A e dini se Shrek vuante nga akromegalia?

Doza e shëndetit ditor

Korrik 07,2020

Të gjithë e njohim filmin e animuar Shrek, por shumë pak persona e dinë se Shrek është frymëzim i francezit Maurice Tillet, i cili ishte i njohur gjatë viteve 1930 dhe 1940 dhe vuante nga akromegalia (gjigandizmi).

ÇFARË ËSHTË AKROMEGALIA DHE SI TA DALLONI ATË?

Akromegalia është një çrregullim hormonal që zhvillohet kur gjëndra e hipofizës sekreton sasi të mëdha të hormonit të rritjes tek personat e rritur. Si rezultat i rritjes së sekretimit të hormonit ka një rritje të strukturave të caktuara – duarve, këmbëve, fytyrës dhe organeve të brendshme. Sëmundja në vetvete është e pazakontë, rrjedha e saj dhe simptomat shfaqen ngadalë dhe gradualisht, kështu që shpesh kërkohet më tepër kohë për ti dalluar këta individë. Gjatë momentit të diagnostikimit, shumica e këtyre pacientëve tashmë nuk ngjajnë më me vetveten – krahasuar me fotografitë e tyre disa vjet më parë.

Simptomat e kësaj sëmundje janë të shumta dhe ndryshojnë në varësi të pacientit, si dhe nga momenti i diagnostikimit (faza e sëmundjes):

  • Rritje apo zmadhim i duarve dhe këmbëve
  • Zmadhim i kontureve dhe strukturës së fytyrës
  • Lëkurë e ashpër, e trashë dhe e yndyrshme
  • Djersitje e tepruar e shoqëruar me erë të pakëndshme
  • Shfaqje e gungave apo kokrrave të vogla në lëkurë
  • Lodhje dhe dobësi të muskujve
  • Trashje dhe ashpërsi të zërit
  • Gërhitje e rëndë gjatë fjetjes
  • Shkimim i dëmtuar
  • Dhimbje koke
  • Rritje të gjuhës
  • Dhimbje dhe palëvizshmëri në nyjeve (kyçeve)
  • Çrregullim i ciklit menstrual tek gratë
  • Mosfunksionim erektil tek meshkujt
  • Rritje apo zmadhim i organeve të brendshme
  • Reduktim i libidit (epshit)

Nëse vëreni ndonjë nga simptomat e lartpërmendura, është e nevojshme që të konsultoheni me mjekun endokrinolog.

 

Sëmundja e avancuar dhe e patrajtuar mund të çojë në një numër të madh problemesh shëndetësore: presion të lartë të gjakut, sëmundje kardiovaskulare (kardiomiopati), osteoartrit, diabet mellitus, goiter (zmadhim i gjendrës tiroide), polip në zorrën e trashë, apnea e gjumit, kompresim në shtyllën kurrizore, humbje të shikimit.

Diagnoza bëhet me anë të testeve hormonale dhe metodave të imazhit (rezonancës magnetike e gjëndrës së hipofizës). Trajtimi konsiston në shtypjen e sekretimit të hormonit të rritjes, zakonisht rekomandohet trajtimi kirurgjikal ose terapia me rrezatim, dhe në disa raste jepen medikamente që bllokojnë veprimin e hormonit të rritjes (kur trajtimi kirurgjikal nuk është i mundur ose nuk është i disponueshme terapia me rrezatim).

 

Dr. Nadica Bozhinovska
Specialiste endokrinologe