00389 2 3091 484
8 Nëntor, 2021
Të gjitha shoqatat e radiologjisë në mbarë botën sot bëjnë shënimin e kësaj date dhe ftojnë të gjithë të bashkohen në shënimin e saj.
Inçizimi mjekësor është një nga disiplinat më progresive në kujdesin shëndetësor. Por ndëkohë që rentgen (rrezet X), skanimet MRI, ultratingulli dhe teknologjitë e tjera të imazhit mjekësor janë të njohura për shumë njerëz, vlera dhe ndikimi i tyre në kujdesin ndaj pacientit nuk është kuptuar gjerësisht. Pikërisht, kjo është arsyeja pse kjo ditë shënohet që nga viti 2012 për të rritur ndërgjegjësimin për radiologjinë dhe rolin jetësor që luajnë radiologët në kujdesin ndaj pacientëve.
Falë radiologjisë sot mund të diagnostikohen frakturat, të vendosen dhe rregullohen protezat, të monitorohet evolucioni dhe zhvillimi i fetusit dhe të përcaktohet gjendja e trurit. Dhe e gjithë kjo pa pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjikale apo ndërhyrje të tjera të dhimbshme.
Shënimi i kësaj dite bëhet në fakt nga dita kur Wilhelm Conrad Röntgen zbuloi rrezet X. Më 8 nëntor 1895, ai kreu një eksperiment me rrezet katodike dhe ampula qelqi me vakum, duke vënë në dukje se kur kalonte rryma nëpër ampulë, prodhohej një efekt fluoreshent, diçka që në fakt ndodhte edhe tek pllakat fotografike. Ky shkencëtar e quajti zbulimin e tij ”rreze X” dhe u tregoi shkencëtarëve dhe profesionistëve të mjekësisë se me ndihmën e këtyre rrezeve mund të shihet pjesa e brendshme e trupit. Vetëm 3 muaj pas zbulimit të saj, rrezet X u implementuan në të gjitha spitalet e qyteteve të mëdha.
Kjo ditë botërore përpiqet gjithashtu të bëj të njohura rreziqet e punës në këtë profesion, si dhe të inkurajojë zbulimin e teknologjive të reja dhe metodave të reja për marrjen e imazheve radiologjike.
Me siguri, një apo disa herë në jetën tuaj keni bërë radiografi (rreze X) me qëllim për të diagnostikuar dhe kapërcyer një problem të caktuar. Në këtë ditë, thjeshtë duhet të mendojmë se sa mirënjohës duhet të jemi ndaj personave që e zbuluan dhe e zhvilluan atë, si dhe ndaj radiologëve që ekspozojnë çdo ditë një pjesë të shëndetit të tyre për të marrë një pamje të brendshme të trupit tonë që na lejon të marrim një diagnozë të saktë dhe për të ndjekur trajtimin e duhur.
Gëzuar Ditën Botërore të Radiologëve!