Intervistë: Dr. Zhivorad Kocevski – Pacientеt me zmadhim kirurgjik të gjoksit nuk kanë nevojë për sytjena

Doza e shëndetit ditor

Prill 04,2023

„Ndryshe nga implantet që përdoreshin në të kaluarën, teknologjia moderne e prodhimit të implanteve lejon jetëgjatësinë e tyre. Implantet që janë përdorur në të kaluarën kanë pasur jetëgjatësi 10 vjet, ndërsa implantet që prodhohen sot kanë një qëndrueshmëri minimale prej 20 vjetësh, por ka dhe prodhues implantesh që ofrojnë një garanci të përjetshme. Kështu, nëse implantet mbajnë të njëjtën formë dhe pozicion si në vitet e para pas operacionit, atëherë nuk është e nevojshme të ndryshohen“ – shpjegon Dr. Zhivorad Kocevski, specialist në kirurgjinë plastike, rikonstuktive dhe estetike.

Një tregues i mjaftueshëm i popullaritetit (famës) së kësaj ndërhyrje është vetë shifra e gati 2 milionë operacioneve estetike të zmadhimit së gjoksit në vit. Për të qenë të saktë, 1,860,000 janë kryer në vitin 2018 sipas të dhënave nga Shoqata Amerikane për Kirurgjinë Estetike dhe Plastike.

Për disa gra, zmadhimi i gjoksit është një mënyrë për t’u ndjerë më të sigurta, ndërsa për disa të tjera është pjesë e rindërtimit të gjoksit për shkak të kushteve të ndryshme. Si lindi ideja e zhvillimit të kësaj procedure kirurgjikale? Cilat femra janë kandidate për këtë lloj ndërhyrjeje kirurgjikale dhe sa rol luan mosha në marrjen e vendimit?

Me zhvillimin e shoqërisë moderne, në mënyrë për t’u ndjerë më të sigurt, në dy shekujt e fundit njerëzit i kushtojnë më shumë rëndësi pamjes së tyre. Me rritjen e vëmendjes që i kushtohet estetikës – pamjes dhe kënaqësisë që marrin prej saj, njerëzit ndihen më të sigurt në vetvete. Kështu, së bashku me kirurgjinë plastike dhe rikonstruktive, fillon të zhvillohet edhe kirurgjia estetike. Në veçanti, zhvillimi i kirurgjisë rindërtuese dhe estetike i gjirit fillon në shekullin e 19-të.
Përpjekja e parë për zmadhimin e gjoksit u bë nga mjeku austriak Robert Gersuny në vitin 1890, i cili përdori injeksionin e vajit të parafinës. Disa vite më vonë, në vitin 1906, Dr. Tansini bëri përpjekjen e parë për rindërtimin e gjirit tek një paciente femër pas ndërhyrjes së mastektomisë të plotë (haqjes së plotë të gjirit). Kështu fillon një epokë e re në rindërtimin e gjoksit me ndihmën e lëkurës së muskulit që përmban m.Latissimus dorsi.

Në këtë periudhë për të bërë zmadhim kirurgjikal të gjoksit janë bërë shumë eksperimente si përdorimi i indit dhjamor dhe transferimi i tij në zonën e gjoksit, vendosja e sfungjerëve polivinil dhe injektimi i silikonit. Por këto eksperimente rezultuan në shfaqjen e një numri të madh të komplikimeve të padëshiruara intraoperative dhe postoperative, prandaj një pjesë e madhe e popullsisë femërore i shmangën këto procedura.

Në shekullin e 20-të, me zhvillimin e Show biznesit, ndërhyrjet e suksesshme për zmadhimin e gjoksit tek një sërë yjesh në fushën e aktrimit si Marilyn Monroe, Lana Turner dhe Ava Gardner, rikthejnë interesin e grave për zmadhimin e gjoksit. Kështu, në vitin 1961, Dow Corning, pas 9 vitesh kushtuar këtij problemi, arriti të bënte implantin e parë me silikon për zmadhimin e gjoksit. Kjo është arsyeja pse ai u bë pionieri modern në zhvillimin e kësaj procedure estetike. Sot, metoda e tij, përkundër numrit të madh të modifikimeve të vetë implanteve dhe procedurës kirurgjikale, paraqet bazën për zhvillimin e procedurës estetike më të kërkuar në mbarë botën – zmadhimin e gjoksit.

