Pas operacionit të ndërlikuar, pacienti i vogël kthehet në shtëpi në krahët e prindërve të tij

Foshnja e vogël, pesë ditë pas lindjes është hospitalizuar në klinikën tonë për shkak të një defekti kompleks në zemër – Pentologjia e Fallotit, e cila karakterizohet nga cianoza (nxirje) ose e thënë ndryshe nga reduktimi i ngopjes me oksigjen.

Nga dita e tretë pas lindjes, tek foshnja është shfaqur cianozë dhe desaturim. Kjo ka qenë arsyeja e transferimit të tij në klinikën për fëmijë, dhe nga atje pas diagnostikimit të defektit në zemër është transferuar menjëherë në klinikën tonë.

Bëhet fjalë për një defekt kompleks cianogjenik i zemrës -Pentologjia e Fallotit (përveç 4 defekteve karakteristike tek pacienti ynë kishte edhe një anomali tjetër që ka të bëj me komunikimin ndërmjet dy atrijeve të zemrës). Për shkak të kompleksitetit të defektit, menjëherë pas pranimit të foshnjës, është vazhduar terapia me prostaglandin, e cila në rastin e pacientit tonë ka mundësuar furnizimin e mushkërive me gjak.

Për shkak të pranisë së vazhdueshme të cianozës, menjëherë është marrë vendimi që pacienti i vogël të operohet. Gjatë operacionit, u korrigjuan të gjitha anomalitë e zemrës që ishin të pranishme. Trajtimi postoperativ konsiston në monitorim e rregullt të të gjithë parametrave jetikë dhe mbështetje të plotë mjekësore.

Gjatë ditëve në vijim, gjendja e tij e përgjithshme gradualisht është stabilizuar, dhe si rezultat i kësaj filluam me dhënien e ushqimit të foshnjës, fillimisht me anë të qumësht me formulë dhe pas mbërritjes së nënës në spital edhe me ushqyerjen me gji.

Pas dhjetë ditësh në spitalin tonë, foshnja është lëshuar nga spitali në gjendje të qëndrueshme dhe sëbashku me prindërit e tij është kthyer në shtëpi. Pas korrigjimit të plotë kirurgjikal të defektit në zemër, tek ky pacient i vogël vijon periudha e rritjes dhe zhvillimit normal pa pasur nevojë për përsëritje të  ndërhyrjeve kirurgjikale.

A e dini se Shrek vuante nga akromegalia?

Të gjithë e njohim filmin e animuar Shrek, por shumë pak persona e dinë se Shrek është frymëzim i francezit Maurice Tillet, i cili ishte i njohur gjatë viteve 1930 dhe 1940 dhe vuante nga akromegalia (gjigandizmi).

ÇFARË ËSHTË AKROMEGALIA DHE SI TA DALLONI ATË?

Akromegalia është një çrregullim hormonal që zhvillohet kur gjëndra e hipofizës sekreton sasi të mëdha të hormonit të rritjes tek personat e rritur. Si rezultat i rritjes së sekretimit të hormonit ka një rritje të strukturave të caktuara – duarve, këmbëve, fytyrës dhe organeve të brendshme. Sëmundja në vetvete është e pazakontë, rrjedha e saj dhe simptomat shfaqen ngadalë dhe gradualisht, kështu që shpesh kërkohet më tepër kohë për ti dalluar këta individë. Gjatë momentit të diagnostikimit, shumica e këtyre pacientëve tashmë nuk ngjajnë më me vetveten – krahasuar me fotografitë e tyre disa vjet më parë.

Simptomat e kësaj sëmundje janë të shumta dhe ndryshojnë në varësi të pacientit, si dhe nga momenti i diagnostikimit (faza e sëmundjes):

  • Rritje apo zmadhim i duarve dhe këmbëve
  • Zmadhim i kontureve dhe strukturës së fytyrës
  • Lëkurë e ashpër, e trashë dhe e yndyrshme
  • Djersitje e tepruar e shoqëruar me erë të pakëndshme
  • Shfaqje e gungave apo kokrrave të vogla në lëkurë
  • Lodhje dhe dobësi të muskujve
  • Trashje dhe ashpërsi të zërit
  • Gërhitje e rëndë gjatë fjetjes
  • Shkimim i dëmtuar
  • Dhimbje koke
  • Rritje të gjuhës
  • Dhimbje dhe palëvizshmëri në nyjeve (kyçeve)
  • Çrregullim i ciklit menstrual tek gratë
  • Mosfunksionim erektil tek meshkujt
  • Rritje apo zmadhim i organeve të brendshme
  • Reduktim i libidit (epshit)

Nëse vëreni ndonjë nga simptomat e lartpërmendura, është e nevojshme që të konsultoheni me mjekun endokrinolog.

