Impotenca tek meshkujt: Kur dhe si ndodh?

Impotenca mashkullore njihet gjithashtu si mosfunksionim erektil. Është paaftësia e mashkullit për të arritur ose mbajtur një ereksion deri në fund të aktit seksual. Ndërmjet 15 dhe 30 milion meshkuj në mbarë botën vuajnë nga impotenca, me përqindjen më të madhe të diagnostikuar tek meshkujt mbi 65 vjeç.

Megjithëse impotenca konsiderohet si një çrregullim tipik i moshave të thyera, mund të shfaqet në çdo moshë pas pubertetit. Impotenca konsiderohet atëherë kur mashkulli nuk arrin të ketë marrëdhënie seksuale në më shumë se 25% të rasteve.

Shkaqet kryesore të impotencës mund të jenë fizike dhe mendore. Shkaqet fizike në të vërtetë janë dëmtime, ndërsa shkaqet psikologjike përfshijnë ankth, depresion ose frikë.

Ereksioni i penisit është një seri ngjarjesh të shumta që ndodhin në një kohë të caktuar. Kjo përfshin praninë e eksitimit ku nervat dërgojnë sinjale në tru, i cili nga ana tjetër përgjigjet duke dërguar sinjale tek indet e penisit.

Si rezultat, ka një rritje të rrjedhjes së gjakut në indet e penisit, i cili kur mbushet shkakton ereksion. Çrregullimi në çdo fazë që përmendëm më lart mund të rezultojë në impotencë.

Arsye psikologjike dhe fizike

Impotenca tek personat e moshuar zakonisht lidhet me sëmundjet ekzistuese që ndikojnë në furnizimin me gjak të indeve dhe depërtueshmërinë nervore, dëmtimet ose efektet anësore të disa ilaçeve.

Mënyra e stilit të jetesës si pirja e duhanit, mbipesha, jeta letargjike mund të ndikojnë në rrjedhën e gjakut dhe mund të shkaktojnë impotencë. Gjithashtu, një nga shkaqet e impotencës mund të jetë edhe mungesa e hormoneve.

Në disa situata të rralla, impotenca mund të vërehet nëse kemi dëmtim të penisit, strukturave të tij ose qelizave nervore. Efekte të ngjashme mund të shkaktohen edhe nga ndonjë intervenim kirurgjik në atë zonë.

Konsumi i disa grupeve të caktuara të ilaçeve gjithashtu mund të çojë në impotencë. Ilaçet kundër depresionit, ilaçet kundër hipertensionit, antihistaminikët, ilaçet për reduktimin e oreksit, njihen për zvogëlimin e rrjedhës së gjakut në zonën e pelvisit duke rezultuar në impotencë tek meshkujt.

Arsyet psikologjike

Rreth 10 – 20% e meshkujve vuajnë nga impotenca psikologjike. Kjo lloj impotence mund të vërehet në çdo moshë. Faktorët më të zakonshëm psikologjikë janë: depresioni, stresi, ankthi për shkak të impotencës ose takimit seksual, ndjenjës së fajit, mosvlerësimit të vetvetes dhe frikës.

Faktoret e rrezikut

Çdo faktor që ndikon në rrjedhën e gjakut ose mbaresat nervore në indin e penisit konsiderohet si një faktor rreziku për impotencën mashkullore. Faktorët më të zakonshëm të rrezikut janë:

  • Mosha mbi 60-65 vjeç
  • Prania e diabetit
  • Mbipesha
  • Pirja e duhanit
  • Jeta letargjike
  • Ilaçet
  • Mungesa e testosteronit
  • Prania e çrregullimeve psikologjike ose kushteve të tilla si ankthi, depresioni

Këto faktorë rreziku ndikojnë ose në rrjedhën e gjakut ose në transmetimin e sinjaleve nervore. Disa nga këta faktorë mund të punojnë së bashku për të kontribuar në impotencë. Mosha e vjetër konsiderohet faktori më i madh i rrezikut, por nuk është i vetmi. Ka individë që mund të përjetojnë ereksion dhe marrëdhënie seksuale të suksesshme, dhe janë mbi 70 vjeç.