Një tregues i mjaftueshëm i popullaritetit (famës) së kësaj ndërhyrje është vetë shifra e gati 2 milionë operacioneve estetike të zmadhimit së gjoksit në vit. Për të qenë të saktë, 1,860,000 janë kryer në vitin 2018 (sipas të dhënave nga Shoqata Amerikane për Kirurgjinë Estetike dhe Plastike).
Përsa i përket femrave kandidate për këtë lloj ndërhyrjeje kirurgjikale, sipas indikacionit mjekësor, bëhet fjalë për paciente që kanë bërë mastektomi për shkak të kancerit të gjirit, pacientë me gjoks tubular, asimetri të gjirit dhe pacientë me sindromën Poloni (Poland Syndrome). Për sa i përket indikacioneve estetike, ato përfshijnë pacientë të pakënaqur me madhësinë e gjinjve të tyre si dhe praninë e gjoksit ptotik (të varur), veçanërisht pas periudhës së laktacionit.

Në të njëjtën kohë, mosha nuk luan një rol në marrjen e vendimit për zmadhimin e gjoksit. Pacientja duhet të jetë në moshë madhore, domethënë të jetë një person i pjekur emocionalisht dhe psikologjikisht. Grupmosha më e zakonshme që zgjedh zmadhimin kirurgjik të gjirit përfshin gratë midis moshës 25 dhe 35 vjeç, por nuk është e pazakontë që pacientët e një moshe më të madhe të interesohen për trajtimin estetik ose rindërtues të gjinjve të tyre, veçanërisht pacientët në dekadën e katërt ose të pestë tek të cilat është kryer mastektomia e gjirit për shkak të pranisë së kancerit.

Si duket dhe si kryhet operacioni për zmadhimin e gjoksit?

Përdorimi i implanteve është metoda më e zakonshme e zmadhimit kirurgjikal të gjirit. Procedura operative kryhet nën anestezi të përgjithshme. Implanti për zmadhimin e gjirit është një protezë që në varësi të materialit brenda vetë kapsulës mund të jetë: silikon, poliuretan ose një protezë e mbushur me tretësirë të kripur. Në varësi të madhësisë dhe llojit të implanteve që pacienti ka zgjedhur, kirurgu plastik përcakton se cili lloj i prerjes është më i përshtatshëm.

Të gjitha vendimet në lidhje me pozicionin e prerjes dhe vendosjes së implanteve merren nga kirurgu në marrëveshje me pacientin pas një konsultimi të detajuar dhe bazuar në predispozitat fizike të pacientit. Gjatë vetë ndërhyrjes kirurgjikale, implanti vendoset në një xhep të formuar më parë, i cili në varësi të vlerësimit të bërë më parë, implanti mund të vendoset nën indin e gjirit, d.m.th. implantim nënmamare, ose mund të vendoset nën muskulin e gjoksit d.m.th. implantimi subpektoral. Përsa i përket formës së vetë implanteve për zmadhimin e gjirit, madhësia dhe pamja/forma e implanteve – implante të rrumbullakëta ose anatomike – përcaktohet para operacionit në konsultim me pacientin. Ka një shumëllojshmëri të gjerë të implanteve, por në përgjithësi ato janë me përbërje të butë dhe fleksibël.

Pas vendosjes së implanteve, plaga kirurgjikale mbyllet në disa shtresa: shtresa muskulore, shtresa fasciale, shtresa nënlëkurore dhe më pas bëhet qepja e lëkurës. Kjo metodë e mbylljes së plagës kirurgjikale kryhet për të ulur tensionin e vetë plagës kirurgjikale, duke parandaluar kështu formimin e plagëve të shtrira/tërhequra dhe të deformuara.

