A mund të parandalohet melanoma? Udhëzimе për parandalimin e saj

Faktorët e rrezikut të përcaktuar gjenetikisht për melanomën, të tilla si ngyra tepër e bardhë e lëkurës, prania e nishaneve të shumta dhe historia familjare e melanomës, nuk mund të ndryshohen ose të zhduken. Megjithatë, ne mund të reduktojmë ndjeshëm rrezikun e zhvillimit të melanomës duke ndjekur këto udhëzime parandaluese.

Ekspozimi në diell (insolanca)

Ekspozimi i menjëhershëm, intensiv dhe i drejtpërdrejtë në diell duhet të shmanget patjetër. Qëllimi kryesor është parandalimi i djegies nga dielli, pra skuqja e lëkurës që ndodh si pasojë e ekspozimit në diell. Djegiet më të dëmshme janë ato që krijojnë flluska ose dhimbje që zgjasin të paktën 48 orë. Prandaj, është mirë të shmangni ekspozimin e zgjatur të drejtpërdrejtë në rrezet e diellit, veçanërisht ndërmjet orës 11 dhe 15.

Krem kundër diellit

Kremrat kundër diellit duhet të kenë faktorin më të lartë mbrojtës – faktorin 30-50 – dhe të sigurojnë mbrojtje nga rrezet UVA dhe UVB. Efekti adekuat i kremrave kundër diellit që kanë filtra kimikë fillon rreth gjysmë ore pas aplikimit dhe nuk zgjat gjithë ditën, por vetëm dy orë. Prandaj, kremi kundër diellit duhet të aplikohet gjysmë ore para ekspozimit në diell dhe të ri-aplikohet çdo dy deri në tre orë.

Hije / temperaturë

Duhet theksuar se qëndrimi nën një ombrellë jashtë, si në plazh ose edhe në dëborë, mund të shkaktojë djegie nga rrezet ultravjollcë të cilat reflektohen nga deti apo nga bora, për këtë arsye duhet të zbatohen masa shtesë për mbrojtjen nga dielli. Gjithashtu, rrezet e diellit depërtojnë nëpër re në sasi të konsiderueshme, kështu që ekziston mundësia që lëkura të digjet edhe gjatë ditëve me re në preiudhën e pranverës/verës. Përveç kësaj, rrezet UV nuk shkaktojnë një ndjenjë nxehtësie në lëkurë dhe flladi i detit mund të shkaktojë një ndjenjë të rreme dhe të ekspozoheni më tepër dhe të sigurt në diell.

Veshja

Veshja siguron mbrojtjen më të mirë nga rrezet intensive të diellit. Këmishat e lehta dhe me mëngë të gjata ju mbrojnë më tepër se rrobat pa mëngë. Veshjet me ngjyrë të errët ofrojnë mbrojtje më të mirë se rrobat me ngjyra të zbehtë. Është e dëshirueshme që materiali të jetë i thurur fort dhe me mbrojtje të certifikuar ndaj rrezeve UV. Është mirë të vishni kapelë me streh të gjerë dhe syze dielli me mbrojtje, sepse rrezet UV janë të dëmshme edhe për sytë. Sot në treg janë të disponueshme veshje për fëmijë, duke përfshirë rrobat e banjës, me mbrojtje kundër diellit me faktor mbrojtës deri në 50.

Lloji i lëkurës

Në përgjithësi, rregulli është që lëkura gradualisht duhet të mësohet me rrezet e diellit. Fakt është se jo të gjithë njerëzit kanë lëkurë të njejtë prandaj dhe reagimi i lëkurës është i ndryshëm. Të gjithë duhet të dinë gjithashtu kohën specifike për mbrojtjen personale në lidhje me llojin e lëkurës së tij/saj. Me fjalë të tjera, sa kohë ekspozimi i pambrojtur në diell mund të konsiderohet i sigurt për një lloj lëkure të caktuar. Lloji i lëkurës përcaktohet nga shkalla e djegies apo errësimit të lëkurës pas gjysmë ore ekspozimi në diell në mesditë të një dite vere. Mund të njihet nga karakteristika të ndryshme, si ngjyra e flokëve apo lëkura e zbehtë.

Ekzistojnë gjashtë fototipe të lëkurës, por këto katër janë më të zakonshmet në Evropë:

Lloji 1:
• Lëkura është jashtëzakonisht e ndjeshme ndaj diellit, nuk errësohet por skuqet
• Njerëzit zakonisht kanë lëkurë të bardhë, shpesh me quka, flokë bjonde ose të kuqe dhe sy blu ose jeshil

Lloji 2:
• Lëkura është e ndjeshme ndaj diellit, errësohet ngadalë dhe është e prirur për djegie nga dielli
• Lëkurë e lehtë, por pak më e errët se tipi 1 me flokë zakonisht bjonde në bjonde të errëta dhe sy blu

Lloji 3:
• Lëkura është pjesërisht e ndjeshme ndaj diellit, errësohet lehtë dhe shpejt, dhe ngjyra mbetet për një kohë të gjatë
• Ngjyra e lëkurës pak më e errët, përgjithësisht flokë kafe në kafe të errët dhe ngjyra të ndryshme sysh

Lloji 4:
• Lëkura është rezistente, errësohet shpejt dhe plotësisht, ngjyra zgjat shumë
• Lëkurë kafe e çelur
• Flokët dhe sytë janë kafe të errët ose të zeza

Fëmijët dhe të rinjtë

Rreziku i zhvillimit të kancerit të lëkurës fillon që në fëmijëri dhe në moshë të re. Prandaj, fëmijët dhe të rinjtë duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm dhe të përdorin kremra efektivë të papërshkueshëm nga uji dhe barriera fizike kur marrin rreze dielli. Ata duhet të përdorin faktor mbrojtës të lartë i cili i mbron ata nga rrezet UVA dhe UVB. Veshja e bluzës me ngjyrë të errët dhe mbajtja e kapeles së diellit duhet të jetë e detyrueshme. Syzet e diellit cilësore janë ideale për mbrojtjen e syve dhe të rriturit në këtë rast mund të jenë shembull për t’u ndjekur nga fëmijët.

