2 Prilli është Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin. 17 vjet më parë, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vendosi këtë ditë, duke inkurajuar veprime për të rritur ndërgjegjësimin e përgjithshëm për kushtet në spektrin e autizmit.
Autizmi nuk është një sëmundje, por një gjendje në të cilën njerëzit që jetojnë me të, kanë një mënyrë të ndryshme për të interpretuar fjalët, ngjyrat, format dhe tingujt e botës përreth nesh. Shkaqet janë të panjohura, megjithëse besohet se ekziston një faktor gjenetik i shoqëruar me një komponent mjedisor. Me trajtim terapeutik të personalizuar dhe të specializuar, është e mundur të rritet cilësia e jetës së personave të prekur nga autizmi.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), një në 160 fëmijë e ka këtë gjendje dhe incidenca po rritet me 17% çdo vit në mbarë botën. Çdo vit më shumë fëmijë diagnostikohen me autizëm dhe numri e kalon atë të SIDA-s, kancerit dhe diabetit së bashku.
Simbol i njohur për autizmin është pjesa e enigmës në ngjyrë blu. Ngjyra përfaqëson sigurinë që familjet dhe njerëzit me autizëm kanë nevojë të jetojnë me këtë gjendje, dhe pjesa e enigmës nënkupton që personi me autizëm nuk e izolon veten sepse ka dëshirë, ata kanë nevojë për mbështetje nga të tjerët.
Dr. Nikolla Hristov, specialist i kirurgjisë kardiovaskulare në Klinikën Zhan Mitrev: Diagnostikimi modern dhe trajtimi i avancuar i pacientëve e bën Klinikën Zhan Mitrev qendrën më të mirë shëndetësore në rajon
– Mundohem të jem fizikisht aktiv çdo ditë dhe shfrytëzoj çdo mundësi për të lëvizur në vend që të jem pasiv. Pavarësisht periudhës së vitit, në vend të makinës, në punë shkoj çdo ditë me biçikletë, ose detyrime të caktuara i kryej me biçikletë. Në këtë mënyrë shmang qëndrimin e gjatë në makinë dhe reduktoj stresin dhe nervozizmin e shkaktuar nga bllokimi i trafikut të qytetit. I gjithë transformimi i gjendjes shëndetësore duhet të fillojë me refuzimin e zakoneve të dëmshme dhe ndryshimin e rutinës së përditshme. Kështu kam filluar dhe ndryshimet i kam aplikuar në çdo pjesë të përditshmërisë – thotë doktor Nikolla Hristov, specialist i kirurgjisë kardiovaskulare në klinikën Zhan Mitrev. Në vijim do të lexoni mendimin e tij ekspert për tema të ndryshme që lidhen me sëmundjet kardiovaskulare dhe suksesin e klinikës.
Cilat janë sëmundjet më të shpeshta të sistemit kardiovaskular te maqedonasit? A janë këto sëmundje tipike për popullatën tonë?
Dr. Hristov: Lloji i sëmundjeve të sistemit kardiovaskular tek ne është i njëjtë si në të gjithë botën, ndoshta frekuenca/prevalenca është pak më e lartë. Kjo është për shkak të faktorëve të zakonshëm të rrezikut, të cilët vlejnë edhe për pjesën tjetër të popullsisë së botës. Më të zakonshmet janë: pasiviteti fizik, pirja e duhanit, ushqimi jo cilësor dhe jo i duhur, pesha e shtuar trupore, stresi. Këto raste dhe personat me këto simptoma shfaqeshin në moshat e shtyra mbi 50 dhe 60 vjeç, por tashmë me mënyrën moderne të jetesës dhe me rritjen e faktorëve të rrezikut që ndikojnë në jetën e përditshme të njeriut, kufiri i moshës është ulur dhe tani gjithnjë dhe më të shpeshtë janë pacientët që i përkasin një dekade më të re dhe në shumicën e rasteve kanë nevojë edhe për trajtim kirurgjik.
Klinika Zhan Mitrev është qendra e parë private kardiovaskulare në Maqedoni dhe ju bëheni pjesë e ekipit shumë shpejt. Çfarë e bën këtë klinikë një qendër rajonale për sëmundjet kardiovaskulare sot?
Dr. Hristov: Klinika Zhan Mitrev është një qendër rajonale, madje edhe më gjerë në Evropë, qendër e njohur në trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare, para së gjithash për shkak të qasjes në diagnostikimin dhe trajtimin e këtyre sëmundjeve. Aplikimi i diagnostikimit bashkëkohor dhe trajtimit të avancuar tek pacientët aplikohet këtu si rezultat i përmirësimit të vazhdueshëm të mjekëve, sepse është thelbësore të mbahen në hap me teknikat dhe teknologjitë e reja të aplikuara. Të gjitha këto kualifikime në Klinikën Zhan Mitrev përdoren për të ofruar kujdes shëndetësor më të mirë dhe më efektiv për pacientët. Gjithashtu jemi kualifikuar për klinikën më të mirë në rajon duke marrë për herë të tretë Vulën e Artë nga Joint Commission International. Kjo certifikatë konfirmon se institucioni shëndetësor ka standardet më të larta përsa i përket cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe kujdesit për sigurinë e pacientëve dhe është marrë nëpërmjet një analize të detajuar të ambienteve në sallat e operacionit, ekspertizës së personelit mjekësor, përkushtimit dhe profesionalizmit të mjekëve dhe punonjësve ndaj pacientëve. Sipas komisionit, Klinika Zhan Mitrev ka kapacitet dhe potencial për të qenë një Mayo Clinic jo vetëm në Ballkan, por edhe për Evropë dhe kjo flet vetë për rëndësinë dhe rolin që kemi.
Si ishin fillimet tuaja, si u bëtë personi i dytë për ndërhyrjet kardiovaskulare në klinikën Zhan Mitrev?
