31 Maj – Dita Botërore pa duhan

Këtë vit, Dita Botërore e abstenimit ndaj duhanit festohet më 31 maj. Kjo ditë synon të inkurajojë abstenimin 24-orësh nga të gjitha format e konsumit të duhanit në mbarë botën dhe synon të tërheqë vëmendjen ndaj efekteve negative mbi shëndetin nga konsumi i gjerë i duhanit.

Dita Botërore pa duhan u krijua për herë të parë nga shtetet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në vitin 1987. Që atëherë, çdo vit, OBSH-ja zgjedh një temë dhe krijon një mesazh unik global të përdorur në axhendën vjetore të luftës kundër duhanit.
OBSH inkurajon të gjitha grupet në mbarë botën – nga klubet lokale te këshillat e qyteteve dhe qeveritë shtetërore – të organizojnë ngjarje lokale çdo vit për të ndihmuar në shënimin e Ditës Botërore kundër Duhanit në mënyrën e tyre.

Në kuadër të fushatave, deri më tani janë realizuar aktivitete si shkrimi i letrave për zyrtarët e qeverisë dhe gazetat lokale, marshimet, debatet publike, fushatat publicitare lokale dhe kombëtare, takimet e aktivistëve kundër duhanit dhe programe edukative. Shumë qeveri e përdorin gjithashtu Ditën Botërore të abstenimit të duhanit si një datë për të filluar zbatimin e kufizimeve të reja të duhanit dhe përpjekjeve për kontrollin e duhanit.

Ne si institucion që kujdesemi për shëndetin e njerëzve, bashkohemi në festimin e kësaj dite. Si mbështetës të kësaj axhende, jo vetëm sot, por çdo ditë ne theksojmë dhe edukojmë për efektet e dëmshme të përdorimit të duhanit për të nxitur njerëzit të praktikojnë një mënyrë jetese të shëndetshme.

Pjesëmarrja tradicionale e ekipit të fizioterapistëve nga Spitali klinik Zhan Mitrev në Kongresin e 43-të Ndërkombëtar Shkencor Mjekësor

Në organizim të Shoqatës së Studentëve të Mjekësisë të Maqedonisë, këtë vit në periudhën prej 20 deri më 24 maj në Ohër, u mbajt Kongresi i 43-të Ndërkombëtarë Shkencor Mjekësor. Si pjesë e lektorëve ishte edhe ekipi i klinikës sonë. Përkatësisht, më 23 maj, ekipi i fizioterapistëve së bashku me përfaqësuesen tonë Ivana Kostadinova mbajtën seminar me temën – Kullimi limfatik manual.

Ajo foli në mënyrë të detajuar për këtë teknikë të specializuar masazhi dhe aplikimin aktiv në punën e përditshme të saj. Gjithashtu prezantoi një sërë efektesh positive të kësaj teknike që përfshijnë: aktivizimin e qarkullimit të lëngjeve, rritjen e tkurrjes së enëve limfatike, kullimin e toksinave, makromolekulave dhe yndyrave, stimulimin e sistemit imunitar, reduktimin e ngërçeve të muskujve, arritjen e një gjumi cilësor dhe ajo çfarë është më e rëndësishme reduktimin e edemës/ënjtjes.

Përveç anës teorike, fizioterapistja jonë pati mundësinë ta shpjegojë edhe praktikisht këtë teknikë, e cila zgjoi interes të madh tek studentët e shumtë të fushës së mjekësisë dhe tek mjekët e ardhshëm.

Spitali klinik Zhan Mitrev tradicionalisht, prej vitesh dhe me shumë kënaqësi e përkrah këtë event, i cili ka për qëllim edukimin dhe udhëzimin e mëtejshëm të mjekëve të rinj.

Mastopeksia – kirurgjia për zvogëlimin dhe ngritjen e gjoksit

Kur bëhet fjalë për estetikën e gjoksit tek gratë, zakonisht gjëja e parë që ju vjen në mendje është zmadhimi e gjoksit. Por, është mirë të dini se ekziston edhe mundësia për të zvogëluar madhësinë ose për të ngritur gjoksin. Kjo është një procedurë që i përket kirurgjisë plastike, dhe kryhet me qëllim për të ulur volumin e gjinjve tek gratë të cilat kanë nevojë.

