00389 2 3091 484
Janar 01,2021
Më shumë se 100 lloje të Human papillomavirus (HPV) janë identifikuar dhe afërsisht gjysma e tyre infektojnë traktin gjenital. Disa lloje të HPV janë gjetur tek pacientët me kancer të qafës së mitrës, ndërsa llojet e tjera të HPV janë gjetur shumë rrallë ose aspak tek pacientët me kancer të qafës së mitrës, duke e klasifikuar atë si një virus me rrezik ‘të lartë’ dhe ‘të ulët’. Virusi HPV mund të shkaktoj kancer anogjenital dhe orofaringeal, si dhe ndryshime në lëkurë në formën e lythave.
Çfarë është virusi HPV?
Virusi HPV është infeksioni më i zakonshëm seksualisht i transmetueshëm. Ky virus është i ndryshëm nga virusi HIV dhe herpes. HPV është një infeksion aq i zakonshëm saqë pothuajse 85% e burrave dhe grave seksualisht aktivë infektohen në një moment të jetës së tyre. Sot ekziston një vaksinë për llojet më të zakonshme dhe të rrezikshme të HPV, e cila mendohet se çrrënjos kancerin e qafës së mitrës.
Ju mund të infektoheni nga HPV nëpërmjet marrëdhënies seksuale orale, vaginale ose anale me një person të infektuar (tek i cili virusi është i pranishëm), si dhe me anë të kontaktit të lëkurës (lëkurë me lëkurë). HPV gjithashtu mund të transmetohet edhe kur personi i infektuar nuk ka shenja ose simptoma.
Pothuajse çdokush nga personat që është seksualisht aktiv mund të infektohet nga HPV, edhe nëse kryen marrëdhënie seksuale vetëm me një person. Gjithashtu, simptomat mund të shfaqen disa vjet pasi të keni kryer marrëdhënie seksuale me një person të infektuar, duke e bërë të vështirë identifikimin se kur jeni infektuar.
A shkakton kancer virusi HPV?
Virusi HPV mund të shkaktojë kancer të qafës së mitrës dhe kancere të tjera të tilla si kanceri i vulvës, vaginës, penisit ose anusit. Mund të shkaktojë gjithashtu kancer të gojës, pjesës së poshtme të gjuhës dhe bajameve (i quajtur kancer i orofaringut). Ndonjëherë duhen vite që kanceri të zhvillohet nga ky virus. Llojet e viruseve HPV që mund të shkaktojnë lytha gjenitale nuk janë të njëjta me ato që mund të shkaktojnë kancer.
Nuk është e mundur të përcaktohet se tek cilët persona me HPV do të shfaqet kancer ose probleme të tjera shëndetësore. Personat me sistem të dobët imunitar (përfshirë personat me HIV / AIDS) mund të jenë më pak të aftë për të luftuar kundër HPV dhe kanë më shumë të ngjarë të kenë probleme shëndetësore të shkaktuara nga virusi.
Si mund ta di nëse kam HPV?
Ekziston test me anë të të cilit mund të përcaktohet nëse pacientja ka HPV dhe natyrisht cili lloj i virusit HPV është i pranishëm.
Metoda e marrjes së materialit për këtë test është shumë e ngjashme me procedurën e marrjes së briseve (shtupave) mikrobiologjike ose Pap testit tek gruaja. Dallimi është në vendndodhjen dhe përpunimin e mëtejshëm të materialit.
A mund të shërohet virusi HPV, ose të shërohen ndryshimet e shkaktuara nga ky virus?
Nuk ka ndonjë trajtim specifik për vetë virusin. Megjithatë, ka trajtime për ndryshimet që mund të shkaktojë HPV.
Gjendja parakanceroze e qafës së mitrës mund të trajtohet. Gratë që bëjnë Pap-teste të rregullta dhe bëjnë kontrolle të rregullta mund të identifikojnë problemet para se të zhvillojnë kancerin e qafës së mitrës.