Dr. Hristov: Klinika jonë funksionon për 24 vjet, fillimi ishte më 1 Mars të vitit 2000. Si një mjek i ri i diplomuar me dëshirë për të mësuar kirurgji dhe dëshirë për të mësuar nga më të mirët, erdha dhe u takova me Dr. Zhan Mitrev, i cili më ofroi mundësinë të bëheem pjesë e ekipit të ri të mjekëve të cilët vazhdonin të edukoheshin në këtë klinikë. Kështu edhe unë u bëra pjesë e kësaj historie që në fillim, tashmë nga operacioni i dytë. Rruga ime profesionale ka qenë e gjatë dhe e dhimbshme, sepse këtu në klinikë i kam përmbushur detyrimet si mjek i ri si në fushën e diagnostikimit, ashtu edhe në kujdes dhe në terapi intensive apo në sallën e operacionit. Krahas kësaj ishin edhe përgjegjësitë e mia si praktikant i kirurgjisë së përgjithshme, të cilat duhej t’i kryeja në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup. Më ndodhte që të shkoja në klinikë në mëngjes dhe të isha këtu pasdite, kështu që në mbrëmje bëja shërbim dhe të nesërmen përsëri me detyrat e mia të rregullta. Ishte një periudhë e mbushur me shumë sakrifica dhe një periudhë që shënoi rrugën time të mëtejshme sepse kjo ishte ajo çfarë dëshiroja. Sigurisht, ajo që kam marrë këtu është veçanërisht e rëndësishme, pavarësisht teorisë që kam marrë gjatë studimeve të mia. Këtu kam forcuar njohuritë e mia teorike me punë reale praktike. Kjo ishte vendimtare dhe kjo është ajo që e bën këtë klinikë një qendër shëndetësore rajonale, edukimi i vazhdueshëm, kërkimet, përmirësimi dhe përvetësimi i më shumë ekspertizave, të gjitha në shërbim të një kujdesi më të mirë shëndetësor për pacientët. I inkurajuar nga kjo qasje, unë, menjëherë pas hyrjes në klinikën Zhan Mitrev, vazhdova shkollimin me një qëndrim tre vjeçar në Amerikë në Universitetin e Los Anxhelosit, gjë që kontribuoi shumë në njohjen më të detajuar të ideve të avancuara në kardiokirurgji. Ky qëndrim im gjeti aplikim më pas në praktikën tonë të përditshme dhe në trajtimin e pacientëve më të vështirë, kështu që sot funksionoj si zëvendësues apo personi i dytë në kirurgjinë kardiovaskulare në klinikën Zhan Mitrev.
Cila është gjëja më e rëndësishme që duhet të zotëroni për të qenë pjesë e Klinikës Zhan Mitrev, a mjafton vetëm aftësia specialistike?
Dr. Hristov: Sipas numrit të operacioneve, rezultateve dhe llojit të patologjisë që trajtojmë, spitali ynë renditet në të njëjtin nivel me spitalet kryesore në Evropë dhe madje edhe në Amerikë. Në marrjen e këtij statusi luajtën rol disa faktorë, por mbi të gjitha ekipi i mjekëve specialistë të udhëhequr nga Dr. Mitrev, mjekë me përvojë dhe reputacion ndërkombëtar, me një portofol të përmirësuar vazhdimisht me arritje dhe botime të reja. Si ekip dhe si individë, shumë shpesh marrim pjesë në projekte multidisiplinare të natyrës kërkimore dhe inovative, në nivel ndërkombëtar, qëllimi i të cilave është të shtyjnë/rrisin kufijtë e mjekësisë moderne. E gjithë kjo, teoria dhe edukimi i mëtejshëm, së bashku me punën e vazhdueshme, çon në trajtimin e rasteve më të vështira në patologjinë kardiovaskulare. Flasim për përvojën dhe njohuritë në vendosjen e një diagnoze, propozimin e një opsioni për trajtimin kirurgjik dhe sigurisht që trajtimi përfundon me një trajtim të suksesshëm. Kjo duket edhe nga rezultatet tona, nga ndërhyrjet e kryera dhe suksesi, dhe sigurisht nga rritja e numrit të pacientëve që na besojnë kujdesin për shëndetin e tyre. Kjo mënyrë funksionimi, e mbështetur nga suksese të shumta, çon në një rritje të vazhdueshme të besimit tek pacientët.
Shpesh, mjekët ia atribuojnë pjesërisht vitalitetin e sistemit kardiovaskular aktivitetit fizik. Sa e vërtetë është kjo dhe çfarë aktiviteti fizik rekomandohet?
Dr. Hristov: Është e vërtetë se ekzistojnë studime që tregojnë një reduktim të vdekshmërisë dhe sëmundjeve kardiovaskulare te personat që janë fizikisht aktivë. Por kërkohet aktivitet fizik i përditshëm dhe i vazhdueshëm, ecje, çiklizëm, madje edhe ngjitje shkallësh në vend të përdorimit të ashensorit. Aktiviteti fizik afatgjatë ka një efekt pozitiv dhe parandalon shfaqjen dhe zhvillimin e komplikimeve për sëmundjet kardiovaskulare dhe redukton faktorët e rrezikut. Është vërtetuar në mënyrë të përsëritur, prandaj një nga rekomandimet për personat që kanë predispozita gjenetike për sëmundjet kardiovaskulare për të reduktuar shanset është aktiviteti fizik, i cili duhet të jetë i përditshëm, dhe një ose dy herë në javë duhet të jetë më intensiv por edhe më i shkurtër, 10 -20 minuta deri në gjysmë ore.
A keni dhe cila është praktika dhe rutina juaj e përditshme për ruajtjen e një sistemi kardiovaskular të shëndetshëm dhe vital?
Dr. Hristov: Mundohem të jem fizikisht aktiv çdo ditë dhe shfrytëzoj çdo mundësi për të lëvizur në vend që të jem pasiv. Pavarësisht periudhës së vitit, në vend të makinës, në punë shkoj çdo ditë me biçikletë, ose detyrime të caktuara i kryej me biçikletë. Në këtë mënyrë shmang qëndrimin e gjatë në makinë dhe reduktoj stresin dhe nervozizmin e shkaktuar nga bllokimi i trafikut të qytetit. I gjithë transformimi i gjendjes shëndetësore duhet të fillojë me refuzimin e zakoneve të dëmshme dhe ndryshimin e rutinës së përditshme. Kështu kam filluar dhe kam aplikuar ndryshimet në çdo pjesë të përditshmërisë. Përveç lëvizjes i kushtoj rëndësi zgjedhjes së ushqimit, shmang ushqimin e përpunuar termikisht ose me aditivë të ndryshëm si konservues, si dhe konsumoj shumë perime dhe fruta. Ajo që i kushtoj vëmendje të veçantë është gjumi, madje kam një monitor që shërben për të ndjkur/monitoruar gjumin. Gjumi i duhur, me 7 deri në 8 orë pushim, është parakusht për jetëgjatësi dhe redukton rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare. Kam zëvendësuar një rutinë të dëmshme me një opsion shumë më të shëndetshëm dhe krijova zakone që janë të dobishme për trupin tim dhe veçanërisht për vitalitetin e sistemit kardiovaskular.
Krahas punës së përkushtuar, gjen kohë edhe për rekreacion, i cili është kthyer në çiklizëm gjysmë profesional. Sa serioze është kjo dhe çfarë do të thotë?