Kozmetikë dhe ilaçe

Disa ilaçe rrisin ndjeshmërinë ndaj dritës. Për këtë duhet të flisni me mjekun ose farmacistin tuaj përpara se të ekspozoheni në diell. Deodorantët, kozmetika dhe parfumet mund të shkaktojnë një reagim të pakëndshëm ndaj diellit ose pigmentim të përhershëm. Prandaj, përdorimi i produkteve të tilla gjatë marrjes së rrezeve të diellit duhet të shmanget.

Madje edhe në rastin e shfaqjes së ndryshimit më të vogël në lëkurën tuaj, konsultohuni menjëherë me mjekun tuaj. Kanceri i lëkurës mund të kurohet nëse zbulohet në kohë. Në Spitalin klinik Zhan Mitrev, me ndihmën e aparatit të sofistikuar FotoFinder, mund të zbulohen edhe ndryshimet më të vogla të lëkurës. Ekipi profesional i dermatologëve në klinikën tonë është në dispozicionin tuaj me një qasje profesionale dhe të personalizuar, udhëzime për parandalimin e kancerit të lëkurës dhe këshilla se si të kujdeseni siç duhet për shëndetin e lëkurës tuaj.

Rezervoni terminin tuaj në 02 3091 484

12 Maji – Dita Ndërkombëtare e Infermierisë

Dita Ndërkombëtare e Infermierisë festohet çdo vit më 12 maj. Në të gjithë botën festohet për të shënuar kontributin e infermierëve në shoqëri. Për herë të parë në vitin 1974 u zgjodh 12 maji si dita që do të festohej, sepse pikërisht 12 maji është dita e lindjes së Florence Nightingale, e cila konsiderohet si infermierja e parë moderne. Çdo vit, ICN (Këshilli Ndërkombëtar i Infermierëve) përgatit dhe shpërndan materiale për këtë ditë të veçantë. Materialet përmbajnë informacione edukative dhe publike të synuara për përdorim nga infermierët në mbarë botën.

Profesioni i Infermierisë në sektorin e shëndetësisë është i fokusuar në kujdesin ndaj individëve, familjeve dhe komuniteteve në mënyrë që të gjithë të arrijnë, të ruajnë shëndetin dhe cilësinë optimale të jetës. Infermierët ndryshojnë nga ofruesit e tjerë të kujdesit shëndetësor në qasjen e tyre ndaj pacientëve, trajnimit dhe fushës së veprimit në praktikë. Ato ofrojnë kujdes në kuadër të rekomandimeve të mjekëve dhe ky rol tradicional ka formuar historikisht imazhin e infermierëve si ofrues të kujdesit shëndetësorë.

Shoqata Amerikane e Infermierisë thekson se infermieria është mbrojtja, promovimi dhe optimizimi i shëndetit dhe aftësive, parandalimi i sëmundjeve dhe lëndimeve, lehtësimi i vuajtjeve përmes diagnostikimit dhe trajtimit si reagim njerëzor, dhe mbrojtja e kujdesit për individët, familjet, komunitetet dhe popullsitë.

Gëzuar këtë ditë të veçantë për të gjithë infermierët!

Kanceri i lëkurës është lloji më i zakonshëm i kancerit në botë

Kanceri i lëkurës është lloji më i zakonshëm i kancerit në botë. Zakonisht është rezultat i ekspozimit të tepërt dhe të pambrojtur të lëkurës ndaj rrezeve ultravjollcë të diellit. Rrezet UV depërtojnë thellë në lëkurë dhe e dëmtojnë atë me kalimin e kohës. Lezionet kanceroze kanë më shumë gjasa të ndodhin në vendet e ekspozuara ndaj rrezeve të diellit (UVA, UVB) në fytyrë, qafë, shpinë dhe ekstremitete.

Individët mbi 50 vjeç preken më shpesh, por kjo nuk do të thotë se kanceri nuk mund të shfaqet edhe tek moshat e tjera.

Kanceri i lëkurës nëse trajtohet siç duhet, ka shanset më të mira për t’u kuruar, krahasuar me të gjitha llojet e tjera të kancerit. Fatkeqësisht, ndërgjegjësimi i popullatës për simptomat e mundshme është mjaft i ulët, çfarë do të thotë se gjasat për zbulimin dhe trajtimin e hershëm të saj janë të vogla.

Kanceri i lëkurës si sëmundje i referohet disa kushteve të ndryshme të lëkurës me simptoma, trajtime dhe ashpërsi të ndryshme. Lloji më i zakonshëm I kanccerit është kanceri i lëkurës, ndërsa forma më agresive – më e rrezikshme e kancerit të lëkurës është melanoma.

Prandaj, zbulimi i hershëm është jetik, kështu që kontrollet preventive janë të domosdoshme dhe duhen bërë rregullisht.

FotoFinder është një pajisje moderne që ofron teknologji të nivelit më të lartë që përfshin inteligjencën artificiale për të zbuluar menjëherë nishanet ose ndryshimet e reja dhe të dyshimta në lëkurë. Vetë ekzaminimi është i sigurt sepse realizohet në një distancë prej më shumë se 1.6 m nga pacienti, gjë që është veçanërisht e rëndësishme gjatë kësaj periudhe ku ende është i pranishëm Covid-19.

