Infeksionet respiratore virale tek fëmijët në periudhën vjeshtë-dimër

Doza e shëndetit ditor

6 Dhjetor, 2022

Me uljen e temperaturave të jashtme në periudhën e vjeshtës dhe të dimrit, ne përballemi me infeksione respiratore virale gjithnjë e më intensive tek fëmijët, të cilat janë përgjegjëse për më shumë se 80% të të gjitha infeksioneve të frymëmarrjes.

Faktoret e rrezikut

Infeksionet respiratore përhapen më lehtë në ambjentet e mbyllura ku qëndrojnë një numër i madh fëmijësh, siç janë ambientet kolektive, kopshtet dhe shkollat. Karakterizohen nga transmetimi i shpejtë, pra transmetohen shumë lehtë nëpërmjet pikave të sekrecioneve të shpërndara nga kollitja, teshtitja, pra kontakti i ngushtë i një personi të shëndetshëm me personin e sëmurë, si dhe objektet që ndodhen në mjedisin e afërt. Fëmijët janë ata që vazhdimisht kanë kontakt me gjithçka që i rrethon dhe mund të bien lehtësisht në kontakt me vetë infeksionin. Si faktor shtesë përfshihen edhe lagështia e ajrit dhe ndotja e ajrit.

Gjithashtu, infeksionet kanë frekuencë më të lartë për shkak të veçorive anatomike dhe funksionale të sistemit të frymëmarrjes tek fëmijët (diametri më i vogël i rrugëve të frymëmarrjes, sekretimi i madh i mukusit).

Gjatë pandemisë Covid, fëmijët ishin më shumë në shtëpi me më pak kontakte sociale dhe për rrjedhojë ishin më pak të ekspozuar ndaj patogjenëve të tjera të frymëmarrjes. Tani që situata me koronavirusin është stabilizuar dhe i jemi kthyer jetës normale, fëmijët janë bërë më të ndjeshëm ndaj viruseve të shumta të rrugëve të frymëmarrjes dhe si pasojë sëmuren më shpesh.

Shkaktarët më të shpeshtë të infeksioneve respiratore virale janë: virusi sincicial respirator (RSV), rinovirusi, adenovirusi, influenca A dhe B, parainfluenza.

Sa do të sulmohet organiymi I fëmijës nga këto infeksione varet në radhë të parë nga virulence (shkalla e patogjenitetit, kapaciteti i mikroorganizmit për të prodhuar sëmundje), nga pjekuria e sistemit imunitar, si dhe mënyra e jetesës dhe ushqyerjes së fëmijëve. Sa më të vegjël të jenë fëmijët, aq më i papjekur është sistemi i tyre imunitar. Është e zakonshme që një fëmijë parashkollor të vuajë nga infeksione akute të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes rreth 9 herë gjatë një viti kalendarik. Incidenca e tyre zvogëlohet me moshën.

Simptomat

Infeksionet virale respiratore zakonisht prekin rrugët e sipërme të frymëmarrjes dhe klinikisht manifestohen si: rinit, bajame, laringit, sinusit, si dhe rrugët e poshtme të frymëmarrjes që klinikisht manifestohen me bronkitit dhe pneumoni.
Në varësi të kohëzgjatjes, ato ndahen në infeksione akute dhe kronike.

Simptomat më të zakonshme të infeksioneve virale të frymëmarrjes tek fëmijët janë:

  • rrjedhje e hundës
  • sy të skuqur dhe të përlotur
  • dhimbje të fytit
  • teshtitje
  • kollë
  • temperaturë
  • rraskapitje, dhimbje të muskujve dhe kyçeve
  • dhimbje koke, nervozizëm
  • ulje të oreksit
  • skuqje të lëkurës

Fillimi i infeksionit viral manifestohet me rrjedhje të hundës, ngjirrje të zërit ose dhimbje në fyt, teshtitje, dhimbje koke të lehtë, rritje të temperaturës së trupit. Këto simptoma zakonisht zgjasin 3 deri në 5 ditë. Ato pasohen nga një kollë që në fillim është e thatë dhe më pas mund të jetë produktive. Simptomat zhvillohen me intensitet të ndryshëm dhe varen nga gatishmëria individuale e sistemit imunitar për të luftuar infeksionin. Infeksionet respiratore tek fëmijët më të rritur zakonisht manifestohen me simptoma të lehta krahasuar me foshnjat apo fëmijët më të vegjël, të cilat mund të shkaktojnë komplikime. Fëmijët lindin me antitrupa që i marrin në mënyrë transplacentare nga nëna.