 

Sëmundja e avancuar dhe e patrajtuar mund të çojë në një numër të madh problemesh shëndetësore: presion të lartë të gjakut, sëmundje kardiovaskulare (kardiomiopati), osteoartrit, diabet mellitus, goiter (zmadhim i gjendrës tiroide), polip në zorrën e trashë, apnea e gjumit, kompresim në shtyllën kurrizore, humbje të shikimit.

Diagnoza bëhet me anë të testeve hormonale dhe metodave të imazhit (rezonancës magnetike e gjëndrës së hipofizës). Trajtimi konsiston në shtypjen e sekretimit të hormonit të rritjes, zakonisht rekomandohet trajtimi kirurgjikal ose terapia me rrezatim, dhe në disa raste jepen medikamente që bllokojnë veprimin e hormonit të rritjes (kur trajtimi kirurgjikal nuk është i mundur ose nuk është i disponueshme terapia me rrezatim).

 

Dr. Nadica Bozhinovska
Specialiste endokrinologe

Baxter i autorizuar nga FDA për përdorimin e filtrit Oxiris për pastrimin e gjakut në trajtimin e COVID-19

Me datë 10 prill të vitit 2020, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Medikamenteve (FDA) ka dhënë autorizim urgjent për përdorimin e sistemit të pastrimit të gjakut për të trajtuar pacientët me sëmundje të konfirmuar me koronavirus (COVID-19) nga mosha 18 vjeç ose më të vjetër, të pranuar në departamentin e kujdesit intenziv (ICU) me dështim të konfirmuar ose të pritur të frymëmarrjes.

Me këtë lloj trajtimi dhe me anë të këtij filtri (të cilin tani e përdorim edhe në spitalin tonë për pacientët me infeksion të rëndë ndaj Covid -19), spitali ynë ka përvojë të shkëlqyer që nga viti 2008 në trajtimin e pacientëve me sëmundje të rënda virale dhe bakteriale, sikurse edhe në trajtimin e pacientëve me përgjigje inflamacioni sistemik, një gjendje e shpeshtë dhe me ndërlikim serioz tek pacientët me sëmundje kardiokirurgjikale.

Blood Purification Devices EUAs

Baxter Obtains U.S. FDA Emergency Use Authorization for Oxiris Blood Purification Filter for COVID-19 Treatment

Ohiris Info

Hipofiza dhe tumoret e hipofizës

Çfarë është hipofiza dhe ku ndodhet ajo ?

Hipofiza është gjëndër e cila ka madhësinë e një bizele, e vendosur në bazën e kafkës (poshtë trurit) dhe menjëherë prapa rrënjës së hundës. Ajo është e vendosur në mënyrë të sigurt në një zgavër kockore të quajtur sella turcica, dhe është e lidhur me hipotalamusin (një pjesë të trurit) nga një fije e hollë. Gjëndra e hipofizës quhet edhe gjëndra kryesore (master), sepse praktikisht kontrollon metabolizmin, rritjen, pjekurinë seksuale, riprodhimin, presionin e gjakut dhe proceset e tjera fiziologjike jetësore si dhe funksionet e tyre.

Cilat hormone sekretohen nga gjëndra e hipofizës?

Për shkak të llojit dhe funksionit të qelizave nga të cilat është e përbërë, gjëndra e hipofizës ndahet në dy pjesë – anën e përparme (anteriore) dhe lobin e pasëm (posterior).