Përkatësisht, me këtë procedurë kirurgjikale arrihet proporcionaliteti në pamjen e gjinjve tuaj në përmasa të përshtatshme me pjesën tjetër të trupit. Gjithashtu është e rëndësishme të dini se pas procedurës ndjeshmëria dhe funksionaliteti i indit të gjirit nuk humbet, pra është i mundur laktacioni – ushqyerja me gji.

Arsyet pse një grua mund t’i drejtohet kësaj procedure mund të jenë të ndryshme: fizike, estetike dhe fiziologjike – rikthimi i gruas në formën e saj ideale, përmirësimi i imazhit të saj për veten dhe shëndetin mendor.

Gratë me zmadhim të tepërt të gjinjve vuajnë nga dhimbje kronike në shpinë, qafë dhe shpatulla që shkaktohet nga vetë pesha e gjoksit; kanë probleme me frymëmarrjen; kanë qarkullim më të dobët; vuajnë nga infeksionet e lëkurës (në zonën poshtë gjoksit); kanë vështirësi për të gjetur sytjena dhe rroba të përshtatshme; kanë vështirësi apo pamundësi për t’u angazhuar me sport dhe në përgjithësi kanë probleme me cilësinë e jetës.

Femrat zhvillojnë rritje të gjinjve veçanërisht gjatë pubertetit, por ky problem mund të shfaqet edhe pas shtatzënisë dhe ushqyerjes me gji, pas një rritje të papritur të peshës ose gjatë menopauzës.

Zgjidhja e këtij problemi është reduktimi me anë të kirurgjisë që bëhet përmes një prerjeje T të përmbysur (formë spirance) përgjatë secilit prej gjinjve, duke hequr yndyrën dhe lëkurën e tepërt dhe duke ripozicionuar aureolën dhe thithën e gjirit. Prerja është përgjatë gjinjve (gjendrave të qumështit) dhe bëhet në pjesën e poshtme (nën palosjen e gjoksit), gjë që e bën prerjen të padukshme dhe estetikisht të pranueshme.

Pas ndërhyrjes është i nevojshëm hospitalizimi prej dy deri në tre ditë, pas kësaj periudhe pacientja lëshohet për shërim në shtëpi me rekomandim që edhe një muaj më pas të mbajë sytjena elastike për të mbajtur gjoksin lart (të ngritur).

Edhe pse rezultatet janë të dukshme menjëherë, duhet pasur parasysh se duhet kohë që ënjtja dhe hematomat të shërohen. Rezultati përfundimtar është i përhershëm, me variacione të vogla të mundshme në varësi të moshës dhe peshës trupore (rritjes apo humbjes së peshës).

Kjo ndërhyrje nuk rekomandohet tek gratë, mamografia e të cilave ka diagnostikuar neoplazi të pavlerësuar, tek gratë të cilat momentalisht ushqejnë me gji dhe tek gratë me hipertrofi të shkaktuar kryesisht nga zmadhimi i gjendrës së qumështit.

Mastopeksia kryhet me sukses tashmë prej dhjetë vitesh në Spitalin klinik Zhan Mitrev. Operacioni kryehet nga akademiku Dr. Zhan Mitrev me ekipin e tij profesional.

Nëse keni nevojë për konsultë dhe mendim, mos hezitoni të rezervoni terminin tuaj në 00389 2 3091 484.

A mund të parandalohet melanoma? Udhëzimе për parandalimin e saj

Faktorët e rrezikut të përcaktuar gjenetikisht për melanomën, të tilla si ngyra tepër e bardhë e lëkurës, prania e nishaneve të shumta dhe historia familjare e melanomës, nuk mund të ndryshohen ose të zhduken. Megjithatë, ne mund të reduktojmë ndjeshëm rrezikun e zhvillimit të melanomës duke ndjekur këto udhëzime parandaluese.

Ekspozimi në diell (insolanca)

Ekspozimi i menjëhershëm, intensiv dhe i drejtpërdrejtë në diell duhet të shmanget patjetër. Qëllimi kryesor është parandalimi i djegies nga dielli, pra skuqja e lëkurës që ndodh si pasojë e ekspozimit në diell. Djegiet më të dëmshme janë ato që krijojnë flluska ose dhimbje që zgjasin të paktën 48 orë. Prandaj, është mirë të shmangni ekspozimin e zgjatur të drejtpërdrejtë në rrezet e diellit, veçanërisht ndërmjet orës 11 dhe 15.

