00389 2 3091 484
Mars 03,2023
Gjëndra tiroide ndodhet në pjesën e përparme të qafës dhe përbëhet nga dy lobe që lidhen me një istmus. Çrregullimet e gjëndrës tiroide mund të jenë morfologjike dhe funksionale. Çrregullimet morfologjike ose çrregullimet në strukturën e gjëndrës manifestohen me ndryshime nodulare ose cistike. Zakonisht zbulohen rastësisht gjatë ekzaminimit ultrasonografik të qafës të kryer nga ndonjë arsye tjetër.
Ultrasonografia është një metodë që përdoret për të zbuluar dhe monitoruar formimet e ngurta ose cistike në gjëndrën tiroide. Rreth një e treta e noduseve/nyjeve të palpueshme (të prekshme) janë cista tiroide. Dimensionet mund të jenë të ndryshme dhe zakonisht përmbajtja është lëng koloidal, i cili në varësi të dendësisë, nëse aspirohet (lëngu hiqet me shiringë), noduset/cistat mund të zvogëlohen. Ajo që është e rëndësishme të dini është se cistat shpesh mund të përsëriten dhe nëse ato janë të mëdha ose kanë përmbajtje të dyshimtë qelizore, ato duhet të hiqen në mënyrë kirurgjikale.
Noduset e ngurta janë zakonisht të natyrës beninje. Ato mund të jenë të vetme ose të shumëfishta. Ekzistenca e tyre zakonisht është asimptomatike, përveç rastit nëse nodusi është i madh dhe ushtron presion në trake ose faring, sepse në këtë rast pacienti ka vështirësi në frymëmarrje ose gëlltitje. Karakteristikat ultrasonografike janë shumë të rëndësishme për monitorimin e ndryshimeve të vetë nodusit. Nëse nodusi në fillim ka disa elementë ekografik që hedhin dyshime mbi natyrën e nodusit, ose nëse kanë ndodhur ndryshime në dimensione ose karakteristika me kalimin e kohës, atëherë vendoset indikacion për kryerjen e biopsisë me gjilpërë të imët në nodusin e gjëndrës tiroide (FNAB ). Me aspirimin/marrjen e qelizave nga nodusi do të merret material për analizë citopatologjike që do të përcaktojë ndryshimin e tij i cili mund të jetë beninj ose malinj, dhe në këtë mënyrë do të përcaktohet rrjedha e mëtejshme e trajtimit.
Karcinoma e tiroides është sëmundja malinje më e zakonshme e sistemit endokrin. Tumoret e diferencuara si karcinoma papilare ose karcinoma folikulare e gjëndrës tiroide shpesh mund të kurohen.
Prognoza është më e mirë për pacientët tek të cilët sëmundja zbulohet në një fazë të hershme. Karcinoma anaplastike është agresive, i përgjigjet dobët trajtimit dhe ka një prognozë të dobët. Karcinoma medulare është më agresive se karcinoma papilare dhe folikulare, por më pak agresive se karcinoma anaplastike dhe përbën 5-10% të të gjitha llojeve të karcinomës tiroide.
Trajtimi i kancerit kryesisht konsiston në ndërhyrjen kirurgjikale.
Klinika Zhan Mitrev ju ofron mundësinë e identifikimit, diagnostikimit dhe trajtimit adekuat të problemeve me gjendrën tiroide. Jemi në dispozicionin tuaj për t’ju ofruar informacione më të detajuara dhe për t’ju ofruar shërbimin e nevojshëm.
Rezervoni terminin tuaj në 00389 2 3091 484