Hormonet e lobit anterior të gjëndrës së hipofizës:

  • Hormoni i rritjes – rregullon rritjen dhe zhvillimin fizik gjatë moshës fëmijërore. Mund të stimulojë rritjen e pothuajse të gjitha indeve në trup, por objektivat kryesorë janë kockat dhe muskujt.
  • Hormoni stimulues i tiroides – aktivizon dhe i jep urdhër gjëndrës tiroide të sekretojë hormone. Gjëndra juaj tiroide dhe hormonet që ajo sekreton janë jetike për funksionimin e duhur të metabolizmit tuaj.
  • Hormoni adenokortikotrop – stimulon gjëndrën mbiveshkore për të prodhuar hormone. Kortizoli i sekretuar nga gjëndrat mbiveshkore i ashtuquajtur “hormoni i stresit” është thelbësor për mbijetesën – sepse ndihmon në rregullimin e presionit të gjakut, luan rol në metabolizmin glicemik dhe sekretohet intensivisht nga stresi.
  • Hormoni stimulues i folikulit – është i rëndësishëm për prodhimin e spermës tek meshkujt, dhe stimulon vezoret për të prodhuar estrogjen dhe për të zhvilluar qelizat vezore tek gratë.
  • Hormoni luteinizues – stimulon prodhimin e testosteronit tek meshkujt dhe çlirimin e qelizës vezore (ovulacionin) tek gratë.
  • Prolaktina – mundëson prodhimin e qumështit tek gratë pas aktit të
  • Hormoni stimulues Beta-Melanocyte – stimulon rritjen e pigmentimit të lëkurës tuaj gjatë ekspozimit ndaj rrezeve UV.

Hormonet në lobin e pasëm të gjëndrës së hipofizës:

  • Vazopresin – apo i njohur më mirë si hormoni anti-diuretik, siguron ekuilibrin e ujit dhe rezervon ujin në trup, si dhe vlerat e natriumit në gjak, duke parandaluar kështu dehidratimin e trupit.
  • Oksitocina – stimulon lëshimin e qumështit nga gjiri, por gjithashtu stimulon kontraktimet e mitrës tek gratë gjatë aktit të lindjes.

Çrregullimet e hipofizës

Lloji më i zakonshëm i çrregullimit të hipofizës është tumori beninj – adenoma. Përveç adenomave, disa nga gjendjet më të zakonshme janë kranofaringioma, sindroma Empty sella, sindroma Sheehan, neoplazia e shumëfishtë endokrine, hipofiziti limfocit, hipofiza postoperative, tumori malinj.

Tumoret beninje të hipofizës (adenoma)

Këto tumore janë mjaft të shpeshta tek popullata më e rritur, quhen adenoma, dhe nuk janë tumore të trurit! Shpesh këto adenoma ekzistojnë për shumë vite para se të diagnostikohen, dhe disa prej tyre ndonjëherë nuk shkaktojnë simptoma dhe mbeten të pazbuluara. Ekzistojnë dy lloje të adenomave të hipofizës – funksionale dhe jofunksionale. Ato funksionale prodhojnë një sasi të rritur (zakonisht të tepërt) të një ose më shumë hormoneve, ndërsa ato jofunksionale nuk prodhojnë hormone.

Problemet e shkaktuara nga adenomat e hipofizës zakonisht ndahen në tre grupe:

  • Hipersekretimi i hormonit – kur një ose më shumë hormone prodhohen në sasi të mëdha, në këtë rast bëhet fjalë për adenomë funksionale.
  • Mungesa e hormoneve – Sekretimi i pamjaftueshëm ose mungesa e plotë e ndonjë hormoni të caktuar është shkaktuar nga adenoma e madhe e hipofizës që shtyp indin e shëndetshëm të hipofizës dhe kështu ndikon në aftësinë e gjëndrës për të sekretuar hormone.
  • Efektet e masës së tumorit – Ndodh kur adenoma e hipofizës rritet në mënyrë të pakontrollueshme, shtrihet dhe shkakton presion mbi strukturat përreth trurit, mund të shkaktojë dhimbje koke dhe shqetësime vizuale.

Cilat janë simptomat e tumoreve të hipofizës?

Simptomat e shkaktuara nga tumori i hipofizës ndryshojnë në varësi të madhësisë së tumorit dhe sekretimit të mundshëm të hormoneve. Lista e simptomave të mundshme është e gjatë, dhe mund të përfshijë: dhimbje koke, dëmtim të shikimit, lodhje, marramendje, cikël të çrregullt menstrual tek gratë, mosfunksionim seksual tek meshkuj. Simptomat specifike të cilat varen nga sekretimi i tepërt i hormoneve janë unike dhe lehtësisht të dallueshme nga endokrinologët. Më shumë rreth këtyre kushteve do të shpjegohen në artikujt vijues.

Si diagnostikohen tumoret e hipofizës?

