Dr. Simona Patçeva është kardiokirurgia e parë femër në Maqedoni, pjesë e ekipit të Klinikës Zhan Mitrev

Doza e shëndetit ditor

Maj 05,2023


Dr. Simona Patçeva e cila është vetëm 30-vjeç po e ndryshon realitetin në kardiokirurgjinë dhe qasjen në trajtimin e pacientëve në Maqedoni. Si pjesë e ekipit të Klinikës Zhan Mitrev, ajo u bë mjekja e parë femër në Maqedoni e specializuar në kardiokirurgji dhe është lidere e gjeneratës së re të kardiokirurgëve me trajnim dhe njohuri në teknologjinë moderne që zbatohet për shpëtimin e jetëve.

Ju jeni mjekja e parë femër në Maqedoni e specializuar në kardiokirurgji, si vendosët të specializoheni në këtë fushë. Çfarë do të thotë për ju kardiokirurgjia?

Që në gjimnaz jam interesuar për mjekësinë, veçanërisht zemra si organ dhe sistemi kardiovaskular më kanë tërhequr me tepër vëmendje. Për mua, zemra ka qenë gjithmonë një qendër interesi, pjesërisht edhe filozofikisht – qendra që kontrollon emocionet, karakterin e një personi, vendosmërinë nëse një person do të jetë i mirë apo jo, dhe sigurisht lojtari kryesor i të gjithë organizmit që dikton ritmin e pjesës tjetër të organeve. Edhe pse fshehurazi imagjinoja dhe doja të bëhesha kardiokirurge, edhe atëherë isha e vetëdijshme se është një rrugë mbi të gjitha e vështirë, madje edhe më e vështirë për një grua, sepse kjo konsiderohet një degë e mjekësisë që trajtohet profesion mashkulli dhe vlen si një sukses që arrihet vetëm nga më të guximshmit dhe më të durueshmit.

Që atëherë doktor Mitrev ishte idhulli im, lexoja rregullisht revistën e atëhershme “Zdravstven kod” dhe fillova të interesohesha për rrugën e një kardiokirurgu. Gajtë një kongresi kardiologjik, pata mundësinë të takohesha me doktor Mitrevin dhe i tregova për ambicien dhe dëshirën time për t’u specializuar në kardiokirurgji, dhe ai më tha “vazhdo kështu” dhe se kardiokirurgjia është mënyra e duhur për të ndihmuar dikë dhe se mundësitë dhe perspektiva para meje janë të pafundme.

E keni filluar karrierën në Klinikën Zhan Mitrev, cilat janë mundësitë për zhvillimin, rritjen dhe avancimin profesional në atë mjedis?

Pas mbarimit të Fakultetit të Mjekësisë në Shkup, menjëherë bëra regjistrimin për studimet e doktoraturës në Fakultetin e Mjekësisë në Lubjanë. Përfundova studimet si një ndër 10 studentët më të mirë të gjeneratës sime, me notë mesatare të lartë, kështu që nisa doktoraturën në moshën 26-vjeçare. Mbaj mend se ndërkohë që ndodhesha atje, në Klinikën Zhan Mitrev u hap një konkurs në të cilin unë sigurisht aplikova.
Vetëm disa muaj më vonë kur u ktheva në Maqedoni, caktuam intervistë pas së cilës dhe u punësova, kështu që kjo është puna ime e parë. Kur më pyetën se në cilën fushë do të specializohesha, përgjigja ishte në fushën e kardiologjisë – nuk pata guximin të thoja në fushën e kardiokirurgjisë. Në mënyrë krejtësisht sponatane si pjesë e turneve në sallën e operacionit, doktor Mitrev i cili gjithmonë dëshiron që ne të gjithë të përpiqemi të gjejmë veten aty ku më së shumti na përshtatet puna më dha mundësinë që të qëndroja në kardiokirurgji.

Çfarë mendoni se është më e rëndësishme në qasjen dhe trajtimin e të sëmurëve?

Gjëja më e rëndësishme është ndjeshmëria, humanizmi, të vendosësh veten në vendin e dikujt që ka problem, të pyesësh veten se si do të diheshe nëse do të bëhej fjalë për një person të afërt. Vetëm atëherë mund t’i kushtohet vëmendje maksimale, duke i vënë 100% në vend të parë nevojat e pacientit në atë moment.

Si përfaqësues të vetëm nga Maqedonia, së bashku me kolegun tuaj, keni qenë pjesë e ekipit që testoi simulatorin e realitetit virtual në Holandë. Çfarë përfaqëson kjo dhe çfarë risie sjell në trajtimin e të sëmurëve me zemër?

