Zhan Mitrev: Ne vetëm trajtojmë, nuk bëjmë asnjë eksperiment

Ngjarje

20 Tetor, 2022

Rreth 95% e pacientëve që u pranuan në spital ishin në agoninë e vdekjes, të dërguar nga spitale të tjera dhe 75 për qind prej tyre u shëruan këtu. E vetmja gjë që dua është të vazhdoj të bëj atë që bëj më së miri dhe të përfundojë ky episod i pakëndshëm, thotë doktor Zhan Mitrev në një intervistë për MKD.mk.

Ju po kërkoni që të ndalojë transmetimin emisioni që inicioi hapjen e procesit ndaj jush. A është kjo një përpjekje për censurë?

-Jo në asnjë mënyrë. Unë e respektoj plotësisht lirinë e shprehjes dhe punën gazetareske. Por këshillat nga ekipi im ligjor janë të qëndrueshme dhe arsyeshme sepse kjo është gjuhë klasike e urrejtjes që përdoret kundër meje. Pas atij emisioni, ndaj meje ka nisur një procedurë dhe duhet të përdor të gjithë mekanizmat ligjore që më kanë mbetur si mundësi. Nuk bëhet fjalë për ndonjë censurë. Le të vendosë gjykata dhe unë do ta respektoj plotësisht vendimin e tyre.

Doktor Mitrev, kjo është dalja juaj e parë mediatike pas publikimit të informacionit për abuzime të supozuara në klinikën tuaj gjatë pandemisë Covid. Na tregoni si u reflektua tek ju e gjithë situata? A ka nisur proces prokuroria themelore publike për informacionin e publikuar?

-Po, ashtu është, nga njëra anë akuzat ishin aq të filmuara dhe nga ana tjetër aq joprofesionale dhe nuk doja që të futesha në asnjë sherr mediatik. Me përfshirjen e institucioneve, doja që ata të shihnin të gjithë dokumentacionin tonë, të shihnin të gjitha faktet dhe argumentet tona në mënyrë që të gjitha të diskutoheshin mbi atë bazë.
Nuk është e lehtë, kjo është për mua, për fat të keq, një përvojë e re jetësore. Asnjëherë nuk e prisja të gjendesha në këtë situatë ose të jem më i saktë, në asnjë moment nuk ndjeva se kisha bërë diçka për të cilën duhej të më ndodhte diçka e tillë. Është në natyrën time si qenie njerëzore të jap ndihme, ju e dini që këto duar kanë mbajtur mbi 20,000 zemra njerëzore dhe unë kurrë në asnjë rrethanë nuk kam bërë diçka të gabuar nga ana etike, dhe aq më pak diçka kriminale.
Po, kjo është dalja ime e parë në media. Thjesht do të them se kolegët tuaj kanë regjistruar një intervistë me mua më shumë se 90 minuta, por në emisionin e tyre kanë shfrytëzuar më pak se 1 minutë. Megjithatë, unë jam kardiokirurg, nuk jam gazetar që të vlerësoj punën tuaj, por tani shohim fuqinë që ka media dhe çfarë mund të shkaktojë ajo, e cila gjithashtu është për tu respektuar.
Megjithatë, prokuroria ka hapur hetime, çka do të thotë se nga hetimet paraprake janë shfaqur disa dyshime të bazuara.

Mundohem ta pranoj realitetin dhe e di që institucionet punojnë në nivelin më të lartë të mundshëm dhe pres një marrëdhënie pozitive. Pohoj me përgjegjësi se në klinikën tonë nuk ka as një milimetër vend për gabim mjekësor, qoftë edhe në gjendjen e jashtëzakonshme kur kemi të bëjmë me pandeminë e Covid.

Teza kryesore ishte se ju keni përdorur një metodë të përdorimit të supozuar eksperimental, pra një studim klinik të metodës së hemofiltrimit tek pacientët me Covid-19 në Spitalin Klinik Zhan Mitrev. A e keni bërë paralelisht me hemofiltrimin edhe studimin klinik?