Pasi të keni identifikuar simptomat, mjeku juaj endokrinolog do të përshkruaj testet e duhura hormonale. Ai më pas do t’ju rekomandoj kryerjen e rezonancës magnetike (MRI) të gjëndrrës së hipofizës, në mënyrë që të bëjë  vlerësimin e plotë të gjëndrës.

Cili është trajtimi për tumoret e hipofizës?

Trajtimi varet nga lloji i tumorit, madhësia e tij, simptomat që shkakton, mosha e pacientit dhe shëndeti I tij i përgjithshëm. Endokrinologu juaj do të marrë parasysh të gjitha këto aspekte dhe do të punojë me ju për të marrë vendimin e duhur dhe të bëhet zgjidhja e trajtimit të duhur.

Dr. Nadica Bozhinovska

Specialiste endokrinologe

Hipertermia –  goditja e nxehtësisë

Gjatë periudhës së verës, kur fëmijët nuk janë në shkollë, moti i mrekullueshëm dhe të qenurit të lirë pa obligime e bëjnë këtë stinë të paharrueshme. Gjatë muajve të verës, moti i nxehtë është i mirëpritur, por gjithashtu mund të shkaktojë dehidrim, dhe në raste shumë të rralla, temperaturat ektreme mund të jenë fatale.

Çfarë është hipertermia?

Temperaturat e larta gjatë verës mund të shkaktojnë hipertermi. Kjo gjendje mjekësore ndodh kur temperatura e trupit të një personi është më e lartë se 37.70 C – një gjendje e ngjashme me ethet –  kjo ndodh kur trupi krijon ose absorbon më tepër nxehtësi nga ç’mund të lëshojë.

Cilat janë shkaqet e hipertermisë?

Hipertermia zakonisht shkaktohet nga goditja e nxehtësisë ose nga ilaçet. Goditja e nxehtësisë mund të shfaqet gjatë aktiviteteve të sforcuara por edhe kur qëndroni të qetë dhe nuk merreni me ndonjë ektivitet të veçantë.

Goditja e nxehtësisë gjatë ushtrimeve fizike

Episodet e marramendjes ndodhin kur merreni me aktivitete fizike, siç është vrapimi, lojrat, sporti, gjatë ditëve shumë e nxehtë. Qëndrimi në ambient të nxehtë dhe të mbyllur konsiderohet gjithashtu një formë e goditjes së rëndë të nxehtit sepse trupi punon më shumë se zakonisht për të ruajtur temperaturën normale. Kjo gjendje përkeqësohet më tepër me mungesën e konsumit të mjaftueshëm të ujit, mungesën e ajrit të kondicionuar ose  nga konsumi i alkoolit. Hipertermia mund të ndodhë kur fëmijët luajnë jashtë, kur janë të mbyllur në apartamente të nxehta ose qëndrojnë në makinë pa ajër të kondicionuar. Goditja e nxehtësisë mund të ndodhë edhe në ditë relativisht jo shumë të nxehta, kur temperatura e jashtme është rreth 21 º C, por me rritjen e temperaturës, rritet edhe rreziku. Në vitin 2010, 49 fëmijë të moshës 2 deri në 6 vjeç kanë humbur jetën nga hipertermia për shkak të qëndrimit mbyllur në automjet pa ajër të kondicionuar.

Goditja e nxehtësi pa sforcime fizike

Goditja e nxehtësisë zakonisht shkaktohet nga medikamente që reduktojnë djersitjen, nga zgjerimi i enëve të gjakut dhe mekanizma të tjerë që ndikojnë në humbjen e nxehtësisë. Këto probleme e bëjnë trupin më pak të aftë të tolerojë temperaturat e larta. Ilaçet psikotrope dhe shumë medikamente të paligjshme siç është kokaina gjithashtu mund të shkaktojnë hipertermi.

Parandalimi i hipertermisë

Mbrojtja e duhur ndaj nxehtësisë dhe hipertermisë së mundshme është e lehtë për tu arritur! Kur luani jashtë në mot të nxehtë, duhet të ndiqni rregullat e mëposhtme:

-Të bëni pushime të herpashershme

– Të pini shumë ujë

– Të visheni me rroba të lehta.

– Të pushoni nën hije, në zonë të freskët.

Nëse duhet të kaloni kohë të gjatë në ambient të mbyllur, gjatë ditëve tepër të nxehta, sigurohuni që ambienti të ketë ajër të kondicionuar ose një ventilator.