Meshkujt që janë impotentë gjithashtu mund të vuajnë nga depresioni, ankthi ose nervozizmi për shkak të pamundësisë për të realizuar marrëdhënie seksuale.

5 këshilla për tu kujdesur për shëndetin e zemrës

Shëndeti zemrës varet drejtpërdrejt nga mënyra dhe stili ynë i jetesës, i cili duhet të përfshijë aktivitete fizike dhe ushqime të shëndetshme në rutinën tonë të përditshme.

Orët e zgjatura në punë na detyrojnë të qëndrojmë ulur për një kohë të gjatë, më pas kthehemi në shtëpi me makinë në vend që të ecim në këmbë, ulemi në tavolinë për të ngrënë, qëndrojmë ulur para televizorit, më pas shkojmë në shtrat për të fjetur. Kjo lloj mënyre jetese në të cilën kalojmë pothuajse gjithë ditën ulur, është armiku kryesor i shëndetit të zemrës.

Përballë këtij realiteti, mjekët paralajmërojnë se “ushqimi i keq” ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e zemrës.  Kjo ka të bëj me konsumin e tepërt të kripës dhe mungesën apo konsumin e ulët të kaliumit,  kombinuar me mungesën ose konsumimin e një sasie shumë të vogël të frutave dhe perimeve të ndryshme të papërpunuara, si dhe konsumin e ” vajrave të këqij”.

5 këshilla për tu kujdesur për shëndetin e zemrës

Nëse mënyra juaj e jetesës ka të bëj me qëndrimin ulur për orë të tëra, konsumin e ushqimit të pasur me natrium dhe nëse jeni duhanpirës, duhet patjetër të bëni kontrollin e presionit të gjakut, pasi hipertensioni është një sëmundje e heshtur, por me pasoja të rënda, dhe mostrajtimi i duhur dhe në kohë shkakton probleme në shëndetin e zemrës dhe të veshkave.

Kryerja e ekzaminimit fizik është mënyra më efektive për të përjashtuar patologjitë e mundshme kardiake, si dhe kryerja e elektrokardiogramit nëpërmjet ultratingullit, me anë të të cilit mundësohet pamja e brendshme e zemrës duke zbuluar në këtë mënyrë anomalitë të cilat nuk manifestohen klinikisht.

Për shëndetin e duhur të zemrës tuaj, mjekët tanë kardiologë rekomandojnë respektimin e vazhdueshëm të masave të mëposhtme:

  1. Të kryeni aktivitet fizik, të paktën tre herë në javë nga 30 minuta, për të forcuar zemrën, për të humbur peshë dhe për të kontrolluar presionin e arterial.
  2. Të shmangni pirjen e duhanit, pasi pirja e duhanit mund të shkaktojë dëme tek enët e gjakut dhe rrit rrezikun e presionit të lartë arterial.
  3. Të kontrolloni stresin, pasi nëse mësoni se si të përballeni me problemet dhe presionin kjo do të ndikojë në përmirësimin e shëndetit tuaj emocional dhe fizik.
  4. Të reduktoni konsumimin e alkoolit dhe kafesë, maksimum 3 filxhanë në ditë.
  5. Të konsumoni ushqime të pasura me kalium siç janë bishtajoret, frutat dhe perimet si dhe ushqimet të cilat janë të pasura me acide yndyrore poli-të-pangopura, veçanërisht me Omega 3.

 

 

DITA EUROPIANE E PËRDORIMIT RACIONAL TË ANTIBIOTIKËVE

 18 Nëntori shënohet si Dita Evropiane e Përdorimit Racional të Antibiotikëve në mënyrë që të tërheqim vëmendjen se të gjithë duhet të përfshihemi në përdorimin e përgjegjshëm të këtyre ilaçeve në mënyrë që të ruajmë efektivitetin e tyre për brezat e ardhshëm!

Në një kontekst më të gjerë, nga data 14 deri më 20 nëntor shënohet si Java Botërore e Ndërgjegjësimit për përdorimin racional të antibiotikëve dhe ka për qëllim aktualizimin dhe krijimin e vetëdijes për problemin e rezistencës ndaj antibiotikëve.

