Përmes ndryshimeve të thonjve mund të zbuloni shumë gjëra që lidhen me shëndetin tuaj

Doza e shëndetit ditor

Korrik 07,2021

Vrima mbi sipërfaqen e thonjve

Nëse tek thonjtë tuaj shfaqen vrima me madhësinë e kokës së gjilpërës, shkaku është mungesa e qelizave sipërfaqësore të thonjëve, të ashtuquajtura qelizat me brirë. Kjo është plotësisht normale dhe e padëmshme. Sidoqoftë,
shfaqja e vrimave të thella tek thonjtë është shenjë e mundshme e pranisë së psoriazës, dhe mund të ketë të bëj edhe me praninë e ekzemës ose të jetë rezultat i kushteve të punës (vishni doreza për të shmangur kontaktin me substancat
agresive / gërryese).

Shfaqja e brazdave

Brazdat e holla dhe të gjata zakonisht shfaqen me kalimin e viteve (gjatë plakjes) dhe nuk janë shkak për panik. Kryeni masazhe të rregullta me vaj ulliri mbi sipërfaqen e thonjve. Mungesa e lëngjeve në trup ndryshon gjithashtu strukturën e thonjve, prandaj duhet të pini mjaftueshëm ujë. Ekspertët rekomandojnë të pini të paktën një litër në ditë.

Gjithashtu mund të shfaqen brazda tërthore (horizontale). Zakonisht formimi i tyre ndodh pas lëndimit ose sëmundjeve inflamatore të cilat shkaktojnë ethe (legjionella ose malaria).

Thonj të thatë dhe të brishtë

Keni thonj të thatë dhe të brishtë? Mos u shqetesoni. Në shumicën e rasteve është një problem thjesht estetik, i shkaktuar nga kontakti i shpeshtë me ujë dhe substanca gërryese, siç janë pastruesit dhe detergjentët. Aplikoni shpesh krem duarsh, nëse është e mundur gjithmonë pas larjes së duarve.

Përdorni vetëm pastrues manikyri pa aceton dhe vishni doreza kur punoni në shtëpi ose në kopsht. Rekomandohet masazh me vaj të veçantë për thonjtë.

Nëse gjendja e thonjve tuaj nuk përmirësohet me këto masa, atëherë shkaku i problemit tuaj mund të jetë çrregullimi i funksionit të tiroides. Një tjetër shkak mund të jetë mungesa e hekurit ose zinkut. Në raste të tilla, është më mirë të vizitoni mjekun tuaj.

Thonjtë e lakuar

Thonjtë e lakuar (me lakim konveks) që zakonisht shfaqen me trashjen e majave të gishtërinjve, që mjekët i quajnë akropati ose gishtërinjtë në formën e shkopave të daulles. Një shkak i zakonshëm është mungesa e oksigjenit në gjymtyrë, që do të thotë se ky ndryshim i thonjve mund të jetë një shenjë paralajmëruese e sëmundjes së zemrës, frymëmarrjes ose mëlçisë, dhe përsa i përket pamjes së tyre kërkon konsultë mjekësore.

Termi “thonj lugë” i referohet një gjendje në të cilën pjesa e mesme e thonjve fundoset dhe maja lakohet lart. Dy shkaqe të zakonshme janë përdorimi i sapunëve për heqjen e yndyrës dhe kontakti me pastrues irritues ose materiale pune të tilla si çimentoja. Prandaj, kaloni te pastruesit jo-agresivë ose më pak agresivë dhe vishni doreza për punët e shtëpisë dhe punët e ndërtimit.

Një shkak tjetër i mundshëm është anemia, dhe nëse problemi vazhdon, duhet të kontaktoni mjekun tuaj. Mjeku ndoshta do të kërkojë / rekomandojë që të bëni analiza laboratorike për të përcaktuar nivelin e hekurit në gjak.

Njollat

Ngjyrosja e thonjve shpesh shkaktohet nga faktorë të jashtëm siç janë kimikatet, manikyri me ngjyra intensive dhe goditjet apo lëndimet. Nëse zona e prekur duket e bardhë apo e verdhë dhe duket se po përhapet, mund të jetë një infeksion mykotik. Nëse thoi ose një segment i thoit ka ndryshuar ngjyrën natyrale, përdorimi i manikyrit (llakut) mjekësor mund të jetë një zgjidhje për problemin tuaj.

Nëse problemi vazhdon dhe bëhet më serioz, duhet të konsultoheni me mjekun tuaj, i cili do të përshkruajë ilaçet e duhura për të zgjidhur problemin tuaj. Mbi të gjitha, duhet të bëni durim! Infeksionet mykotike janë të rënda dhe mund të rikthehen nëse e ndërpritni trajtimin para kohës së indikuar nga mjeku.

Vija të errëta

Nëse shfaqet ndonjë vijë vertikale e errët ose ndonjë linjë e errët në ndonjë prej thonjve tuaj, drejtohuni menjëherë te mjeku. Megjithëse ekzistojnë një numër kushtesh në të cilat ndodh pigmentimi i thonjve, është e rëndësishme të siguroheni për përjashtimin e pranisë së melanomës ose kancerit të thonjve. Zbulimi i hershëm i melanomës është shumë i rëndësishëm dhe konsultimi i hershëm mund të çojë vetëm në ubmjen e thoit dhe jo të një pjese ose të të gjithë gishtit.