Aparati disponohet vetëm në Spitalin klinik Zhan Mitrev i cili vazhdimisht investon në teknologjinë më të fundit për të ofruar diagnozë të saktë dhe trajtimin e duhur për pacientët e tij.

Mjekët tanë dermatologë ju mirëpresin, ndaj mos nguroni të rezervoni terminin tuaj në 02/3104-910

3 Maj – Dita Botërore e Astmës

Dita Botërore e Astmës festohet çdo vit të martën e parë të majit. Këtë vit është me datë 3 maj. Është një ngjarje vjetore e organizuar nga Iniciativa Globale e Astmës (GINA) për të rritur ndërgjegjësimin dhe kujdesin për këtë sëmundje në mbarë botën. Astma është një sëmundje e zakonshme kronike e rrugëve të frymëmarrjes, një inflamacion i karakterizuar nga simptoma të përsëritura dhe të varjueshme, pengim i rrjedhës së ajrit dhe bronkospazma.

Simptomat përfshijnë gulçim, frymëmarrje të shkurtër dhe të shpejtë, kollë dhe shtrëngim në gjoks. Astma më së shpeshti shkaktohet nga faktorë mjedisorë dhe gjenetikë. Në varësi të ndikimit të këtyre faktorëve, astma mund të marrë forma të ndryshme. Ndonjëherë është më e vështirë, ndonjëherë më e lehtë dhe në varësi të formës së saj varet edhe reagimi ndaj ilaçeve. Shpesh, edhe alergjia kronike e patrajtuar çon në shfaqjen e astmës.

Diagnoza zakonisht vendoset në bazë të shfaqjes së simptomave dhe/ose përgjigjes ndaj terapisë me kalimin e kohës. Prevalenca e astmës rritet ndjeshëm nga viti në vit. Në vitin 2009, astma shkaktoi 250,000 vdekje në mbarë botën. Në vitin 2010, 300 milionë njerëz u prekën në mbarë botën. Pavarësisht kësaj, me kontrollin e duhur të astmës dhe me marrjen e terapisë për të reduktuar dhe kontrolluar simptomat, prognoza është përgjithësisht e mirë.

Në Spitalin klinik Zhan Mitrev, ekipi i pneumologëve me përvojë shumëvjeçare është në dispozicionin tuaj dhe ju ofron një qasje të personalizuar në diagnostikimin dhe trajtimin e të gjitha sëmundjeve pulmonare.

Rezervoni terminin tuaj në 02 3091 484

Intervistë me Dr. Goran Joviq: LITOTRIPSIA – qëndrim i shkurtër në spital dhe shërim i shpejtë

LITOTRIPSIA – metodë minimale invazive për thyerjen e gurëve në traktin urogjenital

Litotripsia si procedurë është një metodë joinvazive e thyerjes së gurëve. Konkretisht, kjo lloj litotripsie që kryhet me lazer është një metodë minimale invazive që përdor hyrjen natyrale në traktin urinar. Bëhet në mënyrë endoskopike dhe avantazhi i kësaj metode për pacientin është se procesi i rekuperimit është i shkurtër dhe pacienti nuk qëndron në spital.

Përparësitë e litotripsisë në krahasim me intervenimin kalsik janë të shumta. Krahas momentit vizual të mungesës së shenjës, në krahasim me shenjën që lë prerja me anë të metodës së kirurgjisë klasike, një rëndësi të madhe ka edhe momenti i zvogëlimit të mundësisë për shfaqjen e komplikimeve për shkak se metoda është minimale invazive, rreziku i gjakderdhjes intraoperative është i reduktuar si dhe një tjetër avantazh i madh është qëndrimi i shkurtër në spital dhe shërimi i shpejtë. Mjaftojnë disa ditë pas së cilës pacientët do të mund t’i kthehen aktiviteteve të përditshme.

Lidhur me gurët që janë në vende të vështira për t’u arritur, duhet të themi se të gjitha ato që ndodhen në fshikëz, kanalet urinare dhe legenin renal mund të zgjidhen me këtë metodë. Nëse ato janë të pozicionuara diku tjetër, atëherë ka metoda të tjera për t’i trajtuar ato.

Litotripsia është një metodë joinvazive e thyerjes së gurëve, e cila ka shumë përparësi në krahasim me ndërhyrjen klasike. “Përveç momentit vizual të mungesës së shenjës, në krahasim me shenjën nga prerja me anë të metodës klasike të kirurgjisë, sigurisht që momenti i zvogëlimit të mundësisë së komplikimeve për shkak të invazivitetit minimal dhe rrezikut të zvogëluar të gjakderdhjes intraoperative është shumë e rëndësishme. Gjithashtu një avantazh i madh është qëndrimi i shkurtër në spital dhe shërimi i shpejtë”, shpjegon Dr. Goran Joviq, kirurg urolog.

Pak kohë më parë keni pasur një vizitë jashtëzakonisht interesante dhe edukative në spitalin Medpol në Stamboll, Turqi. Cila ishte pikërisht arsyeja që një ekipi nga Spitali klinik “Zhan Mitrev” kaloi një kohë në këtë spital?

Dr. Joviq: Vizita e ekipit tonë urologjik në spitalin Medpol në Stamboll lidhej me blerjen e një lazeri Jena 35W. Përdoret për litotripsi të gurëve në sistemin urogjenital, pra në fshikëz, ureter dhe veshka. Përdoret gjithashtu për avullimin e formimeve të vogla TU (tumore) në fshikëz. Vizita zgjati dy ditë dhe ishte një shkëmbim përvojash me prof. Bulent Erkurt në lidhje me përdorimin e këtij aparati.

Çfarë është konkretisht ndërhyrja e litotripsisë dhe si kryhet?