Si ta freskoni organizmin

Në rast të rritjes serioze të temperaturës, bëni banjë (dush) me ujë të ftohtë ose njomni trupin me anë të një peshqiri të lagur me ujë. Nëse gjendeni jasht, në ambient të hapur,  menjëherë duhet të uleni nën hije, të pini sa më tepër ujë dhe të freskoni trupin me ujë të ftohtë. Në rast se temperatura e trupit rritet mbi 40 º C ose në rast të humbjes së vetëdijes, duhet të lajmëroni menjëherë shërbimin urgjent mjekësor.

Ka shpresa për shërimin e pacientëve të sëmurë rëndë nga Covid-19

Të nderuar pacientë dhe kolegë,

Gjatë periudhës së muajit qershor, në Zan Mitrev Clinic janë trajtuar 23 pacientë, 21 meshkuj dhe 2 gra nga mosha 27-84 vjeç, gjenetikisht positive me shenja të theksuara të infeksionit Covid-19. Tek të gjithë pacientët është regjistruar zhvillim klinik disa ditor me temperature të lartë, kollitje, vështirësi në frymëmarrje, saturim nën 80% pavarësisht nga mbështetja e lartë me oksigjen dhe me ndryshime të theksuara të mushkërive dhe filmimet radiologjike kanë treguar shenja të rënda të pneumonisë bilaterale dhe sindromë të distresit akut respirativ (ARDS).

Të gjithë pacientët janë vendosur në mënyrë të vazhdueshme në apparat për pastrimin e gjakut ekstrakorporal nga firma Baxter, me kohëzgjatje nga 24-48 orë. Gjithashtu, sipas protokolleve tona, janë vendosur menjëherë në terapi antikoagulante me doza të larta, në terapi vitaminoze në doza të larta si dhe terapi fiyikale respirative dhe intenzive. Terapia antibiotike zbatuar veçanërisht sipas antibiogramit.

Në këtë mënyrë, tek të gjithë pacietët me përjashtim të njërit prej tyre, arritëm ta shmangnim aplikimin e aparatit respirativ si opsion për trajtimin e mëtejshëm. Të gjithë pacientët janë përmirësuar ndjeshëm sipas të gjitha parametrave klinikë dhe laboratorikë. Tashmë në shtëpi janë lëshuar 13 pacientë, 1 pacient ndodhet në respirator, dhe gjendet në gjendje klinike të përmirësuar, 1 pacient në moshën 84 vjeçare ka humbur jetën, duke mos pasur mundësinë për aplikimin e plotë të të gjitha procedurave për shkak të gjendjes së rëndë klinike.

Kjo mënyrë trajtimi zgjat nga 5-10 ditë në varësi të gjendjes klinike të pacientëve. Nëse ka kaluar një periudhë më e gjatë nga fillimi i sëmundjes para se të paraqiten në spital, është e nevojshme një kohë më e gjatë për përmirësimin e tyre, por nëse pamja klinike e dëmtimit të mushkërive është e përparuar, atëherë nuk mund ti vijmë në ndihmë në asnjë mënyrë.

I vetmi konotacion negativ i këtij trajtimi deri tani deri, nëse mund të thuhet kështu, është fakti që lidhet me kosto të lartë materialesh e cila mbulohet nga vetë pacientët.

Akad. Dr. Zhan Mitrev

 

