00389 2 3091 484
Shtator 09,2021
Për herë të njëmbëdhjetë, këtë vit me datë 25 Shtator shënohet Dita Botërore e Farmacistëve, dhe këtë herë theksi është vendosur në besimin që pacientët kanë tek këta punonjës të mjekësisë.
Qëllimi për shënimin e kësaj date është që të arrihet një nivel ndryshe, më i lartë shoqëror në këtë profesion, tek këta punonjës të cilët janë të përfshirë në mënyrë aktive në rritjen e ndërgjegjësimit për shëndetin tonë personal. Kjo ditë ka për qëllim që të rikujtojmë rëndësinë e farmacistëve në sistemin e përgjithshëm shëndetësor.
Farmacistët janë ekspertë të terapisë, nëpërmjet kontrollit përsa i përket kombinimit të duhur të tyre, këshillave për përdorimin dhe ruajtjen e duhur, dhënies së informacioneve të sakta dhe të vërtetuara për ilaçet në mënyrë të kuptueshme për pacientët, këshillave të vazhdueshme përsa i përket imunitetit dhe rëndësisë së tij, veçanërisht gjatë periudhës së pandemisë, këshillave për marrjen e ilaçeve dhe suplementeve pa recetë, menaxhojnë sëmundjet kronike nëpërmjet këshillave për rëndësinë e marrjes së terapisë dhe ndjekjen e vazhdueshme të gjendjes së pacientëve.
Farmacistët vazhdimisht edukohen dhe përmirësojnë dijet e tyre. Ata i përgatisin, i kontrollojnë, i vërtetojnë dhe i japin ilaçet. Përdorimi i saktë, doza e duhur sipas nevojave të pacientëve, është pikërisht ajo që bën ilaçin të mos shndërrohet në helm, dhe në këtë proces përsëri farmacisti luan rolin kryesor.
Farmacisti është filtri j fundit para përdorimit të ilaçit. Ne dëshirojmë t’iu urojmë këtë ditë të veçantë të gjithë farmacistëve në vendin tonë, me mesazhin që të vazhdojnë të jenë profesionistë të shëndetit, të cilëve pacientët u besojnë shëndetin e tyre dhe shëndetin e të dashurve të tyre.