Gjatë pandemisë COVID-19, përdorimi iracional i antibiotikëve nënkupton abuzimin e tyre përfundimtar për të cilin pasojat do të jenë të gjera. Fatkeqësisht, periudha në vijim parashikohet të shënohet si një epokë post-antibiotike.

Çfarë janë lëndët antimikrobike?

Antimikrobikët janë produkte mjekësore që vrasin ose pengojnë rritjen e mikroorganizmave të gjalla.

Çfarë është rezistenca antimikrobike?

Është rezistencë ndaj një ose më shumë antimikrobëve të zbatueshëm për terapinë ose profilaksën. Kjo është një dukuri që mund të ndodhë në mikroorganizma.

Për bakteret, rezistenca ndaj antibiotikëve do të thotë aftësia e një bakteri për të kundërshtuar efektet e një antibiotiku:

  • Rezistenca ndodh atëherë kur antibiotiku humbet aftësinë për të shkatërruar apo për të penguar përhapjen e baktereve.
  • Disa baktere janë natyrshëm rezistente ndaj antibiotikëve (rezistencë intrizing).
  • Një problem shqetësues është kur bakteret që janë natyrshëm të ndjeshëm ndaj ndonjë antibiotiku të caktuar bëhen rezistentë si rezultat i adaptimit nëpërmjet ndryshimeve gjenetike.
  • Gjenet për kodimin e rezistencës ndaj antibiotikëve shumë lehtë mund të kalojnë nga një lloj bakteri në tjetrin me anë të kalimit apo dhënies së materialit gjenetik
  • Në luftën e vazhdueshme për “hapësirë ​​ekologjike” zgjidhen të gjitha bakteret rezistente sepse antibiotiku vret llojet e ndjeshme
  • Bakteret rezistente ndaj antibiotikëve mbijetojnë në prani të antibiotikëve dhe vazhdojnë të rriten dhe shtohen, duke shkaktuar përkeqësimin e gjendjes, kohëzgjatjen e sëmundjes ose vdekjen.
  • Infeksionet me baktere rezistente kërkojnë trajtim me antibiotikë alternative dheme kosto shumë më të lartë të cilët shpesh japin më shumë efekte anësore. Trajtimi i infeksioneve me baktere rezistente kërkon administrimin intravenoz të antibiotikut në ambient spitalor në vend të antibiotikëve oralë në shtëpi.
  • Pasi të jetë shfaqur bakteria rezistente, ajo mund të transmetohet edhe tek personat e tjerë si e tillë (rezistente), dhe përdorimi i antibiotikëve në përgjithësi tek njerëzit dhe tek pacientët në spital, siguron mbështetje të fortë për përhapjen e tyre.

Cilat janë pasojat e rezistencës?

Ne do të hyjmë në epokën post-antibiotike, që do të thotë se antibiotikët do të humbasin efektivitetin e tyre dhe infeksionet përsëri do të jenë shkaku i vdekshmërisë së lartë.

Çfarë mund të bëjë secili prej nesh?

  • Të përdorim antibiotik vetëm me rekomandimin e mjekut
  • Të përfundojmë gjithmonë dozën e përshkruar, edhe atëherë kur ndihemi më mirë
  • Të mos përdorim asnjëherë antibiotikë të vjetër
  • Të mos shkëmbejmë asnjëherë antibiotikë me të tjerët
  • Të parandalojmë shfaqjen e infeksioneve me anë të larjes së rregullt të duarve, vaksinime të rregullta dhe shmangien e kontaktit të afërt me personat e infektuar

Antibiotikët janë ilaçet e vetme që shkaktojnë dëme jo vetëm individuale, por edhe globale!