Një pyetje e shpeshtë nga pacientët është se sa e madhe do të jetë shenja pas operacionit? Megjithëse implanti është me përmasa të mëdha, ai është i butë dhe mjaft fleksibël, dhe kjo lejon që në shumicën e rasteve plaga operative të jetë ndërmjet 5 dhe 6 cm. Kjo është e mjaftueshme për të vendosur implantet, kështu që madhësia e mbresës/shenjës do të lëvizë gjithashtu brenda këtij dimensioni. Pyetja e dytë më e zakonshme në lidhje me zmadhimin kirurgjik të gjirit është, sa zgjat vetë operacioni? Sikurse gjatë çdo operacioni, për të arritur rezultatin më të mirë dhe për të shmangur të gjitha komplikimet e mundshme, operacioni zgjat deri në përfundimin e tij. Megjithatë, në shumicën e rasteve, operacioni për zmadhimin e gjirit zgjat nga 90 deri në 120 minuta.

Cilat femra nuk duhet të mendojnë për kryerjen e operacionit për zmadhimin e gjoksit?

Duke qenë se numri më i madh i pacientëve që vijnë për ekzaminim tek kirurgu plastik vijnë për shkak të treguesit estetik, pra nuk janë të kënaqur me madhësinë e gjinjve të tyre, pas kryerjes së zmadhimit të gjirit, pacientët nuk duhet të jenë të kënaqur vetëm me pamjen e re, ata duhet të jenë të shëndetshëm. Kjo do të thotë që gjendja shëndetësore nuk duhet të përkeqësohet pas operacionit.

Prandaj, para së gjithash, është e nevojshme që pacientët t’i nënshtrohen një ekzaminimi të plotë, i cili përfshin ekzaminimin mamografik ose ekografik të gjinjve, grafinë e gjoksit, analizën e plotë të gjakut, ekzaminimin nga mjeku internist dhe anesteziolog dhe jepet konkluzioni nga të dyja palët se pacienti mund të operohet me anestezi të përgjithshme.

Pacientët që nuk duhet të marrin në konsideratë zmadhimin kirurgjik të gjirit janë ata që kanë një ndryshim të dyshimtë të palpueshëm ose me anë të ultrasonografisë ose konstatim të ndryshimit malinj të gjirit, pacientë të cilët kanë të paktën një vit që i janë nënshtruar një intervenimi kirurgjik për të hequr një ndryshim malinj të gjirit. Është e nevojshme që të kalojë të paktën një vit që nga kryerja e procedurës onkologjike, dhe sigurisht kërkohet një opinion onkologjik konsullor (i disa mjekëve) përpara kryerjes së operacionit rikonstruktiv ose estetik të gjirit.

Një kundërindikacion për zmadhimin kirurgjik të gjirit është gjendja e keqe shëndetësore e pacientit, ekzistenca e një sëmundjeje akute ose ekzistenca e një sëmundjeje kronike të patrajtuar. Kundërindikohet gjithashtu në prani të ndryshimeve inflamatore ose infektive në indin e gjirit, siç është për shembull prania e mastitit. Sigurisht, shtatzënia dhe ushqyerja me gji janë kundërindikacione absolute. Një gjendje e shqetësuar mendore si dhe ekzistenca e BDMS (sindroma trupore dismorfofobike) konsiderohen si kundërindikacione.

Cilat janë efektet anësore të zmadhimit së gjoksit, a ka rreziqe gjatë procedurës?

Nëse përjashtohet ekzistenca e një kundërindikacioni për zbatimin e zmadhimit kirurgjik të gjirit, pacienti është në gjendje të mirë të përgjithshme shëndetësore dhe mendore, ka bërë një planifikim të saktë paraoperativ dhe nëse vetë operacioni kryhet në kushte kirurgjike sterile, atëherë nuk ka efekte anësore të rëndësishme përsa i përket operacionit për zmadhimin e gjoksit.

Megjithatë, ndërlikimet e mundshme përfshijnë: infeksionin, formimin e një shenje kirurgjikale estetikisht të pakënaqshme, dhimbje, hematoma, gjakderdhje, kontrakturë kapsulare.