Krem kundër diellit

Kremrat kundër diellit duhet të kenë faktorin më të lartë mbrojtës – faktorin 30-50 – dhe të sigurojnë mbrojtje nga rrezet UVA dhe UVB. Efekti adekuat i kremrave kundër diellit që kanë filtra kimikë fillon rreth gjysmë ore pas aplikimit dhe nuk zgjat gjithë ditën, por vetëm dy orë. Prandaj, kremi kundër diellit duhet të aplikohet gjysmë ore para ekspozimit në diell dhe të ri-aplikohet çdo dy deri në tre orë.

Hije / temperaturë

Duhet theksuar se qëndrimi nën një ombrellë jashtë, si në plazh ose edhe në dëborë, mund të shkaktojë djegie nga rrezet ultravjollcë të cilat reflektohen nga deti apo nga bora, për këtë arsye duhet të zbatohen masa shtesë për mbrojtjen nga dielli. Gjithashtu, rrezet e diellit depërtojnë nëpër re në sasi të konsiderueshme, kështu që ekziston mundësia që lëkura të digjet edhe gjatë ditëve me re në preiudhën e pranverës/verës. Përveç kësaj, rrezet UV nuk shkaktojnë një ndjenjë nxehtësie në lëkurë dhe flladi i detit mund të shkaktojë një ndjenjë të rreme dhe të ekspozoheni më tepër dhe të sigurt në diell.

Veshja

Veshja siguron mbrojtjen më të mirë nga rrezet intensive të diellit. Këmishat e lehta dhe me mëngë të gjata ju mbrojnë më tepër se rrobat pa mëngë. Veshjet me ngjyrë të errët ofrojnë mbrojtje më të mirë se rrobat me ngjyra të zbehtë. Është e dëshirueshme që materiali të jetë i thurur fort dhe me mbrojtje të certifikuar ndaj rrezeve UV. Është mirë të vishni kapelë me streh të gjerë dhe syze dielli me mbrojtje, sepse rrezet UV janë të dëmshme edhe për sytë. Sot në treg janë të disponueshme veshje për fëmijë, duke përfshirë rrobat e banjës, me mbrojtje kundër diellit me faktor mbrojtës deri në 50.

Lloji i lëkurës

Në përgjithësi, rregulli është që lëkura gradualisht duhet të mësohet me rrezet e diellit. Fakt është se jo të gjithë njerëzit kanë lëkurë të njejtë prandaj dhe reagimi i lëkurës është i ndryshëm. Të gjithë duhet të dinë gjithashtu kohën specifike për mbrojtjen personale në lidhje me llojin e lëkurës së tij/saj. Me fjalë të tjera, sa kohë ekspozimi i pambrojtur në diell mund të konsiderohet i sigurt për një lloj lëkure të caktuar. Lloji i lëkurës përcaktohet nga shkalla e djegies apo errësimit të lëkurës pas gjysmë ore ekspozimi në diell në mesditë të një dite vere. Mund të njihet nga karakteristika të ndryshme, si ngjyra e flokëve apo lëkura e zbehtë.

Ekzistojnë gjashtë fototipe të lëkurës, por këto katër janë më të zakonshmet në Evropë:

Lloji 1:
• Lëkura është jashtëzakonisht e ndjeshme ndaj diellit, nuk errësohet por skuqet
• Njerëzit zakonisht kanë lëkurë të bardhë, shpesh me quka, flokë bjonde ose të kuqe dhe sy blu ose jeshil

Lloji 2:
• Lëkura është e ndjeshme ndaj diellit, errësohet ngadalë dhe është e prirur për djegie nga dielli
• Lëkurë e lehtë, por pak më e errët se tipi 1 me flokë zakonisht bjonde në bjonde të errëta dhe sy blu

Lloji 3:
• Lëkura është pjesërisht e ndjeshme ndaj diellit, errësohet lehtë dhe shpejt, dhe ngjyra mbetet për një kohë të gjatë
• Ngjyra e lëkurës pak më e errët, përgjithësisht flokë kafe në kafe të errët dhe ngjyra të ndryshme sysh

Lloji 4:
• Lëkura është rezistente, errësohet shpejt dhe plotësisht, ngjyra zgjat shumë
• Lëkurë kafe e çelur
• Flokët dhe sytë janë kafe të errët ose të zeza