 

  1. Rezistenca ndaj antibiotikëve është një problem serioz shoqëror me një tendencë në rritje në Evropë – Shfaqja, përhapja dhe zgjedhja e baktereve rezistente ndaj antibiotikëve është një kërcënim për sigurinë e pacientit në spitale.
  2. Abuzimi me antibiotikët në spitale është një nga faktorët që çon në rezistencën ndaj antibiotikëve – Ka shumë të ngjarë që një pacient i shtruar në spital të marrë antibiotikë dhe 50% e atyre antibiotikëve të jepen pa nevojë. Abuzimi me antibiotikë në spitale është një faktor kryesor në zhvillimin e rezistencës.
  3. Përfitimet nga përdorimi i kujdesshëm i antibiotikëve – Përdorimi i kujdesshëm i antibiotikëve parandalon shfaqjen e baktereve rezistente ndaj antibiotikëve dhe zvogëlimi i përdorimit të antibiotikëve është proporcional me incidencë të zvogëluar ndaj infeksioneve të Clostridium difficile.
  4. Strategjia e mirë mundëson përdorimin e arsyeshëm të antibiotikëve – Strategjia e duhur ndihmon në përmirësimin e praktikës së përshkrimit të antibiotikëve dhe reduktimin e rezistencës ndaj antibiotikëve në kushte spitalore.

 

Çfarë është hernia? Disa pyetje dhe përgjigje

Çfarë nënkuptohet me hernie dhe cilat janë herniet e ijëve?

Hernia është zgjatim i organeve intra-abdominale përmes hapjeve natyrore ose të fituara në murin e barkut, duke rezultuar në një disproporcion ndërmjet presionit intra-abdominal dhe forcës së murit të barkut. Çdo hernie karakterizohet nga: qesja e hernies, hapja e hernies dhe përmbajtja e hernies. Bazuar në vendin ku ndodhet hernia, mund të jetë hernie inguinale (në ijë), hernie umbilikale (në kërthizë), hernie epigastrike (mbi kërthizë), etj.

Sa të zakonshme janë herniet iguinale?

Herniet iguninale (të ijëve) janë më të zakonshmet nga të gjitha herniet dhe ato përfaqësojnë rreth 85% të të gjitha hernieve, pasuar nga herniet femorale me 8-10%, më pas herniet kërthizore me 3%, dhe përqindja e mbetur bëhet nga të gjitha herniet e tjera. Herniet janë katër herë më të zakonshme tek burrat sesa tek gratë në pjesën më të madhe për shkak të marrëdhënieve topografike-anatomike (veçanërisht herniet inguinale).

Përse shfaqen?

Herniet e ijeve zakonisht ndodhin si rezultat i disa veçorive embriologjike: domethënë, gjatë zbritjes së testisit atërhiqet dhe dalja e peritoneumit -procesus vaginalis peritonei dhe kështu mbyllet hapja drejt testisit. Nëse nuk bashkohet, procesi vaginalis mbetet përgjithmonë i hapur, duke formuar kështu bazën për herniet e lindura të ijëve. Për shkak të kësaj gjendje, herniet inguinale shpesh ndodhin tek të porsalindurit.

Herniet e fituara (apo të shfaqura më vonë) ndodhin më shpesh si rezultat i rritjes së presionit intra-abdominal dhe dobësisë së hapjeve natyrore që gjenden normalisht në ijë, në zonën e hapjes së thellë inguinale ku shfaqet funicilus spermaticus dhe hapjes inguinale sipërfaqësore e cila formon dy tufa të fibrave të tendinit të aponeurozës të musculus obliqus externus. Bazuar në origjinën e qeses së hernies, ekzistojnë dy lloje të hernieve: hernie direkte dhe indirekte.

Hernia inguinale indirekte ndodh si rezultat i çrregullimeve të zhvillimit të shoqëruara me zbritjen e testikujve në qesen skrotale. Kjo rezulton në një procesus vaginalis pjesërisht ose plotësisht të hapur.

Herniet direkte janë më të zakonshme tek personat mbi moshën 40 vjeç kur muskujt bëhen më të dobët dhe më pak elastikë. Bën pjesë në grupin e hernive të fituara, dhe vendi i fillimit është zakonisht fovea inguinalis medialis, dhe gjatë hernies marrin pjesë vetëm periotoneumi, fascia transversalis dhe fascia sipërfaqësore.

Më të zakonshme janë tek vajzat apo tek djemtë?

Bazuar në ndryshimet anatomike që ekzistojnë tek vajzat dhe djemtë tashmë në fillim mund të thuhet dhe konfirmohet se shfaqja e hernies inguinale tek djemtë është më e zakonshme në krahasim me vajzat dhe ky raport është afërsisht 4 me 1.