Deklaratë nga Dr. Zan Mitrev – Trajtimi i pacientëve me Covid-19

Të nderuar shikues, kolegë, pacientë,

Dua t’ju informojë për punën tonë gjatë tre javëve të fundit, që nga momenti kur filluam me trajtimin e pacientëve të sëmurë rëndë nga infeksioni me Covid-19. Falë punës tonë shumëvjeçare me pacientë me sëmundje infektive dhe sepsë, ne e modifikuam dhe e aplikuam të njejtën metodë edhe tek këta pacientë. Të gjithë pacientët e pranuar në spitalin tonë ishin me simptoma të theksuara të infeksionit Covid-19, me shenja të qarta të rënies së saturimit, temperaturë, kollë. Simtomat e tyre ishin disa ditore kryesisht në kushtet e shtëpisë apo të trajtuar në kushte spitalore, me ndryshime të qarta në mushkëri dhe radiografi me pamje të qartë të pneumonisë. Koncepti i punës tonë është fillimi i menjëhershëm i monitorimit të të gjitha parametrave infektive. Rëndësi e vaçantë i është dhënë prognozës së rezultatit të pacientëve, d.m.th me pranimin e tyre në klinikën tonë, bazuar në parametrat që ndjekim për çdo pacient individualisht bëjmë përcaktimin e indeksit inflamator, dhe nëse ky i fundit rritet dhe përkeqësohet funksioni i mushkërive tashmë e dimë që rezultati nuk është i mirë, dhe menjëherë i vendosim në hemofiltrim për pastrim ekstrakorporal të gjakut përgjatë 24 orësh. Në rast se kjo nuk është e mjaftueshme atëherë këtë procedurë e vazhdojmë edhe për 24 orë të tjera, por tek disa pacientë të cilët paraqiten në gjendje të rëndë, tek të cilët sëmundja ka përparuar së tepërmi, pastrimi i gjakut zgjat më tepër. Menjëherë pas kësaj, tek të gjithë pacientët, numri i të cilëve është 25, tek pjesa më e madhe e tyre me indikim për tu vendosur në terapi respirative, arritëm që ta shmangim këtë lloj trajtimi dhe vetëm njërin prej tyre ishim të detyruar që ta vendosnim në intubim për shkak të gjendjes së përkeqësuar. Ky pacient është hequr përsëri nga intubimi gjatë ditës së djeshme dhe është në fazë përmirësimi, ndërkohë që në spitalin tonë qëndron prej 14 ditësh. Përsa i përket pjesës tjetër të pacientëve, më shumë se gjysma e tyre janë kthyer në shtëpi, ndërsa pjesa tjetër e pacientëve janë në fazë përmirësimi. Një pacient 85 vjeçar humbi jetën që në momentin e pranimit në spital për shkak të gjendjes së rëndë dhe praktikisht duke mos pasur mundësi për ti ofruar trajtim. Gjithashtu, një tjetër pacient humbi jetën gjatë ditës së djeshme i cili u pranua në spitalin tonë pasi kishte qëndruar në një spital tjetër, ku dhe ishte trajtuar për më tepër se 10 ditë, me anë të aparatit respirativ. Pacienti u pranua në klinikën tonë por praktikisht nuk patëm mundësi për të aplikuar asnjë lloj terapie. Me këtë, dua të them se kjo teknikë të cilën ne praktikojmë jep rezultate shumë të mira, rezulatet janë të dukshme dhe gjendja e pacientëve përmirësohet ndjeshëm në rast se infeksioni është në fillim të zhvillimit të gjendjes së rëndë. Shqetësues është fakti që gjithnjë dhe më tepër kemi pacientë në moshë të re. Njëri nga pacientët i cili ende trajtohet në spitalin tonë është 23 vjeçar, dhe me këtë bie teoria se infeksioni prek vetëm personat e moshuar. Dua t’ju tregoj një shembull tipik radiologjik, dhe përsëri dua të apeloj për publikun që të mos e neglizhojnë këtë sëmundje, pasi bëhet fjalë për një sëmundje tepër të rëndë, tepër agresive dhe deri tani mund të themi se në kuadër botëror nuk ka ende një koncept për të treguar se si duhet të trajtohen pacientët.  Ne për herë të parë dalim zyrtarisht dhe këtë do ta vendosim edhe në portalet shkencore dhe do të paraqesim të gjitha rezultatet e këtyre pacientëve të trajtuar në mënyrë mjekësore. Dua të them se kjo është një sëmundje tepër e rëndë e cila domosdoshmërisht kërkon tajtim, dhe konceptin tonë ne e japim në këtë mënyrë. Deri tani të gjitha këto rezultate fillestare janë inkurajuese për pacientët e sëmurë rëndë, gjendja e të cilëve kërkon vendosjen e tyre në intubim, por ne kemi arritur ta ndërpresim intubimin dhe në këtë mënyrë të ndërpritet progresimi i sëmundjes. Këto janë shenja tipike të pacientëve para dhe pas ardhjes së tyre në klinikën tonë. Shenjat e mushkërive janë tepër të rëndësishme. Nëse pacienti është asimptomatik atëherë mund të presim , por sigurisht, gjithmonë bazuar në parametrat e rezultateve laboratorike. Nëse gjendja përkeqësohet dhe nëse pacienti ka rënie të saturimit atëherë kemi të bëjmë me një gjendje tepër serioze dhe duhet menjëherë të reagohet. Kjo është metoda që ne kemi aplikuar gjatë kësaj periudhe të shkurtër tek këta pacietë, deri tani rezultatet janë të mira, inkurajuese. Ndoshta duhet të bëhet ripërcaktimi i qasjes së pacientëve, sepse tani ne mund të themi se nuk është intubimi ajo që mund të ndikoj në vazhdimin e terapisë, ndoshta numër një është hemofiltrimi me anë të pastrimit të gjakut me filtra të veçantë dhe më pas të gjitha masat e tjera intenzive të trajtimit. Këta janë pacientë të cilët janë në gjendje të rëndë dhe kërkojnë trajtim mjekësor intenziv.