Fëmijët dhe të rinjtë

Rreziku i zhvillimit të kancerit të lëkurës fillon që në fëmijëri dhe në moshë të re. Prandaj, fëmijët dhe të rinjtë duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm dhe të përdorin kremra efektivë të papërshkueshëm nga uji dhe barriera fizike kur marrin rreze dielli. Ata duhet të përdorin faktor mbrojtës të lartë i cili i mbron ata nga rrezet UVA dhe UVB. Veshja e bluzës me ngjyrë të errët dhe mbajtja e kapeles së diellit duhet të jetë e detyrueshme. Syzet e diellit cilësore janë ideale për mbrojtjen e syve dhe të rriturit në këtë rast mund të jenë shembull për t’u ndjekur nga fëmijët.

Kozmetikë dhe ilaçe

Disa ilaçe rrisin ndjeshmërinë ndaj dritës. Për këtë duhet të flisni me mjekun ose farmacistin tuaj përpara se të ekspozoheni në diell. Deodorantët, kozmetika dhe parfumet mund të shkaktojnë një reagim të pakëndshëm ndaj diellit ose pigmentim të përhershëm. Prandaj, përdorimi i produkteve të tilla gjatë marrjes së rrezeve të diellit duhet të shmanget.

Madje edhe në rastin e shfaqjes së ndryshimit më të vogël në lëkurën tuaj, konsultohuni menjëherë me mjekun tuaj. Kanceri i lëkurës mund të kurohet nëse zbulohet në kohë. Në Spitalin klinik Zhan Mitrev, me ndihmën e aparatit të sofistikuar FotoFinder, mund të zbulohen edhe ndryshimet më të vogla të lëkurës. Ekipi profesional i dermatologëve në klinikën tonë është në dispozicionin tuaj me një qasje profesionale dhe të personalizuar, udhëzime për parandalimin e kancerit të lëkurës dhe këshilla se si të kujdeseni siç duhet për shëndetin e lëkurës tuaj.

Rezervoni terminin tuaj në 02 3091 484

12 Maji – Dita Ndërkombëtare e Infermierisë

Dita Ndërkombëtare e Infermierisë festohet çdo vit më 12 maj. Në të gjithë botën festohet për të shënuar kontributin e infermierëve në shoqëri. Për herë të parë në vitin 1974 u zgjodh 12 maji si dita që do të festohej, sepse pikërisht 12 maji është dita e lindjes së Florence Nightingale, e cila konsiderohet si infermierja e parë moderne. Çdo vit, ICN (Këshilli Ndërkombëtar i Infermierëve) përgatit dhe shpërndan materiale për këtë ditë të veçantë. Materialet përmbajnë informacione edukative dhe publike të synuara për përdorim nga infermierët në mbarë botën.

Profesioni i Infermierisë në sektorin e shëndetësisë është i fokusuar në kujdesin ndaj individëve, familjeve dhe komuniteteve në mënyrë që të gjithë të arrijnë, të ruajnë shëndetin dhe cilësinë optimale të jetës. Infermierët ndryshojnë nga ofruesit e tjerë të kujdesit shëndetësor në qasjen e tyre ndaj pacientëve, trajnimit dhe fushës së veprimit në praktikë. Ato ofrojnë kujdes në kuadër të rekomandimeve të mjekëve dhe ky rol tradicional ka formuar historikisht imazhin e infermierëve si ofrues të kujdesit shëndetësorë.

Shoqata Amerikane e Infermierisë thekson se infermieria është mbrojtja, promovimi dhe optimizimi i shëndetit dhe aftësive, parandalimi i sëmundjeve dhe lëndimeve, lehtësimi i vuajtjeve përmes diagnostikimit dhe trajtimit si reagim njerëzor, dhe mbrojtja e kujdesit për individët, familjet, komunitetet dhe popullsitë.

Gëzuar këtë ditë të veçantë për të gjithë infermierët!

