00389 2 3091 484
31 Maj, 2022
Këtë vit, Dita Botërore e abstenimit ndaj duhanit festohet më 31 maj. Kjo ditë synon të inkurajojë abstenimin 24-orësh nga të gjitha format e konsumit të duhanit në mbarë botën dhe synon të tërheqë vëmendjen ndaj efekteve negative mbi shëndetin nga konsumi i gjerë i duhanit.
Dita Botërore pa duhan u krijua për herë të parë nga shtetet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në vitin 1987. Që atëherë, çdo vit, OBSH-ja zgjedh një temë dhe krijon një mesazh unik global të përdorur në axhendën vjetore të luftës kundër duhanit.
OBSH inkurajon të gjitha grupet në mbarë botën – nga klubet lokale te këshillat e qyteteve dhe qeveritë shtetërore – të organizojnë ngjarje lokale çdo vit për të ndihmuar në shënimin e Ditës Botërore kundër Duhanit në mënyrën e tyre.
Në kuadër të fushatave, deri më tani janë realizuar aktivitete si shkrimi i letrave për zyrtarët e qeverisë dhe gazetat lokale, marshimet, debatet publike, fushatat publicitare lokale dhe kombëtare, takimet e aktivistëve kundër duhanit dhe programe edukative. Shumë qeveri e përdorin gjithashtu Ditën Botërore të abstenimit të duhanit si një datë për të filluar zbatimin e kufizimeve të reja të duhanit dhe përpjekjeve për kontrollin e duhanit.
Ne si institucion që kujdesemi për shëndetin e njerëzve, bashkohemi në festimin e kësaj dite. Si mbështetës të kësaj axhende, jo vetëm sot, por çdo ditë ne theksojmë dhe edukojmë për efektet e dëmshme të përdorimit të duhanit për të nxitur njerëzit të praktikojnë një mënyrë jetese të shëndetshme.