Dr. Hristov: Çiklizmi është zhvilluar nga një rutinë rekreative në një pasion më të madh për mua, kështu që tani e praktikoj në një nivel më intensiv dhe serioz. Kjo bëri që të bëhesha anëtar i klubit të çiklizmit “Energy” dhe të ecja në mënyrë më dinamike dhe për distanca më të gjata brenda kufirit të moshës sime. Kjo do të thotë të udhëtosh të paktën 4 herë në javë në rrugë më të gjata dhe më intensive, në Vodno, të shtunave turne edhe më të gjata si në Miletino në Tetovë, dhe të dielave në rrugë po aq të gjata por relaksuese, kur praktikojmë edhe të ulemi për një kafe. Dhe kjo është pikërisht praktika e çiklizmit gjysmë-profesionist, me rrugë e shtigje por pa karakter garues. Kam kuptuar se sportet dhe rekreacionet në mjedis të hapur, në natyrë, më tërheqin veçanërisht, kështu që përveç çiklizmit, vitet e fundit më ka lindur një pasion i madh edhe për skijimin, dhe përveç njërit aktivitet iu përkushtova edhe një aktiviteti tjetër sezonal i njohur si konotazh. Në disa nga këto aventura, qeni im është një shoqërues i shpeshtë, gjë që shton kënaqësinë akoma më tepër. Të gjitha këto angazhime të mia burojnë nga nevoja për të dalë nga kaosi urban, për të reduktuar stresin dhe për të gjetur një kanalizim të energjisë negative që na imponon jeta e përditshme moderne. Por kënaqësia dhe ndjenjat pozitive, ndryshimi i gjendjes psikofizike që kam parë tek vetja, më bën të shkoj një hap më tej apo një nivel më lart.
Mjek, çiklist dhe gjithashtu dashamirës i verës, cilësohesh si një njohës i shkëlqyer i verërave, si e ke zhvilluar këtë pasion, a jeni thjesht një dashamirës i verës apo jeni përkushtuar më tepër, me një edukim të specializuar?
Dr. Hristov: Përveç faktit që jam dashamirës i verës, sidomos i verës së kuqe, në atë pasion timin kam krijuar vetë njohuri dhe kam përcaktuar shijen time, nuk kam ndonjë edukim të veçantë. Megjithatë kam marrë pjesë në shumë seminare dhe degustime të verës të cilat mendoj se janë një eksperiencë e veçantë për të gjithë dashamirësit e verës dhe të dobishme të paktën në atë pjesë, për të gjithë ata që të paktën kanë dëshirë për të mësuar diçka më shumë. Personalisht, preferoj verërat e kuqe dhe verërat e kuqe maqedonase janë dobësia ime e veçantë. Varietetet maqedonase, edhe pse jo autoktone, janë ende tipike për vendin tonë, si Kratoshija dhe Vranec krijojnë verëra unike dhe ky është një thesar që duhet ta vlerësojmë. Megjithatë, për sa i përket konsumit të verës, një gjë që i përmbahem në mënyrë të disiplinuar dhe pa asnjë lëshim është konsumi i përgjegjshëm. Vetëm të shtunave, me moderim dhe në drekë me qëllim që të ketë kohë që alkooli të largohet nga organizmi deri të dielën në mëngjes kur kam turne të rregullta me biçikletë. Përgjegjësia ndaj pijeve inkurajohet edhe nga pikëpamja profesionale, pra nuk ka alkool gjatë ditëve të punës kur jam në detyrë dhe për këtë nuk bëj kompromis.
Cili është ilaçi më i mirë për një zemër të shëndetshme?
Dr. Hristov: Mendoj se ilaçi më i mirë për një zemër të shëndoshë është në balancën e gjithë asaj që përmendëm, që është gjumi i mjaftueshëm dhe i mirë, reduktimi i stresit, aktiviteti fizik, refuzimi i plotë i duhanit, ndryshimi i mënyrës së të ushqyerit. Shmangia e ushqimeve të konservuara dhe pikante, të kripura ose të ëmbla, sepse ndikon në presionin e gjakut. Një zemër e shëndetshme kërkon një ekuilibër mes të gjitha këtyre gjërave, për të mos e tepruar asnjërën prej tyre. E gjithë kjo kur kombinohet në një rutinë të përditshme të moderuar dhe të përshtatur mirë, ka fuqinë për të rritur jetëgjatësinë. Kjo është një mënyrë për të luftuar predispozitat gjenetike për shfaqjen e këtyre sëmundjeve, sepse reduktohen faktorët e rrezikut që ndikojnë më tej në predispozitat gjenetike.
Në klinikën tonë kishim nderin dhe kënaqësinë të mirëpresim infermierët e ardhshëm. Grupi i gjimnazistëve nga Shkolla e Mesme e Infermierisë “Dr. Pançe Karagjozov” Shkup së bashku me 22 nxënës, mysafirët e tyre nga “Gjimnazi Kurt Nikolin”, nga Norrköping – Suedi, patën rastin të njihen me ngjarjet ditore nga afër në klinikën tonë. Në kuadër të projektit Erasmus – nxënësit e shoqëruar nga mësuesit e tyre Nina Knaggs, Bekim Fera, Sonja Gliguroska bënë një vizitë të plotë nëpër ambientet dhe departamentet e spitalit për t’u njohur me proceset e punës së institucionit tonë. I falënderojmë dhe i urojmë suksese në shkollimin e tyre të mëtejshëm.
Çfarë është ergospirometria dhe cili është avantazhi i testit ergospirometrik ndaj stres testit standard?
Stres testi kardio-pulmonar (SRET) i ashtuquajtur ergospirometria është një test që mat punën e zemrës në korrelacion me mushkëritë gjatë sforcimit fizik. Ndryshe nga stres testi standard, prveç faktit që pacienti ecën në një lentë/korsi ose në biçikletë statike, gjatë kryerjes së ergospirometrisë pacienti ka edhe pajisje të tjera shtes. Kjo përfshin: një pajisje për matjen e presionit të gjakut, elektroda për bërjen e EKG-së (EKG elektrokardiogramë) me të cilën regjistrohet veprimi i zemrës, si dhe një maskë që vendoset në fytyrë dhe me ndihmën e së cilës matet konsumi i oksigjenit. d.m.th frekuenca dhe forca e frymëmarrjes, sa shpesh dhe sa thellë pacienti thith dhe nxjerr frymë.
Ky test është pjesë përbërëse e ekzaminimeve kardiologjike dhe është treguesi më i mirë i gjendjes së organizmit, kontrollon aftësinë funksionale të zemrës dhe përshtatjen e saj me përpjekjet fizike. Në cilat raste përdoret dhe cilat janë indikacionet për kryerjen e testit ergospirometrik?
Zona e indikacioneve për këtë test është mjaft e gjerë dhe aplikimi i testit për vlerësimin e gjendjes shëndetësore të pacientëve tashmë është përfshirë në një sërë udhëzuesish trajtimi mjekësor.