Këto antitrupa pakësohen rreth muajit të katërt dhe kjo është periudha kur foshnja ka humbur antitrupat nga nëna dhe nuk ka krijuar ende antitrupat të veta. Pikërisht kjo është periudha më kritike tek foshnjat, prandaj nuk duhet të ekspozohen në tubime të mëdha ku ka një përqendrim të madh njerëzish dhe si pasojë sasia e viruseve është më e madhe dhe ka shumë probabilitet që të sëmuren, por kjo nuk do të thotë se duhet ti izoloni foshnjat plotësisht.

Tek infeksionet virale të frymëmarrjes, ajo që i tremb më shumë prindërit është rritja e temperaturës së trupit dhe si të përballen me të. Temperatura normale e trupit është 37 gradë e matur në mënyrë aksilare (nën sqetull) ose deri në 37,5 gradë e matur në mënyrë rektale.

Rrtija e temperaturës së trupit përfaqëson mekanizmin e parë mbrojtës të trupit në luftën kundër infeksionit duke vepruar në mënyrë të pafavorshme për zhvillimin e shumë viruseve (duke penguar që viruset ta sulmijnë organizmin) dhe është sinjali i parë i rëndësishëm në sistemin imunitar. Kur temperatura rritet në 38-38,5 gradë, aktivizohen mekanizmat imune që marrin pjesë në mbrojtjen e trupit. Nëse japim një antipiretik në temperaturë deri në 38,5 gradë, ka një përgjigje më të dobët ndaj vetë infeksionit dhe infeksioni mund të zgjasë më shumë. Prandaj, prindërit këshillohen të japin një antipiretik (ilaç për zbritjen e temperaturës) vetëm nëse temperatura është mbi 38.5 gradë.

Megjithatë, ajo që është e rëndësishme për mjekun pediatër është vetë ecuria e infeksionit, gjendja e përgjithshme e fëmijës, nëse ai përkeqësohet dhe nëse shfaqen simptoma shtesë të sëmundjes. Infeksionet virale zakonisht zgjasin 7 deri në 14 ditë.
Nëse simptomat zgjasin më shumë dhe prindi vëren sërish një rritje të temperaturës së trupit në një interval të shkurtër kohor, vështirësi në frymëmarrje, intensifikim të kollës, skuqje, të vjella, fëmija është adinamik dhe i dobët, si dhe nëse ka prani të simptomave të tjera që çojnë në përkeqësimin e gjendjes së pergjithshme, atëherë, të gjitha këto parametra duhet të paraqesin ALARM për prindin se diçka po ndodh me shëndetin e fëmijës së tyre.

Nëse simptomat zgjasin më shumë dhe prindi vëren sërish një rritje të temperaturës së trupit në një interval të shkurtër kohor, vështirësi në frymëmarrje, intensifikim të kollës, skuqje, të vjella, fëmija është adinamik dhe i dobët, si dhe nëse ka prani të simptomave të tjera që çojnë në perkeqesimin e gjendjes se pergjithshme të fëmijës, në këtë rast, të gjitha keto parametra duhet te paraqesin ALARM per prindin se dicka po ndodh në shëndetin e fëmijës së tyre. Këto simptoma janë shenja të një infeksioni të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes, prandaj nevojiten shqyrtime shtesë dhe të jepet trajtimi i duhur. Nëse është e nevojshme, duhet të kryhen analiza laboratorike për të bërë diferencimin ndërmjet infeksionit bakterial dhe viral.

Mënyra se si trupi do të përballet me infeksionin viral varet nga statusi imunitar i fëmijës. Sistemi imunitar është çelësi i të gjitha sëmundjeve, duke filluar nga ftohja e zakonshme deri te sëmundjet më të rënda.