-Fillimisht, më duhet t’u shpjegoj lexuesve se çfarë është studimi klinik. Kjo ka të bëj me futjen e një ilaçi ose agjenti të ri në trajtimin e pacientëve dhe kjo kryhet dhe organizohet nga prodhuesi i atij ilaçi ose agjenti. Studimi klinik organizohet nga prodhuesi i ilaçit, i cili është i detyruar t’ia raportojë atë studim MALMED ose institucioneve të tjera, dhe disa spitale ose mjekë e kryejnë atë sipas një protokolli të vendosur, dhe kështu rezultatet publikohen në revista mjekësore nëse diçka funksionon më mirë apo jep efekte të tjera.
Pra, edhe sikur të donim të bënim një studim klinik, nuk mundëmi, sepse ne nuk prodhojmë setin dhe filtrin e hemofiltrimit. Nga ana tjetër, kjo është bërë nga prodhuesi shumë kohë më parë. Hemofiltrimi është i lejuar që nga viti 1977 dhe ka një shenjë CE. Që nga viti 2008, ne si spital në vazhdimësi kemi blerë këto filtra nga një distributor i autorizuar në Maqedoni, i cili i ka kaluar të gjitha procedurat ligjore për regjistrim dhe leje për përdorimin e këtij mjeti në trajtimin e pacientëve të sëmurë rëndë.
Me hemofiltrim ne vetëm kemi trajtuar, nuk kemi bërë asnjë eksperiment apo provë klinike. Është vetëm një procedurë tjetër, një mundësi më shumë për të ndihmuar disa nga pacientët më të sëmurë. Por si shumë ilaçe dhe procedura të tjera në mjekësi, hemofiltrimi nuk është një shkop magjik që do të zgjidhë të gjitha problemet e pacientit.

Më vjen sinqerisht keq që për arsye të ndryshme një pjesë e publikut u manipulua, duke përdorur termin studim klinik për diçka që është e miratuar dhe që përdoret prej vitesh. Hemofiltrimi është një metodë shumë sovrane në trajtimin e pacientëve të sëmurë rëndë, ajo është një metodë që vërtet i shpëton jetën pacientit në numrin më të madh të rasteve, nëse përfshihet në kohë dhe nëse bëhet në mënyrë korrekte. Është për të ardhur keq që një procedurë e tillë mjekësore të diskreditohet në këtë mënyrë.

Që kur e përdorni këtë metodë në spitalin tuaj?

-Para pandemisë, në departamentin e kujdesit intesiv në vitin 2019 kemi kryer gati 200 hemofiltratime. Këta ishin kryesisht pacientë me dekompensim të rëndë të zemrës, të cilët njëkohësisht kanë funksion të dëmtuar të veshkave, diabet dhe me prirje të theksuar ndaj infeksioneve. Trajtimi i tyre i suksesshëm dhe stabilizimi i gjendjes shëndetësore është shumë më i vështirë pa aplikimin e metodës së hemofiltrimit.
Këtu më duhet të sqaroj diçka tjetër. Në kujdesin intensiv, ne nuk kemi trajtuar Covid 19, por kemi trajtuar pasojat dhe komplikimet që lindën si pasojë e këtij inflamacioni të rëndë viral. Në fakt, mekanizmi i sepsës është i njëjtë, i vetmi ndryshim ishte se u shfaq një virus i ri, i paparashikueshëm dhe shumë agresiv – Covidi- 19. Në përqindjen më të madhe të të gjithë pacientëve të infektuar, vetë organizmi e ka përballuar Covid-in, si me të gjitha infeksionet e tjera virale. Ata pacientë ishin të shëndetshëm në 5-10 ditë dhe shumë prej tyre nuk kishin asnjë simptomë. Por një pjesë më e vogël e pacientëve, të cilët pas infektimit me Covid kanë zhvilluar komplikime shumë të rënda, të cilat shkaktuan vdekshmëri të lartë. Ky është rasti me të gjitha infeksionet e tjera virale, por problemi këtu me virusin Covid ishte se ai u përhap shumë shpejt, një numër i madh i pacientëve u infektuan dhe kështu numri i pacientëve të komplikuar ishte nominalisht më i lartë. Të gjitha ato ndërlikime nga Covidi-19 kërkonin edhe trajtim intensiv, ndaj kudo në botë kishte problem me kapacitetet e shtretërve për trajtim intensiv. Si spital, ne kemi mbi 100 shtretër të kujdesit intensiv dhe ky ishte shansi i madh që një pjesë e madhe e të sëmurëve rëndë të mbijetonin.