Arsyet më të zakonshme janë:
Përcaktimi i shkakut të problemeve funksionale të zemrës dhe mushkërive
Vlerësimi i aftësisë fizike, d.m.th. ngarkesa maksimale që një person mund të tolerojë për të bërë një plan trajnimi të përshtatur për personin që testohet
Vlerësimi i rrezikut para procedurës së planifikuar kirurgjikale
Vlerësimi i ashpërsisë/seriozitetit të dështimit të zemrës
Vlerësimi i shkallës së sëmundjeve të mushkërive si sëmundja pulmonare obstruktive kronike, sëmundja vaskulare pulmonare ose fibroza cistike
Vlerësimi i kufizimeve individuale si rezultat i kufizimeve të mushkërive ose zemrës gjatë aktivitetit fizik.
CPET është i domosdoshëm në përcaktimin e shkakut të gulçimit (dispnesë) gjatë sforcimit, si dhe në përcaktimin e përgjigjes normale të sistemeve pulmonare dhe kardiovaskulare ndaj sforcimit fizik. Çfarë mund të zbulojë testi?
Me këtë test mund të përcaktohet qartë shkaku i lodhjes dhe gulçimit, d.m.th. nëse është pasojë e një sëmundjeje latente (e fshehtë) e zemrës apo ndryshimeve në strukturën dhe funksionin e mushkërive.
Si kryhet testi, a kërkon përgatitje paraprake dhe çfarë përfshin?
Testi kryhet në një ambient të veçantë ku ndodhet pajisja dhe nën syrin vigjilent të stafit mjekësor ekspert i cili do të drejtojë personin që testohet. Mund të kryhet duke përdorur një korsi ecje ose në një biçikletë statike. Parametrat e zemrës dhe të mushkërive monitorohen njëkohësisht përmes elektrodave dhe sensorëve të vendosur në trup dhe në maskë dhe pajisja ka një program të veçantë që analizon këto parametra. Më pas mjeku i përpunon ato dhe përcakton hapat e mëtejshëm.
Përgatitja për këtë test nuk është e komplikuar, por ka disa rregulla kryesore:
Pacienti duhet të marrë terapinë e rregullt që përdor
Mund të konsumojë ushqim të lehtë 4 orë para testit. Nëse ndiheni të uritur, ju lejohet të konsumoni vetëm një shake para testit
Mos konsumoni kafe, coca cola , alkool, çaj të zi
Një ditë para analizës nuk rekomandohet që pacienti të bëjë ushtrime
Nuk lejohet konsumimi i nikotinës (tutun apo cigare elektronike) përpara analizës
A është procedura e sigurt, cili është rreziku i komplikimeve?
Procedura është shumë e sigurt. Incidenca e efekteve anësore është shumë e ulët (1 në 100,000 pacientë). Efektet anësore më të zakonshme janë aritmitë dhe infarkti i miokardit. Por këtu është e rëndësishme të përmendet se monitorimi i pacientit është shumë më i gjerë. Parametrat e pajisjes ofrojnë një mundësi për të vlerësuar paraprakisht shterimin e rezervave fizike ose ndryshimet në metabolizmin normal nga oksigjeni deri tek mungesa e tij, në mënyrë që testi të ndalet dhe të parandalohet shfaqja e efekteve anësore.
Në cilat raste mund të shfaqen kundraindikime?
Ergospirometria nuk rekomandohet nëse personi ka:
gjendje fizike që nuk e lejon të ecë në korsi/lentë apo të ngasë biçikletën
nëse kohët e fudit ka pasur infeksion në rrugët e frymëmarrjes, gripi, COVID-19
stenozë e rëndë e aortës e patrajtuar ose astma e pakontrolluar
përjetuar një atak në zemër (për më pak se 30 ditë para kryrjes së testit)
ICD/CRT të implantuar më pak se 4 javë më parë
oksigjenim të ulët fillestar
presion të lartë të gjakut
aritmi malinje
Përveç pacientëve kardiovaskular, testi ergospirometrik rekomandohet për sportistët. Cilat janë saktësisht përfitimet për ta dhe a mund të ndihmojë ergospirometria si procedurë diagnostike në zbulimin e hershëm dhe parandalimin e vdekjes së papritur kardiake te atletët?
Ergospirometria është shumë e rëndësishme në vlerësimin e kondicionimit fizik të një sportisti, sepse duke analizuar parametrat e përftuar nga veprimi i mushkërive dhe zemrës, mjeku mund të vlerësojë saktësisht pikën kur sportisti hyn në anaerobi (metabolizmi laktik). Çfarë do të thotë kjo në të vërtetë? Dihet se te atletët/sportistët, me stërvitje të rregullt, jo vetëm që kushtëzohen muskujt skeletorë, por edhe muskuli i zemrës tonifikohet dhe përshtatet në një shkallë të caktuar të përpjekjes fizike për të sjellë një sasi të mjaftueshme gjaku, dhe rrjedhimisht oksigjen dhe glukozë, të cilat janë të nevojshme për çlirimin e energjisë që ruan punën/funksionin e muskujve. Me këtë test ne mund të themi saktësisht se në çfarë niveli është arritur kushtëzimi. Në përputhje me këtë, u japim këshilla sportistëve se si të vazhdojnë me qëllimin për të shmangur momentin e hyrjes në metabolizmin anaerobik me sforcim të tepruar fizik. Në këtë mënyrë parandalohet shfaqja e dhimbjeve të muskujve tek sportistët, por më e rëndësishmja parandalohet sforcimi i panevojshëm i muskulit të zemrës dhe mundësia e zgjerimit dhe dobësimit të tij apo shfaqja e aritmive dhe vdekjes së papritur kardiake.
Përveç sportistëve, ky test ka mundësi të shumta për të gjithë pacientët kronikë, por edhe për popullatën më të gjerë – persona që janë fizikisht aktivë dhe për të cilët është e rëndësishme të vlerësohen aftësitë e kondicionit dhe proceset metabolike, për të rregulluar intensitetin dhe kohëzgjatjen e ushtrimeve. Përveç pacientëve dhe sportistëve profesionistë, për kë tjetër rekomandohet ky test?
Përfitimet e këtij testi janë të mëdha dhe aplikimi i tij në jetën e përditshme është mjaft i gjerë. Kështu, testi është përfshirë tashmë në të gjitha udhëzimet për vlerësimin e pacientëve me insuficiencë kardiake dhe klasifikimin nëse një pacient me zemër të dobët duhet të vendoset në listën për transplantim apo nëse ka nevojë për mbështetje mekanike të zemrës. Në të gjithë botën rehabilitimi i të sëmurëve nga zemra kryhet sipas parametrave të matur të këtij testi. Shumë shpesh ky test përdoret për të vlerësuar rrezikun e ndryshimeve kardiovaskulare gjatë procedurave të mëdha kirurgjikale.
Dhe sigurisht duhet përmendur një aplikim specifik i këtij testi, i cili përdoret shpesh në vendet e zhvilluara tek gratë shtatzëna, për të vlerësuar furnizimin me gjak të fetusit në mitrën e gruas shtatzënë.
