00389 2 3091 484
17 Gusht, 2023
Të gjitha qeniet njerëzore me funksion normal psikofiziologjik (brenda intervalit mesatar) kanë qarë ose do ta bëjnë këtë disa herë në jetën e tyre. Në fakt, kur një fëmijë lind, e qara është gjëja e parë që pritet dhe shenja e parë që trupi i foshnjës po funksionon siç duhet.
Të gjithë e dimë se e qara është një dukuri e natyrshme dhe se na ndodh në raste të ndryshme, kur kemi probleme me sytë, kruarje apo pickime, qajmë kur jemi të trishtuar apo të gëzuar. Por ajo që është e rëndësishme është të njohim mekanizmat dhe si të përfitojmë prej tyre.
Është e nevojshme të dallohen lotët fiziologjikë nga lotët emocionalë ose psikologjikë.
Lotët fiziologjikë janë ata që shërbejnë për të mbrojtur sistemin tonë të shikimit (sytë) dhe janë rezultat i reflekseve ose janë lubrifikantë.
Lotët lubrifikues janë lotët që vijnë nga kornea (xhami i syrit – pjesa e përparme dhe transparente e syrit), pastrojnë dhe mbrojnë syrin nga agjentët e jashtëm (si pluhuri, etj.). Përafërsisht 1 ml lot lubrifikues prodhohen çdo ditë.
Lotët reflektues na mbrojnë nga sulmet e jashtme si gazrat irritues ose substancat kimike. Këto janë lot që shfaqen për shembull kur qëroni qepë dhe përmbajnë një sasi të madhe antitrupash që do të mbrojnë syrin nga sulmet bakteriale.
Lotët emocionalë shfaqen para një emocioni të fortë, hipotalamusi ndërhyn në interpretimin emocional dhe është ai që u dërgon komanda organeve të syrit për të prodhuar lot. Sipas një studimi (Walter & Chip, 2006) me një shembull prej më shumë se treqind personash, meshkujt kanë lotë emocional mesatarisht një herë në muaj ndërsa femrat të paktën pesë herë në muaj, ndryshimi midis dy gjinive shpjegohet nga variacionet hormonale gjatë ciklit menstrual.
Cila është dobia e derdhjes së lotëve në një situatë me intensitet emocional? Zakonisht shfaqen në kontekstin e një situate të padëshiruar dhe të dhimbshme. Në këtë rast duket se sekretimi i lotëve ka funksion analgjezik dhe lehtësues.
Lotët emocionalë që derdhim ndaj një situate dramatike personale ose të dikujt tjetër mbartin një dozë të mirë të klorurit, kaliumit dhe manganit, endorfinës, prolaktinës, adrenokortikotropinës dhe leucine-enkefalinës (një qetësues natyral i dhimbjes).
Kur qajmë, truri konsumon një sasi të madhe glukoze dhe kur pushojmë së qari, ndihemi të lodhur dhe më të relaksuar sikur të kishim kryer aktivitet sportiv, gjë që mund ta inkurajojë trupin të pushojë në situata stresuese. Veç kësaj, vetë fakti i të qarit do të na bëjë të tërhiqemi në vetvete, të bëjmë reflektim personal dhe do të na lejojë të mbulojmë nevojën për të dëgjuar veten dhe për t’u kujdesur për veten në momente të caktuara, duke lënë mënjanë gjërat e tjera që na shqetesojnë çdo ditë.
Sigurisht që lotët kanë një funksion social adaptiv shumë të rëndësishëm, kur shohim të tjerët duke qarë e dimë se mund të kenë nevojë për ndihmë apo mbështetje ndryshe nga zakonisht.
Kështu, nëse shtojmë funksionin biologjik në kombinim me atë intrapersonal dhe relativ, lotët pas humbjes së një personi të afërt do të na ndihmojnë të kalojmë apo ti kapërcejmë ndjenjat emocionale (dhimbjen) më lehtë.
Kur përjetojmë një emocion gëzimi ekstrem, trupi ynë ndonjëherë e interpreton atë si diçka “të tepërt” dhe sistemin tonë emocional si humbje të kontrollit. Në këto rrethana, e qara ndihmon në rivendosjen e ekuilibrit emocional.
Disa njerëz vuajnë nga një sëmundje autoimune, sindroma Sjögren, që ka të bëj me thatësi të përhershme në kanalin e lotit. Por duke lënë mënjanë problemet e mundshme fiziologjike me prodhimin e lotëve, disa njerëz kanë probleme të qajnë kur përjetojnë humbje ose emocione të forta, të shoqëruara zakonisht nga paaftësia për të ndjerë trishtim. Kjo mund të jetë rezultat i një sërë arsyesh dhe shpesh lidhet me një përvojë të dobët me menaxhimin emocional në një kohë të caktuar (për shembull, nëse keni vuajtur nga depresioni i rëndë ose ndoshta keni një person të afërt dhe të dashur që vuan nga depresioni i rëndë), dhe si rezultat aktivizohet një frike të paarsyeshme ndaj të qarit.
Normat shoqërore ndikojnë gjithashtu në kultura të caktuara ku e qara shihet si diçka ‘e keqe’, dhe ka shumë kultura të tjera ku e qara konsiderohet si diçka e natyrshme dhe normale që nuk duhet ‘shtypur/ frenuar’. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të mësoni se si të qani kur është e nevojshme, sepse siç e përmendëm më lart, e qara (lotët) ndihmon në balancimin e shëndetit tonë emocional.
Ekspertët tanë në departamentin e psikiatrisë dhe psikologjisë janë në dispozicionin tuaj për konsultim dhe trajtim të të gjitha problemeve tuaja emocionale. Rezervoni konsultimin tuaj në 00389 2 3091 484