Siç e kemi përmendur tashmë, nëse operacioni kryhet në kushte kirurgjike sterile në sallën e operacionit, nëse kryhet profilaksia me antibiotikë, atëherë rreziku i infektimit reduktohet në minimum. Përsa i përket formimit të një shenje kirurgjikale estetikisht të pakënaqshme, kjo parandalohet me anë të përdorimit të instrumenteve më të mira kirurgjikale që përdoren në kirurgjinë plastike në kombinim me teknikën e saktë kirurgjikale dhe qepjet kirurgjikale cilësore. Si çdo operacion, edhe në kirurgjinë estetike sigurisht që ka dhimbje pas operacionit.
Për të siguruar rehati më të madhe për pacientët, gjatë qëndrimit postoperativ në spital, dhimbja trajtohet me anë të analgjezikëve të dhënë me anë të infuzionit. Për rrjedhën e trajtimit të mëtejshëm, veçanërisht në kushtet e shtëpisë, dhimbja zgjidhet duke përdorur analgjezikë oralë. Kur bëhet fjalë për gjakderdhjen, çdo gjakderdhje gjatë operacionit ndalet me ndihmën e elektrokoagulimit. Vetë implanti nuk duhet të vendoset derisa të ndalet e gjithë gjakderdhja e shfaqur.

Edhe pse kirurgjia plastike është një nga operacionet më me finesë, operacioni ende paraqet një traumë për indet. Kështu që në periudhën pas operacionit është e mundur shfaqja e ënjtjes dhe hematomës. Kjo është arsyeja pse është e detyrueshme vendosja e drenimit gjatë operacionit. Drenat jo vetëm parandalojnë krijimin e një hematome, por na tregojnë edhe shkallën e reaksionit indor, pra sekretimin e përmbajtjes së përgjakshme ose seroze, gjë që tregon suksesin e trajtimit operativ.

Trupi i njeriut funksionon si një sistem i përsosur, në disa raste kjo mund të çojë në komplikime të tilla si kontraktura kapsulare. Kontraktura kapsulare është një nga ndërlikimet më serioze që mund të ndodhë pas operacionit për zmadhimin e gjoksit. Në fakt, kontraktura kapsulare është formimi i indit lidhës rreth vetë implantit në formën e një kapsule dhe ndodh sepse sistemi imunitar e njeh implantin si një trup të huaj dhe duke qenë se nuk mund ta heqë atë, përpiqet ta zërë në kurth/ ta bllokojë.

Një mënyrë për të parandaluar këtë fenomen është: vendosja submuskulare e vetë implantit, kontakti minimal i implantit me lëkurën e pacientit, larje e xhepit në të cilin do të vendoset implanti me solucione antibiotike dhe manipulimi minimal të vetë implantit.
Kontraktura kapsulare ndodh me një frekuencë prej 30% të pacientëve tek të cilët është vendosur një implant i mbushur me lëndë fiziologjike ose të ashtuquajtur “solucion i kripur”. Ndodh tek më pak se 4% e pacientëve ku augmentimi është bërë duke përdorur implante silikoni.

Si vijon rikuperimi pas operacionit dhe sa kohë duhet të kalojë për tu kthyer në aktivitetet e përditshme?

Pas zmadhimit kirurgjikal të gjoksit, pacienti duhet të monitorohet në repartin e kujdesit intensiv pas anestezisë për dy orët e para pas operacionit për të ndjekur me sukses gjendjen pas anestezisë së përgjithshme. Pas dy orësh, pacientja zhvendoset në dhomën e saj të spitalit ku monitorohet në intervale 2 deri në 3 orë. Tashmë 8 orë pas zmadhimit kirurgjik të gjoksit, pacientja mund të ngrihet nga shtrati dhe të lëvizë në hapësirën e dhomës së spitalit. Lëvizja në dhomë është nën mbikëqyrjen e personelit mjekësor të spitalit.

Gjatë 24 orëve të para të operacionit për zmadhimin e gjoksit, është e nevojshme të monitorohet sasia e përmbajtjes së mbledhur përmes drenazheve. Nëse pacientja është në gjendje të mirë të përgjithshme shëndetësore, nëse nuk ka rrezik për komplikime, atëherë në 24 orët e ardhshme pas operacionit, pra ditën e parë postoperative pas heqjes së drenazheve, ajo mund të lëshohet për shërim të mëtejshëm në shtëpi. Në kushte shtëpie rekomandohet pushimi, respektimi i detyrueshëm i rekomandimeve të dhëna nga kirurgu si dhe marrja e detyrueshme e terapisë së përshkruar.