Dita Botërore e Veshkave është një fushatë globale që synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë dhe kujdesin ndaj shëndetit të veshkave. Ajo festohet çdo të enjte të dytë të muajit mars që nga viti 2006. Fushata 2024 fokusohet në rritjen e ndërgjegjësimit për të promovuar akses të barabartë në kujdes dhe trajtim optimal mjekësor për pacientët me sëmundje të veshkave.
Rëndësia e shëndetit të barabartë të veshkave për të gjithë
Sëmundjet e veshkave vlerësohet se prekin mbi 850 milionë njerëz në mbarë botën. Statistikat tregojnë se sa e rëndë është sëmundja e veshkave, që një nga dhjetë banorë të rritur në vend ka një shkallë të dështimit të veshkave, ose një nga tre ose një nga pesë banorë ka gjasa për të zhvilluar sëmundje kronike të veshkave. Parashikohet se në vitin 2040 Sëmundja Kronike e Veshkave do të jetë shkaku i pestë kryesor i vdekjeve çdo vit. Dy milionë njerëz në botë kanë nevojë për trajtim me dializë.
Në vendin tonë çdo vit rreth 400 pacientë të rinj fillojnë trajtimin me dializë kronike, e cila përfaqëson trajtim të përjetshëm, nëse nuk bëjnë transplantim. Të dhënat tregojnë se në njëzet vitet e fundit, 67% e pacientëve nefrologjikë kanë nevojë për terapi të rregullt zëvendësuese. Në vendin tonë mbi 85% e atyre pacientëve përdorin hemodializën si trajtim dhe rreth 12% transplantohen.
E gjithë kjo flet shumë për ndikimin global të Sëmundjeve Kronike të Veshkave në cilësinë e jetës së personave të sëmurë, por edhe në koston e përgjithshme të trajtimit dhe ekonominë e vendeve.
Mendoni më shpesh për sëmundjen kronike të veshkave
Sëmundja kronike e veshkave mund të zhvillohet në çdo moshë, por është më e zakonshme tek persnat në moshë të rritur, ndaj një nga faktorët që ndikon në rritjen e numrit të sëmundjeve kronike të veshkave në vende të caktuara është plakja e popullsisë dhe obeziteti. Është vlerësuar se një në pesë burra dhe një në katër gra ndërmjet moshës 65 dhe 74 vjeç, si dhe gjysma e personave të moshës 75 vjeç e lart, kanë sëmundje kronike të veshkave.
Pas moshës 40 vjeçare, filtrimi i veshkave fillon të bjerë afërsisht 1% në vit, kështu që përveç plakjes natyrale të veshkave, shumë gjendje që dëmtojnë veshkat janë më të zakonshme tek personat e moshuar, duke përfshirë diabetin, presionin e lartë të gjakut dhe sëmundjet e zemrës. Diabeti dhe presioni i lartë i gjakut janë shkaktarët më të zakonshëm të sëmundjeve të veshkave. Presioni i lartë i gjakut shkakton një të katërtën dhe diabeti një të tretën e rasteve të dështimit të veshkave.
Në fazat e hershme të sëmundjes kronike të veshkave nuk ka simptoma apo shenja. Më shumë se 90% e funksionit të veshkave mund të humbasë pa përjetuar asnjë simptomë. Por ka teste të thjeshta laboratorike që mund të konfirmojnë sëmundjen, si përcaktimi i nivelit të kreatininës në gjak, si dhe gjetja e proteinave në urinë.
Zbulimet më të fundit në qasjen terapeutike ofrojnë mundësi për parandalimin dhe vonimin e sëmundjes, zbutjen e komplikimeve, të cilat janë shumë të zakonshme tek sëmundjet kronike të veshkave – sëmundjet kardiovaskulare, të trurit dhe renale në fazën përfundimtare, duke mundësuar zgjatjen dhe cilësinë më të mirë të jetës për personat me sëmundje të veshkave.
Terapitë dhe qasjet e reja terapeutike duhet të kenë akses të njejtë për të gjithë pacientët, në të gjitha vendet e botës, por ndërgjegjësimi i pamjaftueshëm për sëmundjen kronike të veshkave, si dhe mungesa e njohjes dhe besimi i pamjaftueshëm në mundësitë dhe strategjitë e reja terapeutike, mungesa e stafit të duhur profesional – nefrologë si dhe kostot e trajtimit, kontribuojnë në dallime të mëdha përsa i përket aksesit në trajtim, veçanërisht në vendet me standarde të ulëta, si dhe një pjese të popullsisë në vendet me standarde të larta. Të gjitha këto pabarazi theksojnë nevojën për të zhvilluar ndërgjegjësim më të madh për Sëmundjen Kronike të Veshkave dhe për të ndërtuar kapacitete për kujdesin e duhur shëndetësor të veshkave.
Arritja e kujdesit optimal të veshkave përfshin mbi të gjitha tejkalimin e: mangësive në diagnostikimin e hershëm të sëmundjes, mungesën e kujdesit shëndetësor universal dhe sigurimit, ndërgjegjësimin e ulët të punonjësve shëndetësorë, sfidat me kostot dhe disponueshmërinë e barnave.
Çfarë duhet ndëmarë për të reduktuar rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të veshkave?
Ajo që duhet të bëni për të zvogëluar rrezikun e zhvillimit të sëmundjes së veshkave është sigurisht:
Të merreni me aktivitet fizik;
Të konsumoni ushqim të shëndetshëm, të kontrolloni peshën tuaj trupore;
Të kontrolloni rregullisht nivelin e sheqerit në gjak;
Të paktën një herë në vit duhet të kontrolloni nivelin e proteinave në urinë;
Të kontrolloni rregullisht presionin e gjakut;
Të merrni një sasi të mjaftueshme të lëngjeve;
Të hiqni dorë nga konsumi i duhanit;
Të mos përdorni ilaçe pa rekomandimin e mjekut tuaj;
Kontrolloni funksionin e veshkave nëse keni një ose më shumë faktorë rreziku si diabeti, hipertensioni, obeziteti ose nëse keni një histori familjare të sëmundjes së veshkave.
Me rastin e Ditës Botërore të Veshkave, kemi mundësuar çmim special për ekzaminimin nefrologjik prej 2 000 denarësh. Çmimi vlen deri më 31 Mars. Rezervoni terminin tuaj në 02 3091 484
Kujdesuni për veten. Ekzaminimet e rregullta parandaluese janë thelbësore. Për rezervimin e terminit ☎️ 02/3091-484
Eko e gjirit 1 800 denarë.
Mamografi 2D 2 500 denarë.
Mamografi 3D 4 500 denarë.
Eko e gjirit dhe mamografi 2D 3 900 denarë.
Ekzaminim gjinekologjik me PAP 3 500 denarë.
Ekzaminim gjinekologjik 2 500 denarë.
Zbulimi i HPV me tampon/bris 2 500 denarë.
