Mbrohuni nga rrezet UV – rrezet e diellit mund të jenë edhe të rrezikshme

Doza e shëndetit ditor

4 Maj, 2021

Dielli i fortë i stinës së pranverës jo vetëm që ndikon në gjendjen e mirë shpirtërore dhe na paralajmëron për verën e nxehtë që na pret, por gjithashtu na paralajmëron se duhet të përgatitemi dhe të mbrojmë lëkurën gjatë ditëve të nxehta dhe me shumë diell..

Para së gjithash, kur përmendim ekspozimin ndaj diellit dhe mbrojtjen ndaj tij, bëhet fjalë për lëkurën. Lëkura jonë si një pengesë / barrierë ndërmjet trupit tonë dhe mjedisit të jashtëm është e para që preket nga rrezet e dëmshme të diellit. Për këtë arsye lëkura kërkon kujdes dhe mbrojtje.

Çfarë është rrezatimi UV dhe cilat janë rreziqet

Qelizat e shtresës së sipërme të lëkurës, përveç funksioneve të tjera, prodhojnë gjithashtu një pigment të quajtur melaninë. Ky është një pigment që i jep ngjyrë lëkurës sonë, detyra e të cilit është të mbrojë qelizat nga thithja e rrezatimit ultraviolet (UV).

Kur lëkura jonë ekspozohet ndaj rrezeve UV, prodhimi i melaninës rritet, gjë që sjell ndryshimin e ngjyrës së lëkurës, pra errësimin e lëkurës. Pikërisht melanina është ajo që siguron një nivel të mbrojtjes nga dielli i barabartë me kremin kundër diellit me një faktor mbrojtës 2.

Shumë persona mendojnë se marrja e rrezeve të diellit (ngjyrosja) është diçka pozitive për shëndetin e trupit të njeriut, por kjo ngjyrosje është një shenjë e cila tregon se lëkura juaj ka qenë ose është e ekspozuar së tepërmi ndaj rrezeve UV dhe tashmë dëmtimi ka ndodhur.

Sidoqoftë, duhet të theksohet se rrezatimi UV nuk shoqërohet vetëm me temperatura të larta gjatë verës, ai gjithashtu mund të depërtojë përmes reve të rralla, kështu që djegia nga dielli mund të ndodhë edhe gjatë ditëve të ftohta dhe me re. Nëse ka rrezatim të lartë UV, djegia nga dielli mund të ndodhë në më pak se 15 minuta. Kur kjo të ketë ndodhur, lëkura do të bëhet e kuqe brenda disa orësh nga djegia. Sidoqoftë, dëmtimi nuk ndalet këtu, djegia nga rrezet e diellit do të vazhdojë të zhvillohet në 1 deri në 3 ditët e ardhshme pas ekspozimit ndaj rrezatimit UV.

Për djegie të rënda të shkaktuara nga rrezet e diellit, kur keni flluska, ethe, të përziera, duhet menjëherë të paraqiteni tek mjeku. Në raste të tilla, këshillohet të pini shumë lëngje pasi djegia nga dielli mund të shkaktojë dehidrim. Sidoqoftë, shmangni pijet e ftohta që mund të shkaktojnë ethe. Gjithashtu në ndihmë mund të vijë edhe dushi me ujë të vakët – të ftohtë, por jo shumë të ftohtë dhe të vendosni kompresa të ftohta. Kur nivelet e rrezeve UV janë mbi 3, rekomandohet të qëndroni në hije. Kjo mund të ndihmojë në mbrojtjen e lëkurës nga dëmtimi i diellit. Hija zvogëlon ekspozimin ndaj rrezatimit UV deri në 75 përqind. Gjithashtu është domosdoshmërisht e nevojshme të përdoren masa të tjera mbrojtëse, të tilla si veshje, kapele, syze dielli dhe krem ​​dielli pasi të gjitha së bashku rrisin nivelin e mbrojtjes tuaj.

Rreziku dhe shkalla e rrezatimit UV:

UV 1, 2 – rrezik i ulët

Ju mund të ekspozoheni në diell për më shumë se një orë pa u djegur nga dielli. Kërkohet kujdes për foshnjat dhe personat me lëkurë jashtëzakonisht të ndjeshme.

UV 3, 4, 5 – rrezik i moderuar / mesatar

Në këtë rast rekomandohet të mbani syze dielli, një kapelë me strehë të gjërë dhe të përdorni kremëra mbrojtës. Personat me lëkurë shumë të ndjeshme dhe fëmijë e vegjël duhet të qëndrojnë në hije nga ora 12 e pasdites deri në orën 4 pasdite. Vishni rroba të lehta me mëngë të gjata, pasi djegia nga dielli mund të ndodhë vetëm në 20 minuta nga momenti i ekspozimit në diell.

UV 6, 7 – rrezik i lartë

Rekomandohet të qëndroni në hije gjatë ditës, të mbani syze dielli, kapele dhe përdorim të detyrueshëm të pajisjeve mbrojtëse. Personat me lëkurë të ndjeshme dhe fëmijët e vegjël nuk duhet të ekspozohen ndaj rrezeve të diellit duke filluar nga ora 11:00 deri në orën 16:00. Gjatë kësaj periudhe duhet të shmanget vajtja në plazh dhe shëtitjet, sepse mund të digjeni shumë lehtë.

UV 8, 9, 10 – rrezik shumë i lartë

Rekomandohet të zvogëloni qëndrimin në diell ndlrmjet orës 11 dhe 16. Duhet të mbahen syze dielli, kapele, veshje me mëngë të gjata dhe kremëra mbrojtës. Individët me lëkurë shumë të ndjeshme dhe fëmijët mund të marrin djegie në më pak se dhjetë minuta.

UV 11 dhe më shumë – rrezik ekstrem

Për të gjithë rekomandohet qëndrimi në ambiente të mbyllura ndërmjet orës 11:00 dhe 16:00, si dhe përdorim maksimal mbrojtës. Personat me lëkurë të ndjeshme dhe fëmijët mund të marrin djegie në më pak se pesë minuta.