00389 2 3091 484
21 Dhjetor, 2020
Për pacientët me infeksione të rënda, madje edhe lëvizjet më të vogla mund të jenë të mundimshme dhe të shkaktojnë rënie të shpejtë të nivelit të oksigjenit. Për këtë arsye, rehabilitimi duhet të bëhet gradualisht nëpërmjet procesit për kthimin e lëvizshmërisë, duke filluar nga ulja në shtrat, qëndrimi në këmbë, dhe ecja sipas tolerancës së pacientit.
Në cilat kushte mund të ndihmojnë fizioterapistët tek pacientët e shtruar në spital me COVID-19?
Niveli i ulët i oksigjenit në gjak – Personat me infeksion të rëndë ndaj COVID-19 vuajnë nga nivele të ulëta të oksigjenit. Pacientët me gulçim kanë funksion të dëmtuar të mushkërive, për shkak të të cilit nuk ka qarkullim adekuat të oksigjenit në trup dhe në të gjitha organet e rëndësishme. Prandaj, terapia me oksigjen luan një rol shumë të rëndësishëm në fillimin e trajtimit të këtyre pacientëve.
Në rastet mesatare deri në ato të rënda të COVID-19, rekomandohet pozicioni në të cilin pacienti qëndron i shtrirë në bark. Ky pozicion mund të rrisë nivelin e oksigjenit në gjak, sepse me këtë pozicion, nën presionin e gazrave të brendshëm në gjoks, hapen pjesët më të largëta të mushkërive, gjë që mundëson ventilim më të madh dhe shkëmbimin e duhur të gazrave në të gjithë mushkërinë. Është e rëndësishme të theksohet se janë vërejtur të dhëna të përmirësimit edhe tek pacientët e tjerë me sëmundje mesatare ose të lehtë të cilët mund të jenë në gjendje të shtrihen edhe vetë në bark.
Problemi më i madh në pacientët me COVID-19 është gulçimi dhe sekretimi pulmonar, si mund të ndihmohen këta pacientë?
Shumica e pacientëve me COVID-19 kanë kollë të thatë, por disa studime gjithashtu tregojnë se ka pacientë me sekrecione pulmonare dhe për këtë arsye kanë nevojë për trajtim spitalor. Tek këta pacientë kryhet kullimi postural, në kombinim me goditje (perkusion) dhe vibroterapi, në mënyrë që të evakuohet sekretimi pulmonar dhe të lirohet hapësira për oksigjen në kraharor.
Terapia perkusione (me goditje) është një teknikë e cila përdoret në zonën e gjoksit për të shkëputur sekrecionet pulmonare dhe lëvizur nga pjesët bazale të mushkërive në rrugët e sipërme të frymëmarrjes në mënyrë që pacienti ta nxjerrë atë më lehtë.
Një terapi shtesë mund të jetë vibroterapia, dmth. në thelb bëhet fjalë për përdorimin e një pajisjeje vibruese (masazh vibrues) me një numër të përshtatshëm të vibrimeve dhe zonën e përshtatshme të kokës, për përdorim mjekësor.
Në procesin e trajtimit të gulçimit, pacientët marrin udhëzime nga fizioterapistët për të kryer ushtrime të përshtatshme të frymëmarrjes që do t’i ndihmojnë ata të heqin qafe sekrecionet e mbetura në mushkëri. Do të këshillohen të përdorin një sërë pozicionesh për të zbatuar teknikat e relaksimit të frymëmarrjes dhe aktivitetin e duhur gjatë gjithë ditës.
Dobësimi i ekstremiteteve të sipërme dhe të poshtme – rehabilitimi post-traumatik. Fokusi më i madh i fizioterapisë në periudhën e pandemisë është rikthimi i lëvizshmërisë së pacientëve me sëmundje kritike sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo ndodhë kur pacientët janë të përgatitur për aktivitet fizik. Fillimisht mund të kryhen ushtrime të thjeshta (pasive ose aktive ose aktive me ndihmë) mund të kryhen për të lëvizur krahët, këmbët dhe trupin në shtrat. Në këtë proces, gjëja më e rëndësishme për fizioterapistin është të monitorojë shenjat vitale: ngopjen periferike – nivelin e oksigjenit, shkallën e frymëmarrjes, rrahjet e zemrës dhe presionin e gjakut, me qëllim për të vlerësuar tolerancën e pacientit ndaj aktivitetit fizik.
Procesi i rehabilitimit varet nga gjendja e pacientit. Ndjenja e lodhjes dhe dobësisë ndodh tek 40% të pacientëve, kështu që fizioterapistët duhet të bëjnë plane individuale të rehabilitimit me seanca të shkurtra ushtrimesh, në kombinim me modalitetet e tjera të fizioterapisë sipas aftësive të pacientit. Disa pacientë kanë probleme me konfuzion dhe ankth të shkaktuar nga deliri i mëparshëm, prandaj për ta është më e vështirë që të futen në procesin e rehabilitimit.