Si spital, ne bëmë gjithçka që ishte e mundur që ata pacientë të merrnin trajtimin maksimal sipas të gjitha rregullave të terapisë intensive dhe me mjekësi të bazuar në fakte. Ecuria e sëmundjes tek disa pacientë ishte e paparashikueshme, siç haset rrallë në praktikën tonë mjekësore. Kishte periudha kur të gjithë ne, i gjithë stafi, ndiheshim të pafuqishëm dhe të dëshpëruar. Ne aplikuam të gjitha njohuritë dhe aftësitë tona, pasi kudo në botë u përpoqëm të gjenim një mënyrë, si t’i trajtojmë ata pacientë. Hemofiltrimi ishte vetëm një procedurë në sekuencën e trajtimit dhe mundësia për të rritur shanset e mbijetesës.

Dua të përsëris këtu se ne në vendin tonë e kemi përdorur metodën e hemofiltrimit në departamentin e terapisë intensive që nga viti 2008, për të cilën janë mbajtur takime profesionale për trajnimin dhe edukimin e përfaqësuesve nga klinikat shëndetësore publike dhe private. Këtu shtrohet pyetja nëse studimi klinik, siç thuhet në akuzat ndaj meje dhe Spitalit klinik Zhan Mitrev, është rast i sajuar dhe cilat janë motivet e tij? Filtri Oxyris ka filluar të përdoret për trajtimin e pacientëve me komplikacione nga Covid-19 në një sërë vendesh evropiane si Kina, Italia, Gjermania, Spanja, Kroacia, pas miratimit të lëshuar më parë nga FDA. A kanë bërë të gjitha këto vende studim klinik? A është miratimi i FDA një studim klinik? Përgjigja është shumë e qartë. Klinika Zhan Mitrev bazohet në funksionimin shumëvjeçar të ligjshëm, transparent, në shërbim të qytetarëve, në shërbim të mijëra pacientëve, të cilët besojnë në ekspertizën dhe cilësinë e këtij spitali. Mijëra qytetarë ia kanë besuar jetën stafit profesional në këtë klinikë dhe po aq qytetarë janë shëruar, duke përdorur teknologjinë më moderne, testet dhe terapitë më të mira për mjekim dhe mbi të gjitha, staf profesional që punon pa u lodhur dhe gjatë gjithë kohës. çdo jetë njerëzore që ka kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin tonë.

Si do t’i përgjigjeni faktit që një numër i madh i pacientëve me Covid që u shtruan në spitalin tuaj, iu nënshtruan hemofiltrimit në një numër shumë më të madh se sa objektet e tjera shëndetësore në vend?

-Duhet të jemi të saktë me statistikat, bëhet fjalë për jetë njerëzish. Rreth 95% e pacientëve që u shtruan në spitalin tonë kishin pasqyrë më të rëndë klinike dhe saturim në kufirin ndërmjet jetës dhe vdekjes. Tek ne erdhën pacientët më të vështirë që tashmë ishin trajtuar në institucione të tjera dhe që siç thashë ishin në gjendje jashtëzakonisht të rëndë.
Përqindja e pacientëve të shëruar që tani janë në shtëpi me familjet e tyre është 75%. Këta janë pacientët e shtruar me një pasqyrë klinike të rëndë dhe një shkallë shumë të ulët mbijetese. Krahasuar me statistikat zyrtare, vdekshmëria totale në Maqedoni nga e gjithë popullata e të infektuarve është 51%. Në spitalin tonë, shkalla e vdekshmërisë së pacientëve të selaktuar/përzgjedhur aktualisht të trajtuar në kujdesin intensiv është 25%. Ky fakt flet për suksesin e klinikës, ekipit mjekësor dhe trajtimin e aplikuar për komplikacionet e infeksionit Covid-19.

