Hipofiza dhe tumoret e hipofizës

Doza e shëndetit ditor

13 Korrik, 2020

Çfarë është hipofiza dhe ku ndodhet ajo ?

Hipofiza është gjëndër e cila ka madhësinë e një bizele, e vendosur në bazën e kafkës (poshtë trurit) dhe menjëherë prapa rrënjës së hundës. Ajo është e vendosur në mënyrë të sigurt në një zgavër kockore të quajtur sella turcica, dhe është e lidhur me hipotalamusin (një pjesë të trurit) nga një fije e hollë. Gjëndra e hipofizës quhet edhe gjëndra kryesore (master), sepse praktikisht kontrollon metabolizmin, rritjen, pjekurinë seksuale, riprodhimin, presionin e gjakut dhe proceset e tjera fiziologjike jetësore si dhe funksionet e tyre.

Cilat hormone sekretohen nga gjëndra e hipofizës?

Për shkak të llojit dhe funksionit të qelizave nga të cilat është e përbërë, gjëndra e hipofizës ndahet në dy pjesë – anën e përparme (anteriore) dhe lobin e pasëm (posterior).

Hormonet e lobit anterior të gjëndrës së hipofizës:

  • Hormoni i rritjes – rregullon rritjen dhe zhvillimin fizik gjatë moshës fëmijërore. Mund të stimulojë rritjen e pothuajse të gjitha indeve në trup, por objektivat kryesorë janë kockat dhe muskujt.
  • Hormoni stimulues i tiroides – aktivizon dhe i jep urdhër gjëndrës tiroide të sekretojë hormone. Gjëndra juaj tiroide dhe hormonet që ajo sekreton janë jetike për funksionimin e duhur të metabolizmit tuaj.
  • Hormoni adenokortikotrop – stimulon gjëndrën mbiveshkore për të prodhuar hormone. Kortizoli i sekretuar nga gjëndrat mbiveshkore i ashtuquajtur “hormoni i stresit” është thelbësor për mbijetesën – sepse ndihmon në rregullimin e presionit të gjakut, luan rol në metabolizmin glicemik dhe sekretohet intensivisht nga stresi.
  • Hormoni stimulues i folikulit – është i rëndësishëm për prodhimin e spermës tek meshkujt, dhe stimulon vezoret për të prodhuar estrogjen dhe për të zhvilluar qelizat vezore tek gratë.
  • Hormoni luteinizues – stimulon prodhimin e testosteronit tek meshkujt dhe çlirimin e qelizës vezore (ovulacionin) tek gratë.
  • Prolaktina – mundëson prodhimin e qumështit tek gratë pas aktit të
  • Hormoni stimulues Beta-Melanocyte – stimulon rritjen e pigmentimit të lëkurës tuaj gjatë ekspozimit ndaj rrezeve UV.

Hormonet në lobin e pasëm të gjëndrës së hipofizës:

  • Vazopresin – apo i njohur më mirë si hormoni anti-diuretik, siguron ekuilibrin e ujit dhe rezervon ujin në trup, si dhe vlerat e natriumit në gjak, duke parandaluar kështu dehidratimin e trupit.
  • Oksitocina – stimulon lëshimin e qumështit nga gjiri, por gjithashtu stimulon kontraktimet e mitrës tek gratë gjatë aktit të lindjes.

Çrregullimet e hipofizës

Lloji më i zakonshëm i çrregullimit të hipofizës është tumori beninj – adenoma. Përveç adenomave, disa nga gjendjet më të zakonshme janë kranofaringioma, sindroma Empty sella, sindroma Sheehan, neoplazia e shumëfishtë endokrine, hipofiziti limfocit, hipofiza postoperative, tumori malinj.

Tumoret beninje të hipofizës (adenoma)

Këto tumore janë mjaft të shpeshta tek popullata më e rritur, quhen adenoma, dhe nuk janë tumore të trurit! Shpesh këto adenoma ekzistojnë për shumë vite para se të diagnostikohen, dhe disa prej tyre ndonjëherë nuk shkaktojnë simptoma dhe mbeten të pazbuluara. Ekzistojnë dy lloje të adenomave të hipofizës – funksionale dhe jofunksionale. Ato funksionale prodhojnë një sasi të rritur (zakonisht të tepërt) të një ose më shumë hormoneve, ndërsa ato jofunksionale nuk prodhojnë hormone.

Problemet e shkaktuara nga adenomat e hipofizës zakonisht ndahen në tre grupe:

  • Hipersekretimi i hormonit – kur një ose më shumë hormone prodhohen në sasi të mëdha, në këtë rast bëhet fjalë për adenomë funksionale.
  • Mungesa e hormoneve – Sekretimi i pamjaftueshëm ose mungesa e plotë e ndonjë hormoni të caktuar është shkaktuar nga adenoma e madhe e hipofizës që shtyp indin e shëndetshëm të hipofizës dhe kështu ndikon në aftësinë e gjëndrës për të sekretuar hormone.
  • Efektet e masës së tumorit – Ndodh kur adenoma e hipofizës rritet në mënyrë të pakontrollueshme, shtrihet dhe shkakton presion mbi strukturat përreth trurit, mund të shkaktojë dhimbje koke dhe shqetësime vizuale.

Cilat janë simptomat e tumoreve të hipofizës?

Simptomat e shkaktuara nga tumori i hipofizës ndryshojnë në varësi të madhësisë së tumorit dhe sekretimit të mundshëm të hormoneve. Lista e simptomave të mundshme është e gjatë, dhe mund të përfshijë: dhimbje koke, dëmtim të shikimit, lodhje, marramendje, cikël të çrregullt menstrual tek gratë, mosfunksionim seksual tek meshkuj. Simptomat specifike të cilat varen nga sekretimi i tepërt i hormoneve janë unike dhe lehtësisht të dallueshme nga endokrinologët. Më shumë rreth këtyre kushteve do të shpjegohen në artikujt vijues.

Si diagnostikohen tumoret e hipofizës?

Pasi të keni identifikuar simptomat, mjeku juaj endokrinolog do të përshkruaj testet e duhura hormonale. Ai më pas do t’ju rekomandoj kryerjen e rezonancës magnetike (MRI) të gjëndrrës së hipofizës, në mënyrë që të bëjë  vlerësimin e plotë të gjëndrës.

Cili është trajtimi për tumoret e hipofizës?

Trajtimi varet nga lloji i tumorit, madhësia e tij, simptomat që shkakton, mosha e pacientit dhe shëndeti I tij i përgjithshëm. Endokrinologu juaj do të marrë parasysh të gjitha këto aspekte dhe do të punojë me ju për të marrë vendimin e duhur dhe të bëhet zgjidhja e trajtimit të duhur.

Dr. Nadica Bozhinovska

Specialiste endokrinologe