Në ditën e pestë pas operacionit pacientја vjen për kontrollin e parë, gjatë të cilit bëhet ekzaminimi i plagës kirurgjikale si dhe i gjoksit, gjithashtu bëhet edhe fashimi i plagëve kirurgjikale. Ditën e dhjetë pas operacionit bëhet kontrolli i radhës kur hiqen qepjet nga plagët operative. Tashmë pas ditës së dhjetë nuk ka nevojë për mbulimin e plagëve me fashë, domethënë pas 10 ditësh plagët janë të mbyllura dhe fillon formimi tashmë i mbresës/shenjës. Në të ardhmen, pacienti mund t’i rikthehet kryerjes së aktiviteteve të përditshme, por pa aktivitet fizik që përfshin ngritjen e peshave të rënda si dhe ngritjen e krahëve mbi nivelin e shpatullave.

Dy javë pas operacionit, në varësi të llojit të punës që bën pacientja, ajo mund të kthehet në punë. Një muaj pas zmadhimit kirurgjik të gjoksit, pacientja mund të fillojë aktivitin fizik gradual si dhe të fillojë të merret me fitnes. Por është e rëndësishme të theksohet se ushtrimet e fitnesit duhet të bëhen pa përdorur peshë shtesë dhe shtangë/gira dore, më pas në është nevoja për kufizime të tjera në kryerjen e aktiviteteve nga jeta e përditshme si dhe aktivitetet profesionale.

Sa vite zgjat zmadhimi i gjoksit, pra sa kohë mund të qëndrojnë në formën e duhur implantet? A duhet të ndryshohen pas një periudhe të caktuar?

Ndryshe nga implantet që përdoreshin në të kaluarën, teknologjia moderne e prodhimit të implanteve lejon jetëgjatësinë e tyre. Implantet që janë përdorur në të kaluarën kanë pasur jetëgjatësi 10 vjet, ndërsa implantet që prodhohen sot kanë një qëndrueshmëri minimale prej 20 vjetësh, por ka dhe prodhues implantesh që ofrojnë një garanci të përjetshme. Kështu, nëse implantet mbajnë të njëjtën formë dhe pozicion si në vitet e para pas operacionit, atëherë nuk është e nevojshme të ndryshohen. Ekziston një ndryshim në jetëgjatësinë midis implanteve të mbushura me tretësirë kripë dhe implanteve të silikonit.

Për shkak të faktit se implantet e mbushura me tretësirë të kripur mund të ndryshojnë formën e tyre, d.m.th mund të shfaqen pabarazi në sipërfaqen e lëkurës në zonën e sipërme të gjoksit, si dhe për shkak të rrezikut më të madh të këputjes së vetë implanteve, rekomandohet heqja e tyre ose zëvendësimi i tyre përsëri pas 10 vjetësh nga implantimi. Kur bëhet fjalë për implantet e silikoni, mendimi i përgjithshëm është se nëse ato kanë ruajtur formën e tyre, nuk kanë pësuar ndryshim në përmbajtjen e tyre, mund të qëndrojnë për 20 vjet. Nëse nuk ka komplikime pas 20 vjetësh, ato mund të mbeten edhe më gjatë.

Në fakt, 20 vjet është një periudhë gjatë së cilës nuk pritet ruptura e vetë implantit. Rreziku i rupturës rritet me 1% çdo vit. Kjo do të thotë se pas 20 vjetësh, rreziku i këputjes së implantit është 20%. Por nëse pacientja bën kontrolle të rregullta vjetore, duke filluar nga viti i parë pas zmadhimit të gjoksit, atëherë gjendja e implanteve mund të monitorohet më me besueshmëri dhe ato nuk do të kenë nevojë për zëvendësim edhe pas 20 vitesh.

Një nga pyetjet që i intereson femrat që po mendojnë për këtë lloj ndërhyrjeje është nëse implantet kërkojnë vendosjen e sytjenave, e cila sigurisht është e detyrueshme në javët e para pas ndërhyrjes, por çfarë më pas?