Dr. Joviq: Litotripsia si procedurë është një metodë joinvazive e thyerjes së gurëve. Konkretisht, kjo lloj litotripsie lazer është një metodë minimale invazive që përdor hyrjen natyrale të traktit urinar. Bëhet në mënyrë endoskopike dhe avantazhi i kësaj metode është se pacienti nuk mbahet në spital, pra vetë procesi i rikuperimit është shumë i shkurtër.

Falë qëndrimit edukativ profesional, por edhe aparatit lazer Jena 35W, i cili është në pronësi të Spitalit klinik Zhan Mitrev, pacientët nga vendi por edhe nga jashtë do të mund ta marrin këtë ndërhyrje në vendin tonë. Cilat janë avantazhet e litotripsisë në krahasim me kirurgjinë klasike, tradicionale?

Dr. Joviq: Ka shumë përparësi. Përveç momentit vizual të mongesës së shenjës, në krahasim me shenjën nga prerja me anë të metodës klasike të kirurgjisë, sigurisht që momenti i zvogëlimit të mundësisë së komplikimeve për shkak të invazivitetit minimal dhe rrezikut të zvogëluar të gjakderdhjes intraoperative është shumë e rëndësishme. Gjithashtu një tjetër avantazh tepër i madh është qëndrimi i shkurtër në spital dhe shërimi i shpejtë.

Si formohen, cilat janë simptomat e pranisë së gurëve (kalkulave) në zonat urogjenitale dhe si diagnostikohen?

Dr. Joviq: Ekzistojnë disa teori për krijimin e gurëve në traktin urinar. Njëri thotë se janë rezultat i formimit të një matrice (bërthame) pas një infeksioni urinar që nuk është trajtuar siç duhet ose nuk është trajtuar aspak. Teoria tjetër për shfaqjen apo formimin e tyre lidhet me gjenetikën. Pacientët me predispozicion gjenetik mendohet se kanë mungesë të një frenuesi të kristalizimit në trup që rezulton me formimin e gurëve. Teoria e tretë mendohet se shoqërohet me rrjedhje të dobët të urinës nga sistemi urinar, dmth. mbajtja që çon në depozitimin e shpejtë të kristaleve. Sigurisht që ka edhe çrregullime kongjenitale apo ato të fituara në sistemin urogjenital. Këto kalkula mund të përbëhen nga disa lloje të ndryshme: oksalat, urik, struvit dhe cistik. Diagnostikimi i tyre bëhet me ndihmën e ekos. Duhet të theksojmë se të dyja gjinitë janë të prekura nga ky problem.

Në vende të ndryshme të botës, në varësi të përbërjes së ushqimit të konsumuar, mund të vërejmë lloje karakteristike të gurëve. Kështu, për shembull, në rajonin tonë, ata që konsumojnë tepër sallata perimesh me gjethe (marule, lakër) ose bishtajore si bishtaja, fasulet, bizelet, mund të zhvillojnë gurë oksalati. Personat që janë më pak në gjendje të lëvizin, për shembull pas një procedure ortopedike, si pasojë e të cilës kanë lëviyje të kufizuara, mund të preken veçanërisht. Gjatë kësaj periudhe, ata konsumojnë ushqime të pasura me kalcium dhe lëvizin/shtrihen dobët. Në Japoni, ku konsumohet shumë oriz dhe peshk, gurët janë të llojit cistine (cystine).

Sa kohë duhet për t’u rikuperuar dhe për t’u kthyer në aktivitetet e përditshme pas një litotripsie me ndihmën e aparatit lazer dhe a mundet ky lazer të “arrij” edhe tek gurët që janë të vështirë për t’u aksesuar?

Dr. Joviq: Siç e kemi përmendur tashmë, mjaftojnë disa ditë pas së cilës pacientët do të mund t’i kthehen aktiviteteve të përditshme. Lidhur me llogaritjet që janë në vende të vështira për t’u arritur, duhet të themi se të gjitha ato që ndodhen në fshikëz, kanale dhe legen renale mund të zgjidhen me këtë metodë. Nëse ato janë të pozicionuara diku tjetër, atëherë ka metoda të tjera për t’i trajtuar ato.

Bakteret dhe ndikimi i tyre në shëndetin tonë

Cilat janë rreziqet që mund të presim?

Bakteret janë kudo! Por jo ndaj të gjithave duhet të friksohemi.
Me siguri keni dëgjuar shumë herë se bakteret janë shkaktarë të shumë sëmundjeve tek njerëzit. Pikërisht në këtë tekst do të prezantojmë disa prej tyre.

Por para se të hyjmë në temë, është e rëndësishme të sqarojmë se çfarë janë bakteret. Disa prej tyre janë vërtet të dëmshme, por disa baktere janë gjithashtu të nevojshme/të dobishme për ne.
Bakteret janë mikroorganizma, të përbëra nga një qelizë e vetme, dhe karakterizohen nga aftësia për t’u riprodhuar/shumëzuar me shpejtësi dhe për t’u përshtatur në mjedise të ndryshme dhe në kushte të ndryshme. Bakteret gjenden kudo, ato mund të kolonizojnë pothuajse çdo mjedis, duke përfshirë brendësinë e trupit tonë, ku jetojnë në mënyrë simbiotike, jetojnë në marrëdhënie përfitimi të ndërsjellë me personin mbartës.

Shembull për këtë është numri i madh i baktereve që jetojnë në zorrët tona, duke përmbushur funksione të rëndësishme metabolike si sinteza e vitaminës K, biotinës, acidit folik, madje edhe fermentimi i fibrave të patretshme, ndër të tjera.