Cilët janë treguesit ose simptomat e hernieve të ijëve?

Simptomat e hernieve të ijëve janë më së shpeshti në fillim: shfaqja e dhimbjes në zonën e ijeve, dhimbje e cila theksohet veçanërisht kur qëndroni, ecni, kolliteni, teshtini, ngrini pesha, kërceni, etj. Në fillim, nuk keni pse të shihni vizualisht ndonjë zgjatim për të verifikuar ekzistencën e hernies, por pas një periudhe të caktuar, qesja e hernies fillon gradualisht të formohet dhe mund të jetë me madhësi të ndryshme (nga madhësia e një arre të madhe në madhësinë e një topi futbolli, ndonjëherë edhe më e madhe).

Cili është trajtimi i hernies? A është zgjidhja e vetme operacioni apo ka ndonjë zgjidhje tjetër?

Trajtimi i hernieve të ijëve zakonisht është kirurgjikal, vetëm në rast se ekzistojnë komorbiditete të ndryshme dhe anestezia mund të ketë kundraindikim, trajtimi mund të jetë konservativ, dmth me anë të veshjes së shiritave specialë për herniet inguinale të njëanshme ose të dyanshme. Në ditët e sotme, trajtimi kirurgjik është një rutinë. Ka shumë teknika në zgjidhjen e hernieve të ijëve që mund të jenë metoda tensioni ose jo-tensioni.

Në të kaluarën, teknikat e tensionit që nuk përdornin rrjetë janë përdorur më shpesh, ndërsa në ditët e sotme përdoren metoda jo-tensioni ku mund të përdoren rrjetat. Spitali klinik Zhan Mitrev përdor një nga teknikat më të fundit për zgjidhjen e hernieve të ijëve, e cila është përdorur në botë që nga viti 2002 ndërsa në Maqedoni që nga viti 2003, falë trajnimit tim në Umberto, spitali i parë në Venecia ku janë mbajtur lekjsione në lidhje me këtë teknikë.

Cilat rregulla zbatohen për pacientin para dhe pas operacionit?

Para operacionit, pacientët këshillohen të tregojnë kujdes ndaj ngritjes së peshave të rënda, kërcimeve,  gjatë momentit të kollitjes dhe teshtitjes duhet ta mbajnë dhe të ushtrojnë presion (ta shtypin) zënën në të cilën është shfaqur hernia.

Përsa i përket periudhës postoperative, më parë, rregullat e sjelljes ishin të ndryshme në varësi të teknikës së përdorur. Përkatësisht, pacienti informohej më parë  nga mjeku dhe gjatë periudhës pas operacionit nuk duhet të merrej me ngritjen e peshave të rënda dhe nuk duhej të merret me aktivitete të rënda fizike për një kohë të gjatë prej 6 muajsh të cilat nevojiteshin për rekuperimin e pacientit dhe për marrjen e funksionit të indeve përreth mbi 80%.

Por në ditët e sotme, me ekzistencën e teknikave moderne kirurgjikale dhe përdorimin e rrjetave speciale, periudha postoperative është shumë më e shpejtë dhe është e nevojshme që pacientët të tregohen të kujdesshëm dhe të mos merren me ngarkesa të rënda ose punë të rënda fizike vetëm gjatë dy javëve të para. Pas kësaj periudhe, ata janë gati për aktivitetet më të vështira fizike dhe rreziku i përsëritjes është i reduktuar në maksimum.

Çfarë këshille do t’u jepnit lexuesve për t’u mbrojtur nga këto lloj herniesh?

Unë do t’u rekomandoja lexuesve që të kenë kujdes gjatë aktivitetit të shtuar fizik të mos kenë një rritje të tepruar të presionit intra-abdominal që mund të çojë në hernie, por gjithashtu të mos shqetësohen në lidhje me këtë gjendje sepse zgjidhja operative e hernisë në ditët e sotme është një punë rutinë dhe sa më shpejt që ata të dyshojnë se kanë një hernie të çdo lloji, rekomandohet të kontaktoni menjëherë mjekun kirurg sepse mënyra më e mirë për të trajtuar herniet e ijëve është kryerja e operacionit ndërkohë që hernia është ende e  vogël.