Në periudhën pas operacionit, veshja e një sytjena kompresive është e detyrueshme. Bëhet pjesë e garderobës në muajin e parë, por mund të jetë e dobishme deri në tre muaj në varësi të llojit të implantit ose në varësi të shtresës në të cilën vendoset vetë implanti. Pas tre muajsh, për shkak se vetë implanti i bën gjinjtë më të fortë, pacientet nuk kanë nevojë fare për sytjena. Por nëse pacienti dëshiron të veshë sytjena, duhet ditur se përdorimi i sytjena me tela metali është i ndaluar.

A mund të ushqej me gji gruaja pas vendosjes së implanteve?

Nëse operacioni i zmadhimit të gjirit kryhet nga një kirurg plastik me përvojë dhe të mirëarsimuar, i cili duke përdorur një teknikë adekuate kirurgjikale e vendos implantin në pozicionin e duhur, atëherë shmanget rreziku i dëmtimit të sistemit kanalor të indit të gjirit. Kjo do të thotë që një grua në periudhën pas lindjes mund të ushqejë me gji pa problem. Nëse pacientja nuk ka ushqyer më parë me gji dhe ka në plan, atëherë ajo nuk duhet të zgjedhë një zmadhim të gjirit që përfshin një prerje kirurgjikale në zonën përreth thithave, sepse ajo qasje kirurgjikale rrit rrezikun e zhvillimit të problemeve gjatë dhënies së gjirit.

Nëse qasja kirurgjikale për zmadhimin e gjirit bëhet përmes një prerjeje kirurgjikale në zonën e palosjes submamare ose në zonën e sqetullës, atëherë nuk ka rrezik për komplikime të lidhura me ushqyerjen me gji. Një nga arsyet që mund të çojë në komplikime në lidhje me ushqyerjen me gji është madhësia e implanteve. Nëse implantet përdoren në përmasa fiziologjike, pra nëse madhësia e implanteve është brenda kufijve të një vlere normale pas matjes së kraharorit dhe gjinjve të pacientes, atëherë nuk ka rrezik për komplikime në lidhje me ushqyerjen me gji.
Por nëse përdoren implante të mëdha që janë më të mëdha se përmasat e rekomanduara nga kirurgu plastik, atëherë vetë implanti çon në komprimim të vetë indit të gjirit, duke rritur rrezikun e komplikimeve gjatë ushqyerjes me gji.

Çfarë do t’u thoshit femrave që janë të pakënaqura me pamjen e gjoksit dhe hezitojnë për zmadhimin kirurgjik të gjoksit?

Nëse pacientët janë të pakënaqur me pamjen e tyre dhe nëse vendosin që duan të zmadhojnë gjoksin, rekomandohet që të jenë të informuar mirë për vetë procedurën operative, por është e nevojshme edhe të informohen mirë për komplikacionet e mundshme të padëshiruara. Kur bëhet fjalë për zmadhimin e gjirit, përpara se të vendosni se ku dhe me kë do të dëshironit ta kryeni vetë operacionin, informohuni mirë për edukimin dhe përvojën e kirurgut.

Nëse pacientja është e pavendosur nëse do të donte të kryente procedurën operative, rekomandohet që ajo të marrë parasysh sa e pakënaqur është me pamjen e saj. Qoftë operacioni i gjoksit, hundës apo ndonjë procedurë tjetër estetike, mënyra më e mirë është të vlerësoni subjektivisht në një shkallë nga 1 deri në 10 se sa e pakënaqur është ajo me pamjen e saj. Nëse pakënaqësia është më e lartë se 7, atëherë vetë operacioni duhet të konsiderohet më seriozisht.

Pyetja e dytë që pacienti duhet t’i bëjë vetes, a do të jetë më e lumtur pas operacionit? Nëse operacioni do ta bëjë vërtet pacientin më të lumtur, do të thotë që pas operacionit vetëbesimi i pacientit do të jetë në një nivel më të lartë, atëherë pacienti nuk duhet të hezitojë në lidhje me vetë procedurën e operacionit. Nëse pacientja beson se procedura e kirurgjisë estetike nuk do të ndryshojë dukshëm pamjen para operacionit dhe nuk do të çojë në rritjen e vetëbesimit, pra nuk do ta bëjë atë më të lumtur, atëherë pacienti nuk duhet të mendojë fare për kirurgjinë estetike sepse pavarësisht nga rezultati përfundimtar, pacienti nuk do të jetë i kënaqur me të.