Ka kaq shumë baktere në gojë, në lëkurë, në hundë, në flokë, madje edhe në veshë, aq shumë sa nuk dihet saktësisht se sa baktere ka brenda trupit që jetojnë dorë për dore me qelizat tona!

Madje ka baktere me të cilat mund të përgatisim ushqime të shëndetshme, si p.sh. bakteret fermentuese të përfshira në prodhimin e djathit dhe kosit.
Por “bakteret e dobishme” mund të jenë gjithashtu të dëmshme në një moment. Çdo baktere kur gjendet në një vend/ind ku nuk është pjesë e florës normale, mund të shkaktojë sëmundje të rënda. I tillë është rasti kur bakteret nga trakti intestinal hyjnë në qarkullimin e gjakut, duke krijuar sepsë ose septikemi, një gjendje që mund të çojë në vdekje.

Ka baktere që janë gjithmonë patogjene dhe prania e tyre në trupin e njeriut shkakton sëmundje.
Disa nga bakteret patogjene kanë aftësinë të sekretojnë toksina dhe kështu të shkaktojnë intoksikim dhe sëmundje të rënda.

Si transmetohen?

Këto baktere që dëmtojnë shëndetin hyjnë në trup në mënyra të ndryshme, si uji i kontaminuar, frutat dhe perimet e lara keq ose mishi i papërpunuar dhe i papjekur që tashmë është i infektuar me baktere të dëmshme. Prandaj është shumë e rëndësishme ndërmarrja e masave të higjienës personale dhe të sigurisë ushqimore.

Frutat e lara keq mund të jenë burim i infeksioneve bakteriale. Kur kjo të ndodh, bakteret nga flora e zorrëve përpiqen të eliminojnë sulmuesit për të mbrojtur vendin e banesës së tyre, pasi ata heqin lëndët ushqyese me të cilat ushqehen.

Si funksionojnë ato në trupin tonë?

Një studim zbuloi se bakteret patogjene veprojnë duke u lidhur me gjene të caktuara në bujtësin (personin bartës) ku jetojnë, në mënyrë që të fitojnë një avantazh të përkohshëm që i lejon ata të qëndrojnë brenda bujtësit për një kohë të mjaftueshme për t’u riprodhuar, për të shkaktuar sëmundje dhe më pas ekskretohet (zakonisht në formën e diarresë), gati për të infektuar një bujtës tjetër në strategjinë e tyre të kolonizimit.

Trajtimi i zakonshëm për infeksionet bakteriale është antibiotiku. Por bakteret kanë mekanizma të përsosura për tu mbrojtur kundër efekteve të antibiotikëve dhe bëhen rezistente ndaj disa antibiotikëve të përdorur ose grupeve të shumta të antibiotikëve. Në këtë mënyrë shumë prej antibiotikëve bëhen të paefektshëm, dhe kështu jemi të kufizuar në zgjedhjen dhe mundësinë e trajtimit të duhur të infeksioneve.

Pesë bakteret patogjene më të rrezikshme për njerëzit

Në përputhje me çfarë përmendëm më lart, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar një listë botërore të patogjenëve prioritarë që po hulumtohen për zhvillimin e antimikrobëve të rinj. Kjo është në fakt për faktin se trajtimet ekzistuese për disa sëmundje bakteriale kanë humbur efektivitetin e tyre.

Në këtë listë përfshihen:

Streptococcus pneumoniae: I konsideruar si një prioritet mesatar (bakteret që tregojnë rezistencë të shtuar ndaj barnave dhe shkaktojnë sëmundje të zakonshme hyjnë në këtë kategori), kjo Gram- baktere pozitive tashmë ka zhvilluar rezistencë ndaj penicilinës.

Shkakton infeksione të vogla si otitis media akut dhe sinusit; por edhe gjendje më serioze dhe invazive si pneumonia, meningjiti dhe ndonjëherë peritoniti.

Haemophilus influenzae: Konsiderohet gjithashtu me prioritet mesatar. Është shkaktar i disa sëmundjeve tek fëmijët si konjuktiviti, sinusiti dhe epiglotiti, bronkiti, pneumonia dhe meningjiti. Sa për të sqaruar, kjo baktere nuk duhet të identifikohet me shkaktarin e gripit, sepse është një etiologji virale – virusi i influencës.

Helicobacter pylori: Kjo baktere hyn në grupin me prioritet të lartë sepse është bërë rezistent ndaj klaritromicinës, ndaj ky antibiotik nuk është më efektiv kundër sëmundjeve të shkaktuara nga H. pylori, pra çrregullimeve gastrointestinale si gastriti, ulçera gastroduodenale dhe disa lloje të kancerit të stomakut.

Staphylococcus aureus: Renditet në grupin me prioritet të lartë të baktereve. Është bërë rezistent ndaj meticilinës dhe ndjeshmëria ndaj vankomicinës është vënë në dyshim.
Kjo baktere shkakton disa sëmundje të lëkurës, por nëse hyn në qarkullimin e gjakut rreziku i tij rritet dhe mund të prekë pothuajse çdo pjesë të trupit, veçanërisht valvulat e zemrës dhe kockat.

Pseudomonas aeruginosa: Kjo baktere është në listën e prioriteteve kritike, pra është multirezistente, veçanërisht e rrezikshme në spitale (baktere intraspitalore) dhe mund të shkaktojë infeksione vdekjeprurëse, si pneumonia e shoqëruar me ventilim mekanik dhe bakteremi/sepsë.
Aktualisht, trajtimi për P. aeruginosa konsiston në dhënien e antibiotikëve të kombinuar, megjithëse kjo metodë ka pasoja të mëdha, si rreziku i superinfektimit të mikroorganizmave superrezistente si dhe toksiciteti nga vetë trajtimi.

