Si të përballeni me stresin

Doza e shëndetit ditor

10 Dhjetor, 2020

Ritmi i jetës moderne dhe sfidat e përditshme e bëjnë të domosdoshëm menaxhimin e stresit.

Për të kontrolluar stresin, së pari duhet të identifikoni shkaqet. Çfarë ju bën të ndiheni të zemëruar, të tensionuar ose të shqetësuar? Keni dhimbje koke të shpeshta ose dhimbje stomaku pa ndonjë arsye mjekësore?

Disa faktorë të stresit mund të identifikohen lehtësisht, siç janë presioni apo stresi i punës, problemet e marrëdhënieve me partnerin/en ose problemet financiare. Por shqetësimet e përditshme, të tilla si pritjet e gjata në radhë ose vonesa në takime të ndryshme, gjithashtu kontribuojnë në rritjen e nivelit të stresit.

Edhe ngjarjet pozitive, të tilla si martesa ose blerja e një shtëpie, mund të jenë stresuese. Çdo ndryshim në jetën tuaj mund të shkaktojë stres.

Pasi të keni identifikuar shkaktarët e stresit tuaj, mendoni për strategjinë dhe mënyrën për t’u përballur me to.

Fillimisht duhet të identifikoni se çfarë është ajo që ju vetë mund ta kontrolloni. Për shembull, nëse stresi ju pengon të flini, zgjidhja mund të jetë e lehtë, për shembull mund të hiqni televizorin dhe kompjuterin nga dhoma e gjumit dhe ti mundësoni mendjes të qetësohet para se të flini.

Ndonjëherë, kur stresi shkaktohet nga papunësia ose sëmundja e ndonjë personi të dashur, ju mund të ndryshoni vetëm reagimin tuaj.

Ju nuk duhet të zgjidhni vetë gjithçka. Kërkoni ndihmë dhe mbështetje nga familja dhe miqtë tuaj, nëse keni nevojë për dikë që t’ju dëgjojë, ta çojë fëmijën tuaj diku, ose t’ju çojë në punë nëse makina juaj është në servis për riparim.

Disa praktika të tilla si: joga, frymëmarrjet e thella, meditimi apo shëtitjet nëpër vende të qeta, ndikojnë pozitivisht tek shumë persona.

Është e nevojshme që ti kushtoni kohë dhe vëmendje vetes tuaj. Shijoni ndonjë masazh relaksues, bëni banjë në vaskë me shumë shkumë, vallëzoni, dëgjoni muzikë, shikoni ndonjë komedi – bëni gjithçka që do t’ju ndihmojë për tu çlodhur.

Jeta e shëndetshme do t’ju ndihmojë të menaxhoni stresin. Konsumoni një dietë të shëndetshme, kryeni rregullisht ushtrime dhe flini mjaftueshëm. Mundohuni të kaloni më pak kohë para TV, tabletit, kompjuterit dhe telefonit – dhe të kaloni më shumë kohë duke u relaksuar.

Stresi nuk do të largohet nga jeta juaj, kështu që menaxhimi i stresit duhet të jetë i vazhdueshëm.

Duke identifikuar shkaqet e stresit tuaj dhe duke praktikuar mënyra për t’u çlodhur, ju mund të luftoni disa prej efekteve negative të stresit dhe të rrisni aftësinë tuaj për tu përballur me stresin.