Këshilla se si të mbroheni nga vala e të nxehtit

Doza e shëndetit ditor

28 Korrik, 2022

Çdo vit temperaturat e larta dëmtojnë shëndetin e shumë njerëzve, sidomos të të moshuarve. Vala e të nxehtit mund të shkaktojë rraskapitje, sulm në zemër ose konfuzion dhe mund të përkeqësojë gjendjet ekzistuese si sëmundjet kardiovaskulare dhe ato të frymëmarrjes.

Temperaturat jashtëzakonisht të larta kanë ndikime të përhapura në shëndetin e njeriut, bujqësinë, ekosistemet dhe infrastrukturën. Ato shkaktojnë edhe zjarre shkatërruese në pyje, siç ishte zjarri që shpërtheu në vendin tonë në Berovë si dhe në Greqi vetëm pak ditë më parë.

Përfaqësuesit e Organizatës Botërore Meteorologjike thanë se ka një rritje e pazakontë të temperaturave të cilat kanë arritur mbi 30 gradë në Norvegji dhe pjesët të tjera të Evropës veriore, duke shkaktuar tharje dhe zjarre në pyje. Sipas tyre, pritet rritje e valëve të nxehta. Megjithatë, duhet ditur se ndikimi i tyre në shëndet mund të parandalohet ose zbutet në masë të konsiderueshme.

Këshilla të përgjithshme për t’u zbatuar gjatë valëve të nxehta të motit
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, këto janë këshillat e rekomanduara:

  • Ndiqni rekomandimet e autoriteteve tuaja shëndetësore lokale.
  • Mbajeni shtëpinë tuaj të freskët duke kontrolluar rregullisht temperaturën. Temperatura ideale duhet të jetë nën 32°C gjatë ditës dhe 24°C gjatë natës.
  • Mbyllni dritaret gjatë ditës dhe mbyllni grilat. Hapni dritaret vetëm në mbrëmje dhe herët në mëngjes.
  • Qëndroni në dhomën apo ambientin më të freskët në shtëpinë tuaj, veçanërisht gjatë natës. Shmangni daljet gjatë periudhës më të nxehtë të ditës.
  • Nëse mundeni, shmangni aktivitetin e rëndë fizik.
  • Qëndroni në hije.
  • Mos lini fëmijë apo kafshët shtëpiake në automjete të parkuara.
  • Mbani trupin tuaj të freskët dhe të hidratuar. Bëni dush të ftohtë ose banjë. Përdorni veshje të lehta dhe të lirshme (të gjëra) të përpunuara nga materiale pambuku natyral. Vishni kapelë me strehë të gjerë dhe syze dielli. Përdorni çarçafë të lehtë, pa jastëk, për të shmangur akumulimin e nxehtësisë. Pini lëngje rregullisht, por shmangni alkoolin dhe konsumin e tepërt të kafeinës dhe sheqerit. Mos e teproni me ushqimin, konsumoni vakte më të vogla dhe më të shpeshta. Shmangni ushqimet që janë të pasura me proteina.
  • Nëse jeni duke marrë medikamente, konsultohuni me mjekun tuaj se si ato medikamente mund të ndikojnë në termorregullimin dhe ekuilibrin e lëngjeve.
  • Ruani medikamentet në temperaturë nën 25°C ose në frigorifer (lexoni udhëzimet për ruajtjen e paketimit).
  • Jini gjithmonë në kontakt me mjekun tuaj nëse keni ndonjë gjendje shëndetësore kronike ose jeni duke marrë terapi të kombinuar barnash.
  • Nëse ju (ose persona të tjerë përreth jush) nuk ndiheni mirë, keni marramendje, dobësi, ankth, etje, të fortë ose dhimbje koke, kërkoni ndihmë. Zgjidhni vende më të freskëta sa më shpejt të jetë e mundur dhe matni temperaturën e trupit tuaj. Pini më tepër ujë ose lëng frutash për të qëndruar të hidratuar. Qëndroni në vend të freskët nëse keni spazma/kontraktime të dhimbshme të muskujve; pini lëngje hidratuese që përmbajnë elektrolite; dhe kërkoni ndihmë nëse kontraktimet e shkkaktuara nga valet e të nxehtit zgjasin më shumë se një orë.
  • Kontaktoni mjekun tuaj nëse keni simptoma të pazakonta ose nëse simptomat vazhdojnë.
  • Nëse dikush ka lëkurë të thatë të nxehtë, delirium/të fikët, kriza dhe/ose është pa ndjenja, kontaktoni menjëherë mjekun ose ambulancën për dhënien e ndihmës së shpejtë.