Prim. Dr. Mane Haxhi-Mançev
Specialist në kirurgjinë e përgjithshme

Akademik Dr. Zhan Mitrev, Dr. Tanja Angjusheva dhe Dr. Nikola Hristov fitues të çmimit “13 Nëntori”

Këtë vit, tre mjekë nga ekipi i Spitalit klinik Zhan Mitrev morën çmimin “13 Nëntori”, si një vlerësim për meritat në shëndetësi.

Ky çmim prestigjioz jepet çdo vit nga qyteti i Shkupit për arritjet dhe kontributin në zhvillimin e Qytetit të Shkupit dhe përparimin dhe afirmimin e tij të përgjithshëm në vend dhe në botë në disa kategori të ndryshme si ekonomia, shkenca, arti, kultura, edukimi, shëndetësia dhe mbrojtja sociale, sporti dhe kultura fizike, mbrojtja dhe promovimi i mjedisit dhe natyrës  si dhe segmente të tjera të jetës, punës dhe krijimtarisë.

Akademiku Dr. Zhan Mitrev, Dr. Tanja Angjusheva dhe Dr. Nikolla Hristov janë mjekët të cilët së bashku me disa mjekë të tjerë të shëndetit publik kryen transplantin e parë të zemrës në vend.

Më 23 maj, në kushte të pandemisë, mjekët, profesionistë të lartë të shëndetit publik dhe privat bashkuan forcat për arritjen e një qëllimi më të lartë – shpëtimin e jetës. Ata së bashku kryen operacionin në ambientet e Kardiologjisë Shtetërore, operacioni zgjati për gjashtë orë, gjatë të cilit u realizua me sukses transplantimi i zemrës tek pacienti 54-vjeçar.

Së bashku ata shkruajtën një faqe të rëndësishme në historinë e shëndetit maqedonas. Ky është transplantimi i parë i zemrës kadaverike në vend, d.m.th. një transplant nga një dhurues i vdekur. Personi i cili iu nënshtrua transplantimit mori një mundësi tjetër për jetën.

Ndër fituesit e këtij çmimi për arritjet në kujdesin shëndetësor janë mjekët e tjerë që morën pjesë në këtë përpjekje: prof. Dr. Sashko Jovev, Dr. Maja Mojsova, Dr. Vasil Papestiev, Dr. Marjan Sokarovski, Dr. Vangel Zraveski, Dr. Kujtim Xhelili, Dr. Stefanija Haxhievska, Dr. Nadica Mehmedoviq, Dr. Vesna Mitashova, Dr. Aleksandar Nikoliq, Dr. Jasmina Ilievska, Dr. Marija Gerakovska, Dr. Dimce Sllavevski, Dr. Biljana Andonovska, Dr. Vesna Durnev, Dr. Koço Dimitrovski, Dr. Menka Llazarevska dhe Adrijana Georgiev.

Sindroma X – Dhimbje gjoksi me arterie koronare normale

Tek afërsisht 20% e pacientëve me dhimbje akute ose kronike të gjoksit, angiografia koronare selektive si procedura kryesore që pasqyron arteriet koronare nuk tregon ngushtim të dukshëm të arterieve koronare që ushqejnë muskujt e zemrës.

Për më shumë se 50 vjet kjo gjendje është e njohur në mjekësi si angina pectoris me arterie koronare normale ose Sindroma X.

Karakteristikat kryesore të këtij sindromi janë:

– shfaqje e dhimbjes anginale në gjoks që zgjat më shumë se 10 minuta deri në disa orë, zakonisht gjatë stresit fizik ose mendor por edhe kur pushoni

-ishemia e provuar e muskulit të zemrës gjatë  testit të stresit (stres test)

– gjetje krejtësisht normale të angiografisë koronare.

Një nga shkaqet kryesore të dhimbjes në gjoks tek këta pacientë të cilët kanë arterie koronare normale është dëmtimi i mikroqarkullimit të muskulit të zemrës. Ndryshimet funksionale dhe anatomike në mikroqarkullimin e muskulit të zemrës shkaktojnë shtrëngim të enëve, duke reduktuar  rrjedhën e gjakut në zemër dhe duke shkaktuar ishemi të miokardit dhe dhimbje në kraharor.