Sëmundjet seksualisht të transmetueshme 3 në të njëjtën kohë (Chlamydia trachomatis, Trichomonas vaginalis dhe Neisseria gonorrhoeae) nga urina e parë e mëngjesit (me metodën PCR) 1 800 denarë.
MRI e mitrës me kontrast 15 500 denarë.
MRI e gjirit 15 500 denarë.
Osteodensitometria/Dexascan 1 900 denarë.
Eko e gjendrës tiroide 2 000 denarë.
Ekzaminim pulmonologjik 2 000 denarë.
Ekzaminim nefrologjik 2 000 denarë.
Ekzaminim dermatologjik 2 000 denarë.
Fotofinder (skanim i nishaneve) 6 000 denarë.
Kolonoskopi me anestezi 18 000 denarë.
Gastroskopi me anestezi 18 000 denarë. Nëse kolonoskopia dhe gastroskopia bëhen në një akt, 28 000 denarë.
MSCT me kontrast (koka bashkë me qafën/abdomen/gjymtyrë të poshtme) 14 000 denarë.
MSCT native e mushkërive me analizë gjaku 12 000 denarë.
CT Kolonoskopi virtuale 12 000 denarë.
MRI native 13 000 denarë.
MRI në të gjithë shtyllën kurrizore 21 000 denarë.
Sekuenca e ekzomeve – sëmundjeve kardiovaskulare, kancerit ose sëmundjeve specifike 60 000 denarë.
Pamja e pjesëve intime të trupit është një temë veçanërisht e ndjeshme për femrat dhe për këtë arsye duhet trajtuar me kujdes. Kjo vlen për të gjitha aspektet, pavarësisht nëse është problem vizual apo funksional. Në këtë kategori bëjnë pjesë edhe labiat e vogla hipertrofike (të zmadhuara). Ato mund të jenë të lindura ose të fituara (pas shtatzënisë, lindjes ose si rezultat i procesit normal të plakjes). Si të tilla, ato ndodhin relativisht shpesh, por me shkallë të ndryshme (më shumë apo më pak). Ato janë shkaktarë të shqetësimeve, infeksioneve dhe shmangies së aktiviteteve seksuale tek femrat dhe pikërisht për këtë arsye pacientët duhet të konsultohen me mjekun.
Çfarë është labiaplastika?
Labiaplastika është një operacion për të korrigjuar labiat e vogla të cilat kanë pësuar ndryshim/ zmadhim. Kjo përfaqëson një kombinim të kirurgjisë plastike gjinekologjike dhe estetike me qëllim rindërtimin (zvogëlimin dhe formësimin) e labia minora hipertrofike, për të marrë pamjen dhe funksionin e tyre natyral anatomik. Labiaplastika përfshin korrigjimin e asimetrisë, veçanërisht kur rritja është vetëm në njërën anë.
Sa shpesh aplikohet labiaplastia?
Vitet e fundit, labiaplastika është bërë një operacion i shpeshtë, si në botë ashtu edhe në vendin tonë. Në kuadër të këtij trendi korrigjimi janë edhe metoda të tjera të destinuara për këtë zonë, si zbardhja e zonës intime, vaginoplastika, korrigjimi i epiziotomisë, ngushtimi i hyrjes vaginale, zmadhimi i labia majora dhe trajtimi jokirurgjik që premton rritjen e zgjimit seksual dhe rinovimin e vaginës.
Përse pikërisht labiaplastika?
Labiat e vogla hipertrofike nuk janë vetëm një problem estetik, por mund të shkaktojë edhe ankesa dhe çrregullime funksionale. Edhe pse shumë gra lindin me labia të vogla të mëdha, të çrregullta-asimetrike ose hipertrofike, dhe në disa raste problemi mund të shkaktohet si pasojë e traumës së lindjes, kirurgjisë gjinekologjike, shkaqeve të tjera traumatike ose procesit natyror të plakjes, ato ende çojnë në të njëjtën pakënaqësi.
Arsyet pse bëhet labiaplastika mund të jenë:
Pakënaqësi me trupin dhe pasiguri në marrëdhëniet intime
Problem në ruajtjen e higjienës personale
Çrregullim funksional i marrëdhënieve seksuale
Dhimbje gjatë aktit seksual
Një ndjenjë shqetësimi kur vishni disa lloje veshjesh
Pengesë gjatë aktiviteteve sportive, dhe ndonjëherë gjatë aktiviteteve normale, të përditshme që shkaktojnë infeksion, kruajtje dhe thatësi të zonës intime
Ënjtje e labiave, tërheqje e tyre në vaginë dhe lëndime të mëvonshme
Labiaplastika mund të kryhet tek të gjitha femrat që kanë problem, përveç vajzave të mitura, për të cilat kërkohet miratimi i prindërve. Mjeku specialist në gjinekologji estetike, kirurgji plastike, rikonstruktive dhe estetike, i cili përballet me këtë problem, duhet ta njohë dhe ta kuptojë këtë gjendje, si dhe problemet psikologjike që mund ta shoqërojnë këtë gjendje.
Si duket operacioni i labia minora?
Procedura nuk është e komplikuar, kryhet me anestezi lokale dhe zgjat nga 30 minuta deri në 1 orë. Përdoret një teknikë moderne mikrokirurgjikale, e cila përfshin një prerje shumë të vogël dhe të hollë, duke lënë pas një mbresë si një fije floku. Labiat riformohen dhe lëkura e tepërt dhe indet e tjera hiqen sipas nevojës.
Kur duhet bërë labioplastia?
Ky operacion është një operacion njëditor dhe nuk kërkon përgatitje të veçanta apo shërim të gjatë. Pra nuk është e nevojshme të planifikohet shumë paraprakisht, por operacioni bëhet atëherë kur pacientit i përshtatet më shumë, sigurisht në marrëveshje me kirurgun. Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se, ashtu si me operacionet e tjera jo urgjente, kjo nuk duhet të kryhet gjatë shtatzënisë.
Anestezi lokale apo e përgjithshme?
Labiaplastika kryhet me anestezi lokale dhe si e tillë është mjaft komode dhe pa dhimbje.
A është e rrezikshme labiaplastika?
Ky operacion nuk bën pjesë në operacionet që mbartin rrezik.
Si duket përgatitja për kryerjen e kirurgjisë?
Vetë operacioni nuk kërkon përgatitje serioze. I paraprijnë ekzaminimet rutinë para operacionit, njëkohësisht është e nevojshme të bëhet analiza e plotë e gjakut, si dhe analizat biokimike dhe statusi i koagulimit. Këshillohet që para labiaplastikës të ndërpritet terapia që shkakton gjakderdhje në konsultim me mjekun kirurg.
Rreziqet dhe komplikimet
Komplikimet nga labiaplastika janë shumë të rralla dhe ndodhin në më pak se 1% të rasteve. Komplikimet mund të parandalohen dhe të reduktohen në minimum me një teknikë të përpiktë operative dhe është gjithashtu e rëndësishme që pacienti t’i përmbahet këshillave të mjekut për kujdesin pas operacionit.
