Çfarë është transplantimi i kërcit dhe kur është i nevojshëm?

Doza e shëndetit ditor

22 Janar, 2024

Transplantimi i kërcit është një trajtim që lejon zëvendësimin e zonave të dëmtuara të kërcit si pasojë e lëndimeve specifike, të cilat zakonisht ndodhin në ekstremitetet e poshtme.
Transplantimi i kërcit përdoret mbi të gjitha në rastet e dëmtimit të kërcit të kyçit të këmbës dhe gjurit. Normalisht, në zonat që mbajnë shumë ngarkesë, implantohen drejtpërdrejt copa/pjesë kockash dhe kërcesh ose kultivohen qelizat e kërcit.

Kërci është një ind shumë i rëndësishëm që siguron dinamikën e kyçeve. Mbulon skajet e kockave dhe ka një kapacitet të madh për të mbështetur, shpërndarë dhe transmetuar forca shtypëse të cilave u nënshtrohen kyçeve gjatë ditës ose gjatë aktiviteteve sportive. Pjesa e kontaktit të bashkimit është e lëmuar në skajet dhe është e lubrifikuar mirë, gjë që redukton fërkimin midis sipërfaqeve të kyçeve. Megjithatë, për shkak të përdorimit intensiv të kërcit, ai mund të dëmtohet dhe kjo mund të shndërrohet në një problem serioz. Në rastin e dëmtimit traumatik ose degjenerativ, mundësia e rigjenerimit është pothuajse e pamundur dhe kjo çon në osteoartrit dhe humbje të funksionit të kyçeve.

Qëllimi i transplantimit të kërcit është që materiali i implantuar të jetë i njëjtë me kërcin që do të zëvendësohet, duke reduktuar dëmtimet traumatike degjenerative. Në këtë mënyrë, ai do të integrohet në mënyrë të përkryer me indet ngjitur në nyje/kyçe dhe do të rivendosë sipërfaqen e fërkimit të kyçit.

Si kryhet transplantimi i kërcit?

Transplantimi i kërcit kryhet nëpërmjet artroskopisë, pra nëpërmjet 2 ose 3 prerjeve të vogla jo më shumë se një centimetër që lejojnë traumatologun të aksesojë lezionin. Me artroskopi do të hiqet pjesa e dëmtuar e kyçit. Kështu, me një teknikë të veçantë, pjesët e kockave dhe kërcit do të hiqen nga zonat e konsumuara/dëmtuara të kyçit dhe do të implantohen përsëri në zonën e dëmtuar. Si mënyrë kompensuese, pjesa e dëmtuar mund të implantohet në pjesën e shëndetshme, për t’i rezistuar mbingarkesës.

Në rastet e transplantimit autolog të kërcit, zona e dëmtuar lëmohet dhe materiali i kërcit nxirret për t’u përdorur tek vetë pacienti. Ky kërc duhet të rritet për rreth katër javë. Pas kësaj periudhe, qelizat e kërcit të kultivuara implantohen përsëri, me anë të kryerjes së artroskopisë së dytë, kështu që ato rriten për të riparuar dëmtimin/pjesën e dëmtuar.

Përgatitja për transplantin e kërcit

Përpara se të kryhet operacioni për transplantin e kërcit, mjeku specialist traumatolog duhet të vlerësojë ashpërsinë e dëmtimit. Rrezet X (radiografia) do të jetë teknika kryesore e përdorur për të diagnostikuar lëndimet e traumës në gju. Por ndonjëherë ndryshimet në kockë nuk janë të dukshme. Në raste të tilla do të jetë e nevojshme kryerja e rezonancës magnetike (MRI), e cila do të tregojë jo vetëm gjendjen e kërcit të gjurit, por edhe nëse ka dëmtime të tjera.

Nga ana tjetër, pacienti duhet të informojë edhe kirurgun për çdo medikament që ai merr që mund të ndikojnë në intervenim/operacion. Përveç kësaj, do të bëhen disa teste para operacionit për të vlerësuar shëndetin e pacientit, si EKG dhe teste laboratorike.

Kujdesi pas ndërhyrjes

Pas ndërhyrjes, pacienti duhet të dëgjojë rekomandimet e mjekut traumatolog në mënyrë që të shërohet siç duhet. Pas ndërhyrjes është normale që gjuri të jetë i fryrë, ndaj rekomandohet që pacienti të mbajë këmbën në pozicion të ngritur në ditët e para pas operacionit. Mund të mbani akull në zonën e operuar për të reduktuar inflamacionin/ënjtjen.

Në të njëjtën kohë, traumatologu dhe specialisti fizioterapistë do të rekomandojnë një seri ushtrimesh të personalizuara për rehabilitimin e pacientit. Kjo do të rivendosë në mënyrë progresive fleksibilitetin e zgjatjes/përkuljes dhe lëvizjen e gjurit, si dhe do të forcojë përsëri muskujt.

Alternativat e këtij trajtimi

Qëllimi i operacionit të transplantimit të kërcit është që indi i implantuar të integrohet në mënyrë perfekte me indet e tjera të nyjës së gjurit. Vitet e fundit janë zhvilluar procedura të ndryshme për riparimin e dëmtimeve të kërcit, si përdorimi i kondrociteve dhe qelizave të tjera, në kombinim me terapitë biologjike si terapia gjenetike. Kështu, konsiderohet se në të ardhmen do të mundësohet rigjenerimi i lëndimeve të gjurit. Megjithatë, këto janë lëndime të vështira për t’u trajtuar, dhe kanë pak kapacitet për rigjenerim me përdorimin e teknikave aktuale, ndaj parandalimi dhe transplantimi i kërcit janë zgjidhjet më të favorshme.