Në Spitalin klinik Zhan Mitrev janë pranuar për trajtim gjithsej 1738 pacientë, prej të cilëve 625 i janë nënshtruar trajtimit Covid-19, pra 35% e numrit të përgjithshëm të pacientëve të pranuar. Të gjitha ishin sipas indikacionit të rreptë mjekësor të mjekëve të specializuar në trajtimin intensiv dhe anestezi. Të gjithë ata janë të edukuar zyrtarisht për aplikimin e kësaj metode në trajtim. Nëse do të bënim biznes me hemofiltrimin, siç përpiqen të na akuzojnë, atëherë do të ishte e logjikshme që ta kishim aplikuar për të gjithë pacientët 100%!?

Le të bëjmë një krahasim, statistikat e publikuara në Kinë, e cila është edhe vendi i parë që aplikoi metodën e hemofiltrimit për trajtimin e komplikimeve tek pacientët me Covid. Përvojat mjekësore nga Kina tregojnë se vdekshmëria tek pacientët me pasqyrë klinike të rëndë është ulur 30% falë metodës së hemofiltrimit. Detyra jonë parësore si mjekë, por mbi të gjitha si njerëz, është të shpëtojmë jetë. Në fakt, është detyrimi ynë ligjor që të zbatojmë standardet më të larta dhe metodat më moderne në trajtimin e pacientëve. Ku është gabimi këtu?

Tani puna jonë, ajo për të cilën kemi punuar dhe investuar prej vitesh, specializimet, mijëra jetë të shpëtuara, mijëra pacientë të kuruar që sot po e shijojnë jetën, vihen në pikëpyetje për shkak të manipulimeve dhe përpjekjeve për të më dëmtuar mua, klinikën dhe të gjithë ekipin e mjekëve dhe personelin mjekësor.

Megjithatë, doktor, ju e promovuat disi këtë metodë të hemofiltrimit në publik si metodë shpëtuese. Nuk mendoni se keni bërë gabim në këtë pjesë?

-Iu prezantua publikut si një opsion, një mundësi që pacientët e sëmurë rëndë të kenë një shans për të mbijetuar pas komplikimeve të rënda nga infeksioni me Covid-19. U konfirmua, por asnjëherë nuk u tha se ishte zgjidhja e të gjitha problemeve të shkaktuara nga Covid. Fatkeqësisht, disa pacientë erdhën shumë vonë, për disa rrjedha e komplikimeve ishte e paparashikueshme pavarësisht të gjitha përpjekjeve.
Por kjo metodë përdoret dhe do të vazhdojë të përdoret për pacientët me sëmundje të rëndë. Për shkak se nuk ka mundësi tjetër për pacientët me insuficiencë akute të veshkave, pacientët me pneumoni të rëndë dhe sepsë si pasojë e shkaqeve të ndryshme, sepse kjo procedurë zëvendëson funksionin e veshkave dhe me ndihmën e kësaj terapie, të gjitha substancat toksike largohen nga gjaku i organizmit të njeriut.

Hemofiltrimi si metodë kryhet duke përdorur filtra të veçantë, në kombinim me solucione sterile të posaçme për këtë procedurë. Gjaku i mbushur me toksina kalon nëpër filtrin që mban toksinat dhe gjaku i pastruar kthehet në organizmin e njeriut. Virusi Covid-19 nuk është një gjendje infektive e zakonshme, përkundrazi, në prapaskenën e kësaj sëmundjeje vihet re një përgjigje inflamatore-imune mbi të gjitha ndaj endotelit të enëve të gjakut në të gjithë organizmin, e cila rezulton në çlirimin e markerave inflamatore apo të toksinave në gjak, për shkak të të cilave gjendja e pacientëve shpesh përkeqësohej me shpejtësi dhe fatkeqësisht disa prej tyre kanë rezultuar me vdekje. Hemofiltrimi si metodë e pastrimit të gjakut është treguar se largon substancat toksike tek pacientët në gjendje të rëndë dhe kritike me komplikacione të Covid-19. Këtë e tregojnë fakte të shumta jo vetëm nga Maqedonia, por edhe në një numër të madh të vendeve evropiane ku kjo metodë është aplikuar me sukses.