Rezultatet dhe rikuperimi i labiaplastikës
Me labiaplastikë arrihen rezultate të shkëlqyera estetike dhe funksionale, të cilat janë të dukshme menjëherë pas operacionit. Duhet të keni parasyshë se sportet dhe ushtrimet fizike nuk lejohen menjëherë pas operacionit. Pacienti mund të fillojë sportet dhe aktivitetet e tjera pas kontrollit heqjes së qepjeve. Suturat hiqen ndërmjet ditës së shtatë dhe të dhjetë, kur bëhet kontrolli i parë.
Si të ruani higjienën pas labiaplastikës?
Higjiena mbahet si zakonisht, duke bërë dush me ujë të ngrohtë.
A e zvogëlon labiaplastika ndjeshmërinë në zonën intime?
Përkundrazi, pacientët thonë se cilësia e marrëdhënieve seksuale përmirësohet ndjeshëm pas këtij operacioni.
A janë të përhershme rezultatet e labiaplastikës?
Rezultatet e këtij operacioni janë të përhershme. Nëse keni nevojë për një konsultë ose ekzaminim, në dispozicionin tuaj është Dr. Violeta Nikollov – gjinekologe dhe mjeke obstetër. Për të rezervuar një termin që ju përshtatet, telefononi në numrin 02 3091 484
Kolla e mirë ose kolla e madhe është një sëmundje infektive serioze e shkaktuar nga bakteria gram negativ Bordetella pertussis.
Mënyra e përhapjes së infeksionit
Infeksioni transmetohet me anë të aero-pikave, domethënë duke thithur ajrin e kontaminuar me këtë baktere nga një person i sëmurë. Bakteria transmetohet me anë të pikave përmes sekrecioneve të mukozës së sistemit të frymëmarrjes nga personi i infektuar dhe i nxjerr ato kur kollitet, teshtin, flet. Ka një probabilitet më të vogël të transmetimit të infeksionit në mënyrë indirekte – përmes objekteve të kontaminuara nga mjedisi i pacientit, ku bakteria mund të mbijetojë për 3-5 ditë. Indeksi i infektimit është shumë i lartë rreth 80%. Transmetimi është më i madh në fillim të sëmundjes dhe mund të zgjasë deri në 4 javë, sepse nuk i kemi shenjat karakteristike të kollës së madhe, që janë sulmet e kollitjes, që të dyshojmë se bëhet fjalë për pertusis.
Bartës të infeksionit janë kryesisht popullata e moshuar dhe adoleshentët që kanë një pamje klinike të lehtë të një infeksioni të rrugëve të frymëmarrjes të ngjashme me të ftohtin dhe për këtë arsye e përhapin infeksionin në mjedis pa e ditur. Kolla e mirë mund të transmetohet nga individë që kanë një formë të lehtë të sëmundjes ose individë të infektuar që nuk kanë asnjë simptomë dhe janë bartës të baktereve. Në këtë mënyrë, foshnjat mund të infektohen nga prindërit, vëllai ose motra e tyre më e madhe që nuk e dinë se kanë kollë të mirë dhe janë transmetues (ngjitës).
Tek popullata ku ka përqindje të lartë të vaksinimit, sëmundja dhe vdekshmëria prej saj janë shumë të ulëta sepse me vaksinim të rregullt mbrohen më të rrezikuarit, përkatësisht foshnjat dhe të moshuarit që konsiderohen si popullata më e brishtë tek të cilët kolla e mirë ka ecurinë më të rëndë dhe shkakton komplikacionet më të rënda.
Patofiziologjia
Bakteria Bordetella pertussis është agresive ndaj epitelit mbrojtës të rrugëve të frymëmarrjes. Pas depërtimit të saj lidhet me qelizat ciliare të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes ku shumohet, krijon endotoksina dhe substanca biologjike aktive që janë përgjegjëse për ecurinë e mëtejshme të sëmundjes. Duke dëmtuar epitelin mbrojtës të sistemit të frymëmarrjes, ekspozohen receptorët e kollës, gjë që çon në sulme të kollës spazmatike. Me përparimin e sëmundjes ndodhin ndryshime në rrugët e poshtme të frymëmarrjes dhe shfaqen komplikacione, pneumoni, bronkit, bronkiolit tek foshnjat.
Pamja klinike e sëmundjes
Inkubacioni i sëmundjes zakonisht zgjat nga 7-14 ditë, dhe ndonjëherë simptomat e sëmundjes mund të shfaqen edhe pas 21 ditësh. Simptomat e kësaj sëmundjeje varen në radhë të parë nga mosha e fëmijës dhe nga statusi i tij i vaksinimit, kështu që pamja më e rëndë klinike dhe një shkallë e lartë e komplikimeve manifestohen përkatësisht tek foshnjat në 6 muajt e parë të jetës. Ecuria e sëmundjes zhvillohet në tre faza. Fëmijët më të rritur dhe të rriturit nuk kanë kalime të qarta nga një fazë në tjetrën, pamja e tyre klinike është e lehtë, atipike, që i ngjan një ftohjeje. Prandaj, ky grup është edhe transmetuesi më i madh i infeksionit dhe atyre duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë.
Faza e parë
Faza e parë quhet edhe faza katarale. Kjo fazë është jospecifike dhe karakterizohet me simptoma dhe shenja si në rastin e infeksioneve të tjera respiratore, prandaj është shumë e vështirë të zbulohet sëmundja në këtë periudhë. Simptomat fillojnë me gërvishtje ose dhimbje të fytit, bllokim ose rrjedhje të hundës, teshtitje, me rretje të lehtë të temperaturës së trupit por jo domosdoshmërisht, dhe një kollë që gradualisht intensifikohet. Në këtë fazë, pacienti është më ngjitës dhe e përhap shumë shpejt infeksionin në mjedis.
Faza e dytë
Kjo është faza më e vështirë. Këtu shfaqet ajo kollë e fortë dhe intensive që mund të zgjasë 2-6 javë. Karakterizohet nga sulme të rënda, të shpejta, të papritura dhe të pakontrollueshme të kollës. Gjatë thithjes dhe nxjerrjes së ajrit, fëmija kollitet vazhdimisht, gjë që shkakton skuqje të fytyrës, lotim të syve, madje edhe mungesë ajri dhe cianozë. Në fund të sulmit, fëmija thith me shpejtësi ajrin, duke lëshuar një tingull karakteristik të ngjashëm me tingullin e gomarit, prandaj sëmundja në gjuhën popullore njihet “kolla e gomarit”. Ky sulm i kollitjes mund të pasohet me të vjella dhe nxjerrjen e një sasie mukusi. Sulmet e kollës mund të shkaktohen edhe nga ndryshimet e temperaturës në mjedis, prania e tymit, si dhe gjatë ushqyerjes së fëmijës.