Dëshmi: Ju falenderoj sepse kam qenë në duart më të sigurta jo vetëm në vendin tonë, por edhe në botë!

Pas shfaqjes së simptomave si: dhimbje koke, marramendje dhe rritje të temperaturës së trupit, bëra test me anë të brisit i cili rezultoi pozitiv ndaj infeksionit Covid 19.

Vetëm disa ditë pas simptomave të para, pata vështirësi në frymëmarrje dhe u diagnostikova me pneumoni në të dyja anët e  mushkërive. U shtrova në spitalin shtetëror, ku  edhe pas kujdesit të ofruar, gjendja ime u përkeqësua shumë shpejtë dhe në mënyrë drastike, duke çuar në një rënie të mprehtë të funksionit dhe aftësive të mushkërive dhe rritje të rrahjeve të zemrës.

Më dërguan me ambulancë në Zan Mitrev Clinic. Situata në të cilën ndodhesha ishte e vështirë dhe e rrezikshme për jetën. U vendosa menjëherë në një aparat për pastrimin e gjakut – hemodializë venoze dhe mbështetje të oksigjenit, dhe pas vetëm disa ditësh të vështira, terapia filloi të japte rezultat, dhe parametrat që ishin jashtë të gjitha kufijve filluan të normalizohen, edhe frymëmarrja e cila edhe pse ende shumë e rënduar filloi të bëhej më e lehtë.

Falënderoj stafin mjekësor për kujdesin e shkëlqyeshëm që më ofruan. Falënderime të veçanta për fizioterapistët të cilët pas stabilizimit të gjendjes time shëndetësore pas filtrimit, menjëherë filluan me  ushtrimet për forcimin e mushkërive  në mënyrë graduale deri në arritjen e momentit për heqjen e mbështetjes me oksigjen. Këtu përdoren pajisjet mëtë reja dhe më moderne për trajtimin e muskulaturës dhe për çlirimin më të lehtë nga sekretimi i akumuluar në mushkëri, ndërsa trajtimet dhe mjekimet janë të personalizuara dhe të planifikuara për secilin pacient përkatësisht. Kam marrë kujdes të lartë në të gjitha aspektet e trajtimit, kam qenë nën monitorim dhe kontroll të vazhdueshëm. Mjekët dhe infermierët përveç profesionalizmit, sjelljes dhe qëndrimit të tyre pozitiv, më kanë dhanë gjithashtu mbështetje psikologjike, e cila në ato momente më ka dhënë forcë që të luftoja për jetën time.

Familja ime ishte e informuar në çdo kohë për gjendjen time shëndetësore, dhe e dinin se unë ndodhesha në duart më të sigurta jo vetëm në vendin tonë, por edhe në botë. Unë i shpreh mirënjohjen time të thellë dhe të sinqertë Dr. Zan Mitrev jo vetëm për profesionalizmin dhe përkushtimin e tij ndaj pacientëve, por edhe për ndërtimin e kësaj Klinike dhe mbledhjen e stafit jashtëzakonisht profesional me të cilin ai ka shpëtuar mijëra jetë, dhe tani edhe jetën time.

I falënderoj edhe një herë të gjithë përzemërsisht, dhe i uroj sa më shumë forcë në punën e tyre të përkushtuar dhe gjetjen e shpejtë të strategjisë për trajtimin e pacientëve të sëmurë rëndë nga Covid-19. Unë besoj se ai duhet të ndjekë vetëm mendimin e Perëndisë që e dërgoi këtu për t’i  ardhur në ndihmë popullit të tij. Jini të kujdesshëm, bëni gjithçka që është në duart tuaja për të reduktuar rrezikun e përhapjes së Covid-19, për të mbrojtur veten dhe personat tuaj më të dashur!  Ju uroj shumë shëndet!

Sinqerisht, Biljana Kletniçka.