Tani ne i shohim gjërat nga një prizëm tjetër. Kujtoni si ishte gjatë pandemisë Covid-19. Njerëzit ishin në panik, të pashpresë, duke u lutur për një shtrat të lirë, të cilin jo gjithmonë e kishim. Njerëzit po vdisnin kudo nëpër spitale. Statistikat e jetëve të humbura publikoheshin çdo ditë. Ishte e tmerrshme.
Pohoj me përgjegjësi se çdo pacient i vetëm në qendrën e Covid-it të klinikës sonë është trajtuar sipas gjendjes dhe indikacioneve të përcaktuara për aplikimin e hemofiltrimit.
E di që kolegët e mi që aktualisht po analizojnë zhvillimet këtu janë profesionistë të lartë që e dinë se nuk ka gabim mjekësor në procedurë. Dhe nëse përdorimi i hemofiltrimit tashmë vihet në dyshim, nuk ishte vetëm spitali ynë që e përdori atë.

Segmenti i dytë për të cilin u akuzuat ishin infeksionet intraspitalore, sa raste të tilla kishte në klinikën Zhan Mitrev? A ka mbajtur klinika evidencë për këtë, a keni dokumentacion?

-Dhe kjo është një gjendje shumë delikate që edhe tek vetë mikrobiologët dhe klinicistët, që merren vetëm me këtë çështje, çon në polemika dhe diskutime, çfarë është dytësore, çfarë është intraspitalore, e cfarë është superinfeksion. Kur një terminologji kaq delikate mjekësore dhe shumë e specializuar vendoset në media dhe para njerëzve të thjeshtë, merr një imazh krejtësisht të deformuar.
Pacientët që trajtuam, përveç komplikimeve të shkaktuara nga virusi Covid, u trajtuan të gjithë me doza të mëdha antibiotikësh dhe kortikosteroide. E gjithë kjo ishte arsyeja që këta pacientë ishin në gjendje të rëndë dhe mungesë të imunitetit, dhe si pasojë e imunitetit kaq të ulur u shartonin (shfaqeshin) infeksione bakteriale shtesë. Zakonisht këto janë baktere, të cilat pacientët i kanë në organizmin e tyre dhe me imunitet normal janë të padëmshme, por kur imuniteti dështon plotësisht, siç ka ndodhur me disa pacientë me Covid, atëherë ato baktere bëhen të rrezikshme dhe shkaktojnë të ashtuquajturin superinfeksion. Kështu, nga përdorimi i pakontrolluar i antibiotikëve, disa baktere shkatërrohen, por mbijetojnë ato të cilat janë multirezistente, të cilat më tej vënë në rrezik jetën e pacientit.

Kjo është arsyeja pse infeksionet janë të pashmangshme në trajtimin klinik dhe këtë e di çdo mjek dhe infermier. Për shkak të natyrës së tyre, ato janë të zakonshme gjatë trajtimit në çdo spital në botë. Veçanërisht në departamentet e kujdesit intensiv, ku pacientët i nënshtrohen shtrimeve të gjata dhe trajtimit invaziv. Është një problem i njohur në mbarë botën dhe ishte veçanërisht problematik për pacientët me Covid. Po, kemi pasur edhe pacientë të tillë, kanë ardhur nga spitale të tjera, në gjendje katastrofike.

