A mund të parandalohet melanoma? Udhëzimе për parandalimin e saj

Doza e shëndetit ditor

Maj 05,2022

Faktorët e rrezikut të përcaktuar gjenetikisht për melanomën, të tilla si ngyra tepër e bardhë e lëkurës, prania e nishaneve të shumta dhe historia familjare e melanomës, nuk mund të ndryshohen ose të zhduken. Megjithatë, ne mund të reduktojmë ndjeshëm rrezikun e zhvillimit të melanomës duke ndjekur këto udhëzime parandaluese.

Ekspozimi në diell (insolanca)

Ekspozimi i menjëhershëm, intensiv dhe i drejtpërdrejtë në diell duhet të shmanget patjetër. Qëllimi kryesor është parandalimi i djegies nga dielli, pra skuqja e lëkurës që ndodh si pasojë e ekspozimit në diell. Djegiet më të dëmshme janë ato që krijojnë flluska ose dhimbje që zgjasin të paktën 48 orë. Prandaj, është mirë të shmangni ekspozimin e zgjatur të drejtpërdrejtë në rrezet e diellit, veçanërisht ndërmjet orës 11 dhe 15.

Krem kundër diellit

Kremrat kundër diellit duhet të kenë faktorin më të lartë mbrojtës – faktorin 30-50 – dhe të sigurojnë mbrojtje nga rrezet UVA dhe UVB. Efekti adekuat i kremrave kundër diellit që kanë filtra kimikë fillon rreth gjysmë ore pas aplikimit dhe nuk zgjat gjithë ditën, por vetëm dy orë. Prandaj, kremi kundër diellit duhet të aplikohet gjysmë ore para ekspozimit në diell dhe të ri-aplikohet çdo dy deri në tre orë.

Hije / temperaturë

Duhet theksuar se qëndrimi nën një ombrellë jashtë, si në plazh ose edhe në dëborë, mund të shkaktojë djegie nga rrezet ultravjollcë të cilat reflektohen nga deti apo nga bora, për këtë arsye duhet të zbatohen masa shtesë për mbrojtjen nga dielli. Gjithashtu, rrezet e diellit depërtojnë nëpër re në sasi të konsiderueshme, kështu që ekziston mundësia që lëkura të digjet edhe gjatë ditëve me re në preiudhën e pranverës/verës. Përveç kësaj, rrezet UV nuk shkaktojnë një ndjenjë nxehtësie në lëkurë dhe flladi i detit mund të shkaktojë një ndjenjë të rreme dhe të ekspozoheni më tepër dhe të sigurt në diell.

Veshja

Veshja siguron mbrojtjen më të mirë nga rrezet intensive të diellit. Këmishat e lehta dhe me mëngë të gjata ju mbrojnë më tepër se rrobat pa mëngë. Veshjet me ngjyrë të errët ofrojnë mbrojtje më të mirë se rrobat me ngjyra të zbehtë. Është e dëshirueshme që materiali të jetë i thurur fort dhe me mbrojtje të certifikuar ndaj rrezeve UV. Është mirë të vishni kapelë me streh të gjerë dhe syze dielli me mbrojtje, sepse rrezet UV janë të dëmshme edhe për sytë. Sot në treg janë të disponueshme veshje për fëmijë, duke përfshirë rrobat e banjës, me mbrojtje kundër diellit me faktor mbrojtës deri në 50.

Lloji i lëkurës

Në përgjithësi, rregulli është që lëkura gradualisht duhet të mësohet me rrezet e diellit. Fakt është se jo të gjithë njerëzit kanë lëkurë të njejtë prandaj dhe reagimi i lëkurës është i ndryshëm. Të gjithë duhet të dinë gjithashtu kohën specifike për mbrojtjen personale në lidhje me llojin e lëkurës së tij/saj. Me fjalë të tjera, sa kohë ekspozimi i pambrojtur në diell mund të konsiderohet i sigurt për një lloj lëkure të caktuar. Lloji i lëkurës përcaktohet nga shkalla e djegies apo errësimit të lëkurës pas gjysmë ore ekspozimi në diell në mesditë të një dite vere. Mund të njihet nga karakteristika të ndryshme, si ngjyra e flokëve apo lëkura e zbehtë.

Ekzistojnë gjashtë fototipe të lëkurës, por këto katër janë më të zakonshmet në Evropë:

Lloji 1:
• Lëkura është jashtëzakonisht e ndjeshme ndaj diellit, nuk errësohet por skuqet
• Njerëzit zakonisht kanë lëkurë të bardhë, shpesh me quka, flokë bjonde ose të kuqe dhe sy blu ose jeshil

Lloji 2:
• Lëkura është e ndjeshme ndaj diellit, errësohet ngadalë dhe është e prirur për djegie nga dielli
• Lëkurë e lehtë, por pak më e errët se tipi 1 me flokë zakonisht bjonde në bjonde të errëta dhe sy blu

Lloji 3:
• Lëkura është pjesërisht e ndjeshme ndaj diellit, errësohet lehtë dhe shpejt, dhe ngjyra mbetet për një kohë të gjatë
• Ngjyra e lëkurës pak më e errët, përgjithësisht flokë kafe në kafe të errët dhe ngjyra të ndryshme sysh

Lloji 4:
• Lëkura është rezistente, errësohet shpejt dhe plotësisht, ngjyra zgjat shumë
• Lëkurë kafe e çelur
• Flokët dhe sytë janë kafe të errët ose të zeza

Fëmijët dhe të rinjtë

Rreziku i zhvillimit të kancerit të lëkurës fillon që në fëmijëri dhe në moshë të re. Prandaj, fëmijët dhe të rinjtë duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm dhe të përdorin kremra efektivë të papërshkueshëm nga uji dhe barriera fizike kur marrin rreze dielli. Ata duhet të përdorin faktor mbrojtës të lartë i cili i mbron ata nga rrezet UVA dhe UVB. Veshja e bluzës me ngjyrë të errët dhe mbajtja e kapeles së diellit duhet të jetë e detyrueshme. Syzet e diellit cilësore janë ideale për mbrojtjen e syve dhe të rriturit në këtë rast mund të jenë shembull për t’u ndjekur nga fëmijët.

Kozmetikë dhe ilaçe

Disa ilaçe rrisin ndjeshmërinë ndaj dritës. Për këtë duhet të flisni me mjekun ose farmacistin tuaj përpara se të ekspozoheni në diell. Deodorantët, kozmetika dhe parfumet mund të shkaktojnë një reagim të pakëndshëm ndaj diellit ose pigmentim të përhershëm. Prandaj, përdorimi i produkteve të tilla gjatë marrjes së rrezeve të diellit duhet të shmanget.

Madje edhe në rastin e shfaqjes së ndryshimit më të vogël në lëkurën tuaj, konsultohuni menjëherë me mjekun tuaj. Kanceri i lëkurës mund të kurohet nëse zbulohet në kohë. Në Spitalin klinik Zhan Mitrev, me ndihmën e aparatit të sofistikuar FotoFinder, mund të zbulohen edhe ndryshimet më të vogla të lëkurës. Ekipi profesional i dermatologëve në klinikën tonë është në dispozicionin tuaj me një qasje profesionale dhe të personalizuar, udhëzime për parandalimin e kancerit të lëkurës dhe këshilla se si të kujdeseni siç duhet për shëndetin e lëkurës tuaj.

Rezervoni terminin tuaj në 02 3091 484