Pamja klinike më dramatike e kollës është e pranishme tek foshnjat. Organizmi i foshnjës së vogël lufton për tu mbushur me ajër gjatë krizave të kollës.
Bakteria që është shkaktare e kësaj sëmundjeje me toksinën e saj shkatërron epitelin mbrojtës të trungut të frymëmarrjes, çon në ekspozimin e receptorëve të kollës, duke krijuar një sekret të trashë tek foshnja që nuk mund të mënjanohet me aktin e kollitjes. Përveç kollitjes, ata përjetojnë edhe ndërprerje në frymëmarrje të quajtura apnea. Në raste të caktuara, foshnjat mund të mos kenë as kollë, mund të kenë vetëm apnea. Ato apnea, nëse janë të shpeshta dhe zgjasin për një kohë të gjatë, mund të çojnë në marrje të reduktuar të oksigjenit dhe cianozës, për shkak të së cilës vuan pjesa më e ndjeshme e kësaj periudhe të jetës, që është truri i fëmijës. Për shkak të vetë hipoksisë dhe cianozës, tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël mund të ndodhin konvulsione, asfiksi dhe në rastet më të rënda dhe vdekje.
Faza e tretë
Faza e tretë quhet edhe faza e rikuperimit ose faza e shërimit. Kjo është faza ku simptomat zvogëlohen, numri i sulmeve të kollës zvogëlohet dhe vetë kolla nuk është më karakteristike. Por për shkak të toksinës së fortë të sekretuar nga bakteria Bordetella pertussis, që shkakton edhe kollën, kjo fazë mund të zgjasë për një kohë të gjatë, madje deri në një muaj ose më shumë.
Komplikimet
Komplikimet më të shpeshta që ndodhin janë asfiksia tek foshnjat, bronkopneumonia e cila mund të ketë një përfundim të keq, inflamacion i veshit të mesëm, dehidratim, konvulsione. Për shkak të sulmeve të rënda të kollës dhe përpjekjeve të mëdha që bën fëmija, mund të shfaqen gjakderdhje në tru, plasje e kapilarëve në të bardhat e syve, gjakderdhje nga hunda, mukozat dhe lëkura. Gjithashtu mund të shkaktojë inflamacion të strukturave të trurit që mund të rezultojë në çrregullime neurologjike. Si rezultat, një numër i madh foshnjash kanë nevojë për trajtim spitalor dhe disa prej tyre përfundojnë në njësi të kujdesit intensiv dhe terapi me mbështetje respiratore. Në raste të caktuara, sëmundja mund të ketë përfundim fatal. Për shkak të forcës së kollës, mund të shfaqen hernie të kërthizës dhe hernie inguinale, prolaps rektal dhe fraktura në zonën e kraharorit.
Si bëhet diagnoza?
Diagnoza në fazën e parë është mjaft e vështirë sepse pamja klinike është e ndërthurur me shumë simptoma të tjera të disa infeksioneve respiratore. Vetëm në fazën e dytë, kur shfaqet kolla tipike, dyshohet për pertusis.
Diagnoza më e shpejtë e kollës së mirë vendoset nga zbulimi molekular i Bordetella pertussis me metodën Multiplex Real Time PCR (reaksion zinxhir polimerazë), i cili gjithashtu zbulon një numër të vogël kopjesh të bakteres aktuale. Në klinikën tonë, ne kemi disa lloje të paneleve respiratore që zbulojnë një numër të madh virusesh dhe bakteresh respiratore duke përdorur metodën PCR. Në të gjitha këto panele është përfshirë bakteria Bordetella pertussis. Këto panele PCR ofrojnë rezultate në një kohë të shkurtër për vetëm disa orë. Merret mostër me një shtupë (bris) për hundë dhe fyt. Zbulimi i hershëm dhe identifikimi i saktë i patogjenëve të frymëmarrjes kontribuon në marrjen e terapisë në kohë, duke reduktuar në këtë mënyrë komplikimet e sëmundjes si dhe parandalimin në kohë të përhapjes së saj.
Terapia
Terapia me antibiotikë është trajtimi i zgjedhur për kollën e mirë. Antibiotikët e përdorur janë nga grupi i makrolideve si azitromicina, klaritromicina, eritromicina. Që trajtimi të jetë efektiv, trajtimi duhet të fillohet në fazën e hershme të sëmundjes, pra gjatë javës së parë ose të dytë, para se të shfaqen sulmet e kollitjes.Trajtimi me antibiotikë mund të shkurtojë periudhën infektive dhe të zvogëlojë rrezikun e përhapjes së infeksionit tek personat e tjerë. Profilaksia me antibiotikë kryhet edhe tek familjarët që kanë kontakt të ngushtë me një person të infektuar.
Parandalimi
Mënyra më e mirë për të parandaluar kollën e mirë është imunizimi!
Imunizimi kundër pertusis kryhet me vaksina të kombinuara, të cilat janë si më poshtë:
Heksaxim (DTaP-IPV-Hib-HepB)
Pentaksim (DTaP-IPV-Hib)
Tetraxim (DTaP-IPV)
Sipas kalendarit të imunizimit, vaksinimi fillon kur foshnjat janë 2 muajshe dhe vazhdon në 4 dhe 6 muajsh. Ky quhet edhe primoimunizim. Një nivel solid mbrojtjeje arrihet me doza përforcuese, pra me rivaksinim. Rivaksinimi i parë kryhet një vit pas përfundimit të vaksinimit primar, duke dhënë një dozë Pentaxim në moshën 18 muajshe. Rivaksinimi i dytë bëhet në moshën 7 vjeçare, pra në klasën e dytë. Tek gratë shtatzëna rekomandohet vaksinimi në tremujorin e fundit të shtatzënisë për të pasur kohë të mjaftueshme që trupi i nënës të krijojë një sasi të mjaftueshme antitrupash mbrojtës që do t’i ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme të porsalindurit në 3 muajt e parë deri në fillimin e vaksinimit të imunizimit të rregullt. Me imunizimin e rregullt dhe mbulimin e më shumë se 95% të fëmijëve, mund të arrihet një imunitet i mirë kolektiv, kështu që edhe nëse ndodh infektimi me këtë baktere, infeksioni do të kalojë me një pamje klinike më të lehtë.
Vaksinat stimulojnë sistemin imunitar për të krijuar antitrupa dhe kështu e përgatisin trupin e fëmijës për të njohur virusin ose bakteret specifike që do të jenë më të lehta për t’u luftuar.
Është për të ardhur keq që sëmundje të cilat kanë qenë në zhdukje, tani po fillojmë të paraqiten përsëri megjithatë ekzistojnë vaksina adekuate që mund t’i mbrojnë fëmijët. Masat e tjera parandaluese janë pjesë e masave të përgjithshme parandaluese që praktikohen për të gjitha sëmundjet e tjera respiratore.