Hernia inguinale – shkaqet, simptomat dhe parandalimi

Doza e shëndetit ditor

2 Korrik, 2021

Çfarë është hernia inguinale apo e njohur ndryshe si dalja e dhjamit?

Hernia inguinale ndodh kur indet, si pjesë e zorrëve, dalin nëpërmjet zonave të dobësuara të muskujve të barkut duke formuar gungë të dukshme në formë topi në sipërfaqe të lëkurës. Gunga mund të jetë e dhimbshme, veçanërisht kur kolliteni, përkuleni ose ngrini pasha të rënda.
Hernia inguinale nuk është gjithmonë e rrezikshme. Sidoqoftë, nëse nuk përmirësohet vetvetiu, mund të çojë në komplikime të rrezikshme për jetën. Mjeku juaj ndoshta do të rekomandojë kryerjen e operacionit për të riparuar hernien e ijëve (në zonën e bikinit) të zgjeruara ose të dhimbshme, e cila konsiderohet si një procedurë shumë e zakonshme.

Simptomat

Simptomat e hernies inguinale përfshijnë:

Shfaqjen e një gungë/ kokrre në pjesën e të dyja anëve të ijeve e cila bëhet më e dukshme kur qëndroni në këmbë dhe veçanërisht nëse kolliteni ose kryeni ushtrime

  • Djegie ose dhimbje në zonën ku është shfaqur gunga
  • Dhimbje në ijë ose shqetësim, veçanërisht kur përkuleni, kolliteni ose ngriheni pesha të rënda
  • Ndjenjë rëndese ose tërheqje në zonën e ijeve
  • Dobësi ose presion në zonën e ijeve
  • Dhimbje rastësore dhe ënjtje rreth testikujve kur pjesa e fryrë e zorrëve zbret dhe hyn në skrotum

Shenjat dhe simptomat tek fëmijët

Hernia inguinale tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël është rezultat i dobësisë së murit të barkut dhe ndodh që në lindje. Ndonjëherë hernia mund të shihet vetëm kur foshnja qan, kollitet ose lodhet për të zbrazur zorrët. Fëmija mund të bëhet nervoz dhe të ketë më pak oreks se zakonisht.

Tek fëmijët më të rritur, hernia ka të ngjarë të jetë më e dukshme gjatë kollitjes ose tendosjes gjatë zbrazjes së zorrëve. E njëjta gjë vihet re kur fëmija qëndron për një kohë të gjatë.

Kur mund të shkaktojë problem hernia?

Nëse nuk mund ta shtyni / ktheni brenda hernien, përmbajtja e saj mund të bllokohet në murin e barkut. Një hernie e tillë mund të kompresohet, duke dëmtuar rrjedhën e gjakut në indin në të cilin është bllokuar. Hernia e bllokuar mund të jetë kërcënuese për jetën nëse nuk trajtohet.

Simptomat e hernies së bllokuar përfshijnë:

  • Të përziera, të vjella ose të dyja
  • Ethe
  • Dhimbje të papritur që intensifikohet shpejt
  • Gungë e cila mund të ndyshojë ngjyrë (të bëhet e kuqe, e purpurt ose e errët)
  • Pamundësia për të zbrazur zorrët ose gazrat

Tek shumë persona, dobësia e murit të barkut që shkakton shfaqjen e hernies inguinale ndodh që në lindje, kur mukoza e barkut (peritoneumi) nuk mbyllet siç duhet. Herniet e tjera inguinale ndodhin më vonë gjatë jetës, kur muskujt dobësohen ose ndryshojnë me kalimin e moshës, si pasojë e aktivitet të rëndë fizik ose nga kolla e shkaktuar nga pirja e duhanit.

Dobësia në murin e barkut mund të ndodhë më vonë gjatë jetës, veçanërisht pas ndonjë dëmtimi në stomak ose pas operacionit.

Tek burrat, pika e dobët është në kanalin inguinal, ku kanali i spermatozoidit hyn në skrotum. Tek gratë, kanali inguinal mbart ligament që ndihmon në mbajtjen e mitrës në vend, ndërsa hernia ndonjëherë ndodh kur indi lidhës i mitrës bashkohet me indin që rrethon kockën pubike.

Faktorët e rrezikut

Faktorët që kontribuojnë në zhvillimin e hernies inguinale janë:

  • Gjinia. Burrat kanë tetë herë më shumë gjasa të zhvillojnë hernie inguinale në krahasim me gratë.
  • Mosha. Muskujt dobësohen me kalimin e viteve.
  • Raca. Raca e bardhë është më e prekur.
  • Faktori trashëgues. Nëse keni një anëtar të rrethit të ngushtë familjar, (prind, vëlla ose motër) që vuan nga kjo gjendje, ka shumë të ngjarë që edhe ju të vuani.
  • Kollë kronike. Kollë e shkaktuar nga pirja e duhanit
  • Kapsllëku kronik. Kapsllëku shkakton tendosje gjatë zbrazjes së zorrëve.
  • Shtatzënia. Shtatzënia mund të dobësojë muskujt tuaj të barkut dhe të shkaktojë më shumë presion brenda barkut.
  • Lindja e parakohshme dhe pesha e ulët gjatë lindjes.
  • Hernia ose shërimi i mëparshëm i hernies inguinale. Edhe nëse hernia e mëparshme ka ndodhur në fëmijëri, ju keni rrezik më të lartë të zhvillimit të hernies inguinale.

Parandalimi

Nuk është e mundur të parandalohet predispozita e lindur që rrit prirjen për shfaqjen e hernies inguinale. Por ju mund të zvogëloni presionin e ushtruar në muskujt e barkut dhe indet. Për shembull:

  • Mbani një peshë të shëndetshme dhe normale. Flisni me mjekun tuaj për ushtrime dhe një plan diete që është më e përshtatshme për ju.
  • Përfshini më shumë ushqime të pasura me fibra në dietën tuaj. Frutat, perimet dhe drithërat integrale përmbajnë fibra që mund të ndihmojnë në parandalimin e kapsllëkut dhe zbrazjen e zorrëve.
  • Mos ngrini pesha të rënda ose bëjeni atë me kujdes. Nëse duhet të ngrini diçka të rëndë, gjithmonë përkulni gjunjët, jo belin.
  • Lini duhanin. Përveç pasojave negative që çojnë në shumë sëmundje të rënda, pirja e duhanit gjithashtu ka një ndikim negativ mbi hernien inguinale. Përkatësisht, pirja e duhanit shkakton kollë kronike që mund të çojë në përkeqësimin e hernies inguinale.