3 Tetor, 2019
Rezonanca magnetike e zemrës është metodë diagnostikuese joinvazive e cila përdor fushë magnetike dhe valë radiofrekuence për të mundësuar një pamje të detajuar të zemrës, enëve të gjakut dhe organeve përreth.
Përse përdoret rezonanca magnetike e zemrës?
- Për të vërtetuar nëse ekzistojnë dëmtime të indit nga infarkti miokardit, sa i madh apo i rëndë është demtimi dhe a është ai afatgjatë (variacioni në miokard)
- Për të përcaktuar saktë dobësimin e zemrës dhe shkaqet kryesore të saj
- Për të bërë evaluimin dhe diagnostikimin e miokardit (amilodoza dilatuese, hipertrofike, kufizuese)
- Për të vlerësuar anomalite e lindura të zemrës
Rezonanca magnetike është procedurë diagnostikuese e sigurtë dhe nuk shkakton dhimbje. Pacientët të cilët kanë të implementuar në trupin e tyre aparat (metal) nuk duhet të kryejnë rezonancë magnetike pa pasur konfirmim nga mjeku se aparati në trupin e tyre është i sigurtë për kryerjen e këtij diagnostikimi.
Këto pajisje apo aparatura janë:
- Elektrostimuluesit e zemrës (pacemaker), kardiodefibrilatorë të implantuar (ICD) dhe pajisje për terapi resinkronizuese (CRT)
- Implantet në vesh
- Pompa infuzioni të implantuara, stimulues neuro-muskulor, pajisje kontraceptive intrauterine
- Klipse për aneurizmat e trurit
- Disa lloje implantesh dentale
- Çdo lloj pajisje tjetër metali e vendosur në trup
Para kryerjes së ekzaminimit, pacientët duhet të informojnë stafin mjekësor në rast shtatzanie, në rast se kanë tatuazhe, stent, protezë valvule apo kirurgji të zemrës si dhe nëse vuajnë nga semundje të veshkave.
Çfarë ndodh gjatë ekzaminimit?
- Ekzaminimi zakonisht zgjat 30-60 minuta
- Pacienti qëndron shtrirë në gjendje të relaksuar, me kufje, nëpërmjet të cilave dëgjon udhëzimet e teknologut.
- Për realizimin e këtij ekzaminimi është i nevojshëm bashkëpunimi i pacientit përsa i përket frymëmarrjes, mbajtjes dhe nxjerrjes së frymës për disa sekonda sipas komandave të teknologut.
- Gjatë gjithë kohës monitorohet EKG-ja dhe ngopja e pacientit me oksigjen, ndërkohë që pacienti mund të komunikojë me teknologun gjatë periudhës së ekzaminimit
- Në rast se është i nevojshëm aplikimi i kontrastit, para fillimit të kontrollit në dorën e pacientit vendoset kanula intravenoze
Pas kontrollit pacienti mund ti rikthehet menjëherë aktiviteteve normale. Nuk ka asnjë kufizim për shkak se gjatë këtij ekzaminimi nuk përdoret rrezatim jonizues. Rezultati zakonisht merret pas 2-3 ditësh.