Në klinikën Zhan Mitrev, është operuar me sukses pacienti i 31-të me mbështetje mekanike të qarkullimit të zemrës

Ngjarje

3 Prill, 2023

Ekipi i mjekëve i udhëhequr nga Dr. Zhan Mitrev kanë kryer me sukses operacionin kirurgjikal të njohur si “zemër mekanike” për zgjidhjen e dështimit kronik të ventrikulit të majtë të zemrës. Te pacienti me sëmundje koronare terminale, ku për shkak të mjekimit afatgjatë, kishte dobësim të madh të muskulit të zemrës, i është implantuar e ashtuquajtura “zemër mekanike”, gjatë së cilës është vendosur një pompë speciale që mbetet në trupin e pacientit dhe e cila ka si funksion të zëvendësojë punën e zemrës. Pacienti ndihet mirë pas kryerjes së këtij operacioni dhe tashmë vijon rikuperimi postoperativ.

“Ky operacion është i nevojshëm për pacientët që kanë insuficiencë kardiake, e cila është një gjendje afatgjatë që përkeqësohet me kalimin e kohës. Ndodh kur muskuli i zemrës dobësohet dhe nuk është në gjendje të pompojë mjaftueshëm gjak për të përmbushur kërkesat e trupit për funksionimin normal. Është i shpeshtë edhe te pacientët më të rinj në moshë, por me këtë metodë dhe këtë operacion ata mund të vazhdojnë të jetojnë. “Për shkak të shpeshtësisë së kësaj sëmundjeje, operacioni me mbështetje mekanike të qarkullimit të zemrës është një metodë e praktikuar shpesh dhe për momentin është e vetmja zgjidhje afatgjatë që lejon zgjatjen e jetës për pacientët e sëmurë rëndë”, thekson Dr. Mitrev.

Ky operacion është një nga më komplekset. Në Klinikën Zhan Mitrev realizohet prej 6 vitesh dhe deri më tani janë bërë 31 ndërhyrje të tilla.
Dështimi i zemrës mund të jetë akut dhe zakonisht zgjidhet pas trajtimit adekuat dhe në kohë, por mund të bëhet kronik ose të përfundojë në mënyrë fatale. Nëse dështimi i zemrës nuk diagnostikohet dhe trajtohet në mënyrë adekuate, çon në dëmtim të përhershëm të zemrës, cilësi të dobët të jetës dhe trajtime të shpeshta spitalore.