00389 2 3091 484
11 Maj, 2021
Pneumonia është një infeksion që ndez mushkëritë dhe mund të prekë njërën ose të dy anët. Ato mund të mbushen me lëng ose material purulent, duke shkaktuar kollitje të mukusit, ethe, temperaturë dhe probleme me frymëmarrjen. Mikroorganizma të ndryshme, të tilla si bakteret, viruset dhe kërpudhat, mund të shkaktojnë pneumoni.
Pneumonia mund të jetë e lehtë ose e rëndë dhe madje e rrezikshme për jetën. Foshnjat, fëmijët e vegjël, personat mbi 65 vjeç dhe ata me probleme të tjera shoqëruese shëndetësore ose me sistem imunitar të dobësuar janë më të prekur dhe e kanë më të vështirë përballjen me këtë sëmundje.
Simptomat e pneumonisë varen nga një numër faktorësh, duke përfshirë llojin e mikrobeve që kanë shkaktuar infeksionin, moshën dhe shëndetin e përgjithshëm. Shenjat dhe simptomat fillestare janë zakonisht të ngjashme me ftohjen ose gripin e zakonshëm, por zgjasin më shumë.
Pneumonia mund të manifestohet nga:
• Dhimbje gjoksi kur merrni frymë ose kolliteni
• Çorientimi ose ndryshimet në perceptimin mendor (tek të rriturit mbi 65 vjeç)
• Kollë që mund të prodhojë gëlbazë / sekrecion
• Lodhje
• Temperaturë, ethe dhe djersitje
• Ulje të temperaturës normale të trupit (tek të rriturit mbi 65 vjeç dhe tek personat me sistem të dobët imunitar)
• Të përziera, të vjella ose diarre
• Vështirësi në frymëmarrje
Bebet dhe foshnjat e porsalindura ndonjëherë mund të mos tregojnë shenja të infeksionit, megjithatë ndonjëherë mund të manifestohen me të vjella, ethe dhe kollë, shqetësim ose lodhje, mungesë energjie ose vështirësi në ushqim dhe frymëmarrje.
Paraqituni tek mjeku juaj nëse keni gulçim, dhimbje gjoksi, temperaturë të vazhdueshme 39ºC (ose më të lartë) dhe kollë të vazhdueshme, veçanërisht nëse është e shoqëruar me sekrecion.
Është shumë e rëndësishme që personat të cilët i përkasin grupeve të mëposhtme të rrezikut të konsultohen me mjekun e tyre:
• Të rriturit mbi 65 vjeç
• Fëmijët nën moshën 2 vjeç me shenja dhe simptoma
• Personat me probleme shëndetësore të padiagnostikuara ose me sistem imunitar të dobësuar
• Personat që marrin kimioterapi ose marrin ilaçe imunosupresive
Tek disa persona të moshuar dhe tek personat me dështim të zemrës ose probleme kronike të mushkërive, pneumonia mund të përparojë shpejt duke u shndërruar në një gjendje të rrezikshme për jetën.
Pneumonia mund të prekë këdo. Por dy grupmoshat që janë më të rrezikuara janë:
Faktorë të tjerë rreziku janë:
• Sëmundjet kronike – Ju keni më shumë të ngjarë të prekeni nga pneumonia nëse keni astmë, sëmundje pulmonare obstruktive kronike (COPD) ose sëmundje të zemrës.
• Pirja e duhanit – Pirja e duhanit dëmton mbrojtjen natyrale të trupit tuaj kundër baktereve dhe viruseve që shkaktojnë pneumoni.
• Sistemi i dobët imunitar – Personat me HIV / AIDS, personat që kanë bërë transplantim të organeve, ose që marrin kimioterapi afatgjatë ose steroide janë në rrezik.
Pavarësisht nga trajtimi, tek disa persona, veçanërisht tek ata të cilët bëjnë pjesë në grupin e personave me rrezik të lartë, mund të shfaqen komplikimet e mëposhtme:
• Baktere në qarkullimin e gjakut
• Vështirësi në frymëmarrje
• Grumbullim i lëngjeve rreth mushkërive
• Absces i mushkërive
Disa këshilla për të ndihmuar në parandalimin e pneumonisë:
• Vaksinimi – ekzistojnë vaksina për të parandaluar disa lloje të pneumonisë dhe gripit. Flisni me mjekun tuaj në lidhje me këto vaksina.
• Mbajtja e higjenës së duhur – për të mbrojtur veten nga infeksionet e frymëmarrjes që shpesh çojnë në pneumoni, lani duart rregullisht ose përdorni lëndë pastruese të duarve me bazë alkooli.
• Heqja dorë nga pirja e duhanit – pirja e duhanit dëmton mbrojtjen natyrale që mbron mushkëritë nga infeksionet e frymëmarrjes.
• Mbajtja e fortë e sistemit imunitar – flini mjaftueshëm, merruni me ushtrime ose aktivitet të rregullt fizik dhe konsumoni ushqim të shëndetshëm.