Kanceri i lëkurës është lloji më i zakonshëm i kancerit në botë

Kanceri i lëkurës është lloji më i zakonshëm i kancerit në botë. Zakonisht është rezultat i ekspozimit të tepërt dhe të pambrojtur të lëkurës ndaj rrezeve ultravjollcë të diellit. Rrezet UV depërtojnë thellë në lëkurë dhe e dëmtojnë atë me kalimin e kohës. Lezionet kanceroze kanë më shumë gjasa të ndodhin në vendet e ekspozuara ndaj rrezeve të diellit (UVA, UVB) në fytyrë, qafë, shpinë dhe ekstremitete.

Individët mbi 50 vjeç preken më shpesh, por kjo nuk do të thotë se kanceri nuk mund të shfaqet edhe tek moshat e tjera.

Kanceri i lëkurës nëse trajtohet siç duhet, ka shanset më të mira për t’u kuruar, krahasuar me të gjitha llojet e tjera të kancerit. Fatkeqësisht, ndërgjegjësimi i popullatës për simptomat e mundshme është mjaft i ulët, çfarë do të thotë se gjasat për zbulimin dhe trajtimin e hershëm të saj janë të vogla.

Kanceri i lëkurës si sëmundje i referohet disa kushteve të ndryshme të lëkurës me simptoma, trajtime dhe ashpërsi të ndryshme. Lloji më i zakonshëm I kanccerit është kanceri i lëkurës, ndërsa forma më agresive – më e rrezikshme e kancerit të lëkurës është melanoma.

Prandaj, zbulimi i hershëm është jetik, kështu që kontrollet preventive janë të domosdoshme dhe duhen bërë rregullisht.

FotoFinder është një pajisje moderne që ofron teknologji të nivelit më të lartë që përfshin inteligjencën artificiale për të zbuluar menjëherë nishanet ose ndryshimet e reja dhe të dyshimta në lëkurë. Vetë ekzaminimi është i sigurt sepse realizohet në një distancë prej më shumë se 1.6 m nga pacienti, gjë që është veçanërisht e rëndësishme gjatë kësaj periudhe ku ende është i pranishëm Covid-19.

Aparati disponohet vetëm në Spitalin klinik Zhan Mitrev i cili vazhdimisht investon në teknologjinë më të fundit për të ofruar diagnozë të saktë dhe trajtimin e duhur për pacientët e tij.

Mjekët tanë dermatologë ju mirëpresin, ndaj mos nguroni të rezervoni terminin tuaj në 02/3104-910

3 Maj – Dita Botërore e Astmës

Dita Botërore e Astmës festohet çdo vit të martën e parë të majit. Këtë vit është me datë 3 maj. Është një ngjarje vjetore e organizuar nga Iniciativa Globale e Astmës (GINA) për të rritur ndërgjegjësimin dhe kujdesin për këtë sëmundje në mbarë botën. Astma është një sëmundje e zakonshme kronike e rrugëve të frymëmarrjes, një inflamacion i karakterizuar nga simptoma të përsëritura dhe të varjueshme, pengim i rrjedhës së ajrit dhe bronkospazma.

Simptomat përfshijnë gulçim, frymëmarrje të shkurtër dhe të shpejtë, kollë dhe shtrëngim në gjoks. Astma më së shpeshti shkaktohet nga faktorë mjedisorë dhe gjenetikë. Në varësi të ndikimit të këtyre faktorëve, astma mund të marrë forma të ndryshme. Ndonjëherë është më e vështirë, ndonjëherë më e lehtë dhe në varësi të formës së saj varet edhe reagimi ndaj ilaçeve. Shpesh, edhe alergjia kronike e patrajtuar çon në shfaqjen e astmës.

Diagnoza zakonisht vendoset në bazë të shfaqjes së simptomave dhe/ose përgjigjes ndaj terapisë me kalimin e kohës. Prevalenca e astmës rritet ndjeshëm nga viti në vit. Në vitin 2009, astma shkaktoi 250,000 vdekje në mbarë botën. Në vitin 2010, 300 milionë njerëz u prekën në mbarë botën. Pavarësisht kësaj, me kontrollin e duhur të astmës dhe me marrjen e terapisë për të reduktuar dhe kontrolluar simptomat, prognoza është përgjithësisht e mirë.

Në Spitalin klinik Zhan Mitrev, ekipi i pneumologëve me përvojë shumëvjeçare është në dispozicionin tuaj dhe ju ofron një qasje të personalizuar në diagnostikimin dhe trajtimin e të gjitha sëmundjeve pulmonare.

Rezervoni terminin tuaj në 02 3091 484