Si përfundim, është e rëndësishme të theksohet se të gjithë ekspertët e kësaj teme bien dakord se mënyra më e mirë për të ndaluar rritjen e shpejtë të rezistencës bakteriale ndaj lëndëve antimikrobike ose antibiotikëve është zbatimi i politikave të përdorimit racional për të parandaluar marrjen e tyre të papërshtatshme dhe të tepruar.

Rekomandimi, si gjithmonë, është të konsultoheni me mjekun përpara se të merrni ndonjë mjekim.

Hipertrofia e barkushes së majtë të zemrës

Me anë të diagnozës së hershme dhe trajtimit të duhur të problemeve të zemrës mundësohet reduktimi i rrezikut të vdekjes së papritur.

Hipertrofia e barkushes së majtë të zemrës është trashja e murit të kësaj barkushe. Me trashjen e murit, barkushja (ventrikuli) humbet elasticitetin dhe kështu zemra nuk mund të shtrihet mjaftueshëm për të pranuar gjakun që hyn në të, dmth ndodh i ashtuquajturi mosfunksionim diastolik.
Zhvillimi i hipertrofisë së ventrikulit të majtë mund të çojë në dështim të zemrës dhe shfaqjen e aritmive të cilat mund të jenë më pak ose më shumë kërcënuese për jetën.

Kush mund të preket nga kjo gjendje?

Kjo gjendje është më e zakonshme tek:

  • individët me presion të lartë të gjakut (hipertension arterial),
  • individët me stenozë të rëndë të aortës, koarktim të aortës,
  • individët me predispozitë gjenetike, por mund të shfaqet edhe në lidhje me sëmundje të tjera.

Simptomat kryesore

Hipertrofia e ventrikulit të majtë zakonisht zhvillohet gradualisht. Sëmundja është asimptomatike, veçanërisht në fazat e para.
Pas zhvillimit të përparuar të hipertrofisë së ventrikulit të majtë, shfaqen simptomat e mëposhtme:

  • Vështirësi në frymëmarrje
  • Lodhje
  • Dhimbje gjoksi, veçanërisht gjatë aktivitetit fizik
  • Ndjenja e rrahjeve të shpejta të zemrës (palpitacione)
  • Marramendje
  • Humbje të vetëdijes

Shkaqet:

Shkaku i hipertrofisë së ventrikulit të majtë është rritja e madhësisë së qelizave të muskujve të zemrës (hipertrofia), ose krijimi i indit jonormal rreth qelizave të muskujve të zemrës.
Qelizat e muskujve të zemrës mund të zmadhohen si përgjigje ndaj diçkaje që e bën barkushen (ventrikulin) e majtë të punojë më shumë, siç është presioni i lartë i gjakut. Me rritjen e punës së ventrikulit të majtë, indi muskulor në murin e ventrikulit trashet. Ndonjëherë edhe vetë masa e ventrikulit rritet.

Hipertrofia e ventrikulit të majtë mund të ndodhë edhe për shkak të problemeve në strukturën e qelizave të muskujve të zemrës. Këto ndryshime mund të lidhen me çrregullime gjenetike. Në fakt, indi jonormal që shfaqet rreth qelizave të muskujve të zemrës është rezultat i disa kushteve të rralla.

Faktorët që ndikojnë që zemra të punojë më shumë janë:

Presioni i lartë i gjakut (hipertensioni arterial): Hipertrofia e ventrikulit të majtë zbulohet/vizualizohet në mënyrë ekokardiografike. Prania e hipertrofisë është një tregues kryesor i mundshëm i rritjes së vdekshmërisë tek pacientët me hipertension. Më shumë se një e treta e pacientëve me hipertension, gjatë diagnostikimit të hipertensionit rezultojnë me zhvillim të hipertrofisë. Me trajtimin e hipertensionit arrihet reduktimi i hipertrofisë, dhe prognoza e pacientit përmirësohet.

Shkalla e reduktimit të hipertrofisë së ventrikulit të majtë varet nga disa faktorë: masa fillestare e ventrikulit të majtë, kohëzgjatja e terapisë, ulja e presionit sistolik (të sipërm) të gjakut dhe zgjedhja e barnave antihipertensive.

Stenoza e valvulës së aortës: Kjo sëmundje nënkupton ngushtimin e valvulës së aortës, e cila ndan ventrikulin e majtë nga ena më e madhe e gjakut – aorta. Ngushtimi i valvulës së aortës shkakton vështirësi në pompimin e gjakut nga ventrikuli i majtë në aortë.
Për të kontrolluar presionin përmes valvulës së aortës, presioni në ventrikulin e majtë rritet, gjë që stimulon hipertrofinë / trashjen e murit të ventrikulit të majtë. Ky zmadhim i murit të ventrikulit të majtë shkakton fibrozë të miokardit, gjë e cila çon në dekompensim kardiak (dështim të zemrës) dhe shkakton rrezik të shfaqjes së aritmive ventrikulare.

Aktiviteti sportiv: Ushtrimet e rregullta për rritjen e qëndrueshmërisë gjithashtu rrisin kërkesën e muskujve të zemrës për oksigjen, gjë që shkakton rritjen e nxjerrjes dhe transportit të oksigjenit në të gjithë trupin. Rezistenca periferike zvogëlohet, por vëllimi minutor i zemrës rritet, gjë që rrit presionin sistolik të gjakut. Pas 3-6 apo më shumë orësh ushtrime intensive, funksioni i zemrës ulet me 4-6% në 48 orët e ardhshme të stërvitjes, dmth. shfaqet lodhje kardiake. Kjo ngarkesë vëllimore në ventrikulin e majtë dhe të djathtë të zemrës çon në trashje të lehtë të murit të ventrikulit të majtë. Megjithatë, zakonisht masa e zemrës rritet si rezultat i hipertrofisë ekscentrike. Kjo përshtatje, dmth. hipertrofia e miokardit ndodh me qëllim që të normalizohet stresi i presionit të shtuar në murin e ventrikulit, i cili normalisht ndodh me rritjen e vëllimit të ventrikulit. Forca e pompimit të të dy barkusheve është nga normale deri paksa e reduktuar.