Tek të gjithë ata pacientë kemi bërë shumë herë analiza mikrobiologjike, urinokultura, hemokultura. Ne luftuam për ata pacientë dhe asnjërit prej tyre nuk i ka munguar kujdesi dhe përpjekja maksimale nga ana e stafit për t’iu ofruar ndihmë. Kemi zbatuar procedurat për mbrojtje dhe izolim, jemi i vetmi spital që kemi pasur presion negativ në të gjitha dhomat ku ka pasur pacientë me Covid. Për këtë kemi dokumentacionin e duhur, të cilin e kemi dorëzuar në institucione. Se si ka qenë në spitalet e tjera, nga kanë ardhur pacientët, e dimë vetëm nga disa fotografi, të cilat na i kanë dërguar disa nga familjarët e pacientëve për t’i transferuar tek ne për mjekim.

Sipas studimeve të disponueshme, prevalenca e infeksioneve dytësore, intraspitalore apo superinfeksioneve, në njësitë e kujdesit intensiv tek pacientët me Covid, të cilat janë publikuar në literaturën mjekësore, varion nga 9.3% në 87%. Për shembull, në Belgjikë, infeksioni dytësor është shfaqur tek 68% e pacientëve të testuar, në Britaninë e Madhe tek 30.6%, në Francë kjo përqindje është 27% e pacientëve të testuar. Një studim në Kinë ka zbuluar se infeksioni dytësor është shfaqur tek 86.8% të pacientëve të testuar që u shtruan në spital për më shumë se 72 orë. Sigurisht që në këto botime janë përdorur tregues të ndryshëm dhe metoda të ndryshme, por shihet se problemi është i qartë.

Por pyetja nuk është nëse ka apo jo infeksione në spitale, por nëse janë respektuar protokollet, nëse është raportuar siç duhet si detyrim?

– Nuk kam dëgjuar që ndonjë nga këto spitale, që publikojnë këto rezultate, të ndiqet penalisht, thua se kanë faj për ato përqindje të larta. Në mesin e pacientëve tanë, të cilët u vendosën në hemofiltrim, ishte 24% dhe i gjithë dokumentacioni mjekësor është dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë.

Ju akuzuan se ke bërë shumë para, se keni përfituar nga pacientët, se keni marrë 12 mijë euro për hemofiltrim?

-Po, ato janë akuzat që më prekin më shumë sepse janë krejtësisht të rreme. Nga viti 2009, çmimi i trajtimit në kujdesin intensiv për një ditë qëndrimi në spital është 600 euro dhe nuk ka ndryshuar deri më sot. Gjithashtu, çmimi i një hemofiltrimi, i cili zakonisht zgjat 48 orë, kushton 3000 euro. Të njëjtat çmime mbetën kur u shfaq korona. Asgjë nuk ka ndryshuar dhe asnjë çmim i vetëm nuk është rritur. Përkatësisht, për shkak të ashpërsisë së sëmundjes dhe kohëzgjatjes së paparashikueshme të trajtimit, pacientët kanë deponuar 12 mijë euro për 10 ditë trajtim intensiv dhe dy hemofiltrime të mundshme. Por ishte vetëm një depozitë, nëse pacienti qëndronte 5 ditë dhe nuk kishte nevojë për hemofiltrim, i ngarkoheshin 3000 euro dhe pjesa tjetër e depozitës i kthehej. Kështu ka ndodhur për të gjithë pacientët dhe gjithçka ndiqet nga dokumentacioni dhe llogaritë fiskale. Asnjë pacient i vetëm nuk ka paguar asnjë euro më shumë.
Eksperti i pavarur ekonomik i konfirmoi këto gjëra dhe llogaritë se kostot materiale për një hemofiltrim kapin shifrën rreth 2400 euro, pra ajo që ne ngarkojmë është rreth 25 % më shumë. Ku qëndron biznesi i madh këtu?

