00389 2 3091 484
Dhjetor 12,2020
Bronkiti është një pezmatim i mbështjellës të tubave bronkialë që tërheqin ajrin nga jashtë brenda në mushkëri ku pasurohet me oksigjen dhe nxjerr ajrin nga mushkëritë jashtë.
Personat që kanë bronkit zakonisht e manifestojnë atë me kollë dhe sekrecion të trashë dhe pa ngjyrë dhe me gulçim apo vështirësi në frymëmarrje.
Bronkiti mund të jetë akut ose kronik. Bronkiti akut është shumë i zakonshëm dhe në shumicën e rasteve është rezultat i një ftohjeje ose infeksioni të frymëmarrjes. Nga ana tjetër, bronkiti kronik është një gjendje shumë më e rëndë, sepse ka të bëj me irritimin e vazhdueshëm ose inflamacionin i mbështjellës (shtresës) së tubave bronkial, që në shumicën e rasteve shkaktohet nga pirja e duhanit.
Bronkiti akut, i njohur gjithashtu si “ftohje”, zakonisht kalon brenda një jave ose 10 ditësh pa pasoja, edhe pse kolla mund të vazhdojë për javë të tëra.
Sidoqoftë, nëse keni episode të përsëritura të bronkitit, mund të bëhet fjalë për bronkit kronik që kërkon kujdes mjekësor. Bronkiti kronik është një nga çrregullimet e sëmundjes pulmonare obstruktive kronike.
Simptomat
Shenjat dhe simptomat e bronkitit akut dhe kronik mund të jenë:
Nëse keni bronkit akut, mund të keni simptoma të ftohjes, të tilla si dhimbje trupi ose dhimbje koke të lehta. Megjithëse këto simptoma zakonisht përmirësohen për rreth një javë, ju mund të keni një kollë të mundimshme që zakonisht zgjat për disa javë.
Bronkiti kronik përcaktohet si një kollë produktive që zgjat të paktën tre muaj, me episode të përsëritura për të paktën dy vjet rresht.
Nëse keni periudha kur kolla ose simptoma të tjera përkeqësohen, përveç bronkitit kronik, mund të bëhet fjalë për praninë e ndonjë infeksioni tjetër të rëndë.
Kur duhet të konsultoheni me mjekun?
Konsultohuni me mjekun tuaj nëse kolla ka karakteristikat e mëposhtme:
∙ Zgjat më shumë se tre javë
∙ Nuk ju lejon të flini
∙ Shoqërohet me temperaturë 38 ° C (ose më e lartë)
∙Prodhon sekrecion pa ngjyrë ose të shoqëruar me gjak
∙ Keni gulçim
Shkaqet
Bronkiti akut zakonisht shkaktohet nga viruse, zakonisht nga të njëjtat viruse që shkaktojnë ftohje dhe grip (influenca). Antibiotikët nuk e luftojnë virusin, prandaj zakonisht nuk janë të dobishëm në shumicën e rasteve të bronkitit.
Por shkaku më i zakonshëm i bronkitit kronik është pirja e duhanit. Ndotja e ajrit, pluhuri toksik, gazrat në mjedis ose në vendin e punës gjithashtu mund të kontribuojnë në zhvillimin e kësaj sëmundjeje.
Faktoret e rrezikut
Faktorët që rrisin rrezikun e shfaqjes së bronkitit janë:
Tymi i duhanit. Personat që konsumojnë duhan ose jetojnë me persona të cilët konsumojnë duhan kanë një rrezik më të lartë për të zhvilluar bronkit akut dhe kronik.
Niveli i ulët i imunitetit. Mund të jetë gjithashtu rezultat i ndonjë sëmundje tjetër akute, të tilla si ftohja ose çrregullimi kronik që komprometon sistemin tuaj imunitar. Të moshuarit, foshnjat dhe fëmijët e vegjël janë më të ndjeshëm ndaj infeksioneve.
Ekspozimi ndaj irrituesve . Rreziku i shfaqjes së bronkitit është më i lartë nëse punoni pranë irrituesve të mushkërive, siç janë drithërat ose fibrat, ose nëse jeni të ekspozuar ndaj gazrave kimikë.
Komplikimet
Edhe pse vetëm një episod i bronkitit nuk është shqetësues, në disa raste mund të shkaktojë pneumoni. Sidoqoftë, episodet e përsëritura të bronkitit mund të tregojnë se keni sëmundje pulmonare obstruktive kronike (COPD).
Parandalimi
Për të zvogëluar rrezikun e zhvillimit të bronkitit, duhet të ndiqni këshillat në vijim:
Hiqni dorë nga pirja e duhanit. Duhanpirësit pasiv duhet të shmangin tymin e duhanit. Konsumi dhe tymi i duhanit rrit rrezikun e bronkitit kronik.
Vaksinohuni. Shumë raste të bronkitit akut shkaktohen nga virusi i gripit. Ju mund të mbroni shëndetin tuaj me anë të vaksinimit kundër gripit çdo vit.
Lani duart rregullisht. Për të zvogëluar rrezikun e prekjes nga infeksionet virale, lani duart shpesh me shumë ujë dhe sapun gjithmonë kur keni mundësi, në të kundërt përdorni dezinfektues duarsh me bazë alkooli.
Mbani gjithmonë maskë. Nëse keni sëmundje pulmonare obstruktive kronike dhe nëse jeni të ekspozuar ndaj pluhurit ose gazrave toksikë në vendin tuaj të punës, por edhe kur jeni në kontakt me shumë persona (kur udhëtoni me autobus ose avion), gjithmonë duhet të mbani maskë, kjo nuk vlen vetëm gjatë periudhës së pandemisë, por edhe në kushte normale.