Faktoret e rrezikut

Përveç shkaqeve të lartpërmendura, është shumë e rëndësishme të përmenden edhe çrregullimet në strukturën e qelizave të muskujve të zemrës që çojnë në trashje të murit të zemrës.

Të tilla janë:
Kardiomiopatia hipertrofike: Kjo është një kardiomiopati gjenetike e zakonshme, e cila shfaqet në 1 nga 500 individë në popullatën e përgjithshme dhe shkaktohet nga një mutacion në gjenet e përfshira në sintezën e proteinave për fibrat e muskujve të zemrës. Diagnoza vendoset me anë të ekokardiografisë dhe rezonancës magnetike të zemrës kur muri i muskujve të zemrës është i trashë (≥ 15 mm në diametër). Shumica e pacientëve kanë jetëgjatësi normale, por disa pacientë kanë simptoma të dështimit të avancuar të zemrës, aritmive atriale dhe ventrikulare, tromboembolisë dhe janë në rrezik të vdekjes së papritur.

Amiloidoza: Amiloidoza e zemrës ndodh si rezultat i akumulimit të proteinave amiloide ndërmjet fibrave muskulore të zemrës. Kjo çon në hipertrofi të murit të ventrikulit të majtë, mosfunksionim diastolik dhe më pas sistolik të zemrës. Hipertrofia mund të jetë simetrike, asimetrike, koncentrike ose ekscentrike. Hipertrofia është zakonisht në mënyrë disproporcionale më e madhe në krahasim me pacientët me hipertension.

Faktorë shtesë të rrezikut:

Përveç hipertensionit dhe stenozës së valvulës së aortës, faktorët që rrisin rrezikun e hipertrofisë së ventrikulit të majtë janë:

  • Mosha e pacientit: Hipertrofia e ventrikulit të majtë është më e zakonshme tek personat e rritur mbi 65 vjeç.
  • Shtimi në peshë: Të qënit mbipeshë rrit rrezikun e presionit të lartë të gjakut dhe hipertrofisë së ventrikulit të majtë.
  • Historia familjare: Në familjen e pacientit të diagnostikuar me kardiomiopati hipertrofike, nevojiten ekzaminime ekokardiografike ekzaminuese për diagnostikimin e hershëm të anëtarëve në rrezik.
  • Diabeti mellitus: Hipertrofia e ventrikulit të majtë është më e zakonshme tek pacientët me diabet mellitus tip 2. Është një parashikues i fortë i ngjarjeve të padëshiruara kardiovaskulare, duke përfshirë dështimin e zemrës. Patofiziologjia e zhvillimit të hipertrofisë së ventrikulit të majtë tek pacientët me diabet mellitus është ende duke u hetuar, por inflamacioni, stresi oksidativ dhe rezistenca ndaj insulinës mendohet se luajnë një rol në zhvillimin e hipertrofisë. Trajtimi i hipertensionit dhe regresioni i hipertrofisë redukton rrezikun e ngjarjeve kardiovaskulare dhe vdekjes.
  • Gjinia: Gratë me hipertension janë në rrezik më të madh të hipertrofisë së ventrikulit të majtë në krahasim me burrat me vlera të ngjashme të presionit të gjakut.

Diagnoza: Për të vendosur diagnozën e duhur, është e nevojshme historia mjekësore e pacientit, prania e sëmundjeve shoqëruese, historia familjare pozitive dhe ekzaminimi fizik.
Megjithatë, në ditët e sotme, diagnoza më e besueshme e hipertrofisë arrihet me anë të ekokardiografisë (eko kardiake) dhe rezonancës magnetike të zemrës.

Metodat diagnostikuese:
Elektrokardiografia (EKG): Elektrokardiografia regjistron sinjalet elektrike të zemrës. Sipas të dhënave të EKG-së, diagnoza e pacientit mund të supozohet, dmth. nëse pacienti mund të ketë shenja të hipertrofisë së ventrikulit të majtë, të djathtë ose atrial. Por për një diagnozë më të saktë është e nevojshme të bëhen ekzaminime të mëtejshme: ekokardiografi dhe rezonancë magnetike të zemrës.

Ekokardiografia: Kjo metodë është më e ndjeshme se elektrokardiografia në diagnostikimin e hipertrofisë kardiake. Ekokardiografia siguron vizualizim 2D ose 3D të barkusheve të zemrës, mund të masë trashësinë e mureve të tyre dhe ndoshta të gjejë shkakun e mundshëm për zhvillimin e hipertrofisë (për shembull prania e stenozës së aortës).

Rezonanca magnetike e zemrës: Rezonanca magnetike e zemrës është një metodë e fuqishme, plotësuese e ekokardiografisë. Kjo metodë lejon vlerësimin e saktë të hipertrofisë veçanërisht kur ekokardiografia nënvlerëson ose nuk e zbulon trashësinë e murit në zonat që nuk vizualizohen qartë nga ana ekokardiografike (muri anterolateral, septumi i pasmë dhe kulmi i zemrës). Përveç trashësisë së të gjitha mureve të barkushes së majtë, rezonanca magnetike mund të përcaktojë trashësinë e barkushes së djathtë, si dhe praninë e fibrozës difuze ose zëvendësuese. Rreziku i takiarritmive malinje ventrikulare dhe rreziku i vdekjes së papritur mund të vlerësohet nga sasia e fibrozës.