Dhe një gjë tjetër, gjatë asaj kohe në kujdesin intensiv kemi trajtuar njëqind shtetas të huaj nga Anglia, Gjermania, Italia, Zvicra dhe vende të tjera evropiane. Nga të gjitha ato shtete të ndryshme dhe të gjitha kompanitë e ndryshme të sigurimit, çdo ditë mjekët tanë kontaktoheshin nga ekspertët e tyre, të cilët interesoheshin për të siguruarit e tyre për mënyrën e trajtimit. Ata ishin ekspertë në terapinë intensive dhe kanë pyetur absolutisht për çdo gjë të vogël dhe në bazë të mendimit dhe miratimit të këtyre ekspertëve, kompanitë e sigurimeve paguanin faturat jashtë vendit. Të gjithë, ndër të tjera, u befasuan pozitivisht që këtu kemi edhe mundësinë e hemofiltrimit për pacientët e tyre, nuk kishin ankesa për trajtimin e përgjithshëm dhe të gjitha ato kompani të ndryshme sigurimesh nga të gjitha këto vende të ndryshme, pa përjashtim, kanë paguar faturat deri në qindarkën e fundit.

A ka ndonjë shqyrtim dhe ekspertizë më të madhe se kjo. A do të lejonte dhe paguante ndonjë kompani sigurimesh nëpërmjet ekspertëve të saj çdo procedurë që është e pazakontë në trajtimin e këtyre pacientëve?

A do të ndryshonit ndonjë gjë në qasjen tuaj si mjek, ndoshta më pak pacientë ose përdorim më pak të shpeshtë të hemofiltrimit? Si do të vepronit sot?

-Klinika Zhan Mitrev ekziston dhe punon për pacientët, ne jemi një institucion shëndetësor privat, por mbi të gjitha jemi mjekë që ende besojmë në Betimin e Hipokratit. Ne jemi punonjës shëndetësorë, të cilët gjatë pandemisë harruam rrugën për në shtëpi, familjet dhe të dashurit e tanë dhe iu përkushtuam pacientëve këtu, në këtë klinikë. Madje edhe kur përqindja e pacientëve të sëmurë rëndë u rrit dhe kur të gjitha ambientet e tjera spitalore u mbyllën ose u kthyen në qendra COVID, pavarësisht kësaj, tek ne të gjitha departamentet punonin normalisht. As atëherë, e aq më pak tani, asnjë pacient nuk është kthyer pa u ekzaminuar apo pranuar në spital dhe pa i’u dhënë ndihma e nevojshme mjekësore.

Ju më pyesni nëse do të ndryshoja ndonjë gjë nga kjo qasje, përgjigja ime është jo! Nuk do të ndryshoja asgjë në procedurën e trajtimit, as në mënyrën e trajtimit, as në kujdesin ndaj pacientëve, nuk do të lija asnjë pacient, pavarësisht se nga vijnë dhe çfarë sjellin me vete. Unë jam mjek dhe gjithë jetën ia kam kushtuar pacientëve. Kështu do të vazhdojë edhe më tej. Të gjitha akuzat për punën time dhe punën e klinikës do të hidhen poshtë, sepse thjesht e vërteta dhe drejtësia janë në anën tonë. Dhe faktet shkencore, sigurisht, sepse ky diskutim, për metodën, për filtrin, për trajtimin, për veprimet dhe procedurat duhet të bëhet në rrethe profesionale, ku ka njohuri shumë të kualifikuara. Publiku duhet të dijë për gjithçka që është bërë në klinikën tonë dhe ne i informojmë rregullisht. Por publiku nuk mund të gjykojë për këtë temë, prandaj ekzistojnë profesionistët e fushave të caktuara , dhe besoj se së shpejti do të zbulohet e vërteta për klinikën Zhan Mitrev, për mua si mjek, për hemofiltrimin dhe për gjithçka që kemi bërë, për të gjitha jetët që kemi shpëtuar gjatë tre viteve të fundit.

Gjithçka që dua tani është të vazhdoj të bëj atë që bëj më mirë. Gjithmonë kam menduar se puna ime si mjek është e mjaftueshme për kredibilitetin tim dhe ende mendoj kështu.

Brurimi: MKD.mk