00389 2 3091 484
Maj 05,2022
Dita Ndërkombëtare e Infermierisë festohet çdo vit më 12 maj. Në të gjithë botën festohet për të shënuar kontributin e infermierëve në shoqëri. Për herë të parë në vitin 1974 u zgjodh 12 maji si dita që do të festohej, sepse pikërisht 12 maji është dita e lindjes së Florence Nightingale, e cila konsiderohet si infermierja e parë moderne. Çdo vit, ICN (Këshilli Ndërkombëtar i Infermierëve) përgatit dhe shpërndan materiale për këtë ditë të veçantë. Materialet përmbajnë informacione edukative dhe publike të synuara për përdorim nga infermierët në mbarë botën.
Profesioni i Infermierisë në sektorin e shëndetësisë është i fokusuar në kujdesin ndaj individëve, familjeve dhe komuniteteve në mënyrë që të gjithë të arrijnë, të ruajnë shëndetin dhe cilësinë optimale të jetës. Infermierët ndryshojnë nga ofruesit e tjerë të kujdesit shëndetësor në qasjen e tyre ndaj pacientëve, trajnimit dhe fushës së veprimit në praktikë. Ato ofrojnë kujdes në kuadër të rekomandimeve të mjekëve dhe ky rol tradicional ka formuar historikisht imazhin e infermierëve si ofrues të kujdesit shëndetësorë.
Shoqata Amerikane e Infermierisë thekson se infermieria është mbrojtja, promovimi dhe optimizimi i shëndetit dhe aftësive, parandalimi i sëmundjeve dhe lëndimeve, lehtësimi i vuajtjeve përmes diagnostikimit dhe trajtimit si reagim njerëzor, dhe mbrojtja e kujdesit për individët, familjet, komunitetet dhe popullsitë.
Gëzuar këtë ditë të veçantë për të gjithë infermierët!