Trajtimi dhe terapia

Trajtimi për infeksionet virale të frymëmarrjes është simptomatik. Prindërit këshillohen të jenë të durueshëm dhe të lejojnë të funksionojnë së pari mekanizmat e mbrojtëse natyrale të fëmijës.

Rekomandohet:

  • Dhënia e një antipiretiku të tipit paracetamol vetëm nëse temperatura është mbi 38.5 gradë.
  • Dush me ujë të vakët, asnjëherë me ujë të ftohtë sepse mund të çojë në ftohje të papritur të trupit dhe në shok të temperaturës.
  • Ftohje e trupit duke aplikuar një masazh me alkool mjekësor.
  • Larje e hundës me sprej (ujë deti) do ta ndihmojë fëmijën të marrë frymë më lehtë përmes hundës.
  • Rritja e konsumit të lëngjeve si çajrat, lëngjet, supat dhe solucionet e rihidrimit oral (elektrolite). Fëmijët zakonisht kanë oreks të reduktuar, kjo është normale, por para së gjithash duhet të sigurohemi që ata të pinë sa më shumë lëngje.
  • Ushqim i ekuilibruar me vitamina dhe minerale.
  • Pushim – pushimi do të ndihmojë në rikuperimin më të shpejtë të fëmijës.

Infeksionet virale nuk trajtohen anjëherë me antibiotikë. Antibiotiku funksionon vetëm nëse ka një infeksion bakterial, NUK FUNKSIONON TEK VIRUSET.
Nuk rekomandohet dhënia preventive e antibiotikëve. Përdorimi i tepërt i antibiotikëve çon në zhvillimin e rezistencës së baktereve, prandaj kemi mbërritur situatë ku duhet të japim antibiotik, por ai nuk jep rezultat ndaj infeksionin bakterial. Përdorimi joracional i antibiotikëve çon në shkatërrimin e baktereve të mira që gjenden në organizëm, në hundë, fyt, zorrë dhe në raste të tilla është shumë më e lehtë që bakteret patogjene të shkaktojnë sëmundje. Gjithashtu, antibiotikët dobësojnë më tej sistemin imunitar dhe nuk e ndihmojnë fëmijën të luftojë infeksionin. Për këtë arsye, antibiotiku jepet vetëm nëse ka nevojë për të.

Prindërit shpesh pyesin se çfarë të bëjnë për të rritur/forcuar imunitetin e fëmijës së tyre

Më efektive janë mënyrat natyrale të forcimit të imunitetit. Kjo do të thotë:
• Dietë e shëndetshme dhe e ekuilibruar, e pasur me proteina, vitamina dhe minerale. Konsum i shumë frutave dhe perimeve të freskëta.
• Ushqyerja me gji tek të porsalindurit dhe bebet.
• Qëndrim më i gjatë në ajër të pastër (në mal).
• Aktiviteti fizik i rregullt si dhe shëtitjet e përditshme do të kenë një efekt pozitiv në shëndetin e fëmijës.
• Gjumi me cilësi/i shëndetshëm.
• Zbatimi i masave elementare të higjienës (larja e rregullt e duarve, ajrimi i shpeshtë i ambienteve…)

Në periudhën vjeshtë-dimër, për shkak të prodhimit të pamjaftueshëm të vitaminës D përmes lëkurës nën ndikimin e diellit, në periudhat e ftohta të vitit nga muaji tetor deri në muajin prill rekomandohet marrja e vitaminës D. Vitamina D nuk është vetëm e rëndësishme për rritjen dhe zhvillimin e duhur të trupit të fëmijës, por ka një efekt të dobishëm edhe në sistemin imunitar. Gjithashtu, marrja e vitaminës C si një antioksidant thelbësor dhe kofaktor enzimë ndikon në mënyrë të favorshme në reaksione të shumta fiziologjike në trup, si dhe marrja e probiotikut.

Kombinimi i të gjitha këtyre masave të përmendura është një themel bazë që do të kontribuojë në forcimin e imunitetit tek fëmijët dhe në këtë mënyrë në trajtimin më të mirë dhe më të lehtë të infeksioneve virale të frymëmarrjes në këto ditë të ftohta.

Dr. Stanisllava Angjeleska
Specialiste pediatre