Teknologjia, si në sferat e tjera të jetës, do të lehtësojë shumë gjëra edhe në mjekësi. Realiteti virtual është vetëm një shembull se si mund të përdoret në trajnimin e ne kirurgëve të rinj dhe si të përmirësohet zhvillimi i rutinës së punës. Simulatori ka për qëllim edukimin në fushën e kardiokirurgjisë, veçanërisht duke përfshirë dhe përjashtuar pacientët nga qarkullimi ekstrakorporal, si dhe reanimimin kardiopulmonar pas operacionit të zemrës.

Vetë simulatori përbëhet nga syze VR (virtual reality) që lidhen me shkopinj që mbahen në duar dhe softueri special i monitorit transmeton lëvizjet e kursantit në trupin e pacientit virtual. Aplikimi i simulatorit VR për mësimin dhe trajnimin e kardiokirurgëve të rinj ka disa përparësi, mbi të gjitha në edukimin konkret.

Është ndjenjë e mirë të kesh mundësinë të marrësh pjesë në zhvillimin e këtij mjeti me ide dhe sugjerime dhe në mënyrë aktive si pjesë e ekipit për të dalë më në fund me një produkt të përfunduar që shpresojmë se do të pranohet nga Shoqata Evropiane për kirurgjinë kardio-torakale dhe të bëhet pjesë e trajnimit të rregullt të kardiokirurgëve. Për shkak të mundësive të mëdha për të mësuar dhe kësaj mënyre edukimi dhe trajnimi, ky simulator pritet të gjejë një përhapje të gjerë në të gjithë botën në vitet e ardhshme.

Sa i rëndësishëm është monitorimi i teknologjisë moderne në qasjen mjekësore dhe cila është përvoja juaj e fituar në klinikën Zhan Mitrev?

Për fat të mirë, Klinika Zhan Mitrev ndjek trendet botërore, teknologjia përdoret shumë. Një spital i rrallë ku çdo gjë është e dixhitalizuar, të gjitha të dhënat janë elektronike, për ne si një brez që jemi rritur me kompjuterë është vërtet e lehtë dhe praktike që nga një tablet të hapësh p.sh. epikrizën e pacientit dhe të krahasosh laboratorët përmes grafikëve që prodhon automatikisht softueri, pa qenë nevoja të plotësohen listat e terapisë siç bëhet ende në vende të tjera. Skanimet koronare, rrezet X hapen me një klikim. Është mirë që ka shumë pika kontrolli dhe mundësia e gabimit është reduktuar ndjeshëm.

Cilat janë mundësitë për avancim të praktikantëve të rinj në Maqedoni, çfarë nevojitet që të mos largohen dhe të qëndrojnë duke punuar në vend?

Ka vend për të përparuar edhe në Maqedoni, por duhet shumë punë. Si student, pata mundësinë të ndjeja se si është të jetosh dhe të punosh në sisteme të tjera. Vërtet, kursantët dhe mjekët e rinj atje janë me fat, kanë mundësi të mëdha, u është hequr një barrë e madhe kujdesi sepse kujdeset shteti për ta, detyra e tyre e vetme është të studiojnë, të jenë në detyrë dhe të kujdesen për pacientët.

Tek ne kanë mbetur ende shumë çështje administrative, shqetësime financiare, probleme për punësimin nëse kemi të bëjmë me specialistë privatë. Avantazhi i të qenit në një klinikë private është i madh për mua, ndihem i sigurt, punoj në një sistem ku mundi dhe puna shpërblehen, sa më shumë të investosh aq më shumë do të marrësh. Jam e lumtur që kam mundësinë të mësoj nga kardiokirurgu më i mirë dhe ky është motivimi më i madh për mua që të bëj më të mirën. Sepse e di që një ditë do të punoj në mënyrë të pavarur dhe nuk ka vend për gabime apo improvizime apo dilemma nëse punon sic duhet apo jo.

A ndikon në punën tuaj ajo që ndodh me akuzat ndaj klinikës? Sa e ndjeni ju si personel mjekësor këtë presion?

Kemi kaluar një periudhë shumë stresuese, sigurisht që nuk është e lehtë të dëgjosh akuza të tilla. Secili prej nesh e ndjeu pjesërisht si një sulm personal. Ne jemi një ekip, kemi punuar pa u lodhur gjatë periudhës së Covid-it, kemi pasur madje edhe 12 turne dezhurni 24-orëshe në një muaj, janë shumë orë duke hequr dorë nga jeta jonë personale për të ndihmuar dhe shpëtuar sa më shumë njerëz. Nuk është një ndjenjë e këndshme kur dëgjon se ajo punë jo vetëm që nuk vlerësohet, por edhe dënohet më ashpër. Megjithatë, mendoj se puna na mban të zënë, punojmë pa u lodhur gjatë gjithë kohës, ndaj nuk kemi shumë kohë për t’iu kushtuar komenteve anësore.