00389 2 3091 484
21 Janar, 2021
Në të gjithë botën, por edhe në vendin tonë, sëmundjet malinje së bashku me sëmundjet kardiovaskulare janë shkaqet kryesore të vdekjes. Kanceri i qafës së mitrës është lloji i shtatë më i zakonshëm i kancerit dhe është shkaku i katërt më i zakonshëm i vdekjes tek gratë të cilat vuajnë nga kanceri. Statistikat tregojnë se vitet e fundit numri i grave me këtë diagnozë është rritur ndjeshëm. Kështu, në vitin 2020, rreth 604,000 gra janë diagnostikuar me kancer në qafën e mitrës dhe rreth 342,000 gra kanë humbur jetën nga kjo sëmundje. Këto shifra janë arsye e mjaftueshme për t’u përqëndruar në këtë problem global të shëndetit.
Në përballjen e kancerit të mitrës dhe organeve të riprodhimit, Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC) është ajo që drejton strategjinë globale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe rekomandon aktivitete sensibilizuese.
Çfarë duhet të dimë?
Kanceri i mitrës është një nga llojet e kancerit që mund të parandalohet dhe trajtohet në mënyrën e duhur për faktin se për fat të mirë dihet shkaku kryesor, i cili është HPV (Human Papilloma Virus).
Ekziston vaksina e duhur kundër formave me rrezik të lartë të HPV, dhe programet e skrining gjithashtu mund të zbulojnë simptomat në fazë të hershme duke mundësuar kështu reagimin në kohë për trajtimin e duhur të sëmundjes.
Fatkeqësisht, edhe pse infeksionet HPV ndodhin tek rreth 80 përqind e të gjithë personave të cilët kanë jetë seksuale aktive, simptomat mund të mungojnë dhe partnerët mund të mos jenë të vetëdijshëm se janë infektuar derisa kanceri të ketë arritur një fazë të përparuar.
HPV në përgjithësi shkakton ndryshime në qelizat e qafës së mitrës, të cilat mund të shkaktojnë zhvillimin e neoplazmës intraepiteliale të qafës së mitrës, e cila më pas mund të çojë në shfaqjen e kancerit. Kanceri i qafës së mitrës mund të manifestohet me gjakderdhje vaginale.
Simptomat e para të njohura të sëmundjes janë:
– shkarkim i ujshëm ose i përgjakshëm i vaginës, i bollshëm dhe me erë të pakëndshme,
– gjakderdhja vaginale gjatë dhe pas marrëdhënies seksuale,
– gjakderdhje vaginale ndërmjet dy cikleve menstruale ose gjakderdhje pas menopauzës,
– menstruacionet janë më të rënda/bollshme dhe zgjasin më shumë se zakonisht,
– dhimbje të moderuara gjatë marrëdhënieve seksuale.
Prandaj, pavarësisht nëse ekzistojnë simptoma ose jo, shqyrtimet e rekomanduara, mbjelljet (swabs ) dhe ekzaminimet gjinekologjike duhet të bëhen rregullisht.