Trajtimi:
Trajtimi i hipertrofisë varet nga shkaku i shfaqjes së saj. Hipertrofia mund të trajtohet me medikamente ose kirurgji.
Nëse hipertrofia e ventrikulit të majtë shkaktohet nga hipertensioni ose amiloidoza, atëherë trajtimi është medikamentoz.
Nëse shkaku i hipertrofisë është stenoza e rëndë e aortës ose nëse është e pranishme hipertrofia ekscentrike që pengon traktin e daljes së ventrikulit të majtë, atëherë indikohet trajtimi kirurgjik.

Konkluzion:
Diagnostikimi i hershëm i hipertrofisë kardiake, si dhe zbulimi i shkakut të zhvillimit të hipertrofisë mundëson trajtimin e duhur, dhe në këtë mënyrë parandalimin e dështimit të zemrës, zvogëlimin e rrezikut të aritmive malinje dhe vdekjes së papritur.

Çfarë duhet të bëni kur dikush përjeton infarkt në zemër?

Në të gjithë botën, gjithsej 17.9 milionë njerëz vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare dhe tek 85% prej tyre shkaku i vdekjes është infarkti në zemër ose goditja në tru.
Sipas të dhënave të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për Maqedoninë për vitin 2018, numri i vdekjeve nga infarkti në zemër është 3697 persona, që është 19,89% e numrit të përgjithshëm të vdekjeve në atë vit.

Mbi 60% e tyre pësojnë infarkt në zemër për herë të parë. 1 në 5 sulme në zemër janë asimptomatike, që do të thotë se personi nuk është as i vetëdijshëm se po ndodh. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të dini se çfarë mund të bëni nëse dikush përjeton infarkt në zemër.

Simptomat e infarktit (atakut) në zemër

Simptomat e infarktit kardiak mund të variojnë nga gulçimi deri në ndjenjë pafuqie të plotë.
Simptoma të tjera të zakonshme të infarktit në zemër përfshijnë:

  • Ankth
  • Dhimbje ose presion në gjoks (anginë)
  • Siklet në krahë, qafë, shpinë ose nofull
  • Palpitacione të zemrës
  • Ndjenjë dobësie, marramendje ose të fikët
  • Nauze ose parehati në bark
  • Mungesë të frymëmarrjes ose probleme me frymëmarrjen
  • Djersitje.

Përveç faktit që gratë kanë dhimbje/presion në gjoks po aq sa burrat, ato kanë më shumë gjasa të përjetojnë gulçim, nauze/të vjella dhe dhimbje në shpinë ose nofulla.

Hapat që duhen ndërmarrë gjatë infarktit kardiak

Në raste urgjente, është e lehtë të bësh panik. Por qëndrimi i qetë ndihmon të siguroheni që anëtari i familjes ose miku juaj (ose edhe ju) të merrni ndihmë – shpejt.

Hapi 1: Telefononi 194
Infarkti në zemër është një urgjencë serioze mjekësore dhe kontakti në numrin 194 është mënyra më e shpejtë për të marrë trajtim për shpëtim. Kjo për shkak se mjekët e urgjencës mund të fillojnë ndërhyrjet sapo të mbërrijnë në vendndodhje dhe ndërkohë që ju jeni rrugës për në spital.

Hapi 2: Merrni ilaçe për dhimbjen e gjoksit
Nëse ju ose personit që ka atak në zemër ju janë përshkruar ilaçe për dhimbje gjoksi, si nitroglicerina, përdoreni atë. Për ata që nuk kanë ilaçe për dhimbjen e gjoksit, ofruesit e kujdesit shëndetësor rekomandojnë përtypjen e ngadaltë të 325 mg aspirinë për të ndihmuar në minimizimin e dëmtimit të zemrës ose parandalimin e zhvillimit të mpiksjes së rrezikshme të gjakut. Por bëjeni këtë vetëm nëse ju ose personi që ka përjetuar infarkt në zemër nuk ka histori të mëparshme të alergjisë ndaj aspirinës ose ndonjë gjendje mjekësore që mund të përkeqësohet me marrjen e këtij ilaçi.

Hapi 3: Qëndroni të qetë
Ndërsa prisni mbërritjen e ambulancës, përpiquni të qëndroni të qetë, lironi rrobat dhe pushoni. Nëse dyshoni se keni atak në zemër, mos hani ose pini asgjë tjetër përveç ilaçeve. E njëjta gjë vlen edhe nëse dikush tjetër përjeton infarkt në zemër. Personi nuk duhet të konsumojë ushqim dhe lëngje.
Nëse është e nevojshme, filloni me dhënien e ndihmës së parë.
Në rast se personi për të cilin po kujdeseni nuk përgjigjet, nuk reagon (i bie të fikët), telefononi 194 dhe kontrolloni pulsin. Nëse nuk ka puls, filloni me ndihmën e parë (reanimim me frymëmarrje artificiale dhe masazh në zemër).

Përse është thelbësore të merrni menjëherë ndihmë

Përsëri, në rast se keni edhe dyshimin më të vogël se dikush (apo edhe ju) po përjeton infarkt në zemër, gjëja e parë dhe më e rëndësishme që duhet të bëni është të telefononi 194. Mos telefononi mjekun tuaj të përgjithshëm, mos shkoni me makinë në spital. Këto aktivitete mund të humbasin kohë të vlefshme. Dhe sigurisht mos prisni me shpresën se simptomat do të largohen vetë. Nuk ka pasoja nëse rezulton se është një alarm i rremë, por nëse bëhet vërtet fjalë për infarkt në zemër në këtë rast mund të shpëtohet jeta e pacientit.