, e cila mund të shkaktojë probleme me shërimin dhe shfaqjen e infeksioneve të mundshme të atyre plagëve.

Rivaskularizimi i plotë i arterieve është një procedurë standarde operative në spitalin tonë. Për informacion më të detajuar në lidhje me procedurën, mund të kontaktoni kirurgët tanë kardiovaskular përmes e-mailit ose të bëni rezervimin e konsultës tuaj në 02 3091 484.

Dr. Nikolla Hristov
Specialist në kirurgjinë kardiovaskulare