Për shkak se problemi kryesor me këtë sindromë nuk janë arteriet e mëdha koronare por kapilarët e vegjël, kjo sindromë quhet edhe anginë mikrovaskulare. Disa ekspertë besojnë se njerëzit me këtë gjendje mund të kenë një ndjeshmëri anormale ndaj dhimbjes në muskulin e zemrës.

Prevalenca e SINDROMËS X tek njerëzit është mjaft e lartë dhe sot është një problem i vërtetë shëndetësor. Është shumë më e zakonshme tek gratë (tipike tek gratë në menopauzë) sesa tek burrat. Për shkak të simptomave të theksuara të dhimbjes në gjoks, e cila zakonisht është e një natyre kronike, pacientët shpesh i nënshtrohen procedurave të shtrenjta diagnostike, shpesh kryejnë ekzaminime dhe marrin sasi të madha ilaçesh.

Është e rëndësishme të theksohet se pacientët me Sindromën X në të vërtetë kanë një prognozë të shkëlqyeshme përkundër cilësisë së reduktuar të jetës për shkak të dhimbjes së shpeshtë dhe të përsëritur të gjoksit. Komplikime të tilla si kardiomiopatitë dhe aritmitë mund të shfaqen vetëm tek një numër i vogël pacientësh.

Dr. Shpend Idrizi
Spec. në mjekësinë interne, Subsepec. në kardiologji

Jeta me epilepsi

Sipas përcaktimit të Organizatës Botërore Shëndetesore (OBSH), epilepsia përcaktohet si një sëmundje kronike e trurit që ka etiologji të ndryshme dhe karakterizohet nga kriza të përsëritura të shoqëruara me shkarkime të tepërta të neuroneve në tru.

Epilepsia është një nga çrregullimet neurologjike më të shpeshta që prek persona të ndryshëm në mënyra të ndryshme. Ndodh në formën e sulmeve të përsëritura të epileptikut. Sulmi i ngjan një stuhie të brendshme. Ndodh papritur, pa asnjë paralajmërim.

Nuk ka një shpjegim të thjeshtë në lidhje me epilepsinë dhe shpesh nuk është e lehtë të shpjegohet pse shfaqet dhe përse përsëritet sulmi epileptik. Mendimet, ndjenjat dhe veprimet tona kontrollohen nga qelizat në tru të cilat komunikojnë me njëra-tjetrën përmes impulseve elektrike dhe për shkak të një aktiviteti të papritur dhe të madh elektrik ndodh sulmi epileptik i cili shfaqet në intervale të ndryshme.

Sidoqoftë, për diferencimin e tyre nga gjendjet e tjera nje rol te rendesishem luan EEG-ja (elektroencefalografia). Kjo metodë mund të zbulojë një lloj të veçantë të anomalive tek qelizat e trurit që shkaktojnë sulme.

Diagnoza përcaktohet në bazë të simptomave të sulmit dhe rezultatit të marrë nga elektroencefalografia (EEG). Mjeku zakonisht nuk është në gjendje të përcaktojë sulmin epileptik, për këtë është i nevojshëm përshkrimi i hollësishëm i sulmit dhe rrethanave në të cilat ndodh. Tepër e rëndësishme është dëshmia e personit të pranishëm, i cili e ka parë apo ndjekur të gjithë ngjarjen, pasi personi i cili ka përjetuar sulmin epileptik shpesh nuk është në gjendje të përshkruaj saktësisht ngjarjen dhe simptomat. Pothuajse në të gjitha rastet, është e nevojshme që të bëhet EEG, rezonancë magnetike ose CT (tomografi kompjuterike) e trurit, EKG (elektrokardiografi) dhe teste laboratorike.

Diagnoza përfundimtare bëhet nga mjeku specialist që ka njohuri të duhura teorike dhe praktike. Zakonisht nga mjeku neurolog ose neuropsikiatrik. Epilepsia është një gjendje e cila shoqërohet me sëmundje dhe gjendje të ndryshme. Prandaj mundësitë për trajtim janë të ndryshme dhe varen nga rrethanat specifike që çojnë në epilepsi. Sidoqoftë, kur analizohen rezultatet e trajtimit të një numri të madh të personave me forma të ndryshme të epilepsisë, mund të thuhet se sulmet nuk shfaqen tek më shumë se 2/3 e atyre personave që janë në terapi të rregullt, pra rreth 75% të personave me epilepsi kanë sulme të kontrolluara.

Në të gjithë botën eshte pranuar fakti se megjithëse sulmet epileptike janë shumë komplekse, ato zakonisht ndahen në dy kategori: të pjesshme dhe të përgjithshme. Sulmet e pjesshme ose fillojnë në një pjesë të trurit [d.m.th., në pikën kryesore të trurit] dhe ndikojnë në pjesën e trupit që kontrollon ajo pjesë e trurit. Sulmet e përgjithshme ndikojnë në të gjithë trurin dhe për këtë arsye prekin të gjithë trupin.

A mund të shërohet epilepsia?

Ekziston një përqindje e lartë e personave me epilepsi, veçanërisht fëmijët, ku epilepsia është “kuruar” ose sulmet janë zhdukur, dhe trajtimi është ndërprerë me rekomandimin e mjekut. Mesatarisht, 80% e njerëzve të tjerë me epilepsi mund të kontrollojnë sulmet e tyre me ilaçe, që do të thotë se ata mund të bëjnë një jetë normale. Suksesi varet nga lloji i epilepsisë, diagnoza e saktë, zgjedhja e ilaçeve, dëmi i mundshëm i shkaktuar nga epilepsia dhe problemet sociale.

Sidoqoftë, tek disa persona, sulmet vazhdojnë përkundër trajtimit të duhur. Këta persona, pikat epileptike të të cilëve janë të vendosura në një zone të caktuar të trurit, mund të parandalojnë sulmet me anë të trajtimit kirurgjikal. Ilaçet e përditshme nën mbikëqyrjen e rregullt mjekësore mund të parandalojnë sulmet. Kur është e mundur, mjekët përdorin vetëm një ilaç gjatë trajtimit. Dhe pas ndërprerjes së sulmeve, perdorimi i ilaçeve duhet të vazhdojë për disa vite të tjera, por vetëm me udhëzimin dhe kontrollin e mjekut i cili trajton epilepsinë dhe mund të fillojë t’i përjashtojë ato.

Ndërprerja e papritur e ilaçeve mund të çojë në sulme më serioze, në seri sulmesh ose status epileptik (sulme të zgjatura, të shoqeruara me humbje të vetëdijes gjatë sulmeve) të cilat mund të rrezikojnë jetën e pacientëve. Sigurimi i një cilësie më të mirë të jetës është motivi kryesor për zhvillimin e përgjithshëm dhe përpjekjet e mëdha kërkimore në fushën e mjekësisë. Trajtimi terapeutik i pacientëve me epilepsi është tepër i rëndësishëm për ta, pikërisht për këtë arsye. Kujdes i veçantë duhet të tregohet edhe persa i përket dozës së duhur në kohën e duhur, pasi mbidozimi me këto kimikate që kontrollojnë aktivitetin e trurit mund të shkaktojë pasoja të rrezikshme.

Edhe një tjetër pacient i shëruar në qendrën Covid të klinikës tonë kthehet në shtëpi

Pacienti 55 vjeçar nga qyteti Veles, pas një jave qëndrim në departamentin infektiv të Spitalit të këtij qyteti, vendosi që shpëtimin e tij ta kërkojë në klinikën tonë.

Në qendrën Covid të klinikës tonë menjëherë filloi procesin e hemofiltrimit, sikurse tregon dhe vetë pacienti. Shërimi i tij ishte i ngadaltë për shkak të gjendjes së tij të vështirë në të cilën u soll në spital… por përsëri, pas disa ditësh, u shfaqën shenjat e para të shpresës.

Shërimi i shpejtë dhe efektiv është çelësi i trajtimit të suksesshëm, për të cilin flet pacienti ynë.  Rekomandoj të gjithë ata persona të cilët janë të sëmurë të mos presin që gjendja e tyre të përkeqësohet dhe më pas të kërkojnë shpëtimin – shprehet pacienti ynë.